Kemi pasur kohë
mjaftueshëm për ta shkatërruar kulturën tonë. Jo në një shekull të tërë aq sa
daton shtetformimi ynë, as në pesë dekada totalitarizëm, por vetëm në 20 vjet.
Dhe nuk kanë qenë vite lufte apo regresi, por vite paqeje dhe progresi. Madje
progresi drejt modernitetit ka ecur me hapa kaq gjigantë saqë e ka mbuluar
krejt kulturën antike, që ndodhet poshtë këmbëve tona.
-Gjëra të vjetra,
kujt i duhen...?!
Kanë rezistuar
vetëm kalatë, shumica e të cilave kanë themele nga koha e ilirëve, por me mure
të ngritura rishtas në periudhën e arbrit. Pra mesjetare.
Ne e kemi
shkatërruar kulturën tonë. Dhe po vazhdojmë ta bëjmë pa ndalim. Jo vetëm pse
shembëm një godinë teatri dhe disa godina kinemaje. Kjo është më e pakta. Por
ne po shkatërrojmë themelin, aty ku është gjeneza, ADN-ja jonë. Përditë nga
pak. Me fadroma e matrapikë, por dhe me sasi të mëdha betoni, ku muroset jo më
një grua si në legjendë, por një histori e tërë.
Me sa duket jemi
çliruar plotësisht nga dogma nacionale, dhe teksa e cilësojmë veten njerëz të
lirë të një bote të madhe e pa kufij, nuk na pëlcet shumë se nga e kemi
origjinën: nga Eva dhe Adami apo... nga majmuni. Mjafton që frymojmë mbi këtë
tokë të begatë dhe kemi internet as sa të mund të shohim sherret në “Big
Brother”. Të tjerat nuk kanë rëndësi.
Ne po vazhdojmë ta
shkatërrojmë kulturën tonë. Me këmbëngulje. Arkeologjia tanimë është një
shkencë që nuk vlen më as për t’u studiuar në universitet dhe as për t’u
praktikuar në nëntokë. Sepse nëntoka jonë nuk përmban vetëm thesare si naftë,
krom, e ndopak flori të papërpunuar, mall të cilin e ngarkojmë rifuxho në
vaporë e marrim lekët në dorë. Nëntoka jonë fsheh dhe historinë e stërgjyshërve
tanë. Në fakt, ajo e mban atë të konservuar, të paprishur. Duhet vetëm pak
durim e vullnet i mirë që të mund ta zbulosh. Dhe pas kësaj ta kthesh edhe në
një atraksion turistik, ku gjithsesi mund të fitosh po aq para. Sepse asnjë
turist sot nuk vjen në Shqipëri të shohë 15-katëshin e Enverit, as 25-katëshin
e Saliut dhe as 45-katëshin e Edit, por të shohë skulpturat e hyjnive në
mermer, teatrot e lashtë në të cilat luheshin tragjeditë e famshme të Eskilit
apo amfiteatrot ku gladiatorët ndesheshin me luanët për të fituar lirinë.
Në po shkatërrojmë
kulturën tonë. Pa mëshirë.
I gjithë ky mllef
i mbajtur nën vete me kohë, dhe i hedhur nga pak me pikatore përmes shkrimeve
të tjera, vjen e derdhet tanimë, pasi u njoha edhe një herë me fakte kokëforte
e të pakundërshtueshme të publikuara nga gazetari Marin Mema në një nga
edicionet e “Gjurmë shqiptare”. Ai tregoi as më pak e as më shumë se si Durrësi
i ri, - ky që kemi ndërtuar ca me para të pastra emigrantësh dhe ca me para të
pista trafikantësh, ku pallatet shumëkatëshe, tulla, xham dhe beton, po kapin
qiellin, - ia kishte hipur atij të vjetrit për ta bërë të mos ngrejë kokë më,
as sot dhe as viteve të tjera që do vijnë më pas. Dhe askujt, - përpara një
fitimi të shpejtë, - nuk i dhimbset dhe as i hyn në punë se sapo vë kazmën për
të hapur themelet e godinës së re, ke copëtuar tullat e një ngrehine 2000-vjeçare,
e cila për shkaqe natyrore është zhytur pak metra më poshtë. Përpara kësaj
masakre i kanë mbyllur sytë të gjithë. Dhe do të vazhdojnë t’i mbyllin sërish
për sa tokë ka mbetur ende pa u licencuar si projekt ku do të nisë ndërtimin shumëkatëshi
i radhës.
Dyrrahu apo dhe
Epidamni më i vjetër se kaq, mund të flisnin shumë nëse do t’i rizbuloheshin
vlerat. Dhe është për të bërë kryq e për të ndezur qiri, që të paktën ka
shpëtuar nga kjo kasaphanë amfiteatri antik, të cilën arkeologu fort i njohur
Vangjel Toçi e zbuloi në vitin 1966. Por 50 vite përpara tij ishte bërë një
zbulim tjetër i rrallë. “Bukuroshja e Durrësit”, një mozaik i lashtësisë që
doli nga balta në vitin 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore, krejt rastësisht,
sepse ushtria austriake po hapte një transhe fortifikuese. E megjithëse luftë,
arkeologu austriak Camillo Praschniker si dhe kolegu i tij Arnold Schober u
kujdesën për mozaikun, në mënyrë që të mund të ruhej më mirë. Ndaj e mbuluan të
mos dëmtohej. Kështu që arkeologu shqiptar Vangjel Toçi arriti ta nxjerrë në
dritë në vitin 1959. Ky rast i arkeologëve austriakë nuk është si rasti i
ekipit që kërkonte të trafikonte gjetjet arkeologjike të zbuluara në Apoloni, -
po gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore,- për të cilat bën fjalë dhe filmi i
kinostudios “Dëshmorët e monumenteve”. Sepse ishin austriakët gjithashtu, të
cilët pushkatuan tre ushtarakë shqiptarë vetëm se guxuan ta ndalonin trafikun e
kulturës kombëtare.
Po kush pyet sot
për gjakun e tyre?!
Gjithsesi, atë që
na shpëtuan të huajt apo që nuk mundën të na i rrëmbenin dot, ne si shqiptarë
të sotëm, - krejt modernë dhe të pandikuar nga e kaluara - nuk e kemi për gjë
ta hedhim në det. Madje ka prej nesh që janë të gatshëm t’ia shesin Butrintin
grekëve, mjaft që ata të na japin pasaportën dhe një pension 300 evrosh, që të
hamë e të pimë pa punuar.
Të vjen të zësh
kokën me duar e të ulërish, kur njihesh hap pas hapi me shkatërrimin që i bëjnë
shqiptarët kulturës së tyre. Sepse atë gjë që ne ia bëjmë vetes nuk ka armik që
të na e vendosë mbi shpinë. Madje edhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore
forcat pushtuese kanë qenë shumë më të kujdesshëm me bombardimet, që të mos i
rrafshonin qendrat e banuara.
Në po e shkatërrojmë
kulturën tonë. Metamorfoza jonë është e çuditshme.
Ndaj në territorin
e administruar prej nesh, gjithmonë e më pak sot ka monumente kulture. Sepse
ato lihen të degradohen nga koha, dhe më pas kthehen në truall ku lulëzon një
qiellgërvishtës.
Ndërtimi i
“Velierës” në Durrësin modern, ka nxjerrë në sipërfaqe disa mure të cilat
specialistët i kanë vlerësuar së paku mesjetare. Por edhe ato u murosën me
beton për hir të një instilacioni gjigant hekuri, i cili nuk i jep asnjë pikë
më shumë një qyteti ku mund të lulëzonte antikiteti po aq sa në Romë apo
Athinë.
Mirëpo ne kemi
vendosur ta shkatërrojmë kulturën tonë, dhe t’i humbasim lidhjet me rrënjët.
Sepse na duket se jemi më të lirë të marrim një trajtë tjetër, dhe të quhemi sa
më shpejt... fjala vjen: amerikan, vetëm e vetëm se na ka dalë lotaria.
Vetëm pak vite më
parë Ministria e Kulturës publikoi një listë prej 1982 monumentesh, ku u
deklarua se 112 prej tyre ishin tërësisht të shkatërruara, ndërsa 332
rrezikonin të njëjtin fat. Vetëm kryeqyteti numëron rreth 260 monumente
kulture, ku shumë prej tyre janë lënë në harresë, shembur ose degraduar. E
teksa shfletoja njoftimet mbi problematikat e monumenteve të kulturës ndesha
dhe fjalët e Emin Rizës, një nga ekspertët më të mirë të trashëgimisë
kulturore, i cili ishte shprehur se “Shqipëria po humbte disa nga objektet më
të mira kulturore, për shkak të ndërtuesve të pangopur”.
..."Grykësia", një nga
shtatë mëkatet e Biblës.
Durrësi është
qyteti tipik ku si vendbanim i mëtejshëm është ruajtur e njëjta tokë mbi
vendbanimin e vjetër, i cili daton në themelim këtu e 2700 vite më parë. Por
nuk do të ishte çudi që e gjithë kultura jonë nëntokësore të kishte të njëjtin
fat nëse Saranda do të ndërtohej mbi Butrintin, Fieri mbi Apoloninë, apo
Orikumi i sotëm mbi Orikun e dikurshëm. Kështu, gjetjet arkeologjike do të
zhdukeshin nën themelet e betonit dhe askush nuk do të mund ta ngrinte
historinë; cilët kemi qenë dhe pse jemi katandisur në këtë farë derexheje.
No comments:
Post a Comment