Për
një rastësi fatlume, ai lindi po në 13 tetor. Vinte në jetë 20 vite pas
paraardhësit të tij gjithashtu poet i jashtëzakonshëm. Veç njëri lindi në
Shkodrën qytet dhe quhej Millosh, ndërsa tjetri në Devoll, tek fshati Menkulas
dhe emri iu vu Dritëro. Por dy dekada janë një kohë e papërfillshme, për një
komb i cili nxjerr dy poetë që dominojnë në mënyra krejt të ndryshme skenën
letrare të vendit. Sot, në kandarin e vlerave, ku gramët nuk bëjnë punë dhe
shenja treguese dridhet mes dy anëve, pesha e tyre nuk merr kurrfarë rëndësie,
sepse koha vetë, me një njësi matëse krejt të pagabueshme i ka ngjitur lart në
piedestal...
Dritëroi
ishte njeri i thjeshtë e popullor. Isha rritur nën hijen e mistershme e disi të
rëndë që atij i jepte qenësia e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Deputet
i Kuvendit të dikurshëm Popullor. Pushtet politik me doza të mëdha, por shumë
më tepër një pushtet letrar, si dhe një makinë “Polski Fiat” të cilën e kishte
në dispozicion sa zbriste poshtë shkallëve të shtëpisë. Sepse për një rastësi
tjetër, aspak oportune, apartamenti ku unë banoja në vitet ‘80 ishte vetëm 150
metra larg nga ai që cilësohej si “Pallati i Shkrimtarëve” - në hyrje të rrugës
“Bardhok Biba” me pamje nga “Rruga e Dibrës”, - ku banonte Dritëro Agolli, si
dhe Ismail Kadare. Sepse, - edhe pse në të njëjtin pallat banonin disa
personalitete të tjera të artit, - unë vetë njihja vetëm këta të dy, si persona
fizikë të cilët ishin të pajisur gjithashtu me armën e rëndë të një letërsie
brilante.
Pas
viteve ’90, teksa njihesha me Dritëroin, - tanimë me një peshë të dyfishtë për
atë çfarë përfaqësonte, edhe pse jo më si Kryetar i Lidhjes, - hija e tij e
rëndë u zhbë njëherazi. Sepse ai ishte Dritëroi, babaxhan e hokatar, me të
cilin mund të bashkëbisedoje lirshëm madje dhe të të dëgjonte gjatë, duke
tumosur vazhdimisht një cigare, për ato ç’ka mund t’i llomotisje, që mbase për
të nuk përbënin as një kuriozitet të përciptë.
Si
rrallëkush, ai u tërhoq nga jeta politike, por mbeti strumbullari i mendimeve të
kthjellëta e plot debat, të cilët gazetarët ia merrnin më së shumti nëpërmjet
telefonatave, që ai nuk i refuzonte kurrë.
Me
flokë të thinjura që gati i binin mbi supe, ai mbeti fisnik në brendësinë e
tij, po aq sa transmetonte në pamjen e parë.
Sot
në bibliotekën personale, librat e Dritëro Agollit qëndrojnë në radhë. Janë aty
poemat “Nënë Shqipëri” dhe “Devoll Devoll”, por dhe romanet “Komisari Memo”,
“Njeriu me top”, “Trëndafili në gotë” si dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut
Zylo”. Për më tej, do të më duhet të shkoj sërish në librari, sepse krijimtaria
e tij është shumë më e gjerë se kaq.
Ai
vinte në Tiranën e viteve ’60, pasi ishte diplomuar në Fakutetin e Arteve të
Shën Petersburgut që asokohe quhej Leningrad. Ishte i ri dhe plot energji, ndaj
jo vetëm shkruante lajme e reportazhe për gazetën “Zëri i Popullit” ku punonte,
por thurte vargje pambarim në copa letrash dhe proza i zinte një kohë të
pamjaftueshme.
Vite
më pas teksa konsolidohej, u cilësua si poeti i tokës dhe i dashurisë,
shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Kritika e kohës ishte
shprehur për të se u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për
poezinë. E sipas kësaj kritike ai krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.
Për më tej se kaq do të futeshim në një labirinth shprehjesh të ngurta e
skematike, çka në vend ta lartësonte shkrimtarin e madh, më shumë do t’ia
zbehte vlerat. Por gjithsesi na lejohet që për një kompromis të shkurtër e
teknik të themi se gjatë gjithë karrierës së tij artistike Dritëro Agolli ka
lëvruar: poezinë dhe poemën, tregimet dhe novelat, romanin dhe dramën, reportazhin
dhe kritikën, analizën dhe raportin e lajmit, e për së fundi dhe skenarin e
filmit.
Më
i plotësuar se kaq nuk mund të bëhet një shkrimtar, që kishte punuar jo pak
kohë dhe si gazetar e njohës i terrenit në përditshmëri, gjë që me siguri e ka
bërë ta njohë jetën shqiptare shumë më thellë se një gazetar e shkrimtar që
realitetin e sheh vetëm pas xhamave të zyrës.
Dritëro
Agolli u lind në Menkulas të Devollit të cilit i këndoi aq shumë e aq shumë i
kushtoi vargje. Por ndërroi jetë tek një spital universitar në Tiranë. Prej
katër muajsh kishte mbushur 85-vitet e jetës së tij, kur sëmundja pulmonare nga
e cila vuante prej ca kohësh e shkëputi nga përditshmëria. Ishte e premte... 3
shkurt 2017.
Sot,
pakkush e di ku ndodhet vendvarrimi i tij, por në bibliotekat personale librat
që ai shkroi qëndrojnë në radhë. Dhe po aq në pelikulën e kinemasë janë
stampuar skenarët e tij në formën e një filmi artistik. Ndaj Dritëroi është po
aty, “në ndonje fjalë a ndonjë shkronjë, - mjafton që librin pak ta heqesh - ai
do te zbres do t'vi prane teje... ”
No comments:
Post a Comment