Wednesday, October 13, 2021

Krizat e habitshme, kur shqiptarët flenë mbi ujë e naftë


Nga Leonard Veizi
 
Sapo ndonjë krizë shfaqet te horizonti i globit, në Shqipëri jepet berihaj dhe ngrihen duart përpjetë e para.
Kemi një shtet tek i cili krizat shtrohen këmbëkryq; edhe kur ka vend, edhe kur nuk ka fare vend. Fjala vjen: po u ngrit “5 lekë” çmimi i naftës në bursë, këtu te ne pasqyrohet që të nesërmen, me “15 lekë”. Më shpejt se kaq nuk ka. Edhe me energjinë ndodh i njëjti fenomen. Edhe pse hidrocentrale kemi me bollëk e po vazhdojnë të ngrihen të tjerë. Nuk guxon kush të ngrejë ndonjë çmim andej nga Evropa se Shqipëria e implementon me shpejtësi ere. Jo për gjë por jemi të lidhur me interkonjeksionin.
Pa le kur ngrihet çmimi i grurit: Se këtu fitimi shkon dyfish ngaqë ia kemi gjetur marifetin me kohë; rrisim çmimin ulim dhe volumin. Pra, ha në të dyja krahët.
-Jo Safa, nuk ha dot në të dyja krahët, s’e nduk gjuhën…
Tani së fundi plasi edhe kriza e ujit. Domethënë, më shumë se gjysma e njerëzve të Tokës, nuk kanë sasi të mjaftueshme.
Bo, bo, kush e di sa do shkojë bidoni? Se sa për rritjen nga ana e bashkisë, atë e kemi hak me kohë. Po ai është ujë që përdoret për lavatriçen dhe për shkarkimin e WC-së. Unë e kam fjalën për ujin që i hedhim barkut.
Eh ç'na zuri belaja me këto krizat e njëpasnjëshme. Se edhe Covidi vazhdon të na ngatërrohet nëpër këmbë.
Mirëpo kur kërkon të bësh të zgjuarin e fillon e thellohesh, kupton se ne si Shqipëri nuk kemi të bëjmë fare me krizat globale. Atëherë fillon e bëhesh problematik, se e fut hundën dhe atje ku nuk duhet. Dhe fillon e mendon se meqenëse kërkojmë të aderojmë në Evropë jemi kahil të pranojmë më parë të këqijat e globalizmit me shpresën se më pas do të na vijnë të mirat. Nëse..., gjithmonë.
Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar Shqipëria prodhoi grurë aq sa të plotësonte 100 përqind nevojat e vendit. Kështu u deklarua në Kongresin e 7-të. Dhe me Plenumet e Kongreset nuk bëhej shaka. Domethënë, nuk ishte nevoja të blinim as dhe një kokërr bereqeti, jo më të përfundonim në derexhenë që 80 përqind të nevojave t’i merrnin nga Serbia me para në dorë.
Kujë e zezë.
Që prej viteve ‘70 sasia e grurit për të mbuluar nevojat nuk është prodhuar më në vend. Prandaj dhe dacibao propagandistik i xhaxhi Thomait tek “Beni ecën vet” ka mbetur vetëm një batutë humori.
-Po hë moj Leta s’më gjete një herë. Ha byrek e mos na kurse, se këtë vit dolëm shumë mirë me grurin.
Sepse kur dilej mirë me grurin kërciste lakrori e bëhej festë.
-Aman o se dhe me fasule na u bë barku daulle.
Prandaj edhe çmimi i bukës në Shqipëri, tanimë lëviz sipas bursës ndërkombëtare.
Epo... çështje globalizmi. Shyqyr që ia arritëm kësaj dite e të jemi dhe ne si bota.
Po ec e shpjegoja një pensionisti, të kam rixha, që raportin e ushqimit ditor dhe ilaçeve mujore e ka fort të ngatërruar, aq sa për të mbajtur balancën i duhej të luajë me metaliket, ku herë fuqizon njërin buxhet dhe herë dobëson tjetrin. Dhe meazallah se flitet për ndonjë kompensim a indeksim, për ndonjë rritje të vogël pensioni, qoftë dhe sa për të larë gojën.
Por premtimet vazhdojnë.
Kur flitet për karburantin, - naftë e derivatet e saj, - është thënë gjithmonë se prodhimi i brendshëm në Shqipëri mbulon pjesën dërrmuese të shpenzimit. Gjithsesi, industria e naftës ende nuk ka arritur kulmin e saj të viteve ‘70-të, ku pikërisht në vitin 1974 Shqipëria prodhoi shifrën rekord prej 2.2 milionë fuçi nafte në vit. Por edhe sot që po flasim jemi mirë: herë nxjerrim 1.6 milionë fuçi në vit, e herë më pak. Epo Kuçova e Patosi aty janë e nuk kanë lëvizur. Edhe rafineria po ka qenë në punë. Tjetër gjë që ne kemi “dëshirën e mirë” për ta çmontuar e shitur si skrap. Si përfundim, ç'punë kemi ne te futemi nëpër kriza globale? Këtë nuk e kuptoj.
Për së fundi më qesharakja ka mbetur tek produkti ujë.
OKB ka dhënë alarmin se miliarda njerëz rrezikojnë të mbeten pa një pikë ujë.
Mirëpo ne, që dy milion e gjysmë kemi mbetur mbi këtë tokë, ç'punë kemi me miliardat e njerëzve që jetojnë në kontinentin Aziatik?
Dhe këtu tek ne, në çdo cep po hape dy metra tokën, shpërthen uji. Ndërkohë që ne kemi burime pa fund që na shkojnë kot në det e nuk i shfrytëzojmë dot. Po në këtë rast ç’punë kemi me krizën botërore? Apo, sa për të rritur çmimet?! Këtu po, rroftë sebepi...
Për analogji, në vitet e socializmit edhe pse ishim në krizë, trumbetohej se ishim mirë aq sa armiqtë na kishin zili. Tanimë ka ndryshuar pllaka. Nuk ka pse të jemi në krizë e na thuhet se jemi në krizë. Me sa duket vetë ofrohemi për t’u solidarizuar. Dhe fiuuuu…. çmimet, rriten si me katapultë.
Si gjithmonë e ha konsumatori.
Ndërkohë shqiptarët flejnë mbi ujë e naftë, por dhe mbi grurë po qe se i punojnë tokat djerë. Por ja që e kanë parë të udhës të përballen me rritjen e çmimeve dhe globalizmin.
E meqenëse ndjenja qytetare na mungon ca, sindikata nuk ka por nuk ka as parti opozitare, ne nuk ia kemi ngenë të dalim në protesta por zëmë radhën për të blerë bukën me çmimin e rritur, pasi kemi furnizuar më parë makinën me karburant të shtrenjtuar.
Sepse edhe protesta e fundit para kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve, nuk është se e tronditi qeverinë.
-Do hosten bualli, jo pickime pleshti.
Dhe tanimë të mos guxojë të qahet njeri për çmimin e ujit. Se përditë e pimë që në mëngjes, bashkë me kafenë, një bidon 500-gramësh, me një vlerë 80 lekë. Uji i Bashkisë vlen vetëm për të larë enët dhe rrobat. Fundja çfarë raporti u prish po u rrit edhe 20 lekë të tjera uji i konservuar. Për salltanet është. Kush e ka me të keq le të fusë kokën te çezma e tualetit, në mungesë të çezmave publike që në Tiranën një milion banorëshe nuk e gjen një për be.
 

No comments:

Post a Comment