Thursday, October 21, 2021

Në Krujë, aty ku gjithçka është kuq e zi!


Shënime udhëtimi
 
Nga Leonard Veizi

Aty ka pasur selinë qendrore kryezoti i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti, një ushtarak i pashembullt, dhe po aq politikan e diplomat me klas. Por kjo i përket të kaluarës. Këtu e 500 vite më parë. Atëherë kur mbi territoret e shqiptarëve Perandoria Romake e Lindjes kishte humbur fuqinë, ndërsa një tjetër perandori po luftonte për t’i marrë nën kontroll, ajo Osmane. Sot me takëmet e “Atletit të Krishtit” bëhet biznes. Kalaja që në shekullin XV i rezistoi tri rrethimeve të mëdha, tanimë vizitohet çdo ditë nga disa dhjetëra turistë që vijnë prej vendeve të ndryshme të botës. Skënderbeu është po aty, rrethuar nga pretorianët e tij, veç këtë herë mbi një altoreliev apo basoreliev, që të pret sapo futesh në Muzeun me emrin e tij...
 

...Kruja është një nga destinacionet më të afërta me kryeqytetin, për të kaluar një fundjavë a qoftë një ditë pushimi të ndërmjetme. Distanca mes dy qendrave është vetëm 32 kilometra, nëse do të marrësh rrugën e Kamzës. Por nëse do të preferosh t’i biesh nga Rinasi, do të shtohen dhe nja 4-5 kilometra të tjerë. Personalisht preferoj të marr rrugën e Kasharit e të dal në Rinas, në një kuotë prej afro 20 kilometrash, me qëllim që të shmang trafikun e rrugës së Kamzës dhe trafikun e Unazës në ndërtim tek "Astiri". Zgjedhja ime padyshim nuk është më e mira, por është e fundit mundësi.
 
Udhëtimi
Tabelat orientuese pranë rrethrrotullimit të Aeroportit, ku qëndron shtatorja e Nënë Terezës të tregojnë se tanimë je në zonën e Fushë Krujës, dhe se ke dalë nga juridiksioni i kryeqytetit. Sepse duket sikur aeroporti i vetëm civil në Shqipëri i përket tokës së Tiranës, por në fakt ai është në “pronësi” të krutanëve, sepse është në një zonë që administrohet prej tyre si pushtet lokal. Po të kërkosh në enciklopedi do të gjesh: Rinasi është një fshat në Komunën Nikël në Rrethin e Krujës. Ndërsa në versionin zyrtar shkruhet: “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës Nënë Tereza - Rinas”.
Si je kthyer në të majtë tek rrethrrotullimi dhe ke lënë terminalin e aeroportit nga pas, do të ecësh përmes një rruge piktoreske të mbushur me hurma. Si ke gjarpëruar ca mes gjelbërimit, bashkohesh me aksin kryesor që vjen prej Vorës dhe drejtohet për në Veri. Nga Rinasi për të mbërritur në Fushë Krujë janë vetëm 8 kilometra. Dhe nga Fushë Kruja për të shkuar në qendrën e Krujës mbeten edhe 7 kilometra të tjerë. Nga Tirana ky udhëtim zgjat afro një orë, në varësi të trafikut dhe duke pasur parasysh segmentin e fundit që të çon për në qytetin muze është malore e plot kthesa.
 
Në Fushë Krujë
Në hyrje të Fushë Krujës dallohen punonjësit e policisë, të cilët kontrollojnë trafikun nga “çakmakët” që nuk lënë makinë pa parakaluar. Por brenda qytetit, trafikun e disiplinon edhe një ndarëse betoni në mes të rrugës kryesore që nuk të jep mundësi të bësh akrobacira, por të vë në detyrim për të respektuar radhën. Është fundjavë, për më tepër një ditë me diell pas disa ditëve më shi, dhe ndoshta për këtë arsye trafiku është ca i rënduar. Në qendër të Fushë Krujës do të dallosh edhe shtatoren 3 metra të lartë mbi një piedestal prej 1.5 metra, të ish-presidentit amerikan Xhorxh W Bush, sportiv e me mëngë përveshur, në përkujtim të vizitës që ai bëri në këtë qytet në vitin 2007.
Si ke dalë nga Fushë Kruja, në një rrugë të drejtë si vizore, të mbeten vetëm rreth 7 kilometra për të mbërritur në destinacion. Por tanimë rruga karakterizohet nga malorja dhe kthesat e njëpasnjëshme. Por nëse do të shkosh deri në Sarisalltik, si pika fundore e pelegrinazhit, - për të vizituar vendin e shenjtë dhe shpellën e famshme e mistike të misionarit bektashi, - do të të duhen edhe të paktën 10 kilometra të tjerë, gjithashtu në një terren të thyer.
 

Në Krujë
Kruja dallohet për së largu, pasi është e vendosur në shpatin e malit me të njëjtin emër: mali i Krujës.
Si ke dalë nga Fushë Kruja, - një qytet ndërtuar në një terren të zhveshur e fushor, ku censusi i para 10 viteve të informon se ka rreth 27 mijë banorë, - merr të përpjetën. Por këtu ndryshon gjithçka sepse rruga bëhet shumë më piktoreske që gjarpëron mes malit të mbuluar më së shumti nga pemët. Gjatë rrugës do të ndeshesh edhe me tyrbet e teqetë bektashiane, të cilat për të thënë të vërtetën ky vend i ka me shumicë.
Si je futur në qendër të qytetit, pak më poshtë se vendndodhja e monumentit të Skënderbeut mbi kalë, - vepër e Janaq Paços, e vendosur që në vitin 1949 e që ishte i pari monument i Heroit Kombëtar në Shqipëri, - ndodhen dy parkingje publike, ku mund të lësh makinën pa merak dhe për më tepër pa pagesë, e të fillosh të vizitosh qytetin, për aq sa ke interes. Dhe ndodh që shumica e vizitorëve nuk i kthejnë sytë nga godina e Hotel Turizmit ndërtuar gjatë periudhës komuniste, dhe as te pallatet e reja moderne ndërtuar në vitet e demokracisë, por ndalen tek Pazari i Vjetër, i cili shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm, gjë që në vazhdimësinë e saj të çon drejt portës kryesore të Kalasë, portë që nuk e kaluan dot as 100 mijë trupat aziatike që drejtoheshin nga sulltan Murati II.
Sot në Kala mund të futesh lirshëm dhe s’ka kështjellar që të pengon. Veç në hyrje të Muzeut duhet të paguash një biletë me çmim gati simbolik.
Në kuotën e 600 metrave mbi nivelin e detit, prej qendrës së Krujës, ose prej ballkonit të Kalasë, shikimi të rrok një hapësirë të madhe, ku arrin të shohësh edhe kaltërsinë e detit Adriatik.
Ndërsa më poshtë se kuota e Krujës dallohen qartë avionët që i drejtohen aeroportit të Rinasit, të cilët vijnë duke e ulur lartësinë.
 
Pazari i vjetër
Në Krujë je i mirëpritur kudo që shkon. Në kafene e restorant çmimet për konsum janë më të ulëta nga sa mund të pretendosh për një zonë turistike. Dhe si në pjesën muzeale të qytetit edhe në qendrën urbane të tij do të ndihesh po aq komod.
Si zbret shkallët dekorative përballë monumentit të Skënderbeut, je i prirë të njohësh skutat e Pazarit, me shpresë se do të gjesh diçka të veçantë e simbolike.
Bluzat, xhamadanët, opingat e çorapet e leshta, çantat e grave të punuara më avlëmend, gotat e porcelanit nga ato të fabrikës, çiftelitë madje dhe kitarat akustike, janë të stolisura me nga një shqiponjë të zezë dykrenash dhe ngjyrat e flamurit kombëtar. Pa folur për shpata e jataganë, që gjithashtu mbajnë simbolet shqiptare. Po aq dhe qilimat gjithfarësh, të cilët qëndrojnë të varur gjatë gjithë rrugës së Pazarit. I gjithë pazari i Krujës të jep përshtypjen e një dite festive, ku dominojnë ngjyrat kuq e zi. Mund të gjesh suvenire pa fund dhe nëse do të të duhet një veshje për në stadium, që të bërtasësh për kombëtaren edhe kur humbet, po ashtu mund të kompletohesh aty.
Tanimë është krejtësisht i restauruar, por Pazari i Krujës ka qenë në funksion që prej shekullit XV, dhe vendalinjtë e njohin ndryshe edhe si Pazari i Derexhikut.
Enciklopedia shkruan se Instituti i Monumenteve e ka cilësuar Pazarin e Krujës si një monument kulture të kategorisë së parë. Ndërkohë që e gjithë zona muzeale e qytetit njihet si një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend. Këtu nuk ka nevojë t’i referohesh ndonjë enciklopedie, sepse kudo shkel do të gjesh grupe turistësh të interesuar për pak histori shqiptare.
 
Nostalgjia
Më parë se kaq, po në ditët e muajit nëntor të disa viteve me parë, kisha qenë në Krujë edhe për të zhvilluar një bisedë letrare me nxënësit e shkollës 9-vjeçare nr 1. Nga ky takim kam mbresa të pashlyeshme edhe për faktin se nxënësit e kësaj shkolle ishin të interesuar për librat dhe jetën letrare, shumë herë më tepër nga sa e kisha pritur. Nga takimi në fjalë, mbaj ende si replikë, të gjitha pyetjet, të cilët nxënësit i kishin shkruar në disa formate letre të kthyer në formë fizarmonike, faqet e të cilit kishin të shkruara të gjitha pikëpyetjet që kërkonin përgjigje.
Një herë tjetër, vizitën time në Krujë ia kam dedikuar vetëm vizitës në Kala, dhe në Muzeun Historik brenda saj si dhe në atë Etnografik. Sepse duhet thënë se Muzeu brenda kalasë mban emrin e Skënderbeut, dhe shumica e artefakteve janë të kësaj periudhe, edhe pse pavijonet nisin me periudhën nga lashtësia. Ndërsa Kulla e Sahatit e ngritur në një kuotë prej 16 metrash, është përdorur në mesjetë si kullë vrojtimi. Tanimë kjo Kullë dhe Teqeja e Dollmës, - brenda territorit të Kalasë - i janë nënshtruar restaurimit pas dëmtimeve që ndodhën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Por e kam marrë rrugën për në Krujë edhe kur kam dashur që si destinacion përfundimtar të kisha vendin e shenjtë të Sarisalltikut.
Ndërkohë në kujtesën time kam të fiksuar dhe vizitën e parë në këtë qytet, e cila daton në vitin 1979, kohë kur Kalaja ende nuk kishte marrë trajtën e muzeut, i cili u përurua në nëntorin e vitit 1982.
 
Të tjera
Kur ndeshesh me pamjen e qytetit të Krujës, detyrimisht lidhjen kryesore do ta bësh me figurën e Skënderbeut dhe me Kalanë që ai e ktheu në bastionin e fitoreve të tij. Është aq evidente kjo sa dhe në restorant, bifteku i zgarës të serviret në një pjatë druri me formën e sëpatës.
Por jeta në këtë qytet nuk është e lidhur vetëm me mesjetën. Ky vend, sipas historianëve, është banuar që në shekullin e tretë para Krishtit. Pra është një vendbanim i lashtë. Enciklopedia shkruan se për herë të parë emri “Krujë” përmendet në shekullin e XII-të, ndërsa mendohet ta ketë origjinën te fjala “krua” që do të thotë burim uji. Kjo ndoshta sepse Kruja njihet për burimet e saj të shumta.
Sot Kruja ka një popullsi prej rreth 20 mijë banorësh, dhe pjesa aktive e fuqisë punëtore, - veç shërbimeve dhe tregtisë në Pazarin e Vjetër, ku zanatçinjtë prodhojnë e shesin objekte tradicionale – është punësuar dhe në industriale apo fabrikat e fasonerisë. Në këtë mënyrë Kruja është një qendër e rëndësishme jo vetëm turistike.
 
Kthimi
Kthimi nga Kruja për në Tiranë do të ishte më i lehtë, në një rrugë që merr poshtë, me po të njëjtat kthesa. Veç duhet të hapësh sytë e të jesh i kujdesshëm, sepse gjatë gjithë kohës do të kesh një makinë nga pas që kërkon të parakalojë, ose një makinë tjetër që të vjen përpara në korsinë tënde, sepse është duke parakaluar. Por si je futur në superstradën që të çon drejt qendrës së kryeqytetit nis të risjellësh në mendje gjithçka pe e fotografove në kryeqendrën e shtetit të Arbrit, që si atëherë edhe sot mban për emblemë emrin e një prej gjeneralëve më të shquar të Evropës: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.


No comments:

Post a Comment