Friday, November 12, 2021

Shkrijeni parlamentin, deputetët të paguhen me honorare!

Nga Leonard Veizi
 
Burokracia po e ha shtetin. Ajo po bëhet varrmihësi i tij.
Kadare vinte në gojën e ish-Ministrit të Brendshëm, - “njeriut të shkurtër, me emër që të kujtonte një kryqëzim thikash dhe që kish terrorizuar shtetin me ‘xhipset’ që përpinin xhadetë, pikërisht tek romani “Dimri i vetmisë së madhe”, - gjatë një dialogu debatues me Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror, këtë arsyetim: Ashtu si kapitalizmi krijon varrmihësin e tij, proletariatin, edhe socializmi krijon varrmihësin e vet, inteligjencën.
E parë në optikën e re, të mijëvjeçarit të ri, dhe jo me atë të pasluftës në vitin e zi 1947, mund të thuhet se burokracia do të jetë këtë herë varrmihësi i  Ekonomisë së Tregut, nëse biem dakord ta marrim si nënfish të Kapitalizmit. Sepse administratat e fryra dhe aspak fleksible nuk janë vetëm një praktikë shqiptare. Vetë Evropa si bashkim ka një administratë krejtësisht jo rentabël, që ha para në një vit më shumë se mund të shpenzoheshin për një vepër të rëndësishme 5-vjeçari.
Ta thjeshtëzojmë pak.
Fjala vjen: “Për çfarë i duhet Presidentit, Kryeministrit, anëtarëve të kabinetit, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por dhe më tej... zyra shtypi me njerëz të specializuar për komunikim, e një tabor me këshilltarë gjithfarësh, kur praktikisht ata udhëheqin një vend me 2.5 milion banorë, që do të thotë se të gjithë bashkë bëjnë më pak se gjysma e Romës, Parisit apo Londrës. Ose thënë më saktë, sa një qytet shërbimesh në Perëndim.
Dhe mbi të gjitha institucionet e mundshme qëndron Kuvendi.
Detyra kryesore e një Kuvendi, - apo Parlamenti, siç kemi qejf ta përdorin në përditshmërinë tonë, - është të nxjerrë ligje.
Në 30 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë nene të reja dhe implementuar të gatshme, sa për nga ana e ligjshmërisë jemi në të njëjtin hap me të gjitha vendet më të zhvilluara Evropiane. Pra, kemi ecur me një ritëm revolucionar. Dengjet e letrave me nene e ligje, por dhe akte nënligjore, po i zënë frymën arkivës. Problem mbetet zbatueshmëria. Por ky është tjetër hesap.
Ndërkohë që të gjitha vakumet ligjore janë plotësuar dhe madje janë tejkaluar, atëherë për çfarë na duhet një Parlament me kohë të plotë, ku veç rrogave dhe beneficeve të deputetëve, mbahet përmes buxhetit dhe një administratë e tërë në funksion të tyre. Se në këtë rast duhet thënë, që bishti rëndon më shumë se vetë sqepari.
Parlamenti sot duhet të funksionojë si ekipet e futbollit dje, lojtarët e të cilëve punonin 5 orë në uzinat mekanike apo ndërmarrjet bujqësore dhe pastaj bënin dhe nja tre orë stërvitje me të cilat plotësohej 8-orarëshi.
Pra, Parlamenti, apo Kuvendi për ta kthyer në shqip, duhet të mblidhet katër herë në vit, e jo më shumë. Dy herë për çdo sesion plenar apo jo më shumë se 16 herë për një legjislaturë. Merr në shqyrtim ligjet e reja, i miraton me dorën përpjetë... dhe kaq.
Dhe sa për debatet.. as që duhen të zënë në gojë. Se dihet humori që prodhon Kuvendi. Mirëpo ne nuk e duam të na zëvendësojë Estradën e Shtetit. Për më tepër që nuk priten as bileta dhe nuk prodhohen as para me këtë punë.
Tani po i kthehem dokumentacionit, që për transparencë qëndron i aksesueshëm në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Nga pasqyra e publikuar tek “Shpenzimet financiare për çdo deputet” rezulton se paga e një deputeti të Parlamentit shqiptar fillon në 156 mijë lekë në muaj pa llogaritur përfitimet e tjera financiare, në formë rimbursimi, të cilat u jepen për karburantin që konsumojnë, faturat e telefonit, pjesëmarrjet në komisionet parlamentare apo dieta të ndryshme. Mesatarisht çdo muaj deputeti përfiton shtesë edhe rreth 60 mijë lekë pagesa duke i shkuar paga të paktën 200 mijë lekë në muaj. Por jo pak herë e kalon këtë shifër.
Shkrijeni Parlamentin! Nuk vlen kaq shumë!
Dhe fill pas kësaj i duhet futur një qilizmë e thellë dhe administratës. Hallkat e pafunda të mbushura me militantë që tundin teserën e partisë, po aq sa dhe 40 vite më parë. Atëherë do të lehtësohej shteti nga barra e rëndë financiare, e mbase do të ketë më shumë investime në punët publike: arsim e mjekësi sidomos.
Shkrijeni Parlamentin! Deputetët i paguani me honorare. Më shumë vlejnë punëtorët e fonderive dhe ata të minierave që u del shpirti për të marrë pagën mujore, se sa një deputeti që krekoset në sallën plenare dhe në fund të ditës dy fjalë bashkë nuk i bën dot.

No comments:

Post a Comment