Të lundrosh në
oqeanin e përbotshëm letrar të duket një aventurë shumë e thjeshtë kur nuk di
asnjë gjë nga jeta dhe vetëm sa ke mësuar notin. Atëherë nis dhe mendon me
entuziazëm se mund t’ia dalësh e të kapësh bregun tjetër, të cilin nuk arrin ta
shohësh dot kurrë në horizont.
Kur ke mësuar ca
gjëra nga jeta dhe mbi të gjitha njeh përmasat e oqeanit dhe fuqinë e krahëve
të tu, nis e bën kalkulime: shpejtësi notimi, dallgë, erë... Kjo është një
arsye që i pengon shumë nga njerëzit me talent të brendshëm, që t’i futen
sfidës. Ashtu siç ka dhe sfidantë të tjerë që guxojnë ta ndërmarrin aktin dhe
pasi numrat në tabelën e shumëzimit duket sikur nuk e favorizojnë.
Rezarta Reçi u fut
në botën letrare, por jo nga bregu. As nga cekëtina. Vetë emri i saj të thotë se
ajo ishte prej kohësh mes dallgëve, të cilat ndonjëherë për shkak të furisë të
humbasin orientimin.
Por pasditen e 3
nëntorit 2021 ajo i mblodhi miqtë e saj për të pirë me ta një gotë verë dhe për
të lënë në dorën e tyre kontingjentin e parë të një romani, i cili sapo kishte
dalë nga shtypshkronja. Dhe ndryshe nga libri që ke blerë në librari, të cilin
e shfleton kur të mundesh, pasi ke marrë pjesë në një promovim, - ku për shkak
të një entuziazmi miqësor të thuhen vetëm fjalë të mira, - ndjen detyrimin dhe
grishjen gjithashtu që të nisësh faqen e parë të librit sa më shpejt.
Dhe në faqen e
parë do të ndeshësh këtë përkushtim: “Kushtuar CA-së, i cili më pushtoi trupin
por më çliroi mendjen dhe zemrën”.
“Rezarta është
futur në territorin letrar dhe ne duhet ta pranojmë” - u shpreh një nga
mikeshat e ngushta të Reçit, shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka, tanimë
deputete.
Padyshim. Dhe
është një libër i shkruar krejtësisht në celular, siç pohon autorja. Por kjo
nuk ka kurrfarë rëndësie, sepse shumë kohë më parë, është shkruar në gur dhe
sërish vepra ka mbërritur deri tek ne.
“Kolonë zanore”
është një roman prodhuar nga “Skanderbeg Books” me 126 faqe e kapituj të
shkurtër, gjë që të bën t’ia dalësh mbanë vetëm për disa orë leximi. Dhe prej saj të marrësh një mesazh: dashuria, si ndjenjë është leva e Arkimedit. Seksi
si akt, i vjen në ndihmë. Si nënprodukt i të gjithës kësaj, - edhe pse është më
e rëndësishmja, - është jeta.
Në ditë të
vështira, - ku ethshëm je në ndeshjen e përhershme me emocionin për dominim, -
lindin dhe vepra të çuditshme. Sepse pikërisht atëherë mendimi i sforcuar gjen
shtegun për të kaluar gati në ekstazë të parakohshme, kur kupton se jeta është
vënë në pikëpyetje, dhe dëshira për të jetuar e mposht dëshirën për t’u larguar
nga kjo botë njëherë e përgjithmonë.
Jemi në një
situatë të tillë, dhe Rezarta Reçi, si autore e një romani të çlirët, nuk e ka
mbajtur të fshehur as problemin që e mundonte prej ca kohësh. Dhe shpesh, një
mjek onkolog mbetet i pafuqishëm, përballë mjekut që pacienti ka ngritur me
veten, dhe ka marrë përsipër që për hir të jetës të sfidojë barrierën që i pat
vënë vetes dikur. Sepse mjeku më i mirë i vetes tënde – më shumë se sa
bisturia, kimiot apo rrezet pa kobalt, - është trajtimi që do t’i bësh po
vetes, në kushtet e reja.
Koha e dilemave
tashmë ka kaluar bashkë me kulmin e muzës së krijimtarisë, e cila la nga pas
një roman. Dhe si ke pritur me durim procesin botues vjen një ditë e shënuar,
sepse libri duhet promovuar, prandaj pak verë dhe pak muzikë dhome do ta
ngrohin më shumë atmosferën e miqve që vijnë për të uruar.
Kjo ka ndodhur me
Rezarta Reçin, gazetare e prozatore me përvojë të gjatë, - me dy libra të
botuar ca vite më parë, “Mëngjeset e Rezit” një përmbledhje statusesh e
impresionesh ditore, dhe tjetra botuar nga “Albas” përmbledhje intervistash nën
titullin “Në arrati me shpirtra që nuk shuhen” - por si romanciere është në
debutimin e saj.
Krijimi i një
libri, mbështetur nga asgjëja apo nga copëza jete të marra aty-këtu, është një
terapi fort serioze dhe po aq jetëdhënëse. Ndaj në dritë doli “Kolonë zanore”.
Ndaj kur futesh në
botën letrare, veç mirëseardhjes, do të ndeshesh edhe me kritikën. Sepse e zeza
mbi të bardhë e tejkalon kohën e jetës njerëzore, e del përtej... në përjetësi.
"Flonja",
nis kapitulli i parë... "Mara", nis kapitulli i dytë,
"Shani", nis kapitulli i tretë... Fate njerëzore të mbetura në
udhëkryq derisa dalin nga vorbulla dhe marrin rrugën e tyre. Na shfaqet një
botë intriguese ku aktorët hyjnë e dalin nga skena, për të krijuar mizanskenën
e tyre.
Një mori
personazhesh me historitë e tyre interesante, sipas mendimit tim kanë arritur
të krijojnë një roman me integritet. Duket sikur “Kolonë zanore” është një
letërsi rozë, ku dominojnë skenat emocionale dhe ato të seksit, por në fakt të
gjitha personazhet kanë dritëhijet e tyre çka e bën fabulën në tërësinë e saj
po aq dramatike. Në këtë roman, seksi, në fakt nuk është qëllim në vetvete, por
pjesë përbërëse e së gjithës, ndaj si i tillë duhet të marrë vëmendje për aq sa
vlen.
Rezarta Reçi nuk u
shkëput nga radhët e gazetarisë për t’u futur në botën letrare. Ajo ka qenë
përherë mes dy botëve, njërën të shfaqur dukshëm dhe tjetrën të mbuluar
brishtësisht. Ndërkohë hyn tek lexuesit profesionistë, në tavolinën e së cilës
do të gjesh në vazhdimësi të pashtershme libra të botuara jo më në kohë, por ata
më të rinjtë. Në këtë mënyrë, ajo ka marrë informacionin e parë të mundshëm
ndaj letërsisë botërore por dhe asaj shqiptare në veçanti. Madje mund të them
se veç të tjerash tek Rezarta ka humbur dhe një kritike letrare, element të
cilin ajo po aq sa dhe letërsinë e mban të presuar brenda vetes. Ndërkohë, na
ka shpërfaqur tërësish dhe me të gjithë diapazonin e saj se brenda një titulli
si “Arratia e peshkut të kuq” mund të mblidhte më shumë se 750 personalitete
shqiptare të fushave të ndryshme të cilët i kanë besuar rrëfimin e jetës.
Ndaj nuk ishte
ndonjë risi dalja e saj në botën e letërsisë shqipe. Kjo ishte një gjë që
pritej, madje shumë më parë se kaq. Dhe jo pse ishte aq afër letrares duke
hulumtuar mes shpirtrash njerëzorë si gazetare, por sepse letërsia ka qenë
brenda saj shumë më herët, ndoshta e ndrydhur disi, me një nuancë që lëkundej
nga pasiguria nëse duhet t’i futej me not oqeanit për të kapur bregun tjetër,
apo ta mbyllte karrierën e saj si një gazetare mirëfilli.
Pasioni nuk e la
të mbetej vetëm në kornizën e gazetares ku më së shumti njihej si: “Rezi e peshkut të kuq”. Ai tanimë i ka dhënë asaj
një dimension të ri. Dhe me siguri, që nuk do të kalojë shumë kohë e do të
mblidhemi sërish rreth një gote vere, për të marrë librin e ri të saj. Sepse ky
që kemi në dorë, prej këtij çasti quhet: i vjetër.
No comments:
Post a Comment