“Big
Brother” u shfaq sërish në ekranet e shqiptarëve, fillimisht me të qeshura
hokatare, pastaj me pëshpërima në vesh, thashetheme, sulme e kundrasulme si
dhe... atake paniku.
Herë-herë
të duket se loja nuk është aq thjesht si lojë. Motorët janë ndezur, rivaliteti
çdo ditë bëhet më i ashpër. Në fund vetëm njëri do të arrijë të marrë çmimin që
është i barabartë me pothuaj 100 mijë dollarë.
“Big
Brother” në vetvete është një spektakël interesant, ku të gjithë ne kemi rënë
dashur padashur në rrjetën e tij dhe duam të shohim të paktën në “prime”: çfarë
bëri Semi me Donaldin, çfarë i tha Paloma Monikës, çfarë po ndodh mes Fifit e
Granitit? Sepse këtë herë “Big Brother” nuk është me njerëz anonim që
pretendojnë të marrin një famë të menjëhershme, të habitshme, dhe ta humbasin
atë po aq shpejt. Vëllai i Madh këtë herë ka përzgjedhur ta bëjë lojën me
njerëz të njohur të skenës dhe ekranit, këngëtarë dhe aktorë më së shumti.
Në
vitin 1949, shkrimtari anglez Xhorxh Oruell parashikoi ardhjen e “Big Brother”
me veprën e tij "1984": një sy-diktator i madh, i gatshëm për të monitoruar
dhe spiunuar çdo lëvizje të individëve. Por versioni i realitetit në TV që u përhap
në Evropë rrreth viteve 2000 edhe pse ka kundërshtime të forta negative, nga
pikëpamja sociologjike, konsiderohet si një eksperiment interesant
social-kulturor dhe mediatik.
Megjithatë
“Big Brother” edhe pse një spektakël argëtues për shumëkënd që e sheh nga
ekrani, është po aq një eksperiment social i rrezikshëm, sepse me gjasë do të
të lërë me një traumë.
Je
i vëzhguar 24 orë nga disa-dhjetëra kamera, të cilat transmetojnë në publik veprimtarinë
tënde të ngushtë. Gjithçka intime që ndiqet nga disa-mijëra njerëz përmes
ekranit, të cilët jo vetëm të përflasin por nxjerrin nga fundi i dheut edhe ato
gjëra që t'i vetë ke harruar se i ke bërë. Ndaj këtu duhen nerva të forta për
ta përballuar, edhe pse gati të gjithë pjesëmarrësit në kor thonë se nuk duan
t'ia dinë për atë që thuhet jashtë. Pak e vështirë për t’u besuar kjo punë.
Madje njëri nga pjesëmarrësit në një nga takimet përmbledhëse vuri në dukje se
nga presione të tilla njerëzit kanë vrarë veten.
Ky
është një mesazh që nuk duhet anashkaluar, ashtu siç nuk duhet tepruar me të hapurit
e zorrëve të barkut përpara një publiku që nuk është se të ka prerë kërthizën e
po i vjen aq keq për ty.
Për
më tepër që, shfrimi i energjive negative tanimë ka vend ku merr ngushëllim,
sepse në modë janë rrjetet sociale, ku mund të thuash çfarë të të dojë qejfi
edhe me një identitet fals. Dhe pas një anonimati mund të thuash shumëçka, të
vërteta e trillime për një person që nuk është në shijen tënde. Pavarësisht se
çfarë kostoje ka fjala jote tek personi vetë, kur të dalë nga ngujimi e të
përballet me furinë e inateve, apo te familjarët e tij, të cilët edhe po të mos
duan do t’u shkojnë në vesh gjithfarë thashethemesh.
Në
këtë pikë, edhe pse cilësohet si lojë, eksperimenti social thellohet në favor
të përplasjeve dhe akumulimit të inateve.
Një
studim i Universitetit të Ohajos ka nxjerr në pah një nga arsyet që i shtyn njerëzit
të shikojnë Big Brother; pikërisht atë të dëshirës për të zbuluar njerëz dhe
sjellje të ngjashme si të tyret, një lloj egocentrizmi që dëshiron të gjejë
konfirmim në atë të tjetrit.
Nga
agjenci të tjera spektakli në fjalë cilësohet si një eksperiment i vërtetë
social në të cilin kontrolli është në duart e autorëve që diktojnë rregullat e
lojës.
Por
çfarë ndodh përtej kësaj?
“The
Experiment” është një film dramatik amerikan i vitit 2010 me regji nga Paul T.
Scheuring. Në fakt “Eksperimenti” hollivudian është ribërje e filmit gjerman të
vitit 2001 “Das Experiment”, i cili u drejtua nga Oliver Hirschbiegel. Ky film
ndoshta është më tipiku, i cili trajton temën e një eksperimenti social në
kushtet e “Big Brother”-it. Vullnetarët mbërrijnë për një studim psikologjik të
udhëhequr nga një mjek, në të cilin pjesëmarrësit do të ndahen në grupe që
veprojnë si roje burgu dhe të burgosur. Pasi kryhen intervista që matin
reagimet ndaj skenave të ndryshme të dhunës, 26 të zgjedhur dërgohen në një
ndërtesë të izoluar, të ngritur si burg, dhe ndahen në 6-të roje dhe 20 të
burgosur. Duhen vetëm disa ditë që situata të dalë përfundimisht jashtë
kontrollit dhe në përfundim të eksperimentit të gjithë janë të rrahur, të
gjakosur e me rroba të shqyera, për shkak të përplasjeve fizike që precipituan
gjatë periudhës së izolimit. Dy protagonistët e filmit, që vetëm në pak ditë
kanë arritur ta urrejnë dhe ta rrahin gati për vdekje njëri-tjetrin, në fund të
këtij eksperimenti ndajnë një vështrim të heshtur ndërsa në dorë mbajnë nga një
çek me vlerë 14,000 dollarë. Atëherë një nga lojtarët ngre pyetjen për
protagonistin: nëse ai vazhdonte të besonte, po aq sa në fillim të lojës, se
njeriu është një qenie më superiore se të tjerat?
Njeriut
kur i kufizohet liria dhe ushqimi, patjetër që del nga vetja dhe tregon anët e
tij më të errëta. Sepse në “Big Brother” do të të duhet të luftosh edhe për
ushqimin. Ndaj çdo javë ka një buxhet ku varet dhe ushqimi yt, i cili ngrihet
ose përgjysmohet në bazë të një performance që të urdhërohet.
Formati
i Reality Show ka një sukses të pamohueshëm dhe Big Brother është një program i
ndjekur nga miliona spektatorë, madje edhe nga ata që nuk e pranojnë.
Ndërkohë
që një Reality Show i tillë qëllon që të dalë nga shinat. Sepse edhe pse fjala
"lojë" përdoret si mbulesë, sërish inatet dhe pasionet janë të
vërteta aq sa prej tyre mund të lindin konflikte fizike. Vetë lojtarët gjatë
gjithë kohës deklarojnë publikisht se janë nën një presion të vazhdueshëm.
Është
ky spektakël argëtues, për shumëkënd, ku njerëzit bëjnë kompromise me veten për
të marrë çmimin i cili nuk është më 14 mijë dollarë sa në një film, por plot
100 mijë dollarë. Por ky eksperiment që mund të jetë i bukur dhe argëtues për
ata që e shohin nga ekrani, lë jo pak pasoja tek aktorët.
Dhe
teksa lënë shtëpinë e famshme, të gjithë kanë të njëjtën frazë për të thënë:
Ishte një eksperiencë fantastike.
Padyshim.
Por duhet të kalojnë dhe ca kohë për të kuptuar pasojat, po aq sa dhe mbyllja
dymujore në kushtet e pandemisë, ku fill pas kësaj ca njerëz kishin nevojë për
një psikolog e ca të tjerë për një psikiatër.
Ndaj:
Lum ata që dalin sa më parë nga dhomat shumëngjyrëshe e të arreduara bukur dhe
që janë veç karremi ku mbahen varur njerëzit të cilët kur shkelin aty u duket
se janë futur në botën e çudirave.
No comments:
Post a Comment