Tellall
Trifoni bërtiste sa mundej nëpër kasabanë e Lushnjes, që askush të mos mbetej
pa shkuar te rrapet e Çarshisë, ku dy hanëmet e ardhura nga Tirana, - njëra që do të këndonte e tjetra që do të
lozte me hope aman-aman në një saze sa një hambar, - do të kënaqin miletin me këngët
e tyre. “Veç atë këngën “Zare trëndafile ç’ma bëre me hile”, a më qafsh po nuk
e kënduat”, ishte kërkesa e vetme e tellall Trifonit, drejtuar këngëtares me
diplomë nga Franca dhe pianistes që kishte studiuar në Austri, të cilat kishin
lënë rrugët e asfaltuara të Evropës për t’u zhytur në baltrat e kënetës ku
mushkonjat anafele dhe ato të llojit koleks bënin kërdinë...
...Ajo
që e ka gdhendur portretin e saj në mendjen e çdo shqiptari, duke i
bashkangjitur dhe interpretimin e mahnitshëm të këngës qytetare, i atribuohet
filmit “Koncert në Vitin 1936, të regjisorit Saimir Kumbaro e me skenar të Kiço
Blushit, subjekti i marrë nga
tregimi “Baltrave të Myzeqese” shkruar nga Dhimiter Shuteriqi. Në rolin
e Donika Prokopit, që supozohet të jetë këngëtarja e famshme lirike Tefta
Tashko, luan Manushaqe Qinami, ndërsa shoqëruesja e saj në piano Eleni
Jankollari e luajtur nga Margarita Xhepa supozohet të jetë pianistja Lola
Aleksi, që në atë kohë jepte mësim në Institutin “Nënë Mbretëreshë”. E ndërkohë
ky ishte veç një film artistik me episode nga jeta e këngëtares së shquar
lirike, ndërkohë që shtypi i viteve ’30 të shekullit të kaluar, kishte shkruar se Tefta Tashko ishte talent i lindur, apo, kishte lindur me “zërin e saj engjëllor”.
Cilësitë
Tanimë
ajo është kthyer në një legjendë. Cilësitë vokale të saj ishin të jashtëzakonshme.
Zëri i saj ishte spektakolar e me një ngjyrë të çuditshme, nga specialistët
është cilësuar herë “i çiltër dhe e ëmbël” dhe herë “timbrim i kulluar si uji
që zbret nga mali”. Gjithçka përpunohej mes kordave të saj merrte një shtrirje
diapazonale prej dy oktavash e gjysmë. Ndërsa ngjyresa dhe vibrimet, së bashku
me nivelin profesional, i krijonin mundësi sopranos shqiptare të interpretonte
pa vështirësi çdo lloj pjese, nga ato popullore të përpunuara e deri tek ariet
më të vështira nga opera klasike.
Jetëshkrimi
Në
jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se Tefta Tashko Koço u lind në Egjipt më 2
nëntor 1910. Ajo ishte dhe mbetet një këngëtare e shquar lirike në
interpretimin e këngës popullore qytetare mbarëshqiptare dhe Artiste e Popullit
e Shqipërisë.
Tefta
Tashko ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit,
Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Me
vdekjen e babait më 1915, familja kthehet në Korçë në vitin 1921. Këtu janë
aktivizimet e para të Teftës si këngëtare. Data 26 qershor 1926 njihet si dalja e saj e parë në publik me një koncert.
Në
shtator të vitit 1927, Tefta Tashko me gjithë familjen vendosen në Monpelie,
Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në
Konservatorin Superior të Parisit.
Në
vitin 1930, bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike
“Pathe”-Paris.
Me
përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet
edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri, koncerte të
cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta
futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si
Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj,
dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore
shqiptare.
Janë
89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në
repertor dhe 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930,
1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali. Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”,
“Të dua, moj goc’ e vogël”, “Bilbil çapkëni”, “Qante lulja lulen”, “Kenke nur i
bukurisë”, “As aman, moj lule” etj.
Njihet
tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh drejtpërdrejt
nga goja e muzikantëve popullore të vendit tonë. Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e saj, së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në
festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas
këngëtarëve dhe muziktarëve të njohur popullorë të atyre viteve.
Në
listën e gjatë të këngëve të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe
këngët popullore të përpunuara nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush
Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”.
Në
vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë
nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes”
e Rosinit. Shtyp vendas e cilësoi si një këngëtare e rangut të lartë.
Në fund
Tefta
Tashko u martua me Kristaq Koçon. Çifti pati një djalë; Eno Koçon, një dirigjent i suksesshëm më pas. Me hapjen e shkollës së parë muzikore në Shqipëri në vitin
1946 Tefta Tashko nisi të japë mësime në degën e kantos. Por një sëmundje e
rëndë i ndërpreu aktivitetin. Vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht nën
ndikimin e kësaj sëmundje.
U
nda nga jeta në Tiranë më 30 dhjetor 1947, në moshën 37-vjeçare.
Pianoja
personale e Tefta Tashko tashmë është pjesë e Muzeut Historik Kombëtar, pasi ka
qëndruar dhe është përdorur nga breza mësuesish dhe nxënësish të Liceut
Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Sot ajo mban titullin e lartë: “Nderi i
Kombit”.
No comments:
Post a Comment