Leonard Veizi
Mbi
shtetin ka rënë një hije e zezë. Shumë trishtim dhe ca më shumë pesimizëm.
Është hija e krimit. Ajo na vërtitet kudo që jemi, ngado hedhim hapat e
frymojmë. Sepse në çdo cep pallati, pas çdo gardhi a një dritare, është dikush
që përgjon, të zë pritë dhe... ta shkurton jetën. Atë jetë, të cilat një
vrasësi, pa skrupuj e sens, ia sigurojnë gjithfarë konventash. Mjaft që ai të
bjerë në dorën e shtetit dhe jo të familjarëve të viktimës, të cilët do ta
hanin të gjallë me gjithë lecka. Dhe shteti është një organizëm human, të cilin
e kemi ngritur që të na mbrojë... ne të pamundurve. Ndërsa ai e merr vrasësin
dhe e fut në një qeli të siguruar me mure betoni, hekura dhe polic roje tek
dera. E le të marrë frymë, i jep për të ngrënë e për të pirë. E lejon të lexojë
dhe shtypin e ditës, nëse ai është i interesuar, por dhe një Bibël a Kuran nëse
pendohet dhe kërkon t’i drejtohet Zotit. Dhe pas kësaj vjen gjyqi, me një
avokat mbrojtës që ta vendos shteti në dispozicion, nëse nuk ke mundësi të
përballosh shpenzimet për një avokat klasi, që di la luajë mirë lojën dhe në
mos është i zoti të të nxjerrë nga burgu me tre seanca, të paktën të lehtëson
nga vitet e shumta që parashikon Kodi Penal.
Mbi
shtet ka rënë një hije trishtimi.
Krimi
vërtitet në rrugë. Sistemi i drejtësisë ka hone dhe hendeqe plot, aq sa një
“killer serial” mund të dalë i “palagur” prej bankës së të akuzuarve. Por dhe
nëse vrasësi merr një masë dënimi të konsiderueshme, sërish futet shteti në
lojë. Të merr, të çon në një burg të sigurisë së lartë dhe të jep një dhomë
fjetje si në konvikt: maksimumi ta ndash hapësirën me dy bashkëvuajtës të
tjerë. Prej këtu kanë filluar të drejtat e tua, sepse shlyerja e fajit quhet i
tejkaluar përderisa vendimi për dënim ka marrë formën e prerë. Atëherë shteti
që ka firmosur konventat dhe ka detyrime ndaj teje, të jep një veshje të re
uniforme, krevat me sustë fabrike, çarçafë kërc të bardhë e të hekurosur dhe
një jastëk pambuku që të flesh sa më i qetë e që të mund të shohësh ëndrra. Të
vë në dispozicion dhe një psikolog të të qetësojë nervat e prishura prej të
cilave ti bëre krimin. Të jep të tria vaktet, madje me ushqime të larmishme,
sepse kuota jote si i dënuar ordiner është rreth 70 euro në ditë, e barabartë
kjo me mbi 2000 euro në muaj. Në një kohë që po ky shtet u siguron shtetasve të
tij një pagë mesatare mujore jo më të lartë se 300 euro. Dhe pasi ke bërë edhe
shëtitjen në ajër të pastër, tek “ora e ajrosjes” ti ke të drejtë t’i
drejtohesh palestrës ose bibliotekës. Sepse deri në atë kohë nuk ke pasur
kushte për to. Por shteti t’i siguron. Duke lënë dhe spitalin pa ilaçe, madje
dhe godinën e një shkolle të re pa banka e kompjuter. Vetëm që ti të ndihesh
mirë atje ku je. Përndryshe organizatat ndërkombëtare na hidhen në fyt e
deklarojnë se në Shqipëri të vrasësit e dënuar jetojnë në kushte çnjerëzore.
Bravo
shtetit.
Dhe
kështu kalojnë ditët, vitet... Nuk ka qeli të ftohta e plot lagështirë. Nuk ka
më punë të detyruar nëpër miniera, në ndërtim pallatesh dhe as në gurore. Nuk
ka më dënim me vdekje. Ti mund të jetosh i lumtur në jetë të jetëve, me vakte,
krevatin dhe tualetin për shkarkim që të ka siguruar shteti. Ai shtet i cili
viktimave të tua u merr taksa që të të mbajë ty në kushte optimale jetese.
Sepse në lirinë tënde do të të duhej shumë mund e punë t’i siguroje gjithë këto
të mira. Por ti i siguron ato shumë më thjeshtë; duke bërë një të keqe të
madhe. Duke lënë një nënë pa fëmijë, një motër pa vëllanë, një burrë pa grua...
Sepse ti paske të drejtë t’ia marrësh jetën dikujt. Por jeta jote është veç në
duart e Zotit, jo te një qenie tjetër njerëzore. Ndaj shteti e ka hequr
trekëmbëshin e drunjtë me litarin varur, edhe gijotinën me sëpatën mprehur, ia
ka hequr rrymën karriges elektrike, dhe e ka shkrirë nga funksioni togën e
pushkatimit. Vdekje nuk ka... vetëm kur të të vijë nga pleqëria. Ndaj jeto i
qetë, nëse ndërgjegjja nuk të vret. Sepse ti je mbret. I paprekshëm. Dhe të
mbron shteti.
Ai
shtet që kriminelin e trajton po si një mbret.
Shteti
është mbuluar nga një vel trishtimi e pamasë. Nënshtetasit janë të revoltuar.
Klithin nëpër rrjetet sociale, por dhe në dyert e gjykatave. Për pak drejtësi
më shumë.
Është
vrarë një fëmijë. Ishte vetëm tetë vjeç. Nuk është i vetmi në apel. Në databaze
rreshtohen paraardhësit. Maniakët e heshtur e pagojë dinë mirë të ngrenë kurthe,
të rrëmbejnë dhe kryejnë vepra të pashembullta.
Përditë
diku, dikush është i kërcënuar prej tyre.
T’i
parandalojmë, thonë specialistët e shëndetit mendor. Do të ishte më e mira e
mundshme, nëse gjithçka do të funksiononte si duhet. Por në shoqërinë tonë, më
shumë se sa paqja dhe hareja, në kokat e njerëzve zhurmon lufta dhe rrëmuja.
Mbi
shtetin ka rënë hija e errët e një pesimizmi pa shpresë.
Sot
do të doja t’i bashkohesha histerisë së njerëzve që kërkojnë kthimin e dënimit
me vdekje në Kodin Penal. Edhe pse një gjë e tillë më ngjan me histerizmin e
turmave të pas Luftës, të cilët pasi dëgjonin gjyqet publike nga altoparlanti
thërrisnin në kor: Spekulatorët në litar. Por situata nuk është e ngjashme.
Sot
gjendemi sërish para një situate makabër. U vra një fëmijë. U godit me lopatë pas koke. U varros në baltë. Arsyeja: pa
motiv. Kjo ndodhi në një fshat të Fierit, quhet Grecalli. Ka ndodhur edhe 30
vjet më parë, po në Fier, në fshatin Libofshë. Dy vëllezër shkretuan një
familje prej pesë vetash, bashkë me foshnjën. Por asokohe dënimi me vdekje
ishte ende në fuqi. U varën ashtu siç donte shumica e irrituar, me trekëmbësh,
stola druri e litar. Në mes të qytetit. Ashtu si në mesjetën e egër. U lanë
përgjatë gjithë ditës të lëkundeshin në litarë, që njerëzia t’i shikonin e të
vinin mend. Dhe dy policë me automatik bënin roje. Kjo ndodh kur shteti nuk bën
kompromise me vrasësit, e nuk u fërkon kokën duke bërë deduksione logjike, mbi
jetën, vdekjen dhe fenë universale. Njerëzit u llahtarisën nga “spektakli” në
qendër të qytetit, po aq sa dhe kur u dënuan me varje kryengritësit rebelë
Ziguri dhe Sefedini tek filmi artistik “Gjeneral Gramafoni”. Mjafton të shohësh
atë skenë filmike, të kuptosh si vareshin të dënuarit me vdekje publike. Nga ai
çast për muaj të tërë nuk pipëtiu kush. Dhe një drejtues i lartë i policisë së
kohës më është shprehur jashtë një interviste: Shëtisja me makinën e
Komisariatit nëpër rrugët e qytetit, si i papunë, sepse nuk ndodhte asgjë.
Mirëpo
ngjarja përsëritet, në cirkuidin e saj. Fëmijët vriten.
Dënimi
me varje nuk ekziston më.
No comments:
Post a Comment