Tuesday, November 23, 2021

Ikën Hueyda, shkon të vallëzojë me yjet!


Nga 
Leonard Veizi
 
Mund të luftosh fort e të jesh optimist i pandreqshëm, por duket se e gjitha kjo nuk e përbën dot “levën e Arkimedit” me të cilën mund të ndryshosh rrjedhën e paracaktuar të fatit. Vdekjet e papritura, në atë moshë kur ke ende shumë për të dhënë, e bëjnë njeriun të ndihet edhe më i dobët përpara fuqisë së madhe, e cila vërtit globin sipas një trajektore të përcaktuar qartazi. Mund t’i shpëtosh furisë së luftës, aksidentit, pandemisë Covit... por e pamundur t'ia dalësh mbi atë që të ka sunduar prej çastit të lindjes. Kështu ka ndodhur edhe me balerinën fort të njohur shqiptare, e cila tanimë i përket një bote tjetër...
 
 ...Në Tiranën e fundviteve ‘80, nisi të binte në sy një vajzë e re, tepër elegante, me një brunetë më të theksuar në fytyrë e flokë të dendura rrica. Dikush mund ta merrte si  një nga vajzat e Bllokut të Ambasadave. E bija e ndonjë konsulli, e ndonjë sekretari legate apo e vetë ambasadorit. Por jo. Megjithëse dukshëm jo shqiptare në ADN, ajo ishte e lindur në Tiranë dhe fliste një shqipe të kulluar.
Ishte një balerinë e re, ende pa e përfunduar liceun “Jordan Misja” e cila ecte lehtë mbi asfalt edhe trotuar, po aq sa dhe kur bënte provat për Zhizelin në palestrën e Shkollës së Baletit.
Fill pas kësaj, e njëjta vajzë nisi të shihej në ekranet televizive. Dhe emri i saj gjithashtu ishte i çuditshëm për shqiptarët, që ishin mësuar deri asokohe të kishin emra të vjetër Ilir, ose emra të importuar prej sovjetikëve dhe latinët, por që më me shumicë ishin ata të cilët na i kishte lënë si trashëgimi administrata e ardhura nga Azia e Vogël. E megjithatë, një emër mbiemër me “El” në mes nuk ishte dëgjuar kurrë në anët tona, veç në ndonjë film me produksion egjiptian që shihej nëpër kinematë verore.
Ajo ishte Hueyda El Saied, e cila shumë shpejt do të merrte vëmendjen e spektatorit kudo në Shqipëri, pasi mendohej se në fund të fundit nuk i kishte shpëtuar vëzhgimit të çunave të Tironës gjatë shëtitjeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku për të thënë të vërtetën asokohe, grupi i vajzave balerina binte shumë në sy, për stilin në veshje dhe temperamentin e çliruar. Dhe në kërkimet e bëra si zakonisht në këto raste doli se ishte vajza e një gruaje me nënshtetësi shqiptare, - por me origjinë të miksuar mes një sudanezeje dhe një shkodrani, - e cila në vitet ‘70 ishte dashuruar me një djalë po nga Sudani, që në ato kohë të turbullta revolucionesh internacionale, si një paketë e lëvizjeve marksiste të vendeve afrikane, kishte ardhur të studionte në fakultetin e Gjeologjisë në Tiranë me drejtim naftën.
Dhe çifte të tilla, në Tiranën e atyre viteve, patjetër që do të bënin bujë e do të shiheshin me një sy tjetër. Larg të gjithë kësajm Hueyda u rrit si një vajzë shqiptare, në një mjedis krejt bio me shqiptarë, në çerdhe, kopshte e shkolla, ku flitej për yllkat dhe pionieret e Enverit, dhe ku Shkolla e Baletit të jepte mundësinë të punoje në bash të vendit: ose në Teatrin e Operës, ose në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve.
Dhe meqenëse ishte shumë e rrallë, me ngjyrën e saj çokollatë, ajo ishte dhe fort e pëlqyer.
Hueyda do ta niste fuqishëm karrierën në Tiranë si balerinë në spektaklin emblematik të fillimviteve ‘90 “Dymbëdhjetë vallëzime pa një të shtunë”. Por do të eksperimentonte dhe në fushat të tjera të artit: si këngëtare por dhe si piktore. Pasi pati disa përvoja si moderatore televizive, Hueyda El Sayed në vitin 2000 botoi librin e saj të parë, një autobiografi me titullin“Ngjyra e lëkurës sime”. Ndërsa në vitin 2006 doli dhe libri i dytë, një roman.
Ndërkohë që karriera e saj e mëtejshme do të vazhdonte të ngjitej lart, por këtë herë e transferuar në perëndim të Evropës, Francë, Belgjikë, Portugali por dhe Kamerun, ku ka punuar si modele dhe ka qenë pjesëmarrëse në një numër reklamash televizive. Dhe veç të gjithave do të merrte pjesë si aktore edhe në të paktën dy filma, njëri artistik dhe tjetri televiziv.
Dhe çfarë duhet më shumë se kaq për të qenë e plotësuar si artiste.
Hueyda El Saied, jo vetëm si një balerinë me plastikë perfekte, njihej për çiltërsinë e saj, sportivitetin dhe jo pak edhe për humorin pozitiv.
Ndërkohë që diploma e Hueyda El Saied, dhënë nga Universiteti i Tiranës, cilëson se studimet e saj të larta ishin në fushën e Drejtësisë. Dhe po të marrim parasysh se njihte katër gjuhë të huaja dhe kishte një master për Politikat Evropiane marrë në Itali, diapazoni i saj intelektual bëhej edhe më i gjerë.
Shumë energji për të arritur kaq shumë në jetë. Dhe për më tepër kur në fëmijërinë e saj do të rritej pa praninë e babait, i cili si i huaj që ishte kishte të drejtë të dilte jashtë kufirit shqiptar, por nuk kishte asnjë të drejtë të tërhiqte pas vetes dhe familjen, bashkëshorten dhe vajzën, të cilat gjithsesi mbetën peng i komunizmit vendas.
Por e gjithë kjo energji do të shterte pak nga pak që në një mëngjes fundnëntori të ndalte krejt.
Tanimë ajo nuk jeton më. Ishte 46-vjeç. La pas djalin e saj Gabriel dhe bashkëshortin. U tha se vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, sëmundje e cila, e mori përgjithmonë mëngjesin e 23 nëntorit në një spital të Luksemburgut.
Hueyda iku... Shkoi të vallëzojë me yjet!
Kështu do të shuhej e do të ngjitej lart në qiell balerina e njohur me origjinë nga Sudani, por që gjithsesi mbeti shqiptare deri në fund të jetës së saj.

No comments:

Post a Comment