Thursday, November 25, 2021

Në Apoloninë mitike të Ilirisë

 

Shënime udhëtimi 


Nga Leonard Veizi
 
Ai është një vend mitik e plot ekspresion. Nëse do të kishin mundësi të flisnin muret dhe kolonat, me siguri do të tregonin për qytetërimin e madh të këtij vendi dhe luftërat e tmerrshme që janë zhvilluar ndër shekuj...
 
...Nëse jeni të pasionuar pas historisë dhe antikitetit në veçanti, një vend i jashtëzakonshëm si atraksion turistik mbetet Apolonia. E jashtëzakonshme për nga vlerat. Në tokën shqiptare, ajo çfarë na ka mbetur si trashëgimi, e cila për nga fama e kapërcen kufirin e shtetit, janë: Durrësi, Apolonia dhe Butrinti. Por nëse Butrinti është zbuluar në një pjesë të mirë të tij, dhe Durrësi është i destinuar të qëndrojë poshtë themeleve të ndërtesave urbane, Apolonia ka në sipërfaqe vetëm një pjesë të vogël të thesarit, i cili është zhytur nën dhè tanimë.
 
Rrugëtimi
Guida elektronike tregon se nga qendra e kryeqytetit deri tek muzeu i Parkut të Apolonisë janë 121 kilometra. Nëse nuk do të ndalosh rrugës, andej nga zona e Lushnjes fjala vjen, ku janë disa lokale të shquara për byrekë e kos, do të mbërrish në destinacion për 1 orë e 50 minuta.
Krahasimisht me vendet e tjera turistike, të shkuarit në Apoloni të paktën ka një avantazh. Prej mbikalimit në hyrje të Tiranës, e deri në dalje të Fierit, - ku një tabelë gjigante që paralajmëron për praninë e Parkut Apolonia, - ecën nëpër autostradë, pavarësisht nga cilësia e saj.
Mbetjet arkeologjike të qytetërimit Apolon, ndodhen rreth 12 kilometra larg qytetit të Fierit, pranë fshatit Pojan. Dhe vetëm pasi ke dalë nga autostrada do të marrësh një rrugë të ngushtë. Sapo del prej fshatit e merr nëpër kodër, rruga bëhet edhe më e ngushtë aq sa dy makina nuk kryqëzohen dot. Por këtu flitet vetëm për një segment të shkurtër. Shumë shpejt të shfaqet një postbllok pranë të cilit ndodhet një parkim natyral ku janë vendosur një seri makinash. Kjo tregonte se brenda Parkut kishte një numër të konsiderueshëm vizitorësh.
Pasi ke kaluar postbllokun e parë, ku mund të blesh dhe suvenire të vogla me emblemat e qytetit antik, të pret një tjetër postbllok, por këtë herë aty ndodhet dhe një kioskë ku duhet të presësh një biletë 600-lekëshe, ta skanosh në syrin elektronik, i cili të hap “derën” që të mundëson futjen brenda territorit të Parkut. Duhet të ngjitesh edhe ca metra të tjerë në këmbë që të përballesh me godinën, në të cilën është shkruar “Muzeu”.
Gjëja e parë që të bie në sy është se në Apoloni ka shumë turistë, sidomos të huaj, të cilët janë të interesuar të vizitojnë sitet arkeologjike e të njihen më nga afër me historinë e qytetit antik.
Nisur dhe nga ky fakt do të më pëlqente t’i sugjeroja pushtetit lokal, - nëse dëgjon dhe ia ka ngenë, - që meqenëse në këtë destinacion turistik vijnë përditë grupe turistësh, ca me mikrobusë, ca me makina 5-vendëshe e ca të tjerë me autobusë 60 vendesh, të bëjnë rixha e ta zgjerojnë ca rrugën prej Parkut deri në hyrje të autostradës, se nuk besoj të ketë ndonjë kosto aq sa ta rëndojë buxhetin e Qarkut e ta thyejë në mes, aq sa të mos e marrë veten deri në fund të mandatit qeverisës. Veç kësaj, rruga në vetvete do të bënte më dinjitoze, paraqitjen e qytetit antik. Sepse rëndom ndodh në Shqipërinë tonë të tranzicionit, që një qytetërim i vjetër të ketë pasur më shumë mundësi se sa ky qytetërimi ynë modern që po e ngremë me kaq halle e zamet.
 
Impresioni
Në Apoloni impresionohesh. Fillimisht nga Manastiri dhe kisha bizantine që daton rreth vitit 1250. Impresionohesh nga objektet dhe artefaktet e tjera që do të gjesh në muzeun që ndodhet brenda godinës së manastirit. Do të impresionohesh nga muret e mbetura prej lashtësisë, pasi janë zhvatur “denjësisht” për të ndërtuar saraje bejlerësh në mesjetën e vonë. Dhe së fundi impresionohesh nga pamja madhështore e kolonadave që ngrihen aty pranë, për të të treguar se një qytetërim i madh e plot kulturë ka ekzistuar në të gjithë atë vend që kishte marrë emrin e Hyjit Apolon.
Duhet thënë se Apolonia ka qenë në vazhdimësi një vend grabitjesh. E megjithëse janë gjetur statuja prej mermeri plot, shumë të tjera kanë përfunduar nëpër muzeumet e botës. Por ky nuk është rasti i vetëm
 
Gërmimet arkeologjike
Rizbulimi i Apolonisë i atribuohet arkeologut francez Leon Rei, pasi ai në vitin 1923, në krye të një misioni arkeologjik francez, nisi kërkimet në terren pas nënshkrimit të së parës konventë arkeologjike në historinë e shtetit shqiptar. Më parë se kaq, gjatë Luftës së Parë Botërore, mbërritën në Shqipëri arkeologët austriakë Kamilo Prashniker dhe Arnold Shober. Prashnikeri nisi gërmimet në Apoloni, e cila ndodhej  nën goditjen e artilerisë italiane, si vija e parë e frontit. Arkeologu austriak disa prej skulpturave të gjetura në Apoloni i dërgoi në Vjenë. Rreth këtyre ngjarjeve flet dhe filmi "Dëshmorët e monumenteve" me regji të Fehmi Oshafit dhe skenar të Luan Ramës, një prodhimi i vitit 1980 nga Kinostudio “Shqipëria e Re”. Ishin austriakët gjithashtu, të cilët pushkatuan tre ushtarakë shqiptarë sepse iu kundërvunë ekipit që po trafikonte vlerat e kulturës kombëtare.
Epo... luftë hesapi.
Megjithatë, hulumtimet e para për Apoloninë i kemi nga studiues të huaj në gjysmën e parë të shekullit XIX, ku i pari që e ka vizituar Apoloninë dhe që ka shkruar për të ishte Pukvili.
 
Historiku
Ata që kanë shkruar historinë thonë se ky qytet i lashtë u formua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorët grekë, që vinin nga Korinti. Mund të jetë vërtet kështu por ec e ta gjesh, meqenëse kolonizatorët e asaj kohe nuk kishin noterë me vete që të saktësonin me vulë e firmë praninë e tyre në hapjen e themeleve të para dhe vendosjen e gurëve në to.
Gjithsesi, për Apoloninë kanë shkruar të gjithë historianët e rëndësishëm grekë të antikitetit që nga Hekateu i Miletit për të vijuar me Herodotin, Thuqididin, Aristotelin, e për të vazhduar me historianët e Romës, Polibi, Tit Livi e Ciceroni. Madje ky i fundit e ka cilësuar Apoloninë “qytet të madh e hijerëndë”.
Apolonia nuk ka kaluar pa vëmendje edhe nga Marin Barleti, i cili e përmend atë si një mundësi për të zhvilluar Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare.
I gjithë qyteti antik është i rrethuar nga një mur me gjerësi prej 3 metrash e rreth 4 kilometrash të gjatë, i punuar më blloqe ranore katërkëndëshe, i cili përfshinte në vete një hapësirë prej rreth 140 hektarë.
Në historikun zyrtar shkruhet se Apolonia ishte asokohe një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Vjosë apo Aoos siç njihej në lashtësi.
Apolonia e Ilirisë mbetet si qyteti më i rëndësishëm ndër 30 qytete në të gjithë botën mesdhetare, të cilët mbanin këtë emër në antikitet. Ai luajti një rol të madh si ndërmjetës tregtar mes helenëve dhe ilirëve. Gjithashtu shkruhet se qyteti, në kohët e tij më të mira, duhet të ketë pasur një shifër rekord banorësh për antikitetin, rreth 60.000 frymë. Thënë më qartë, po aq sa banore ka qyteti i Fierit në ditët e sotme.
 
Të dhëna
I referohemi faqeve zyrtare, qoftë të Ministrisë së Kulturës por dhe asaj të Parkut të Apolonisë, për të përsëritur edhe një herë, gjëra që janë thënë por që gjithsesi kanë vlerë.
Të paktën 800 objekte të ndryshme, që tregojnë ritmet e zhvillimit epokal në Apoloni, janë ekspozuar në muzeun arkeologjik të këtij qyteti antik. Gjithçka qëndron e ekspozuar në një sipërfaqe prej 1000 metër katrorë, e të vendosura në 25 stenda.
Në Apoloni ka ende shumë mure për të cilët specialistë janë shprehur se janë pellazgjike e që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën greke.
Tempulli është zhdukur nga Ibrahim Pasha, i cili në fillim të shekullin XIX ka marrë në këtë vend 70 karroca me material guri dhe i ka dërguar në Berat për të ndërtuar sarajet e tij. Padyshim, për këtë reprezalje masive, Ibrahim Pashës i ka munguar dhënia e një dekorate, të cilën e meritonte, sepse i vetëm mundi të bënte atë që s’e bëri dot një ushtri e tërë.
Në mesjetë, Apolonia e kishte humbur rëndësinë e saj. Vetë qyteti ka qenë nën zotërimin e Muzakajve. Dhe duhet thënë se Muzakajt në ditët e tyre më të mira kishin në zotërim gjithë Myzeqenë dhe Beratin.
Por duket se tërmetet e forta e të njëpasnjëshme, dy prej të cilave në vitet 1273 dhe 1284, kanë bërë të mundur shkatërrimin e qytetit i cili pas pushtimit osman të Arbërisë mbeti krejtësisht i braktisur.
 
Vizita
Në Apoloni ke mundësi të vizitosh të paktën 34 pika atraktive, që fillon me: Qendra Monumentale, Shëtitorja A, Harku i Triumfit, Biblioteka, Buleterioni, Odeoni, për të shkuar tek Akropoli, Obelisku e Teatri, e për ta mbyllur me Bastionin.
Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, Portiku, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë.
Manastiri mesjetar, pjesa më e madhe e të cilit është ndërtuar me materiale të marra nga monumentet antike të qytetit, përfshin në perimetrin e tij dhe Kishën e Hyjëlindëses, fillimet e së cilës datojnë në shek. XIII. Po këtu gjendet që prej vitit 1985 edhe muzeu arkeologjik, në të cilin mund të vizitoni një koleksion të pasur gjetjesh që vijnë nga gërmime të periudhave të ndryshme në Apoloninë e Ilirisë.
 
Epilogu
Pasi ke marrë adrenalinën e nevojshme dhe ke bërë një set fotografish nëpër objektet më simbolike të Apolonisë, nis të mendosh se vizita edhe pse jo tërësisht e ezauruar sërish e ka përfunduar misionin, ndaj duhet të kthehesh për në kryeqendër, Tiranë. Ndërsa merr të kthehesh në rrugën e ngushtë që të nxjerr në Pojan, e prej andej në autostradë, nis të mendosh se ku duhet të drekosh, në ndonjë restorant që të josh me peshk e midhje apo tek ato buzë rrugës që shquhen për byrek e kos.

No comments:

Post a Comment