Wednesday, February 2, 2022

Anastas Kristofori mungon në apel, e përfaqësojnë rolet


Nga Leonard Veizi
 
Ndoshta për shkak të batutave të papara, roli i tij që ka mbetur më shumë në kujtesën kolektive, është padyshim ai i Perikliut, drejtorit të Sandrit, apo thënë ndryshe krushku i Jovan Bregut, tek komedia aq e njohur “Pallati 176”.
-“Eh ç’ma zure bishtin me rrotë o Jovan Bregu. Po ç’t’u bëj atyre të rinjve që duhen, pa unë krushqi me ty... pu...pu...pu...”
Por jo më pak do të mbahet mend edhe si Stavri, ekonomati i Strehës Vorfnore në filmin “Lulëkuqet mbi mure”.
-Këto mos m’i thuaj mua, unë defterin kam. Vërtet s’kam ndonjë fitim, por ka qeveria. Është luftë. Jemi apo s’jemi patriotë?! Atëherë dëgjo: para tre ditësh 5 fëmijë u dënuan pa drekë, plus 2 të djeshmit 7, shtojmë edhe 20 drekat e fëmijëve që morën pasanikët për sevap 27. Në furnizimin për pasnesër këto të zbriten.
Ishte Anastas Kristofori.
Tanimë ai nuk do të ketë mundësi të ngjitet a ta prekë skenën e teatrit. Dhe jo sepse mungon skena, por se në apel do të mungojë ai vetë. Ishte 78 vjeç, por zgjodhi të ikte nga kjo jetë 2 shkurtin e vitit 2022. Ndërsa rolet e tij të panumërta janë padyshim të gjalla. Dhe ato transmetohen sot e në vazhdimësi, duke e përfaqësuar atë denjësisht, në çdo apel të mundshëm artistësh kombëtarë.
Kumbimi i zërit të tij karakteristik do t’i mungojë skenës teatrore. Kësaj që tanimë do të bëhet e re. Sepse gjithçka e Kristoforit, zëri në eter, gardëroba dhe rekuizita në shërbim të roleve të tij, mbetën tek ajo e vjetra, që u shemb nga një buldozer a fadromë e tanimë nuk ekziston.
Për herë të fundit në skenë Anastas Kristoforin e kam ndjekur me një rol tek drama: “Darka e Gabuar” vënë në skenë nga regjisori Fatos Haxhiraj. Ishte viti 2010 dhe ai vazhdonte të ishte energjik në interpretim fizik dhe fjalë artistike. Por më pas ai zgjodhi të bëjnë jetën e tij modeste, i tërhequr e krejt larg zhurmave mediatike.
Por ai kishte plot role ku dominonte me interpretimin e tij as jetësor, si në rastin e zotit Dëllfit në dramën “Arturo Ui”, si sekretari tek “Prefekti”, apo si Apostoli tek drama “Komunistët”.
Të gjitha rolet ai i ka punuar me shumë finesë dhe qenësia e tij tek një prodhim teatror ka qenë gjithashtu një domosdoshmëri skenike.
Anastas Kristofori, ishte nga të paktët të mbetur gjallë nga plejada e artë e aktorëve shqiptarë. Ishte i suksesshëm në skenën e teatrit po aq sa dhe në kinematografi. Ishte i suksesshëm në dramë, po aq sa dhe në komedi.
Dhe ishte mjeshtër fjale.
Fjala në gojën e tij nuk rëndohej kurrë. Ajo shqiptohej lehtësisht dhe merrte çfarëdolloj forme. Atë që dinte t’ia jepte vetëm ai.
-Ulu aty! Oj kjo... xhëpe... xhëpe... xhëpe.... xhëpe... Mjaft se më çmende, se më fute trefazorin në kokë më fute.
Ndaj jo rastësisht ai do të ishte dhe një pedagog i fjalës artistike në Institutin e Arteve, që më pas u vlerësua si Akademi dhe në fund u emërtua Universitet.
Në jetëshkrimin e tij thuhet se u lind 28 Nëntorin e vitit 1943 në fshatin Vuno të rrethit të Vlorës. Dhe kjo ishte fort emblematike, sepse bashkë me ditëlindjen festonte edhe ditën e shpalljes së Pavarësisë.
Thuhet gjithashtu se talenti për aktrim tek ai spikati që herët. Ishte në moshë vogël kur fillon të aktivizohet në role amatore. Pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970, nis punën me trupën profesioniste të Teatrit Popullor në vitin 1971.
Në kinematografi ka interpretuar në të paktën 11 filma. Nga rolet e tij do të veçonim: Antonion, tek “Vendimi”,  Ndoc Markun tek “Besa e kuqe”, Mavrojanis tek “Misioni përtej detit” apo Sotiraqin tek “Kush vdes në këmbë”. Dhe do të ishin po aq të arritura dhe rolet e tij si Vasili tek “Tela për violinë”, apo Pirro tek “Stolat në park”.
Për meritat e tij aktoriale Anastas Kristofori mbetet i vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Merituar”.
Tanimë ai është kthyer në një ikonë, po aq sa dhe të tjerët që janë larguar para tij.
Padyshim, vendi i tij në skenë a plate si spektator i thjeshtë do të mbetet bosh. Por fotografia që do të na i kujtojë gjithmonë, të gjallë e të qeshur, do të mbesë gjithashtu në muret e hollit të Teatrit Kombëtar, që do të ndërtohet i ri.

No comments:

Post a Comment