Sunday, February 6, 2022

Nga Praga në Kiev, perandoria ruse shkel mbi kufoma


Nga 
Leonard Veizi

A do të ketë një konflikt mes Rusisë dhe Ukrainës?
Disa analistë jo pak të njohur, të cilët shkruajnë në faqet e gazetave jo pak të rëndësishme, thonë: Jo.
Larg analizave të analistëve, në fakt a duhet marrë kaq “rozë” situata në kufirin Ruso-Ukrainas? Apo ndoshta i duhet dhënë edhe më shumë rëndësi se kaq, një çështjeje që po u ndez, nuk dihet ku do ta ketë fundin?
Në këtë shkrim nuk është se dua të analizoj shkaqet që kanë çuar në konfliktin e mundshëm, as për NATO-n dhe zgjerimin e influencës së saj në Lindje dhe as për gazin rus. E rëndësishme është: do të ketë luftë apo jo? Sepse lufta në prag, nuk do të jetë e njëjtë me atë që bota po përballet në dy vitet e fundit, dhe që ka të bëjë me një luftë të heshtur bakterologjike. Nëse ndodh, ajo do të jetë një luftë frontale dhe shumë e zhurmshme nga armët e zjarrit.
Evropa ka qenë relativisht e qetë që pas shkatërrimit të saj në 6-të vitet e asaj që u cilësua si “Lufta e Dytë Botërore”, dhe që erdhi vetëm 20 vite pas përfundimit të asaj që më parë ishte cilësuar si “Lufta e Madhe”. 75 vite paqe janë të konsiderueshme për një kontinent i cili zhvillimin e ka gjetur sidomos në marrëdhëniet konfliktuale. Lufta e Kosovës, gjithsesi, ishte një luftë lokale për kontinentin e vjetër, betejë e cila zgjati vetëm 78 ditë me bombardime ajrore, por pa ndërhyrje të njësive këmbësore në terren. Pra, nuk pati një luftë frontale.
Deri dje, ishin gjermanikët në qendër të konflikteve të mëdha, si iniciatorë të tyre, pavarësisht humbjeve.
Sot, Gjermania, Franca dhe Italia janë shprehur se nuk duan të përfshihen në një krizë ku siguria energjetike evropiane dhe marrëdhëniet e rëndësishme tregtare me Rusinë vihen në rrezik.
Po të kthehemi në kohë do të kujtojmë se Gjermania, atëherë nën pushtetin e Hitlerit, sulmoi territorin sovjetik me 191 divizione, apo thënë ndryshe me mbi 3 milionë ushtarë. Dhe meqenëse nuk e mori dot Moskën, ndërroi taktikë duke sulmuar Stalingradin. Pas disa muajsh luftime, Ushtria e Kuqe arriti të shpartallonte pikën më të dobët të rrethimit, atje ku ishin vendosur garnizonet italiane të Armatës së Tetë, së komanduar nga gjeneral Italo Gariboldi dhe që ishin pjesë përbërëse e Grup-Armatës “Don”. Ishte po shkurt, por i vitit 1943 kur feldmareshalli Von Paulus u dorëzua bashkë me 91 mijë ushtarë pranë shtabit të gjeneralkolonel Rokosovskit, këtij ushtaraku me origjinë polake që më pas do të merrte statusin e marshallit të Bashkimit Sovjetik.
Fati i luftës ndryshoi.
Sot, gjermanët dhe italianët, mbyllin njërin sy përpara kërcënimeve që Moska i bën Kievit.
Dhe duhet shtuar se vetëm disa vite më parë, në shkurtin e 2014-ës, trupat speciale të ushtrisë së federatës ruse aneksuan gadishullin e Krimesë, deri dje pjesë e territorit të Ukrainës. Një pushtim i lehtë në dukje.
Tanimë, fakt i kryer, Rusia ka mobilizuar 130 mijë trupa dhe deklaron se ato janë sërish pak për të kryer një ndërhyrje ushtarake.
Makineria e luftës është ngritur. Edhe pse ushtarët vazhdojnë të mbajnë në krahë kallashnikovët - në dukje një armë e dalë mode - raketat, nëndetëset bërthamore, avionët supersonikë janë përbindëshat që do të zhbëjnë globin.
Konflikti i mundshëm i Rusisë me Ukrainën tregon edhe një herë se atë që bën një plumb nuk e bën dot një virus, sado i dëmshëm të jetë ai. Sepse lufta në vetvete është një terror i shumëfishtë, ku ana psikologjike rritet në delir ose bie nën këmbë në varësi në fuqisë së zjarrit me të cilën përballen ushtritë.
Të tjerë analistë thonë se forcat ruse kanë aftësi për të kryer një pushtim të shpejtë dhe të menjëhershëm.
A mund të ndodhë kjo?
“Lufta rrufe” apo “Blitzkrieg” ishte një strategji e vënë në jetë nga Adolf Hitleri në bazë të doktrinës së Albert von Shlifer. Rezultativ në pjesën dërmuese të betejave të ndërmarra nga Vermahti. Në vitin 1968 Bashkimi Sovjetik, në përbërje të të cilit ishin 16 republika të mbledhura rreth Rusisë mëmë, bënë sprovën e parë të një pushtimi të shpejtë. Vetëm në 4 orë, Çekosllovakia e atëhershme u gjend nën çizmen e ushtarëve rusë, të cilët kishin desantuar pas mesnate në mënyrë spektakolare edhe armatimin e rëndë bashkë me tanket, nëpër rrugët e kryeqytetit. Atë ditë, 21 gusht, në Pragë u vranë nga forcat pushtuese 50 burra, 7 gra, si dhe një vajzë 8 vjeçe. Kështu që “Pranvera e Pragës” së liberalit Dupçek u kthye në një dimër të ashpër. Ky aksion “blic”, tepër sekret, i Traktatit të Varshavës shokoi Aleancën e Atlantikut ndaj shumë nga shefat e zbulimit të vendeve aleate, panë fundin e karrierës së tyre pas kësaj ngjarjeje. Askush prej tyre nuk kishte qoftë dhe një informacion fillestar se ushtritë e kampit socialist, po përgatiteshin për të bërë pushtimin e tyre të parë. I vetmi informacion ishte ai i 8 muajve para ngjarjes, dhënë nga gjenerali Reinhard Gehlen, ish-shefi i shërbimit sekret të ushtrisë naziste, por që pas lufte drejtoi shërbimin sekret të Gjermanisë Perëndimore. Meqenëse dyshohej se Gehlen bënte një lojë të shumëfishtë dhe ishte në fundin e karrierës, informacioni i dhënë prej tij nuk u mor parasysh. Shteti i përbërë Çek e Sllovak, u pushtua.
Suksesi i pushtimit të Çekosllovakisë tregoi se “Perandoria Sovjetike” ishte në gjendje të bënte shumë më tepër se kaq, dhe kjo u vërtetua në sprovën e radhës kur trupat sovjetike pushtuan Afganistanin në vitin 1979.
Rusët kanë treguar se nuk kanë toleruar kur ka ardhur puna për territoret që kanë qenë nën influencën e Perandorisë. Çeçenia, republika e vogël me shumicë myslimane në Kaukazin Verior pati të njëjti fat. Konflikti që nisi fillimisht për kufijtë territorialë zgjati të paktën 20 muaj. Sot ky konflikt duket sikur i përket të kaluarës, por atje u vranë zyrtarisht gati 6 mijë ushtarë rusë dhe të paktën 17 mijë ushtarë çeçenë.
Rusia nuk fali as Gjeorgjinë në një luftë të shkurtër 5 ditore, ku në vitin 2008 ndodhi konflikti që njihet si "Lufta e Osetisë Jugore". Ofensiva u zhvillua si në Oseti dhe përgjatë bregdetit të Detit të Zi, ku trupat ruse arritën të pushtojnë një pjesë të madhe të territorit të Gjeorgjisë: deri në disa kilometra larg kryeqytetit Tbilisit.
Parë nga ky këndvështrim mund të themi se ushtria ruse është e mësuar me “luftën rrufe”.
Rusia, tanimë e vetme dhe pa mbështetjen e dukshme nga republikat e tjera të ish-Unionit Sovjetik, është në përballje me trupat e Ukrainës, deri dje një nga satelitët më të fuqishëm të saj.
A do të ketë vallë luftë reale, me topa, tanke, raketa e avionë?
Analistët thonë: Jo!

No comments:

Post a Comment