Leonard Veizi
Herë pas here, është
vërtetuar se edhe pse një strukturë e rregullt, Emergjencat Civile në Shqipëri
nuk janë fort efikase. Sepse sa herë ndodh ndonjë kataklizmë, u drejtohemi të
huajve për ndihmë. Kjo do të thotë se Emergjencat Civile i ke, por zëre se s’i
ke. Ke njerëz në krye të detyrës, por nuk ke mjete. Kështu që: ku ishim –
hiçgjëkundi...
Nëse bie zjarr në
Shqipëri, - për pyjet pa zot e kam fjalën jo në vilën e ndonjë oligarku - ne i
kthejmë sytë nga qielli dhe i lutemi Perëndisë të na hedhë ndonjë pikë shiu. Se
ne, aha, nuk e luajmë bythën vendit që të shkojmë e ta shuajmë.
-Pse bëhet shaka me
zjarrin?!
Në logjikën e
përhershme të rehatisë personale, e kemi mirë, se duam që tymi të na shkojë
drejt, dhe nuk duam që tymin e oxhakut tonë ta ngatërrojmë me tymin e zjarrit
që na vjen nga Sazani, fjala vjen.
Pastaj ne si popull e
njohim mirë trekëndëshin revolucionar: me zjarrin jo e jo, as me ujin nuk bëhet
shaka, por dhe me qeverinë mos e kruaj!
Ndaj le të bjerë
zjarr e le të digjet ishulli se nuk e kalon dot mezokanalin e të mbërrijë në
Karaburun. Pastaj Sazani është pronë e qeverisë e ajo të bëjë ç’të dojë.
Dhe qeveria i dha
drejtim. Si nuk i doli dot për zot nja 3-4 ditë të mira, thirri për ndihmë
avion “Canadair CL 415” të forcave greke të emergjencës. Grekët po erdhën
menjëherë, ngaqë janë stërvitur fort me zjarret e tyre. Se dhe në Greqi bie
zjarr, nuk është se i mbron Apoloni. Por ata i kanë blerë ca helikopterë nga
ata që marrin ujë në det dhe e hedhin mbi zjarr. Ja kaq e lehtë është puna.
-Tobe stakfrullah!
Ka dhe një mënyrë
tjetër, të shpejtë e efikase: kur mobilizohesh si popull dhe ashtu me kova e
legenë, i hedh ujë zjarrit. Jo benzinë në këtë rast. Meqenëse nuk kemi helikopterë.
Se kemi vite që s’kemi, por zjarret ccuditërisht i kemi të përvitshme. Dhe
qeveria e ka të lehtë sa herë plas zjarri, thërret grekun dhe e paguan me paratë
e tua, si popull. Por ti si popull mund ta bësh... nëse ke dhe sensin e duhur
qytetar... me punë vullnetare. Ja ashtu, yxhym. Se me aq birra sa pihen në
Lungomare, po t’ia hedhësh zjarrit, e shuan.
A bëhet me e hedh si
ide këtë të fundit, duke i hequr alkoolin sigurisht?
-Mos e dhëntë Zoti...
Mirëpo të hedhësh
idenë për të dalë vullnetar e të shkojmë ta shuajmë zjarrin me mjete
rrethanore, aha... gjete kë të kandisësh. Se tek ne fjala vullnetarizëm është
hequr nga fjalori, sidomos pas abuzivizmit në kohën e “xhaxhit” ku qeveria
demek ta linte të dielën pushim, por organizatat e masave ta kthenin në punë vullnetare...
të detyruar. Fjala dhe veprimi bashkë
morën një sens më pezhorativ, kur pas vitit 1985 e “diela vullnetare” u kthye
në “ditën e Enverit”. Thuhet se ky i fundit kishte shkuar mos linte ndonjë
takim me Shën Pjetrin, por në emrin e tij punohej e derdhej djersa çurg pa
para, për të mirën e socializmit. Por as kjo nuk e shpëtoi socializmin. Por
Sazanin e shpëton. Se dy kovë ujë duhen të shkretën. Dhe Sazani për shans është
m’u në mes të ujit. Ndaj një ditë punë
vullnetare do ta kishte shuar flakën shumë më parë se të digjej e të
shkretoheshin kush e di sa hektarë gjelbërim.
Por për punë vullnetare
nuk flitet në Shqipëri se të rrasin në “tabelën e emulacionit” e të thonë se po
na kthen pas në kohën e Baba Qemos.
-Allau na rrojtë! Që
misrin e prishi ca bryma, e prishi.., po në qoftë llaf pe kulaku nuk e zë më në
gojë. I kam sahanët e ndarë me ata.
Mirëpo ajo kohë ka
ikur. Tanimë puna vullnetare ka të bëjë me sensin qytetar, dhe jo me punën e
papaguar si fshatar kooperative për zhveshje misri dhe prashitje panxhari. Edhe
kur ra tërmeti i nëntorit 2019 njerëzisë nuk i bëri thirrje kush për punë
vullnetare, dolën vetë të ndihmonin tjetrin me aq sa mundeshin. Kjo ka të bëjë
me sensin qytetar. Ja, kaq gjë mund ta bënim dhe për Sazanin.
-Vjen puna kështu more
vëllezër, njëlloj si dje në luftë, nuk mund të rrish dot mënjanë... O do të
tregohesh patriot, o je....
-Shumë thellë na fute
djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne!
Po sa rrimë në
Lungomare, dëgjojmë muzikë live, dehemi me birra, e shajmë mbarë e mbrapsht në
tavolina, do kishim bërë mirë që me ato skafet e turizmit që shëtisim për të
parë bregdetin, të kishim hedhur ca djem deri në Sazan. Pesë minuta me skaf
janë të shkretat nga Triporti tek kalatat e ish-bazës detare të katrave silurues.
Edhe zjarrin e kishim shuar në një kohë rekord, edhe grekut nuk i ishim lutur
të na ndihmonte. Se dukemi të pafuqishëm përballë një zjarri dhe bëjmë sehir si
llavën e vullkanit që shpërthen nga Vezuvi...
Ne një ishull mezi e
kemi. Nuk jemi si grekërit që i kanë ishujt me duzina. Laj-thaj, Sazani na ka
mbetur. Me të dikur mburreshim se e kishim kthyer në fortifikatë buzë
Adriatikut e sot po mundohemi ta kthejmë në atraksion turistik. Ndaj Sazani
duhet mbajtur i gjelbëruar, që ata turistë të cilët e kanë ndarë mendjen ta
vizitojnë të mos i hedhin rezervimet në det.
No comments:
Post a Comment