Leonard Veizi
Ti je dasmor dhe je
idiot njëkohësisht. Duket sikur nuk është se shkojnë të dyja bashkë, por
shkojnë që ç’ke me të e nuk ke nga ia mban. Po a di zotrote se ç’do të thotë
“idiot”? Se “dasmor” jam i bindur që ia di kuptimin.
Ja ta
shpjegojmë.
Ftesa, me letër
bakalli për 5 lekë, të vjen me zarf ku emri të është shkruar me varak, por ty
të duket si flori. Dhe mendja të ngrihet keq se mendon që të kanë vlerësuar sa
s’thuhet ndaj duhet ta tregosh veten. Dhe gati sa nuk fluturon.
Përgatitjet për dasmë
nisin. Dhe me seriozitetin e duhur.
Ore kush po martohet
xhanëm?
Ti je i ftuar, por
shqetësimi për lukun tënd, - domethënë për pamjen tënde të jashtme, - ka marrë
një tjetër dimension. Në kohë dhe në hapësirë, demek. Domethënë, në
stratosferë. Sepse ti duhet të jesh model..., - ose topmodel.
“Veshja kopileshja”,
- thoshte dikur shkodrani. E thotë edhe tani. Dhe ti i përmbahesh pikë për pikë
kësaj sentence të ardhur nga përvoja popullore.
Nga njëra anë është i
zoti i dasmës të cilin e ka zënë vërtet belaja dhe ngryset e gdhihet duke bërë
hesape. Me laps e letër në dorë, e herë i dalin llogaritë, e herë nuk i dalin.
Nga ana tjetër, ti si
dasmor nuk bën hesape fare. Se ty të del llogaria fiks, e nuk të lëviz as
gjysma e lekut. Tepeleku nuk lëviz e nuk lëviz. Se e ke dyst, vetëkuptohet.
Ndaj del të bësh shoping..., se do shkosh në dasmë de. Dhe i merr dyqanet
mbarë.
Por nuk je vetëm.
Ftesa është familjare. Pra burrë e grua, e dy kalamaj në rastin më të mirë.
Gjithsej katër vende, që do të thotë katër pjata shumëzim për... Domethënë:
...e parë, e dytë, e tretë, e katërt, e pestë... e sa ta ketë takanë i zoti i
punës. Ha sa të fryhesh.
-Dua të ha po s’kam
ku e fus!
-O Perëndi e madhe!
Por ty nuk ta ndjen
fare nga kjo anë. Pse hesapet e tjetrit do bësh ti?! Ke të tuat.
Gjeja e parë është të
blesh veshjet e reja: kostum, kollare, këpucë llustrafinë, çorape, brekë e
kanotiere për burrin. Gruaja ka ca yçkla më shumë: fustan, korse, sandale, geta
të holla, krehje flokësh, manikyr e pedikyr, tualet e llangosje...
-Hajde borgjezi
hajde, kjo paska më shumë vegla se mitralozi i Sherifit.
Dhe mitrolozi i
Sherifit ishte “shars” nga ai gjerman i Luftës së Dytë.
Por janë dhe fëmijët.
Edhe ata me të reja, nga koka të këmbët.
Epo dasmë hesapi. Ka
lezet. Një herë martohet njeriu.
Po mor vëlla, por
martohet ai tjetri, se ti e ke ngrënë çahirin me kohë. O po rroftë sebepi: Ku
leh qen e ku del tym, ku ia bën daullja bym.
Epo, një martohet 100
tërbohen. Nuk thonë kot. Për fjalë të urta e të kalkuluara jemi të vetmit ne.
Do shkojmë në dasmë.
Pse morracakë na dini? Të veshim ato të dasmës së kaluar. Ku është parë e
dëgjuar?!
-Ore se desh harruam,
sa lekë do hedhim në dasmë se harrova të blej një zarf?
-100 mijë lekë të
vjetra, jo më shumë.
Vazhdojnë me hesapet
e tjera.
Mirë qoka, po
përgatitjet sa na vajtën?
Po ja: kostum,
fustan, kollare, korse, këpucë, sandale, çorape, geta, brekë, kanotiere,
tualet... gjithë-gjithë 800 mijë lekë të vjetra.
-Luj more vendit.
Jaaaaallah.
Ç’ke o byrazer? Për
qejf ke ardhur. Qejfi... thonë... ha kumbulla të tharta.
Nis dasma. Hyn çifti.
Të gjithë kthejnë sytë nga nusja. Të shohin sa e bukur është. Se thonë që
kurioziteti ka mbytur dhe macen. Ja sërish sentenca popullore na dolën.
-Ore ku është nusja,
se s’po e shohim gjëkundi?
-Ja ajo atje..., jo
ore është ajo tjetra...
Prit se u ngatërruam
më duket. Këto janë dasmore. Epo të gjitha si nuse janë bërë. Nuk gjendet nusja
për qamet. Ajo që martohet me gjithë mend. Se këto të tjerat janë martuar nga
një herë, kanë dhe kalamaj.
Epo kjo është
konkurrenca. Ja që ia dhjemë nuses... mender jush. Fundja... çka nusja më shumë
se ne?!
Hajde dasmorë hajde.
Të jeni kaq idiotër vërtet?! Të mos e lini as çiftin të gëzojë në dasmën e vet.
Po tek e fundit i lini dhe nuses ca vend, se e ka për herë të parë e duhet ta
mbajë mend si ditën më të bukur të jetës. Jo si ditën e konkurrencës agresive
dhe negativitetit.
Po kush të lë se?
Por nuk harrohet të
bëhet dhe një selfie, se çu pa puna. Duhet ta marrin vesh me kuç e me maç qe
ishim në dasm, dhe që shkëlqenim, veshur me të reja, më shumë se të tjerë me
gjithë çiftin bashkë.
Dhe te çanta e gruas,
që mezi mban një pasqyrë a një krehër, janë mbështjellë me letra tavoline dhe
nja katër biftekë. Duhen, se të kërkojnë në punë që me sabah. Dhe ti nuk ke
kohë se gjithë natën je dredhur e spërdredhur në valle. Mirëpo nuk do t’ia dijë
njeri se ke qenë në dasmë.
Dhe në fund duhet të
japësh opinionin tënd, por jo te blloku i protokollit, por ashtu nën zë: - Aman
ore se dasmë koti fare: orkestra e ngordhur, organizimi i vdekur, mishi po
dihet, do ketë qenë ndonjë dem plak se nuk shtyhej për qamet. Kot që erdhëm.
Ky është epilogu,
nëse më parë se kaq nuk ka plasur sherri me karrige kokës dhe pistoleta në vend
të shtjerë në ajër, qëllon drejt e në mish.
Post scriptum: Ti dasmor, kur të lexosh këto rreshta dhe e sheh
veten se je ti ai, nuk do lesh gjë pa sharë. Demek ta paskan ty me negativitet. Dhe
kujt pa, surratit tat. Po herën tjetër, kur të të ftojnë në një ceremoni të tillë vër ca mend,
mos u krekos shumë dhe mbi të gjitha mishin e pjatës mos e fut te çanta e
gruas, se do laturisesh i tëri dhe do blesh një çantë të re pasi atë më të vjetrën do e
nxjerrësh jashtë përdorimit. Dhe kështu shpenzimet vazhdojnë...
No comments:
Post a Comment