Leonard Veizi
Edhe për këtë vit
sezoni veror u mbyll. Me shi.
Por a ishte i
suksesshëm ky sezon, përsa i përket turizmit e plazheve?
Padyshim, si
gjithmonë ai u mbyll me sukses të plotë dhe me urimin që vitin tjetër do të
jetë edhe më i mirë se kaq.
-Mot më mirë, me
Shqipëri të lirë!
Duke bërë bilancin e
sezonit turistik, kryeministri shqiptar tha se jo vetëm ishte më i mbari nga
fluksi, por edhe nga pastërtia. Dhe kur e thotë kryeministri duhet besuar.
-Të vërtetën kam
folur nuk kam gënjyer si ca.
-Pse kush ka thënë të
rreme... Mbaj gojën djalë se jemi mes burrave që na njohin të dyve se kush
jemi...
Nga Velipoja deri në
Ksamil, Shqipëria është e pasur me një vijë bregdetare të mrekullueshme e plazhe
pafund. Dhe këtu një kontribut të jashtëzakonshëm ka dhe... Perëndia. Se mos
ndokush mendon se është Qeveria?! Çne qeveria moj, çne qeveria...
-Në shtëpinë e tyre
nuk pranojnë nuse dosido, si bie fjala puna tënde që jeni 10 fëmijë. Çne ty
moj, çne ty, – do të thoshte i shkreti Jovan Bregu, me siguri nga përtej
bregut.
Njeriu është
shfrytëzues i pamëshirshëm i saj, por qeveria mbledh të mirat materiale përmes
taksave.
Por gjithsesi situata
në plazhet shqiptare ka ndryshuar ndjeshëm. Dhe në fakt ashtu është, të mos i
biem në qafë kot qeverisë.
-Ç'hyn patrulla këtu?
Patrulla bëri detyrën, duhet përgëzuar...
Por gazetarët kanë
një të keqe të madhe, shohin të keqen dhe atje ku nuk ka. E bëjnë dhe qimen
buall.
Të më ndjeni që dhe
kur shkoj me pushime jam i destinuar të shoh dhe t’i jap vlerë anës negative,
duke u motivuar nga postulati: “Lajmi i mirë është një lajm i keq”. Por kam
tendencën që ta rregulloj këtë bilanc me veten time. Po përmirësohem. Ashtu si
Bequa i “Kapedanit”.
-Marr angazhim që sot
e tutje të mos shoqërohem më me të!
Është vështirë të
bësh pushime duke qenë dhe nën presionin e lajmeve. Me një edukatë të hershme
detyre që gazetari është 24 orë në shërbim, e s’ka një ditë pushim, më është
dashur ta mbaj celularin ngrehur, për regjistrime e për të mbajtur shënime në
faqen “notes”.
E ç’t’u them më...
Kështu dhe në rastin konkret.
Me gjithë hapat
gjigant që ka hedhur përpara, - ku qeveria thotë se peshën kryesore e ka ajo
vetë, - plazhi shqiptar ka qyfyre pa fund. Sepse kur nis të bësh një shëtitje nëpër
territorin e plazhit, veç kënaqësisë që të jep natyra e të relakson, gjen dhe
plot elementë të kritikueshëm lehtë, por me ca të tjera mund të të zënë të qeshura
sa të të dhembin bulçitë.
-Qeshni ju tani, por
do të qesh dhe unë me ju...
Këtë herë, - duke
anashkaluar gjithfarë taverna çingiesh me këngë terrorizuese për pijanecë dhe
kakofoninë muzikore ngaqë lokalet dhe orkestrat janë pranë njëri-tjetrit, -
mbresa të vërteta më la një përrua kanceroz.
-Ju hoqët nga gjiri i
Europës një lumë kanceroz...
Në fakt po flasim për
një përrua. Se lumin e hoqi një tjetër. E kisha harruar me thënë të drejtën.
Nuk e dija madje që ekzistonte ky përrua kanceroz, sepse kam menduar se tek e
fundit është mbuluar.
Ti shkon në plazh për
të shijuar ditët e fundit me diell të shtatorit dhe kujtohesh të fokusosh me
objektivin e kamerës - që tanimë çdokush e ka me vete - dhe në vend të bësh
selfie si gjithë dynjaja, regjistron një kanal ujërash të zeza, ku të zë kolera
e kanceri bashkë.
-Në Luaras ka rënë
kolerë, nxirrni shpallje, - urdhëroi një herë e një kohë kajmekami i Ersekës.
Kisha menduar se
plazhi i Durrës-Golemit ishte pastruar nga kanalet e ujërave të zeza. Dhe ato
përveçse ishin futur nëpër tuba, përpunoheshin për të mos ndotur më detin dhe
ambientin.
Por jo çdo gjë shkon
sipas parashikimeve.
-Del një dru i
shtrembër e prish stivën.
Nuk flas për dhomat e
luksit me nga 100 euro nata ku nuk flenë dot shqiptarët e thjeshtë por vetëm
ata të përbërë... Nuk po trumbetoj hotelet e ngritur pranë detit, që të
servirin dhe qumësht dallëndysheje. Le që kujt i bie në mend qumështi i
dallëndyshes. Këtu flasim për një zonë moçalore të ndotur, që përdoret si VC
nga pushuesit, në emergjencë e sipër, e ku ngordhin edhe zhabat e vetë moçalit.
Dhe kanali është në një zonë nevralgjike e që njihet nga shumica. Ai ndan zonën
e plazhit civil me atë ushtarak, gjë që e bën edhe më të komplikuar
situatën. Se ne themi që po investojmë
për ushtrinë. Po heqim armët e vjetra dhe po blejmë helikopterë të përdorur.
Përroi rrjedh i qetë
pranë vendit të quajtur “Shkëmbi i Kavajës” mes konvaleshencës së uniformave
kaki, që në kufirin me një rrjetë teli modeste ka varur kudo tabelat “Ndal Zonë
Ushtarake”.
U pika zonës
ushtarake!
Demek, aty shullëhen
në diell nga rreshterët e kapterët deri te gjenerali i brigadës. Të gjithë kanë
hequr gradat dhe marrin rrezet e diellit me brekë. Dhe ca më tutje kanali i
ujërave të zeza që të çan hundët me erën e acidit etj...
Hajd se mban ushtria!
Nuk donte me ia dit as kur i pushkatuan ministrin dhe shefin e shtabit, e jo më
tani që kemi "7 kamiona për 23 bataliona".
-Po ky është kamion
ushtarak mo xhaxha.
-Hë se ushtarakë jemi
të gjithë tani.
Batuta e filmit
“Ballë për ballë” merr më shumë vlerë në këto ditë lufte. Edhe këta tanët edhe
ata të Ukrainës i përqendruan forcat në një mobilizim kundër ushtrisë ruse. Epo
këto janë fate historike, me ato s'kemi punë se nuk i ndryshojmë dot. Puna
është si të rregullojmë këto që kemi në dorë.
Për civilët që bëjnë
plazh në një vend të tillë është edhe më keq. Se si mund të bësh plazh, të zhgërryhesh
në rërë dhe të lahesh në det, në një zonë aq të ndotur, vetëm ata e dinë.
Ky lloj vëzhgimi nuk
ka aspak për qëllim denigrimin e turizmit tonë masiv. Se pastaj mund të më
fusin në kallëpe të tjera e të më akuzojnë se bëj agjitacion e propagandë për
të dëmtuar atë që mezi e kemi ndërtuar me aq mund.
-Shumë thellë na fute
djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne, – do të thoshte
Tarja i “Përballimit”.
Ashtu them dhe unë në
fakt.
No comments:
Post a Comment