Leonard Veizi
Jemi mësuar që
Shqipërinë tonë të dashur, - që herë i themi Mëmëdhe e herë Atdhe, - më shumë
ta shajmë se sa ta lëvdojmë. Sepse në majë të gjuhës e kemi shprehjen aq shumë
të përdorur në vitet e tranzicionit: nuk bëhet ky vend.
Po pse nuk bëhej?
Ç'faj ka vendi? Ç'faj ka toka tek e fundit? Kur e mblodhëm na dha prodhim. Kur
ngritëm digat, ujët e lumit na dha energji. Kur gërmuam, nxorëm krom e bakër sa
deshëm. Çfarë ka këtu për të thënë: Nuk bëhet ky vend?
Padyshim, janë
njerëzit ata që e bëjnë vendin. Dhe njerëzit kanë bërë të lulëzojnë vendet
nordike, - Norvegjinë fjala vjen, - që kur del diell bëhet festë kombëtare, jo
më Shqipërinë me 300 ditë të ngrohta e të ndriçuara mirë, me ujë pa kursim e
plot pasuri të tjera që nuk ia vlen t’i themi në këtë shkrim të shkurtër.
Ne shqiptarët e
vegjël instinktivisht kemi ecur në të kundërt të shprehjes së shqiptares së
madhe Nënë Tereza e cila thoshte aq butësisht: “Në vend që të mallkosh
errësirën, ndiz një qiri”!
Epo... për
justifikim mos thoni që është rritur çmimi i qiririt të paktën.
Por ne sot, -
ambicien e kemi aq të madhe sa duam të jemi në kuota të njëjta me Holandën e
Danimarkën, - nuk duam të kuptojmë që në fund të fundit, në 110 vite shtet kemi
bërë hapa të mëdhenj përpara edhe pse në renditje sërish jemi në fund të
Evropës. Sepse kur u formua shteti shqiptar dolëm nga Porta e Lartë në mënyrën
më të zezë të mundshme, aq sa mezi e gjetëm një flamur, për të cilin ka nja tre
versione, dhe arritëm ta ngremë nga ballkoni i katit të dytë të sarajeve të
Vlorajve. Por ngaqë nuk kishim arkiva e humbëm jo vetëm flamurin por dhe letrën
origjinale të deklaratës së Pavarësisë. Sot e kemi një institucion arkivor,
madje të disiplinuar mirë i cili ka arritur të dokumentojë për aq sa ka mundur
jetën ekonomiko-politike dhe kulturore të vendit. Dhe ky është një hap përpara.
110 vjet më parë
baballarët e kombit shqiptar shkruanin turqisht, se shqipja ishte e ndaluar të
shkruhej, dhe 96 përqind e popullsisë ishin krejt analfabetë.
Sot 110 vite më
pas debati bëhet për nivelin e masterit apo për një gradë shkencore. Kemi dhe
Universitete plot, kemi pasur dhe Institute Shkencore që përbënin Akademinë e
Shkencave, edhe pse sot ka mbetur vetëm Akademia se institutet janë paralizuar
prej vitesh. Ja që kemi bërë dhe dy hapa të tjerë përpara, pavarësisht se një e
kemi pas. Se ka edhe dështime në këtë jetë.
Të sapodalë nga kthetrat
e perandorisë osmane, asokohe popullsia vishej me çitjane alla turka, burrat
mbanin në kokë feste të zinj e gratë ferexhe. Sot mund të dalësh dhe toples në
mes të Tiranës e s’të thotë njeri plaç. Dhe në këtë pikë kemi bërë nja tre hapa
përpara.
Asokohe dinim veç
të mbathnim kuajt me patkonj e të zienim raki me kazan, sepse kjo ishte
gjithë-gjithë industria jonë. Por vite më pas u shtuam me aq shumë hekura në
industrinë e rëndë dhe atë përpunuese saqë një pjesë i çuam për skrap ngaqë nuk
po ia dilnim t’i përdornim. Edhe këtu kemi bërë hapa para e hapa mbrapa. Por sa
pa gjë...
Pavarësia e gjeti
Shqipërinë vetëm me 160 kilometra rrugë për qerre. Pra mjeti i vetëm që lidhte
fshatrat dhe qytetet, padyshim ishte mushka dhe gomari, se nuk flitej për
automjete, ndërkohë që në qytetet evropiane transporti përfshinte tramet në
qytete dhe trenat për udhëtime interurbane. Por pas 110 vitesh, rrjeti rrugor
shqiptar përfshin rreth 18.600 kilometra. Pra e kemi shumë më të lehtë për t’u
lidhur me çdo cep të vendit, edhe pse hekurudhën, ashtu si shumë gjëra të
tjera, e nxorëm nga qarkullimi si të tepërt.
Territorin që na
la Konferenca e Ambasadorëve në Londër e administruam si Principatë, e bëmë
Republikë, e kthyem në Monarki, kaluam në Socializëm e tani në Demokraci Parlamentare.
Fillimisht nuk kishim asnjë nen kushtetues për funksionimin e këtij shteti, por
sot Kuvendi ynë prodhon nene, akte ligjore e nënligjore sa të furnizojmë
Evropën, se 2.8 milionë njerëz që kemi mbetur në këtë territor, nga 5 milionë
që duhet të ishim me bazë statistikore, drejtohen edhe me shumë më pak ligje.
Këtu kemi bërë nja dhjetë hapa përpara dhe jemi në krye të klasifikimit. Pra në
fund të tunelit ka dritë, sepse në disa aspekte të jetës ne si shqiptarë kemi
treguar veti të shkëlqyera.
Para 110 vjetësh
shqiptarët nuk arrinin të mbushnin barkun me bukë misri, por në vitet ’70 të
shekullit të kaluar u dha sihariqi që e gjithë buka u prodhua në vend. Sot,
përsëri nuk prodhojmë dot grurë aq sa na nevojitet, por buka nuk na mungon më.
A është ky evolim?
Pra nuk jemi më aq të prapambetur sa themi gjithë mllef nëpër tavolina
kafenesh. Mund ta shohim pak më me optimizëm jetën në këtë vend. Sepse ne duam
që të bëhemi njësh me Suedinë e Belgjikën, sa më shpejt e me pak punë. Dhe në
njëfarë mënyre ia kemi arritur. Se të vijnë suedezët e të shohin sa Volvo kanë
shqiptarët do vënë duart në kokë, se aq nuk kanë as vetë ata që e prodhojnë. Se
sa për gjermanët ata e kanë marrë vesh me kohë që në Shqipëri, mbreti i
makinave është një, Mercedez Benz.
Përse duhet ta
shajmë Shqipërinë, e ta bëjmë copa këtë vend, sikur nuk është e aftë as të
mbijë bari, kur është po kjo tokë që ka mbajtur paraardhësit tanë në mijëra
vjet?!
Se ikin vërtet
shqiptarët për një jetë më të mirë. Ca e ca thonë se nuk do ta kthejnë kurrë më
kokën pas. Kaq me pathos e kanë largimin. Por kalon ca kohë e malli i bren.
Ulin kokën dhe e kthejnë pas. Pastaj vijnë po këtu, në këtë tokë të shkretë ku
nuk mbin asgjë, dhe ndërtojnë vila, blejnë apartamente buzë njërit prej deteve
që lag tokën tonë, për të kaluar ca vite të denja nën shoqërinë e diellit që e
kemi pa kufi.
Jetohet dhe në
Shqipëri, po qe se vendos t’i investosh energjitë e tua në këtë vend me
qëllimin për ta bërë diçka më të mirë.
Jetohet dhe në
Shqipëri, sidomos tani që kanë kaluar 110 vite nga dita e Pavarësisë.
No comments:
Post a Comment