Wednesday, November 23, 2022

Tyryfyçkat e blogeve, që duan të ndikojnë me shitje brekësh e çorapesh


Nga 
Leonard Veizi
 
Që në botë ka pasur burra me mend që kanë ndikuar në historinë e saj, kjo është një gjë që dihet. Edhe nëse nuk dihet, mësohet që në ciklin e ulët në 9-vjeçares. Ka ndikuar Platoni e Aristoteli, Cezari e Mark Antoni, Karli i Madh dhe Papa Piu, Frojdi dhe Fromi…. e s’po vazhdoj më. Por që tani fuqinë e kanë marrë damat, kjo është një gjë për t’u shkoqitur mirë, se nuk dalin llogaritë.
Kur “dikush”, në një bisedë televizive tha se me profesion ishte “influencër” u habita, sepse nuk e njihja këtë terminologji të re e të pastudiuar. E meqenëse m’u duk një fjalë kozmike as që iu afrova bibliotekës apo Fjalorit Enciklopedik për shpjegim, sepse isha i sigurt që nuk ta kishin në refene. Por meqenëse kohët e fundit kam filluar të zë mend, u sula në gugëll, si mbi varkën e shpëtimit, i bindur që vetëm atje mund të merrja një përgjigje të saktë. Dhe parashikimi im, – po aq sa i Nostroadamusit, – doli i vërtetë. Nga kërkimet më rezultoi që “influencërat” na qenkan influencues, ose thënë trashë e trashë në shqip: ndikues.
-Bir Selman i nënës ç’të të qaj më parë…
Fillimisht kisha menduar mos ishte punë ushtrie. Se ndoshta “influencër” ishte ndonjë gradë, a forcë e armatosur dhe të bënte namin si Putini me bombat bërthamore.
Ja një çështje të koklavitur e zgjidha qetësisht e pa u munduar shumë. Kjo sa për fillim meqenëse kishte të bënte me shpjegimin e emrit. Por më mbetej për zgjidhje e dyta, që pa dyshim ishte dhe më e vështira, për të cilën, as gugëlli fort i zgjuar nuk më jepte dot shpjegim.
Në çfarë fushe influenconte kjo influencërja?
-Ti Shaqo bën ca pyetje që të prish gjakun, të prish…
Epo këtu sharra mbeti në gozhdë. E mo, një rast është, – thashë me vete dhe i hoqa vizën gugëllit që po më mbante lidhur. Di dhia ç’është tagjia.
Mirëpo kjo puna e influencërve na u bë modë. Se nuk kaloi shumë dhe dëgjova sërish një tjetër çupërlinkë të vetëdeklarohej si “Influencër”.
Jaallahhhh…
-Jam nderuar dhe lavdëruar një jetë të tërë, ta mbyll tani në fund me një njollë. E përse? Sepse një tyryfyçkë atje tek ju ngul këmbë që ne paskemi planifikuar me rezerva, – i thosh Baki Branica drejtorit të drejtorisë që e kish dhe kandidat për dhëndër.
Ore, për kë tyryfyçkë e ke fjalën? Se si shumë u bënë.
-Hajd shnet pra…
Fillova të vras mendjen; demek kjo tyryfyçka me anë të një faqeje në media sociale pretendon se thotë gjëra që drejton shijet tona të të pëlqyerit, na vë në mendime, dhe na bën t’i japim të drejtë: “Po, po, ashtu është, siç thua ti”. Dhe në fund vjen dhe qershia mbi tortë. Të mundohemi të kopjojmë stilin e saj…
Epo këtu i vajti fundi muhabetit.
-O pika që s’të bie në kokë ty, shpirtit tënd, Onjeginit tënd,… dhe influencërit tënd.
Më kapi inati.
Njihem me faqet e tyre influencuese. Më doli që tek njëra postoheshin pallto leshi dhe golfa deveje, ndërsa tjetra reklamonte sandale igeliti dhe atlete skarco.
-O ty të marrsha të ligat…
Aha thashë me vete, po qe se shqiptarët mbetën në dorë të influencimit të tyre…
Mirëpo e kisha gabim. Sepse një pasdite, në një bar-kafe, dëgjoja një idiot që u mburrej dy vajzave të cilat e shoqëronin në tavolinë, se kishte dhënë jo pak para tek nja dy “influencere” me qëllim që ato t’i reklamonin në blogët e tyre asortimentet e biznesit të tij, se demek ato kishin “folloursa” pa fund. “Hajde gamor hajde”. Tani, për edukatë, tjetrin kur nuk e njeh e ke ca të zorshme që t’ia thuash të vërtetën në sy, por të paktën me vete e mbusha gojën duke thënë: Sa gomar qenke mor gomar.
-Si i ke punët or mik? – shkruante tek një komedi kohë e kohë më parë Shekspiri, një ndikues prej vërteti. Dhe përgjigja ishte kjo:
 -Mirë me armiqtë dhe keq me miqtë. Sepse miqtë e mi më lavdërojnë që jam gomar. Ndërsa armiqtë ma thonë troç që jam gomar. Kështu që armiqtë më ndihmojnë që të njoh vetveten.
Tek e fundit ky është biznesi që bëhet sot. Por që të mos i ngatërrojmë punët. Zotësia për të bërë para, nuk ka të bëjë me ndikimin. E keqja ndodhet tjetër kund.  Kur kërkon t’i japësh vlerën e floririt një copë teneqeje?!
Aftësia për të shitur brekë e çorape përmes internetit, nuk ka asgjë të keqe. Por që të të gënjejë mendja aq shumë sa të mendosh se po influencon me budallallëqet e tua në jetët tona është e tepërt.
Dhe pastaj rri e më kujtohen burra që kanë bërë epokë me mendimin e tyre: Platoni e Ciceroni, Kanti e Kamyja, Balzaku e Dostojevski… e nuk po vazhdoj më se nuk ia vlen.

No comments:

Post a Comment