Leonard Veizi
Ajo
është Tinka.
Në
skenën e teatrit dhe në sheshin e xhirimit, portreti i saj në pelikulën e
filmit ka memorizuar me dhjetëra imazhe personazhesh. Kujtesa është aty, e
gjallë, vetëm një hap larg, dhe gjithçka shfaqet e pandryshueshme si 60 apo 65
vite më parë.
Ajo
është Tinka, unike, universale.
Ishte
16 vjeç kur hipi për herë të parë në një skenë teatrore. Ishte 88 kur
interpretoi për herë të fundit përpara një kamera digjitale. Tanimë është
90-të, por askush nuk është në gjendje të parashikojë se çdo të ndodhi më pas.
Vetëm një gjë dihet me siguri të plotë se ajo është aq vitale sa nuk do të
kundërshtonte asnjë regjisor për për të interpretuar një rol të ri. Dhe
asnjëherë ai rol nuk do të jetë i fundit i saj.
Ajo
është Tinka.
Gjyshe
Patra që ajo luajti në vitin 1979 dukej shumë më e moçme se sa Tinka është sot.
Me
gjithë problemet që ka pasur në jetë ajo nuk është rrëzuar e ka ditur të mbahet
plot dinjitet në këmbë.
Sepse
ajo është Tinka.
E
butë dhe e fortë. Vajtuese dhe gazmore.
Ajo
ishte Nënë Pashakoja tragjike tek “Yjet e netëve të gjata” dhe krejt komike si
nëna e djalit tek “Çifti i lumtur”.
-Pesëmbëdhjetë kile femën... jo, jo. Nuse ishte ajo e
mbrëmshmja. Nuse që ta mbush shtëpinë.
Tinka
Kurti është padyshim një nga ikonat e filmit dhe të teatrit shqiptar. Aktore që
për shkak të diapazonit të saj mund të përtypte gjithfarë rolesh, qëndrore dhe
episodike, dramatike dhe nga ato plot humor.
Në
jetëshkrimin e saj zyrtar thuhet se Tinka Kurti, u lind në Sarajevë të Bosnjës,
më 17 dhjetor 1932. Por vetëm pak vite më vonë familja do të shpërngulej në
Shkodër. Nëse i ati Dedë Kolë Thani ishte me origjinë nga zona e
Nikaj-Mërturit, e ëma Elisabet fon Balinda ishte nga Budapesti i Hungarisë.
Do
të ishte protagoniste që në fillimet e kinemasë shqiptare me filmin “Tana”
prodhuar në vitin 1958. Një puthje e dhënë prej saj në këtë film pionier të
kinemasë shqiptare, do të mbetej gjatë në kujtesën e telespektatorit, sepse pas
kësaj puthja në film a në skenë do të vlerësohej si “shfaqje e huaj” e nuk do
të përsëritej më.
Por
ajo e bëri, sepse është Tinka.
Një
rol tjetër emblematik i saj është edhe ai i sinjorina Mançinit tek “Vajzat me
Kordele të kuqe”.
-Ide e bukur sinjor Bartolini. Që këtej e tutje do të
jenë në një kafaz të vërtetë dhe zogu në kafaz nuk këndon për gaz por për
maraz.
Megjithëse
jetonte në veri të Shqipërisë, Tinka Kurti kishte një përshtatje të
jashtëzakonshme me një grua jugu. Dhe kështu ajo u përfaqësua jo vetëm me rolin
e nënë Pashakos, por dhe atë të nënës së Halit Beratit tek “Gjeneral
gramafoni”, nënës së Sakos tek “Dasma e Sakos” apo nënës së Verës tek “Në
fillim të verës”.
-U, Shpëtimi... po si je mor bir? Ku je se na i thave
sytë. Nëna, zonja krushkë si është? Lodhet?
Dhe
kështu fare mirë ajo mund të cilësohet dhe si një aktore nënë, për shkak të
roleve të shumta. Sepse ishte dhe nëna tek “Zemra e nënës” nëna e Kujtimit tek
“Qortimet e vjeshtës”, nënë e Neritanit tek “Telefoni i një mëngjesi”, nënë e
Tomës tek “Flutura në kabinën time”, nëna e Agronit tek “Hije që mbeten pas”.
Dhe po aq ishte dhe nëna e Ilirit tek “Guximtarët” që ndiqte autobusin me vrap
në tentativë për t’i dhënë djalit alpinist një xhaketë të harruar në shtëpi.
E
megjithatë ajo është Tinka, gjithsesi.
Ndërkohë
që në rolin e Patra Balltajt, tek filmi televiziv “Emblema e Dikurshme” , Tinka
Kurti në moshë 47-vjeçare, interpretonte një grua që jetonte thellësinë e
moshës së saj.
-Asnjë sy i gjallë, asnjë. Mos më lini të gënjej se
jam plakë. Po atje ka një dru arre. Atë natë kishte vetëtima apo jo? Arra është
plakë si unë. Shkoni dhe çajeni në mes drurin e arrës. Se arra shikon në dritën
e vetëtimave. Dhe atë që shikon arra e mban mend për tërë jetën.
Që
nga viti 1949 e deri sa doli në pension Tinka Kurti ishte aktore e Teatrit
“Migjeni” të Shkodrës. Në 60 vite jetë skenike ajo ka regjistruar më shumë se
35 filma artistikë si dhe të paktën 150 shfaqje teatrore. Mbahen mend mirë nga
spektatori roli komik i saj si Domenika tek komedia “Këshilli i ndrikullave”
dhe po aq nëna e Blertës tek drama
“Fejesa e Blertës”. Kjo veprimtari vitale e ka bërë që të marrë çmime të
shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit.
Ndërkohë që është e vlerësuar me titujt “Artiste e Popullit” dhe “Mjeshtër i
Madh”. Në vitin 2003, regjisori Esat Teliti realizoi një dokumentar të
titulluar thjesht "Tinka" kushtuar jetës së saj.
Dhe
ajo është Tinka.
Edhe
pse 88 vjeç, gjatë vitit 2020, Tinka Kurti iu rikthye kinemasë pasi pranoi
propozimin e regjisorit Eduard Grishaj për të marrë një rol në filmin e tij
“Sofia”.
Sepse
ajo mendon se ende nuk e ka dhënë të plotë të gjithë potencialin e saj.
E
tanimë ka mbetur postulat mesazhi i dhënë prej saj dhe i shpërndarë masivisht
në rrjetet sociale: “Nuk e kam frikë, frikën, aq më pak vdekjen! I trembem
pleqnisë së trunit… Në rast se ajo vjen një ditë kam vdek dy herë”.
Ndaj
ajo është Tinka.
No comments:
Post a Comment