Një
nga turpet më të mëdha që shqiptarët nuk e mbajnë dot mbi shpinë është
pikërisht trapeza e panginjur e një feste, sidomos kur vjen puna për atë të
Vitit të Ri që është dhe festa më e madhe, e cila ia kalon asaj të Pavarësisë,
Fiter Bajramit, Krishtlindjeve dhe Ditës së Hashures.
Në
tavolina kafenesh, në ditët e fundit të dhjetorit, rendi i bisedës ka të bëjë
me festat e fundvitit. Ku do t’i kalojmë, në ndonjë restorant apo në shtëpi?
Ama pyetje.
Në
shtëpi them, se të bie më lirë...
-Të
gjithë piqemi me dhjamin tonë. Këtë vit jemi ca ngushtë se edhe misrin e
dongdisi bryma keq. Lëmsh kjo punë mor djalë, - justifikohej Xhezua i filmit
“Përballimi”, që kish nisur të zinte dhjamë pak e nga pak, por që hiqej fukara
si Shemshedini.
Mirë
e ke ti, po sa lirë i bie? Se duket sikur të bie më lirë, por ja që nuk është
dhe aq lirë. Janë gjithë ato shpenzime. Nuk turpërohemi ne. Po duhet verë
Kallmeti, birrë Korçe e raki Skrapari.
Iku
kjo.
Djathë
Gjirokastre, gjizë Tepelene dhe turshi Pogradeci.
Vate
dhe kjo punë.
Asortimente
për sallatë ruse e sallatë greke – se sallata shqiptare nuk njihet më në menu.
Hë
mo sa i vini re dhe këto vogëlsira!
Pa
duhet mish për rosto, për biftekë, kukurecë dhe sallameri mikse.
-Shëndetlije
si nga Elbasani i porosisim në fund.
-Ç’i
do tërë ato gjellë, një bark kemi, - i thosh Zenuni të vëllait, Llano Bletës që
nga një ekonomist modest kooperative ishte emëruar Drejtor Drejtorie në
kryeqytet dhe Vitin e Ri e festonte te restoranti i Hotel Arbërisë.
Sikur
e tepruam ca me shpenzimet më duket. Se dhe çmimet janë rritur goxha këtë
vit..., jo për gjë. Të mos harrojmë përsheshin si nga Vlora. Ndaj duhen ndarë
ca para mënjanë për gjelin e detit. Le po me ble një gjel deti, nga ato të
Kavajës apo të Peqinit, si me ble një makinë të përdorme. E di sa ka vajtur
kilja e gjelit apo jo...?
Po
mirë..., më mirë me ble një makinë të përdorme. Vjen dhe rrotull Tirane, e nuk rri
pret autobusin fizarmonikë.
Jo
ore, në gjithë këtë trafik. Po nafta?
Harrova
fare. Se makinat e përdorme janë dhe me karburant, ta marrë djalli. Dhe
karburanti ka vajtur sa litri i uiskit. Bordi, kur kujtohet të mblidhet, ose e
shton 20 lek, ose e ul 2 lek. Të paktën me uiski pi bëhesh dërrasë e nja dy
ditë nuk merr vesh asgjë. I harron të gjitha, të mirat dhe të këqijat e kësaj
bote sidomos.
Dhe
për djall ne i kemi festat njëra pas tjetrës. U mbyll nëntori me festat e
Pavarësisë dhe të Çlirimit. Tani kemi Krishtlindjen dhe Vitin e Ri.
Po
ti e ke emrin Bajram, ç’ne me Krishtlindjet?
-E
a derbardhë, rroftë sebepi...
Atë
thuaj. Jo, se po ta zbresësh si festë të zbresin dhe shpenzimet. Se festë me
kosto kjo e 25 dhjetorit. Po ti qëndrosh pikë për pikë. Mirë që do ia shtrosh e
do ia bësh bam, por duhet të bësh dhurata edhe për tërë fisin. Të mjafton rroga
që t’ia dalësh e të hidhesh në janar? Se nuk ka as shpërblime për fundvit. Ka
vajt puna keq. Osht shtrëngu rripi, duhet me hap vrima të reja. Apo varja...
hamë e pijmë sot një herë pa për vitin 2023 ka kush mendon.
-Jo,
ti nuk e ke keq xhanëm por unë s’kam para mënjanë moj zemër, - i justifikohej
Kleas, artizan Bubuqi që bënte sëndyqe për nuse e qivure për kaurrë.
-Po
na mjaftojnë ato që ke Pllaton, pa për më tej ka Perëndia, - ia ktheu
lozonjarja Klea që kishte mbetur thatë pasi i kishin plasur dhe burrin në burg.
Dhe
bëhet fjalë pikërisht për festat e fundvitit në Korçën e vitit 1948 tek filmi
“Përballimi” me skenar të Teodor Laços e regji të Viktor Gjikës.
Por
tani po mbyllim vitin 2022. Dhe janë 74 vite në mes. Atëherë luftohej qoftë dhe
për një copë bukë misri. Ndërsa sot duket sikur në njëfarë mënyre shqiptarët i
kanë thënë tutje fukarrallëkut. Kanë shkuar të punojnë në emigracion, e kanë
parë botë me sy. Por sërish të varfër mbetën.
Edhe
pse kanë kaluar kaq vite dhe teknologjia ka kapur majat, tavolina e festës
përsëri mbetet një hall për shqiptarët. Sepse të paktën natën e ndërrimit të
viteve ata duan ta kenë tavolinën plot. Po plot fare. Aq plot sa mundësisht të
thyhet në mes nga pesha e shisheve të alkoolit, të mishit e të tepsisë së
bakllavasë. Se prandaj janë festat për të ngrënë sa të na mbajë barku e të
pijmë duke ngritur shëndete për mirëqenie e prosperitet.
-Shëndeti
i Safait!
-Shëndet
të kesh!
-Të
zotit të kësaj shtëpie që sot marton djalin dhe na ka thirrur të gjithëve siç
jemi. Kemi qenë miq brez pas brezi. E forcofshim dhe më tej. Rrofsh e u shtofsh
me njerëz e me mall, e i trashëgofsh! Dollibashi urdhër!
Ja
kjo është panorama e dollive edhe tani, po aq sa dhe në dimrin e vitit 1944,
kohë për të cilin flet dhe sekuenca e transkriptuar nga filmi “Malet me blerim
mbuluar” të regjisorit Dhimitër Anagnosti, ku xha Lamja ngrinte shëndete e
shkundte gotat, megjithëse në Zonën e Parë Operative bëhej luftë: partizanët
kondra gjermanëve. Tavolinat ndryshojnë, por jo dollitë. Se në ato vite të
turbullta nuk njihej as sallata ruse dhe as ajo greke, por sallata me domate që
e quanim: sallatë fshati. Mirëpo ja që u rrit pjaca këto vitet e fundit dhe e
hoqëm gjizën e Tepelenës nga pjata duke e konvertuar atë me djathë. Papritur na
doli: sallatë greke. Goxha shpikje për nder.
-Ma
latë filxhanin në dorë, - iu drejtohej dasmorëve xha Lamja, gjysmë i dehur.
- Epo gëzuar, të gjithëve!
No comments:
Post a Comment