Tuesday, December 27, 2022

Yryshi grek: Të marrim ç’të mundim nga Shqipëria


Nga Leonard Veizi
 
Në 30 vitet e fundit marrëdhëniet shqiptaro-greke kanë ecur gjithmonë mbi një teh të nxehtë. Mund të thuash se ndonjëherë ato kanë qenë të shkëlqyera ashtu si dhe shumë raste të tjera kanë prodhuar konfliktualitet.
Politika greke e ka mbajtur ngrehur çështjen e të drejtave të minoritetit në Shqipëri. Por struket dhe fshihet nëse u kujton “Çështjen Çame”, ku guximi i vetëm është se arrijnë të shprehen se “nuk ka një çështje të tillë”. Në fakt edhe për politikën shqiptare Çështja Çame gati nuk ekziston. Ajo nuk arrin të ngrihet asnjëherë në nivel debati. Dhe në të shumtën e rasteve edhe emigrantët me shumicë në shtetin fqinj i lë jetim. Pra, në këtë pikë, politika jonë çalon ca si tepër. Ndërsa ajo e grekëve është agresive dhe përfituese. Veç kësaj, politika e shtetit fqinj ka detyruar shtetin shqiptar të ngrejë jo pak po 5-së varreza me eshtrat e ushtarëve grekë të vrarë në territorin e Shqipërisë, por jo nga shqiptarët, sigurisht. Plot apo bosh këto varreza, kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që në hartë të shënjohen vendet ku ushtarët grekë kanë rënë për Atdhe.
20 vitet e fundit po merremi me ndarjen e kufijve detarë e nuk po gjejmë qetësi. Grekët po mundohen të hyjnë sa më shumë në territorin tonë. Ne nuk bëjmë asnjë përpjekje për të hyrë në territorin e tyre. Thjesht po mundohemi të zotërojmë atë që na takon. E meqë s’po ia dalim dot, së fundi kemi rënë dakord për një arbitër ndërkombëtar të na e zgjidhë punën. E gjithë kjo performancë njëanësore sipas politikës greke është: marrëdhënie reciproke.
Ne si shqiptarë, duke dashur të heqim dorën nga zjarri, apo të mos e vëmë dorë në zjarr, themi se tensionet mes Tiranës dhe Athinës kanë nisur më së shumti nga përtej kufirit dhe gjithmonë në shkelje të kushtetutshmërisë së vendit tonë. Sepse kanë qenë deputetët grekë ata që kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar edhe në rastet e zgjedhjeve, sidomos ato vendore. Në territoret tona është valëvitur flamuri grek aq sa nuk tundet as në majën e Parlamentit të Athinës. Minoriteti grek, edhe në kohën e diktaturës ka pasur më shumë të drejta se sa vetë shqiptarët. Mirëpo politika e Athinës vazhdimisht kërkon. Këtë herë në rend të ditës ishin pronat. Vërtet me pronat është bërë kasaphanë, por nuk është se ka qenë qëllimisht vetëm për minoritarët. Në Shqipëri, asnjë shqiptar nuk i ka marrë pronat e veta. Ia kanë marrë të tjerë, po. Megjithatë kryeministri grek, përkrah atij shqiptar, garantoi për zgjidhjen e çështjeve mbetur ngrehur.
E për ta thelluar më shumë problemin: kanë qenë forca greke, apo individë të veçantë që nën emrin e Greqisë, që kanë nxjerrë armët dhe i kanë shkrehur kundra shqiptarëve në territorin shqiptar. Thonë se e kanë për një ideal të madh: Vorio Epirin. Kanë dizajnuar edhe një flamur me këtë rast. Më parë se kaq, për të njëjtat qëllime, në vitet 1912-1914 grekët dërguan andartët për të masakruar popullsinë civile brenda territorit shqiptar, sidomos në fshatrat e zonës Korçë-Kolonjë.
Incidentet e vjetra dhe këto të rejat janë në vazhdim të “marrëdhënieve reciproke”.
Por shqiptarët në Greqi kanë vajtur vetëm si emigrantë dhe në duar nuk kanë mbajtur armë e municione, por lopata e mistri, e kanë shtruar kurrizin për të bërë ato punë që grekët nuk i bëjnë më. Askush prej tyre nuk mori pushkën i veshur me uniformë e shenja të ushtrisë shqiptare për të vrarë nën emrin e ndonjë ideali. Aaa…, nëse ka pasur trafikantë të armatosur, kjo është tjetër gjë. Më ata është marrë Asfaleia apo Astynomia, sipas ligjit vendas. Nuk besoj se do thotë kush që u ngrit shteti shqiptar t’i merrte në mbrojtje?!
Po në këtë vazhdimësi incidentesh, herë të dukshme e herë të mbuluara, është edhe rasti i fundit kur një shtetar grek i hipën një avioni ushtarak me dy helika e bashkë me shpurën e tij mbrojtëse zbret në jug të Shqipërisë.
Kush e kërcënonte jetën e Kyriakos Mitsotakisit në Shqipëri, që kryeministrit iu desh të kërkonte mbrojtje nga ushtria? Për më tepër që pretendon se helikopteri dyhelikësh u ul pikërisht në mesin e njerëzve të tij të gjakut e të gjuhës? Pra, në një vend shumë të sigurt, ku dhe shteti shqiptar kishte ngritur duart përpjetë dhe ia kishte lënë menaxhimin palës greke. Me këtë rast Mitsotakisit i mungonte vetëm një jelek antiplumb që të ishte i blinduar, e të dukej se po shkonte për inspektim në zonat e nxehta të Ukrainës.
A është ky një spektakël???
Megjithatë kryeministri grek ecte i buzëqeshur. Ai u tregoi bashkëpatriotëve të tij supermacinë, sepse fluturoi me një helikopter ushtarak mbi territorin e një vendi sovran, ku vetë shteti shqiptar e lejoi. Këtë “nder” nuk e bëri as Xhorxh W. Bushi gjatë vizitës së tij në Fushë Krujë. Erdhi vetëm Romano Prodi, si kryeministër i Italisë, në prillin e vitit 1997, por në kushtet e një shteti që ishte futur në kaos, me armët sheshit e me njerëz anormalë që qëllonin me kallashnikov nga t’u vinte për mbarë.
Por kjo ka ndodhur shekullin e kaluar. Tanimë jemi në mijëvjeçarin e ri. Megjithatë, një fjalë e urtë popullore thotë: ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron.
Dhe ajo çfarë tjetër më bëri përshtypje kohët e fundit ishte që pas vizitës së kryeministrit majë helikopterit ushtarak, për Krishtlindje, në katedralen ortodokse në mes të Tiranës, meshohej greqisht. Dhe kjo ka 30 vjet që ndodh rregullisht. Për Krishtlindje e për Pashkë. Ndërkohë populli është shqiptar. Se mesha transmetohet edhe në televizor.
A mos jemi kthyer gjë në shtojcën e Greqisë?
Në planin gjeopolitik duket sikur ne shqiptarët i kemi punët mirë me turqit dhe jo fort mirë me grekët. Turqit në fund të fundit na konsiderojnë si “vëllezër”, edhe pse nuk kemi asnjë pikë takimi me ta. Grekët, me të cilët na ndan një kufi, ku kemi hyrë e dalë me njëri-tjetrin si na i ka marrë mendja, na trajtojnë si djalin e njerkës, të cilin mundohen ta zhvatin sa më shumë: t’u marrim një copë toke, t’u marrim ca nga ujët e detit dhe nëntokën e tij bashkë me të…. e kështu me radhë.
Turqit duket sikur nuk kanë synime territorialiste. Edhe po patën ndërmend të ringrenë Perandorinë Osmane e të sjellin taborët me ushtarë këtej nga ne, do kalojnë fillimisht përmes Athinës, të ngrenë ndonjë xhami pastaj të vijnë në Tiranë ku xhamia është e ngritur tashmë.
Në këtë kohë tensionesh, ku Athina dhe Ankaraja hedhin e presin me njëra-tjetrën, vetë Athinës nuk i rrihet pa hapur dhe një front të dytë “ngacmimesh”. Prandaj kryeministri grek mbërrin në Himarë dhe u drejtohet nënshtetasve shqiptarë: popull etnik grek.
Pikë e zezë.
Ne si shqiptarë e bëjmë shumë tolerantin me grekët. I lëmë të na futen nën rrogoz aq sa t’u duket vetja më të zgjuar nga sa janë. Ndoshta ngaqë s’kemi shumë këllqe. Ndoshta ngaqë kemi ndër ta nja një milion shqiptarë të pas vitit 1990, të integruar tashmë. Ndoshta ngaqë vota e Greqisë ose na fut ose na mban larg nga BE-ja. Ose ndoshta ngaqë jemi vetë si popull kozmopolitan ku nacionalizmin ekstrem e shprehim vetëm nëpër tavolina kafenesh e sidomos në komente fejsbuku.
Tani jemi në pritje që kryeministri shqiptar të shkojë në Greqi e të thotë ndonjë thagmë sa Athinës t’i luajë tepeleku i kokës dhe media vendase ta anatemojë.
Gjithsesi, mbetet për të parë më parë: si do zgjidhet puna për pronat e minoritarëve dhe çfarë të rejash do kemi me ndarjen e detit. Sepse Çështja Çame do vazhdojë të qëndrojë e mbyllur në dosje.

No comments:

Post a Comment