Saturday, December 31, 2022

Shqiptarët në bilancin e fundvitit: vazhdojnë me humbje


Nga 
Leonard Veizi
 
Kur punohet me humbje, biznesi është i destinuar të mbyllet. Përndryshe ngrehina e tij bie e të zë brenda, pikërisht në çastin kur je duke shtypur tastet për të lëshuar ndonjë faturë tatimore.
Mirëpo ujqërit e vjetër ia dinë hilet punës dhe nuk lëshojnë fare faturë. Pastaj nxjerrin biznesin me humbje dhe në fund dalin me fitim.
Punë e mençur.
Kjo vlen për boss-at, jo për popullin e thjeshtë.
Ndaj dhe kur mbyllet një vit, i vihet dryni dhe futet në depo, bëhet dhe bilanci: ore si dolëm? Me humbje apo fituam?
Ç’është e vërteta, ne si popull të humbur jemi gjithmonë, edhe pse urimi në fundvit na ndjek dhe na përndjek. Mot më mirë! Dhe mot pas moti jemi në kapërcyell, mes vitit 2022-2023. Pikërisht në mijëvjeçarin e tretë që nga lindja e Krishtit, pa përfillur çfarë ka ndodhur kur vitet numëroheshin së prapthi.
Në fillimin e Vitit të Ri nis urimi tjetër: I mbarë ky vit! Shëndet e bereqet!
I mbarë o posi. Bereqet po... sa akoma i kemi sytë nga Ukraina mos na sjellë ndonjë qerre me grurë. Se e kënaqëm 2022-shin që nga 2023-shi të presim ca më shumë, zhvillim, investim e... prosperitet.
Po pse e kam këtë mendim, do pyesë ndokush? Dhe ky me siguri do jetë ndonjë nga ata që ose s’di të bëjë fare llogari bilanci, ose për shans i ka dalë bilanci pozitiv. Ka plot që fitojnë dhe goxha madje, duke shkelur mbi të tjerët. Se edhe nga vdekja fitohet. Fjala vjen: Në kohën e kovidit biznesi i funeraleve lulëzoi. Ja pra që jo çdo gjë e keqe, vjen për keq. Se për ca e ca, gjëja e keqe është gjë e mirë.
Viti 2022 ishte thagmë për shqiptarët. Dolëm nga pandemia dhe iu futëm punëve vënçe. U hodhën para dhe u rinovuan lokalet nga brenda. Luks fare. S’ke ç’i thua. Meqenëse lokalin e kemi si shtëpi të dytë.
Pas kësaj ajo ra më shumë në sy, si realizim e tejkalim plani, ishte që norma e rritjes së çmimeve ishte e paparë. Sapo kryeministri na dha lajmin për një rritje çmimesh në të ardhmen, për arsye të krizës, rritja filloi. 30 minuta pas fjalimit të kryeministrit. Kush duronte...
Ky vit na solli luftën që e kishim harruar në Evropë. Sepse nga lufta nisi gjithçka.
Bilanci i dytë ka të bëjë me njerëzit. Ikja me çanta mbi shpinë tregon se këtu nuk ka të ardhme dhe dritat e semaforit janë fikur. Por me sa duket njëra nga dritat ende punon, ajo që u shkel syrin punonjësve nga ato vende që janë ku e ku më keq se ne, sa dhe një rrogë Shqipërie u bën punë. Birinxhi. Pa popull nuk do mbetemi tek e fundit. Nga një pasaportë shqiptare dhe... zëvendësojmë humbjet.
Tanimë në Shqipëri nuk gjen më as punëtorë ngarkim-shkarkimi, e jo më mjekë e inxhinierë. O në Gjermani, o në Angli. Më fatlumët në Amerikë.
Mirë se për ngarkim-shkarkim e punë bujqësie marrim nga Lindja e Largme, po mjekët ku t’i gjejmë? Se mjek evropian që të lërë 5000 euro rrogë e të punojë në Shqipëri për 500 euro, nuk gjen. Kështu që me siguri do falemi përsëri andej nga Azia. Inshallah na del ndonjë mjek, të paktën. Sa për të na dhënë ilaçet.
Kështu që dhe në këtë pikë jemi si mos më keq.
Pastaj vjen qershia përmbi tortë: kur hakerat iranianë na morën tërë arkivin online të shtetit dhe tani po tallin trapin me ne. I hodhën të gjitha sekretet e shtetit në tregun  e zi. Punë bixhozi. Ta hajë kush ta hajë. Këtu u menderos puna fare. Bilanci.... minus.
Për çudi, në një fushë këtë vit ishim me tejkalim plani. Me vajin e ullirit. Që nga koha e Skënderbeut, në atë të Enverit, në kohën e Berishës dhe së fundmi është bërë thirrje për mbjelljen e sa më shumë rrënjë ullinjve. O po bukë e ullinj duan shqiptarët. Por duket se asnjëherë nuk ia kemi arritur të mbjellim aq sa duhet. Mirëpo ke parë ti... del ministrja e Bujqësisë këtë fund viti e thotë: kemi mbjellë më shumë se duhet, pa kriter. Dhe kemi superprodhim. Ndaj vaji po shkon dëm, se nuk kemi çfarë ta bëjmë. Nuk e përdorim dot as në vend të ujit.
Tani në mes të rrugës se lëmë dot këtë produkt të vyer. Se dikur ishte proverbiale sentenca: “Ke humb si vaji i ullirit”. Ndaj për respekt të tij të paktën t’ua hedhim makinave.
Bilanc të mirë këtë vit kemi pasur dhe me energjinë elektrike. Liqeni i Fierzëëëës..., det me ujë. Aq sa të përmbyti dhe Shkodrën. Megjithatë vendimi për rritjen katastrofik të çmimit, - po qe se e tejkalon kuotën – e kemi në rrëzë të veshit. Dhe rritja e çmimit të energjisë, përveçse gëzon qeverinë që mbush buxhetin me paratë e popullit, nuk është tregues prosperiteti e investimesh.
Kështu pak nga pak mbërritëm në ditët e fundit të vitit 2022.
Gjakrat po nxehen në kufijtë tanë veriorë. Ore po nuk të lë njeri rehat të hash as kaposhin e festës. Sa e rregullojmë me grekët, e prishim me serbët. S’ka karar kjo dynja. Përplasja dhe tensioni mund të jetë një ogur i mirë për ca e ca, fjala vjen për bosët e prodhimit të armëve. Por taksa paguhet drejt e në mishin e popullit. Kështu që këtu jemi e jemi me humbje.
Të keqen e festave!
Ore po çfarë lamë pa fituar në vitin e vjetër që do ta fitojnë në vitin e ri, këtë më duket se nuk arrita ta shkoqisja dot.

No comments:

Post a Comment