Leonard Veizi
Viti i Ri ka nisur
fjollë fare.
Këtë e transmetojnë
dhe “lajmet”, ato lajme që na informojnë dhe për bëma të tjera shqiptarësh.
Pavarësisht çfarë
ofrojnë pamjet vizive në televizione e rrjete sociale, ndërrimi i viteve nga
2022 në 2023 përgjithësisht ishte i vakët për shqiptarët. Entuziazmi që na
karakterizon në festën e fundvitit ishte i shprehur, por gjithsesi i tërhequr.
Dhe kjo nuk është se vinte nga lufta në Ukrainë, as nga kovidi në Kinë. Thjesht
xhepat e shqiptarëve ishin më të holluar.
Në dy ditët e para
pas feste, Tirana dukej si një tjetër qytet. I qetë, i përgjumur dhe
çuditërisht përveç mungesës së zhurmave gjithfarësh kishte dhe vende parkimi
plot. Kjo do të thotë që një masë e madhe njerëzish kishin marrë makinat dhe
shkuan në vende të tjera për të festuar.
Por dy ditë ishin të
shkretat se më pas puna nisi sërish dhe shkollat gjithashtu. Tirana u kthye
menjëherë në kaos.
Spektaklit ngazëllues
të fishekzjarrëve në Sidnejin e largët, shqiptarët iu përgjigjën në mënyrë
makabre, ku për disa minuta, në vend të çprazjes së kallashnikovëve, - që na ka
karakterizuar herë pas here - u hodhën në ajër një batare fishekzjarrësh me
kalibra të ndryshëm, gjë e cila sfumoi dhe prezencën e fishekzjarrëve të
bashkisë, që duhej vetëm andej nga qendra. Por shyqyr që ishte i vakët dhe i
shkurtër dhe municionet mbaruan shpejt, sepse vite më parë ky makabritet nuk
dinte kur fillonte dhe për më tepër nuk dinte as të mbaronte. E megjithatë, lajmet
bënë të ditur se të paktën nja 12 veta kërkuan ndihmën e urgjencës nga
problemet me fishekzjarrët. Dhe besojmë se shumë më tepër se aq, nuk e kërkuan
ndihmën e mjekut.
Dhe këtu nuk po fusim
edhe aksidentet me makina...
Ditët e para të Vitit
të Ri e gjetën Tiranën me vepra të habitshme surrealiste, gjë që kishte nisur
nga mbrëmja e fundit e Vitit të Vjetër. Kazanë në formë piramide nga mbetje
gjithfarësh. Që të mos i hamë hakun kompanisë së pastrimit, ajo e bëri punën e
vet, por sasia e mbeturinave që prodhuam ne si shqiptarë ishte ku e ku më e
madhe. Sepse për festën e Vitit të Ri ne or tungjatjeta, të heqim skalpin. Edhe
dy lek kursime po i patëm, do t’i shpenzojmë për një natë. E do ta mbushim
shtëpinë plot me mall e gjë, e do prodhojmë mbetje sa s’ka kazan e kusi që t’i
mbajë.
Amerika na mëson se
mbeturinat prej shtëpive dalin dy herë në javë. Në Evropë rregulli: mbetje
plastike, letër, metal dhe qelq ka vite që janë ndarë dhe dihet kur mblidhen
nga makinat e përpunimit. Ne në Shqipëri dhe pse ka një Vendim të Këshillit të
Ministrave që detyron njësitë vendore për grumbullimin e diferencuar të
mbetjeve organike, nuk aplikohet. Megjithatë ne nuk jemi nga ato kombe
ekstremisht pastërtorë sa të mos i durojmë mbeturinat në kazanin e shtëpisë por
vrapojmë t’i hedhim tek koshi më i afërt. E që në rastet më ekstreme i biem më
shkurt, i hedhim nga ballkoni drejt e në kosh,... ose afër tij. E megjithatë
përditë prodhojmë mbetje në mënyrë të skajshme. Kjo ndoshta,... në njëfarë
mënyre do të thotë... mirëqenie. Kot qahemi atëherë!
Por ne nuk
disiplinojmë dot mbeturinat siç nuk disiplinojmë dot as trafikun dhe as
parkingjet. Madje nuk disiplinojmë dot as duhanxhinjtë që e kanë prishur
rregullin e vendosur me rigorozitet disa vite më parë, e që tani shkelet me të
dyja këmbët ku duhani ndizet në çdo vend të ndaluar, sidomos nëpër bare.
Që në fillim viti na
u dha lajmi se një studim i revistës “Nature” i rendiste shqiptarët në popullin
që flinte më shumë gjumë me një mesatare prej 7 orë e 32 minuta.
Të keqen o vëlla. Fli
ore, që të rritesh! Nga gjumi në kafe. Nga kafja në bilardo...
Por lajmi që na
këputi fare këtë fillim viti kishte të bënte me alkoolin. Ne shqiptarët
renditeshim të fundit për konsumin e tij.
Epo bela e madhe.
Edhe këtë nuk e kishim dëgjuar.
Ne mund të lejojmë të
renditemi për gjithfarëlloj gjërash, por për konsum alkooli... Sikur nuk vete
kjo punë?! Ne që e kemi pirë rakinë me opingë edhe në kohën e luftës, aq sa na
zinte gjumi në kashtë... ose në lulishte.
Mirëpo “Eurostat”, që
publikon të dhënat e konsumit sipas fuqisë blerëse për shtetet e Europës, thotë
se në vitin 2021, konsumi i pijeve alkoolike në Shqipëri ishte sa 19% e
mesatares së Bashkimit Europian. Sipas kësaj renditjeje, kishim lënë pas vetëm
Turqinë, ku duket që rakinë dhe kafenë e kanë zëvendësuar me ibrikun e çajit.
Sipas kësaj teorie -
apo praktike nëse është, - i bie që të jemi një popull i pa dehur. Sepse më
shumë konsumojmë ujë lumi dhe pije me gaz, por meazallah alkool.
A bën vaki kjo?
Ec e besoju
sondazheve të Evropës të kam rixha.
Të jemi të qetë. Se
kjo e dhënë me padyshim ka të bëjë me alkoolin që blihet në pazar. Por sa raki
prodhohet nëpër avlli shtëpish e banjat e apartamenteve duke fermentuar rrushin
në bidona e duke e zierë me zjarr të pakët, - fiks si në kohën e prohibicionit
amerikan, - atë s’e gjen dot kush. Rrjedhimisht edhe konsumin e alkoolit.
E, ja, këto ishin të
rejat në ditët e para të Vitit të Ri .
Tani as unë që
shkrova këto rreshta nuk po e kuptoj dot mirë: a është futur me këmbë të mbarë
2023-shi, apo do të na shkojë ters fare?
No comments:
Post a Comment