Friday, December 9, 2022

Në kushtet e keqësimit të klimës, shqiptarët i largohen “besës”


Nga Leonard Veizi
 
Ku është shqiptari në kushtet e reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë? A po njehsohet ai me të keqen, apo është vënë përballë saj?
Vite më parë shkrimtari Ismail Kadare u mundua të japë një përgjigje në faqet e fundit të romanit: “Kush e solli Doruntinën”. Edhe pse romani në tërësinë e tij, - si zhanër a gjini, - ka të bëjë me një fiksion, ai është mbështetur fort mbi një legjendë thellësisht shqiptare, e cila ka qarkulluar dhe me modele të përafërta në treva të ndryshme të Ballkanit. Pavarësisht se ngjarjet e romanit janë vendosur një kohë të largët e në tjetër kontekst, edhe atëherë flitej për një përkeqësim të klimës së përgjithshme, apo siç thotë autori: një kohë provash, krimesh e pabesish të lemerishme. Sepse klima e përgjithshme, e rajonit, e kontinentit, por dhe e vetë botës, jo vetëm rrezikohet herë pas here në mënyrë ciklike, por ka raste kur brenda një kohe të shkurtër përkeqësohet më shumë se një herë, pa i lënë të ketë frymëmarrjen e duhur.
Kadare shkruan se pikërisht Kapiteni Stres, “shefi i komisariatit të policisë” së kontesë, i cili kishte ndërmarrë hetimin mbi udhëtimin e çuditshëm të Doruntinës së gjallë, motër e shtatë vëllezërve, me një kalorës së vdekur, apo... me një kalorës fantazmë e që nuk ekzistonte - për të cilin pretendohej se ishte vëllai i saj që i kishte dhënë fjalën se do ta sillte me patjetër nga kështjella e largët e bashkëshortit ku ishte martuar në shtëpinë vëllazërore, -  doli pikërisht në këtë përfundim që e bëri publik në prani të parisë dhe klerikëve:
Çdo popull, përballë rrezikut, mpreh mjetet mbrojtëse dhe, kryesorja, krijon mjete të reja. Duhet të jesh dritëshkurtër që të mos kuptosh se Arbri ndodhet përpara dramave të mëdha. Herët a vonë ato do të mbërrijnë në kufijtë e tij, në mos kanë mbërritur. Atëherë del pyetja: në këto kushte të reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë, në këtë kohë provash, krimesh e pabesish të lemerishme, ç'fytyrë do të ketë njeriu i Arbrit? Do të njehsohet ai me të keqen, apo do t'i vihet përballë asaj? Me një fjalë do të shfytyrohet për t'iu përshtatur maskave të kohës, në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e vet, apo do të ruajë fytyrën e pandryshueshme, duke rrezikuar të tërheqë mbi vete zemërimin e kohës? Për Arbrin po afrohet çasti i provës, i zgjedhjes midis dy fytyrave. Dhe, në qoftë se populli i Arbrit ka filluar të përpunojë në thellësitë e tij struktura të tilla sublime, siç është Besa, kjo tregon se Arbri është duke e bërë zgjedhjen e vet. Këtë mesazh u ngrit për t’ia sjellë Arbrit dhe gjithë botës, nga fundi i gropës ku qe shtrirë, Kostandini.  Por ky mesazh nuk është i lehtë për t’u pranuar. Ai do të kërkojë flijime të rënda brez pas brezi. Më i rëndë se kryqi i Krishtit do të jetë ai”.
Kadare e dha një ide. Një ide që sipas të shkruarit të tij fiksional, ka pasur të bëjë me institucionalizimin e Besës, pikërisht në periudhën para se ushtritë osmane të Azisë së Vogël të hidheshin mbi Ballkan për të bërë të pamundurën më pas të ndryshonin shtyllën kurrizore të një populli. Dhe ndoshta ia arritën në një përqindje të madhe ta deformonin atë, por qartësisht nuk e ndryshuan dot tërësisht. Sepse shqiptarët e sotëm, edhe pse me tipare të njëjta, janë ndryshe nga arbrit e gjashtëqind, shtatëqind apo tetëqind viteve më parë.
Sot, shqiptarët ndodhen sërish përballë kushteve të reja të keqësimit të klimës së përgjithshme në botë. Çfarë po institucionalizojnë ata këtë herë? Sepse deri tani ajo që është e dukshme, më shumë se sa Besa, që do ta mbante të bashkuar kombin, është largimi. Ikja nga kjo tokë. Shpopullimi i saj. Dhe largimi nëpër vende të tjera, nuk e mban më të bashkuar njësinë arbërore. Ata nisin ta humbin traditën. Do ta humbin pak nga pak në hapësirë dhe në kohë. Dhe gjashtëqind, shtatëqind, apo tetëqind vite më pas, vështirë të jenë më shqiptarë, po ashtu siç arritën të mbeteshin arbëreshët e Kalabrisë.
Çfarë po bën ai në këto kushte në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e vet? Po njehsohet me të keqen, apo është vënë përballë asaj? Sepse koha po tregon se më shumë se njehsimi me të keqen apo përballja me të, është mënjanimi prej saj.
Mirëpo Kostandini, - që u ngrit prej fundit të gropës për t’i dhënë botës mesazhin për fytyrën e re të Arbrit, - e kreu misionin, dhe nuk mund të ketë një ngritje të dytë të tij. Dhe s’ka më rëndësi, u ngrit apo s'u ngrit i vdekuri nga varri, për ta kryer vetë atë që duhej të kryente, s'ka rëndësi cili qe kalorësi dhe ç'kalë shaloi ai atë natë të errët kur u nis, ç'krahë mbanin frerin, ç'këmbë shkelnin yzengjitë dhe mbi flokët e kujt binte pluhuri i udhës. Sepse kjo ka të bëjë me të kaluarën tashmë.
Ndërkohë na duhet një Konstandin i ri. Për të dhënë mesazhe të reja
Po ku është ai?
Shqiptarët duket se kanë rënë në apati. U mungon frymëzimi për ngritje kauzash dhe mbrojtje të tyre. Mund t’ia hedhim fajet perandorisë osmane dhe trysnisë së saj 500-vjeçare. Por mund të fajësojmë dhe regjimin komunist që në emër të njeriut të ri, vazhdoi procesin për të krijuar një hibrid pa identitet.
Dhe tanimë shqiptarët gjenden në një tjetër udhëkryq.
Megjithatë sot nuk është e dukshme që shqiptarët të jenë ballë për ballë me të keqen, ta mbajnë të mbërthyer atë që të mos ketë mundësi të bëjë hapa para. Shqiptarët thjesht po largohen, pa e vrarë shumë mendjen se e keqja do mbulojë atë ç’ka lënë pas.

No comments:

Post a Comment