Leonard Veizi
Në
kastin e aktorëve potencialë ai ishte ndër më elegantët. Në skenën e madhe të
interpretimit, fuqia e tij goditëse kishte gjithashtu një finesë të pamasë. Dhe
kjo e bënte të rrallë. Ishte cilësuar si aktor poliedrik. E thoshin se po aq
kishte një sjellje aristokratësh, në skenë dhe në përditshmërinë e tij.
-Si mund të qëndrosh brenda i mbyllur kur jashtë është
kaq bukur. Tamam si në përrallat e Andersenit. Nuk kam parë kurrë një pamje të
tillë. Kudo bardhësi. Bile ja se ç’po shkruaj:
Pishëzë gazmore në bregun atje tej
T’i zbardhi qerpikët dëbora e re
Pishëzë gazmore vellon hedhur ke,
miliona flutura të bardha bien mbi dhe.
Është
Agim Qirjaqi. Me rolin e mësuesit, Gëzimit, në një rreth të largët, që shumëkush
e thërriste profesor, ishte dhe roli i tij i parë në kinema. Kështu mjeshtri i
regjisurës Viktor Gjika i kishte hapur dyert e karrierës në vitin 1974 me
filmin “Rrugë të Bardha”. Dhe dy vite
më pas po i njëjti regjisor do t’i ofronte rolin e Aretos tek filmi “Përballimi”.
më pas po i njëjti regjisor do t’i ofronte rolin e Aretos tek filmi “Përballimi”.
-Sot nuk po ju kuptoj shoku Miti, kjo që thoni ju është
e tmerrshme. Kohë të vështira po jetojmë shoku Miti, kohë të mëdha.
Roli
brilant i drejtor Luixhit të jetimores, tek filmi “Lulëkuqet mbi mure”
konfirmoi elegancën e tij jo vetëm para telespektatorëve, por edhe për mjeshtrin
tjetër të regjisurës Dhimitër Anagnostin, i cili i kishte besuar këtë rol kaq
potencial. Rol i cili në Festivalin e II të Filmit të vitit 1977 i dha çmimin e
parë.
-Zonjusha Valandri nuk është fort e kënaqur nga ju për
herën që shkoi. Tregohuni të sjellshëm dhe mos e mërzisni. Aq më tepër që
zonjusha i do shumë fëmijët. Në mënyrë të veçantë ju që jeni jetimë. Ankesa mos
të ketë më! Kush të bëjë zhurmë të dënohet! Bela, mund të filloni. Kur të
mbaroni dalim bashkë, ju pres.
Gjithçka
do të përsëritej kur do të merrte rolin e një oficeri nazist tek filmi “Dimri i
Fundit”, dhe akoma më shumë si shkrimtari Adrian tek “Radiostacioni” i
regjisorit Rikard Ljarja:
-Shiko një pamje kurioze. Është regjenca. Katër-çerek
mbretër. Pamje apokaliptike, apo jo?! Janë po ata të ftuar të përjetshëm. Duket
sikur kanë ardhur po tek e njëjta darkë që ka 2000 vjet që ka filluar, që nga
koha e darkës së konsullit romak, Paulus Emilius. Ai ka qenë pushtuesi i parë i
Shqipërisë atëherë. Darkë shumëvjeçare.
Në
vitin 1983 Agim Qirjaqi sërish do të interpretonte në një nga rolet emblematik
të tij, atë të profesor Janit në filmin “Apasionata” me regji të Ibrahim Muçaj
e Kristaq Mitros.
-Mirën nuk e ke te pianoja, e ke lart, pozon për
Gurin. Dëgjo Artur, u thuaj të mos rrinë më tepër, nuk është mirë.
Në
jetëshkrimin zyrtar të tij thuhet se karrierën si aktor e fillon në Teatrin
Kombëtar, në vitin 1973, fill pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve
në Tiranë. Më pas punon si regjisor në Televizion, ku realizon si regjisor e
aktor shumë telefilma. Por kishte përvojë si pedagog i mjeshtërisë së aktorit
në Akademinë e Arteve. Në vitin 1989 largohet për një trajnim 2-vjeçar pranë të
famshmit Xhiorxhio Strehler në Teatrin “Pikolo” të Milanos dhe pastaj në
Teatrin “Elizeo” të Romës.
Ndonëse
interpretonte në teatër dhe film, ai ishte gjithmonë e më aktiv në regji. Lista
fillon me "Rikardi III" të Shekspirit në vitin 1992 dhe vazhdon me
"Fando e Lis" të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin "Aleksandër
Moisiu" në Festivalin e vitit 1994, "Marrëzia e madhështisë" të
Vangjel Kozma, "Këngëtarja tullace" të Ioneskos dhe mbaron me
"Armiku i popullit" të Ibsenit.
Ndërkohë
në rolet kyç si aktor teatri ai do të kulmonte jo vetëm si mbreti Rikard në "Rikardi
III" i Shekspirit, por dhe me interpretimin e Sër Endriu Eguç, në komedinë
“Nata e 12” po e Shekspirit.
-Çdo t’i punoj unë atij, çdo t’i punoj unë atij. Sa
për të sharë nuk ma kalon njeri. Jam mjeshtër i vërtet: zuzar, thatim, kaqol...
Në
vitin 1996 regjisori Kujtim Çashku i besoi rolin e ushtarakut drejtues të bunkerizimit
në filmin “Kolonel Bunker”.
-Dua të vallëzoj deri natën vonë. Unë jam gjeneral, a
më kupton? Nuk jam kavje eksperimentale.
Ndërsa
në vitin 1998 sërish do të merrte një tjetër rol ikonik, atë të avokatit tek
"Dasma e Sakos", me regji të Vladimir Priftit.
-Ti Penelopë e Odisesë dhe ti Ante, biri i tokës...,
Shekspir..., Molier. I thashë të gjitha. Tani jam i qetë. Unë jam vetëm një
karagjoz Alush Bej.
Dhe
nuk po ndalemi më tek rolet si Drejtori i Shkollës në filmin “Parullat”, dhe te
ballisti Ethem në filmin “I dashur Armik”, të dy filma të regjisorit Gjergj
Xhuvani. Por filmografia e tij është më e gjatë se kaq, dhe rolet në teatër ia
dyfishojnë gamën.
Në
anën akademike në vitin 1996 Agim Qirjaqi mori titullin "Asistent
Profesor". Ndërsa nga ana administrative në sezonin 2002-2003 ka qenë
drejtor i Teatrit Kombëtar.
Por
Agim Qirjaqi ishte një aktor në thelbin e tij. Ai u lind në Kolonjë, në 27
janar të vitin 1950. Vdiq në Tiranë më 28 mars të vitit 2010. Vetëm gjashtëdhjetë
ditë mungesë që të mund të quhej 60 vjeç fiks. Prej kohësh ishte i sëmurë dhe
vuante fatin e tij. Ishte i parapëlqyeri i regjisorëve, por thuhet se në fund të
gjithë e braktisën dhe e lanë në vetmi.
Sot,
rolet e interpretuara prej tij e bëjnë atë të pavdekshëm.
No comments:
Post a Comment