Nga Leonard Veizi
T’i zëmë me radhë.
Do anashkalojmë Mato Grudën e “Njeriut me top” që pinte duhan në shtrat me Zarën aq sa i mori frymën. Se ishte kohë lufte dhe tek e fundit shtëpi fshati ishte. Por po vijmë më në kohë.
Tek filmi “Përballimi” në një mbledhje të sekretariatit të rrethit, pihej aq shumë duhan, sa sekretares desh i ra zalia dhe e detyruar, u ngrit të hapte dritaren, aq sa shoku Kopi që merrej me propagandën iu hodh në mbrojte të Sekretarit të Parë të Rrethit:
-Ju lutem mbylle atë dritare, i fryn në shpatull shokut Martin!
Por kjo nuk ishte gjë hiç.
Kapedan Suloja, i filmit “Kapedani” piu aq shumë duhan me çibuk në dhomën e gjumit ku e kishte shtruar të flinte i biri, sa dogji paratë, xhaketën dhe desh i vuri flakën shtëpisë.
Pas kësaj vijnë thagmat e tjera të duhanit në ambiente delikate.
Te filmi “Zëvendësi i grave” burri i Vjollca Shkëmbit, gruas që kishte hyrë në sallë për të lindur, e ndezi “DS”-në në hollin e maternitetit ku dhe Maku po priste që shoqja e punës të bënte një djalë. Kulmi. Të ndezësh cigaren në një institucion shëndetësor. Por nuk mbaron me kaq.
Tek filmi “Era e ngrohtë e thellësive” veç vëllait të madh të Benit që e pinte duhanin sa mbaronte së ngrëni, edhe një i panjohur që luhet nga aktori i mirënjohur Ndrek Shkjezi ndez duhanin në korridorin e Poliklinikës Qendrore, ku mbante radhë për t’u vizituar tek mjeku specialist.
-Tri herë e kam lënë. Herën e fundit e lashë për pesë vjet, por gjende e fillova.
Në sfond një tjetër pacient ndizte një cigare në korridorin e Poliklinikës, si të ishte në “kabinetin e duhanit”.
Tek filmi “Shoku ynë Tili” usta Qemali pi duhan jo vetën në zyrën e drejtoreshës së shkollës së djalit, por e ndez për shtatë palë qejfe dhe në shtëpinë e mësuese Besës, bashkë me burrin e mësueses, e cila sapo kishte dalë nga spitali ku ishte bërë operacion prej apendicitit. Me sa duket të sëmurët e asaj kohe kishin nevojë për ca nikotinë që të shëroheshin.
Tek filmi “Familja ime” gruaja Liri akuzonte burrin Stavri se nga duhani po i zverdheshin dhe perdet. Ndërsa burri, i interpretuar nga Sheri Mita ia ktheu:
-Akoma s’u ka rënë flaka!
Te filmi “Në vajzë dhe një djalë” babai posesiv e arrogant pinte duhan para gjumit dhe tavllën ku shkundte hirin e mbante mbi bark. Por kjo nuk i bënte fare përshtypje bashkëshortes së vet, që me sa duket ishte mësuar me erën e duhanit në dhomë, aq sa mund të flinte si ta kishte zënë narkoza. Dhe po tek i njëjti film, mësuesja e baletit që interpretohet nga Margarita Xhepa, si kritikoi të bijën, Marisin, se nuk ishte e përgatitur sa duhej, e nxehur i futi një të ndezur cigares, pikërisht në hollin e apartamentit që e kishin kthyer në dhomë stërvitore.
“Tek filmi “Fjalë pa fund”, Bardhyl Gjoni si i mori paketën “Genti” komshiut, mbushin një tavllë me bishta cigaresh aq sa e bëri sallonin e apartamentit si oxhakun e fabrikës. Pas kësaj me siguri nuk kishte burrë që t’i lyente shtëpinë.
Tek filmi “Jeta në duart e tjetrit” Fredi pinte cigare “DS” në krevatin dopjo, pa e rivalizuar dot shokun e tij të kursit Spiron që e pinte “Dunhill”.
Tek filmi “Në shtëpinë tonë” shoferi Stefi Petro nuk duronte sa të gdhinte që ta ndizte një cigare duhani, të cilën e shoqëronte dhe me një kafe turke. Dhe po aq pinte duhan në mbrëmje, kur i biri hante bukë me kos në tavolinë e ai ndiqte rubrikën sportive në televizor.
Tek filmi “Pesha e Kohës” kryetari i kooperativës Vasili nuk e ndante cigaren nga goja në shtëpi, madje as kur përqafonte vajzën e vogël që nuk ishte më shumë se 6-7 vjeçe.
Epo ves i fortë kjo pirja e duhanit vend e pa vend.
Tek filmi “Dhe vjen një ditë”, pihej duhan pa teklif në ambientet e dhomës së beqarëve por dhe në shtëpinë e Llano Bletës: pinte Llanoja, vëllai i Llanos, shoku i Llanos dhe vjehrri i Llanos. Nuk e pinte vetëm Klara, e shoqja e Llanos.
Tek filmi “Dritat e Qytezës” Seferi, mirë që i kishte zënë derën djalit të xhaxhait Harizit, por dhe pinte duhan para se ta zinte gjumi, duke dëgjuar nga muri sherrin e bashkëshortëve në dhomën e fjetjes. Kësaj i thonë të bësh kokrrën e qejfit.
Tek filmi “Si gjithë të tjerët” babai i vajzës që kishte rënë në dashuri me një djalë nga shtëpia e fëmijës, pinte duhan ndërsa gruaja gatuante mbi sobën 9-mijëshe të Pogradecit. Dhe aromat përziheshin.
Tek filmi “Kur hapen dyert e jetës” berberi, babai i doktor Bardhylit, jo vetëm që ia kthente çdo darkë me raki, por dhe pinte duhan duke tymosur dhe familjarët e tjerë.
Tek “Rrethimi i vogël” Zenun Boriga nuk e pranoi cigaren me filtër të Kryetarit të Komitetit por e ndezi duhanin në zyrën e tij të punës nga ai me të dredhur, që duhet të marrësh malet.
Tek “Çifti i lumtur”, i zoti i shtëpisë nuk e pinte duhanin por brigadieri që i vajti për vizitë e ndezi një duhan se po i çahej hunda.
Te “Stola në park” Pirro, që interpretohej nga Anastas Kristofori, pinte duhan në krevat, duke qarë me të shoqen Antigonin, hallin e vajzës, në xhepin e së cilës gjetën një letër dashurie me mbishkrimin “Të fala V”.
-E pra kush të jetë ky “V”?!
Tek filmi “Rikonstruksioni” kryeinxhinier Emili pinte duhan në dhomë pa u shqetësuar fare, për më tepër që dhe gruaja e kishte braktisur e ishte fill i vetëm në shtëpi.
Dhe kaq, se kjo na bëri që ta ndiznim nga një herë. Kur gruaja nuk i thoshte gjë burrit që pinte duhan në dhomën e gjumit, dhe një ndihmësmjeke nuk i tërhiqte vërejtje një pacienti që e ndizte duhanin në spital, ç’do na thoshin ne të tjerëve që e ndiznim tek stolat e Parkut Rinia apo duke bërë xhiron tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”?!
No comments:
Post a Comment