Nga
Leonard Veizi
Nuk
ndodh që plazhi i Durrësit, - apo ato të tjerat që janë të rreshtuara në Gjirin
e Durrësit, - të të mërziten. Me përjashtime të rralla. Por nëse ndodh dhe
kërkon të ndryshosh destinacion, qoftë dhe në një ditë gri marsi, mund të
shkosh pak më në veri, në një plazh që gjithashtu i përket rrethit të Durrësit
por me emrin aq të magjishëm tashmë: Gjiri i Lalëzit...
...Krahasimisht
me plazhin e Durrës-Golemit, me ndërtime pafund e të kthyera tanimë krejt në
zona urbane e të banuara gjatë gjithë ditëve të vitit, plazhi i Lalëzit është
më sezonal, dhe pallatet nuk i marrin frymën ambientit, sepse realisht nuk ka
ndërtime shumëkatëshe.
Destinacioni
“Google
maps” tregon se nga qendra e kryeqytetit deri ne plazhin e Gjirit te Lalëzit,
në fakt janë 47 kilometra të cilat përshkohen për rreth 52 minuta. Ndërsa po të
nisesh nga Durrësi janë 38 kilometra që përshkohen përreth 42 minuta.
Shumë
agjenci shkruajnë se distancat në fjalë janë më të shkurtra, duke pretenduar se
nga Tirana distanca është 25 kilometra dhe nga Durrësi rreth 30 kilometra. Por
kjo është një kakofoni e zakonshme që ndodh mes agjencive e portalet, nga për të
thënë të vërtetën një pjesë e madhe e turistëve marrin informacionin bazë.
Rruga
që të çon në destinacion është e re por vende-vende ka nisur të amortizohet,
falë dhe ndërhyrjeve aty, herë për të shtrirë një kabull gjithfarësh e herë për
të futur një tuba gjithfarësh. Sepse në kaosin shqiptar asnjëherë nuk e merr
vesh ku mbaron një lloj instalimi e ku fillon tjetri. Sepse ato janë në proces
pune të vazhdueshëm e shkatërrues. Gjithsesi zona karakterizohet nga një seri
vilash të reja plot hijeshi si dhe toka të punuara kudo. Nisur nga ajo që sheh,
- jo vetëm në të aks rrugor, - duket se Shqiptarët mund t’ia dalin për mrekulli
me prodhimet e tyre. Megjithatë tregu është i mbushur edhe me fruta-zarzavate që
vijnë nga importi. Dhe nuk po i zëmë në gojë të tjerat.
Në plazh
Në
një ditë pranvere, si ajo e mesmarsit, gri dhe me erë, plazhi nuk është fort i
frekuentuar. Gjithçka duket se po pret një kohë më të ngrohtë e me diell që të shpërthejë.
Por nëse për vendasit kjo kohë cilësohet si kohë e ftohtë, për turistët që
vijnë nga veriu i Evropës, është një temperaturë e pranueshme, ndaj nuk e lënë
të iki kot një ditë e tillë, por pa pritur shumë, zhyten drejt e në det. Ndërsa
këpucët dhe rrobat e tjera i lëshojnë mbi rërën e lagur. E gjithë kjo
performancë më kujton me humor një pasazh nga filmi artistik: “Në çdo stinë” të
regjisorit Viktor Gjika me skenar të Bashkim Hoxhës
Në
fund të një debatit ku violonçelisti Bardhyl akuzoi Zanën volejbolliste se i
pëlqenin djemtë që dinin të flisnin me fjalë të bukura nga dialogje dramash.
Dhe pasi Zana namuzqare, pa Bardhylin gjysmë të zhveshur, i gatshëm për t'u
hedhur në det, ia pat: s'ke turp. Ndërkohë në lojë hyn Lek Don Zhuani e pas tij
Ylli:
-Ku
ka një piktor ta fiksojë këtë çast: natyrë e qetë pas një beteje.
-Edhe
fjalët e tua kishim mangët, - ndërhyn Mira, që ishte shoqe ekipi me Zanën.
-The gjë ti Ylli? Mos guxo të thuash gjysmë fjale të keqe se s'i kemi mirë punët
bashkë.
Dhe
pas kërcënimit të Lekës në skenë hyn Fotaqi:
-Vë
bast se këtu mund të grumbulloj material të bollshëm për dramën time.
-Largohu
Fotaq po s'deshe të mbledhësh dhëmbë të thyer, - flet i ndërsyer Astriti, studenti
i inxhinierisë.
-
Po boksi nuk është sport humanitar i dashur.
Dhe
fragmenti mbyllet me një rrebesh shiu që nisi atë çast.
Pikërisht
ky pasazh shërbeu vetëm për të konkretizuar një pamje; ku shqiptarët i sheh të
shëtisin buzë detit, ndërsa turistët e huaj të lahen në det.
Vazhdimi
Plazhi
është i zbrazët dhe bishtat e çadrave pa kashtore duken si ushta të ngulura në
rënë pas një beteje mes trupave shpatare. Ndërsa diku tjetër, çadrat prej
kashte duket sikur kanë krijuar një mur mbrojtës dhe poshtë tyre do të gjesh
pretorianët me shpata të shkurtra në mbrojtje të komandantit të fushatës.
Në
Lalëz, një pjesë e madhe e lokaleve, nuk funksionojnë gjatë ditëve të dimrit.
Panorama është e zbrazët por mbetet shumë më relaksuese sa një ditë e zhurmshme
ku një çadër me dy shezlona është më i shtrenjtë se ato që gjen në plazhet e jugut të Durrësit.
Dhe kjo, në një kohë kur jo gjithçka është e sistemuar për mrekulli, sepse
realiteti shqiptar të ofron sërish kanale ujërash të zeza, që notojnë në
sipërfaqe dhe ende nuk janë futur nëpër tubat që të derdhen në impiantin e
përpunimit.
Kthimi
Tek
shkëputesh nga plazhi i Gjirit të Lalëzit, sheh se brezi i pishave të mbjella
shumë vite më parë dhe që e ka humbur rëndësinë përgjatë vijës Durrës-Golem,
vazhdon të jetë ekzistues, edhe pse i “krasitur”. E gjithë zona shquhet për
rezidenca e resorte dykatëshe, dhe një gjë
e tillë vazhdon ta mbajë në modë këtë pikë të jashtëzakonshme turistike.
No comments:
Post a Comment