Nga Leonard Veizi
Jeta është e shtrenjtë. Por në Shqipëri ka kosto të lirë. Mund të vdesësh në gjithfarë mënyrash: vritesh me armë zjarri e të aksidentohesh në trafik për arsye nga më banalet. E megjithëse duket sikur çirremi e bërtasim për të drejtat tona, kjo ndodh vetëm në mënyrë virtuale, sepse në fakt pakkujt i bën përshtypje vdekja nga vrasjet në Shqipëri.
Reagimi është zero. Le të themi që është minimalist, nëse nuk duam të tregohemi tërësisht me ndjenja të amortizuara.
Shoqëria jonë po degjeneron çdo ditë nga pak. Shoqëria jonë gjithmonë e më shumë po i trashet lëkura dhe ndjeshmëria vjen e zbehet. Shoqëria jonë zhvishet në vazhdimësi nga elementi i saj përbërës, njeriu. Sepse të gjithë janë në kërkim të rrugëve të reja dhe largohen nga bërthama. Dhe me këto ritme, do të vijë një kohë kur ajo do të jetë krejt e shpërbërë.
Të dhënat e fundit flasin se gjatë 1 jave të muajit mars 2023 në Shqipëri janë regjistruar 9 vdekje dhe 18 plagosje. Një tjetër e dhënë ishte që brenda tre ditëve, pra 72 orëve kishin ndodhur 6 vdekje jo natyrale. Që do të thotë: të vrarë me armë zjarri dhe të aksidentuar në trafik makinash. Ta lëmë mënjanë sentencën tanimë të bajatosur, që ky është një bilanc lufte. Se dhe në luftë ka ditë qetësie ku nuk vritet askush.
Trishtimi i madh vjen kur në Shqipëri, vrasja nuk përbën më lajm. Ajo vërtet hap një edicion informativ për nga rëndësia, por nuk është vetëm ky element që një lajm të vërtetë ka kthejë në një ngjarje reference.
Nuk ka reagim. Jeta vazhdon normalisht. Si të mos kishte ndodhur asgjë.
Shumica janë të fiksuar të shohin spektakle ku flitet për thashetheme dhe zënka dashnorësh të saponjohur, apo ku motrat e vëllezërit sherrosen e hedhin vrer ndaj njëri-tjetrit për një metër katror truall që nuk ua kishte ndarë dot babai në të gjallë të tij. Të tjerët janë të fiksuar tek makineria e prodhimit të parave dhe për ta nuk ka vlerë asnjë jetë njerëzore. Ata duan vetëm të fitojnë dhe të stivosin paratë në një bankë të nivelit të dytë, dhe se çfarë bëhet me shoqërinë shumë as u intereson. Madje as që e duan një “kryengritje” me motive sociale. Se kjo u prish ritmin e fitimit.
Mirëpo zullumi është trashur shumë. Vrasjet janë bërë të shpeshta. Aksidentet edhe më të shpeshta. Dhe me gjithë këtë intensitet të gjithë duhet të mendojmë se një ditë do të na vijë radha.
Ajo që deri dje e shihnim nëpër filma sot e kemi në mesin tonë. Nëse deri dje “Oktapodi” na dukej një film i largët që vetëm ngujonte shqiptarët në shtëpi për të ndjekur “Katanin”, “Oktapodin” sot e kemi në mesin tonë dhe njerëzit ngujohen nga pasiguria. Të pish një kafe në një lokal je i pasigurtë. Sepse jeta ka treguar që mund të biesh pre e breshërisë së kallashnikovit edhe pse nuk je ti shënjestra. Por vdekja jote cilësohet si dëm kolateral, sepse shënjestra e ka çmimin shumë më të madh se e tërë jeta jote, bashkë me pasurinë e patundshme që mund të kesh.
E megjithatë vazhdojmë të heshtim e pa një reagim masiv kundër krimit, kundër sistemit të gjërave, funksionimit të tyre. Reagim popullor për jetët tona. Reagim që të ketë si qëllim vënien me shpatulla pas murit të aksionit policor, të prokurorisë, të drejtësisë. Asnjë vrasje nuk është kthyer në një model të protestës qytetare, e heshtur e pa zë, por po aq vrastare. Kjo do të thotë që shoqëria jonë është krejt individualiste dhe nuk arrin të bëhet bllok as ndaj të keqes. Dhe e keqja do të hipë sipër.
Ne si Shqipëri për gjithçka renditemi nga fundi, kur vjen fjala për prodhim të brendshëm bruto, rritje ekonomike, apo për rroga e pensione. Por sipas një raporti të Eurostat publikuar në shtator 2020 Shqipëria renditej nga kreu i klasifikimit, dhe ishte e treta në Evropë për nivelin më të lartë të viktimave nga vrasjet në raport me popullsinë. Na e kalonte vetëm Letonia dhe Lituania. Ja pra që paskemi dhe një statistikë simbol ku shkojmë në krye të klasifikimit dhe marrim medaljen e bronzit.
A nuk është kjo të vësh kujën?
Asnjëri prej nesh nuk është i imunizuar nga një vdekje aksidentale dhe krejt banale. Sepse mund të jesh duke udhëtuar në autobusin urban të linjës për t'u kthyer në shtëpi, dhe autobusi që mund të marrë superxhiro të merr e të vërvit tutje, duke marrë përpara edhe nja 10 makina të tjera, të zotët e të cilave janë në korsinë e duhur, në punët e tyre, pa ngacmuar njeri.
Të hash një drekë diku, apo një darkë diku tjetër, të ulesh për një birrë a ëmbëlsirë, je gjithmonë i rrezikuar. Sepse specialistët që dalin nëpër televizorë thonë me të madhe që shumë prej lokaleve janë në pronësi të njerëzve me rekorde kriminale. Kjo do të thotë që armiqtë e tij janë gjatë gjithë kohës me veshët ngrehur, dhe kur ky pronar, shfaqet një ditë tek dera e lokalit, askush nuk pyet se sa do të jetë dëmi, mjaft që hakmarrja të vitet në vend.
Në Shqipëri jeta ka nisur të ketë gjithmonë e më pak vlerë. Shumë më tepër vlerë merr puna e varrmihësit, e marangozit që punon arkivolet, e agjencisë funerale, madje dhe e restorantit ku hahet dreka e përmortshme, sepse jeta jote në fakt ka shkuar për dhjam qeni. Njerëzit ikin, marrin arratinë për në një “botë” tjetër qoftë dhe për këtë shkak. Nuk u duhen ca të ardhura më shumë, por dhe pak qetësi e siguri më shumë.
Jemi kthyer në një shesh lufte. Nuk ka nevojë të ndodhë me se s’bën një luftë frontale me ushtarë të armatosur e helmeta në kokë. Ne gjatë gjithë kohës jemi në luftë. Vazhdimisht mbledhim viktima, vazhdimisht shtojmë emra dhe kryqe varresh në statistika. Pasiguria e bën gjithkënd që sa ngrihet në mëngjes të lutet për një ditë të mbarë. Sepse çdo e papritur të ndodh sapo hedh këmbën jashtë derës së shtëpisë.
No comments:
Post a Comment