Tregu
po çmendet.
Lajmet
se çmimet vazhdojnë të jenë në trend rritje kanë pushtuar mediat. Në fakt
trendi i rritjes së çmimeve nuk ka reshtur së rrituri asnjë ditë, por ajo që
tronditi themelet e shqiptarëve, - më shumë se dhe vetë tërmeti, - ishte alarmi
i lajmit për rritjen e afërt të pllakës së bukës me 20 për qind. Domethënë me
200 lekë të vjetra. Duken sikur nuk ngre shumë peshë. Hë mo se 200 lekë janë...
Ose: Epo ç’janë 200 lekë fundja?!
Mirëpo
nuk është ashtu.
Buka
në Shqipëri është baza e tavolinës. Po rrite çmimin e bukës, zëre se i ke
dënuar shqiptarët me nenin 55 për agjitacion e propagandë. Imagjino t’u heqësh
edhe duhanin e pastaj kafenë....Ç’e do jetën?! Ndërkohë, duhani dhe kafeja e
kanë ngritur çmimin, por këtu të gjithë e kanë bërë një sy qorr e një vesh
shurdh. Mirëpo kur vjen puna tek buka e gojës...
Instituti
i Statistikave, në raportin e përhershëm tek faqja zyrtare informon se: “Në
Shkurt 2023, krahasuar me muajin Janar 2023, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije
joalkoolike” u rritën me 3,3 %...”. E pas kësaj vazhdon dhe me artikujt e
tjerë. Por, duke iu referuar revistës “Monitor” e cila gjithashtu i referohet Eurostat,
thuhet se: Rritja e përgjithshme e çmimeve ishte 7.1 për qind në muajin Janar. Sipas
matjeve kombëtare niveli i përgjithshëm i çmimeve ishte rritur me 7.2 për qind
në Janar 2023.
Dhe
kaq me referimet. Sepse rritjet e muajve Mars e Prill, padyshim që dalin më
pas.
Çmimet
nuk rreshtin së rrituri. Një rrogë e mirë deri dje, sot nuk pi ujë. Një pension
i mirë deri dje, sot është keq e më keq.
Ndërkohë,
bordi i karburanteve betohet se po e mban nën presion çmimin e naftës,
benzinës, gazit dhe.... mazutit. Dhe shyqyr që bordi nga shëndeti mendor është
top dhe merr vendime të sakta, se kush e di sa do kishte vajtur litri i
karburanteve. Po aq mbeti i pandryshuar, me një heroizëm të paparë çmimi i
energjisë elektrike. Zoti na ka hedhur ca shi, ndaj turbinat punojnë.
Sa
i përket bulmetrave, edhe pse me lëndë të parë, të ardhur për pako gjë nga
Kina, çmimet kanë shkuar sa të të duket djathi si... havjar.
Po
rritje të ndjeshme kanë dhe artikujt e bahçes, hudhrat e qepujkat, kungujt e
patatet, domatet e kastravecat. Ti shtrosh në tryezë për të bërë një sallatë
fshati të të duket sikur po e shtron për Vitin e Ri.
-Po
rëndë e paske shtruar, - i thosh kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Xhemilit te
filmit “Rrethimi i vogël”, që i kish zënë pusinë te gardhi dhe e futi me zor në
shtëpi, por që demek Kryetari si parimor nuk begenisi t’i pinte as kafenë.
-Po
ç’rëndë o kryetar, - ia ktheu Xhemili me shishen e rakisë në dorë, e një sy nga
pulat e pjekura me këmbët përpjetë - me
ato që na ndodhen, me ato që ka oborri.
Ja,
kështu i rregullonte fshati punët e veta. Me ato që kishte oborri. Po sot
artikujt e oborrit janë bërë për t’u parë nga vitrina se nuk zihen me dorë. Po
sërish fshati ia gjen anën bulmetit e zarzavateve. Ndërsa në qytet është goxha
e vështirë zgjidhja me këto artikujt e oborrit, se as mund të mbjellin në
ballkon, por dhe lopën nuk e mbajnë dot as në kuzhinë. Ndaj kanë ngritur duart
përpjetë: ç’të na japë tregu.
Ndërsa
gruri... Ah, gruri është kthyer në flori.
-Më
sa e mban pazarin e grurit? - pyeste sekretari i parisë, që tek filmi
“Përballimi” kish dalë për inspektim në tregun e Korçës.
-Me
120 more zotëri, - i përgjigjej kulaku kokëulur e syvëngër.
-Ç’thua
more, mos nuk të duket si shumë i kripur ky çmim?
-Epo
tani aq e mban i gjithë pazari. Gruri po rritet nga java në javë. Po nuk e di
ti ç’mundime heqim për të rritur këtë grurë? Flori, flori. Na kanë rënë
thonjtë. Pastaj ai që ka për të blerë nuk pyet shtrenjtë a lirë.
Mirëpo
këta ishin spekulatorët në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, kur
shqiptarët ngaqë ishin mësuar me bukë misri foragjere, gruri u dukej vërtet
flori. Epo tani, me sebepin e nisjes së Luftës në Ukrainë, gruri po kthehet
sërish në flori. S’ke ku e gjen. Çmimi rritet përditë, gramatura e bukës përditë
pakësohet. Realisht çmimi i një buke është rritur me 50 për qind. Shqiptarët po
mbledhin rripat. E kam fjalën për ata shqiptarë që punojnë me paga më të ulëta
nga sa ka vendosur qeveria, si dhe për pensionistët. Nuk flasim për ata që ccdo
fundjavë i hipin avionit. Se ata jetojnë dhe pa bukë.
Ndërkohë
medaljes mund ti shohim dhe anën tjetër, se dhe ky problem në thelb e ka të
mirën e vet. Gruri duke pasur shumë gluten të dëmton organizmin. Kështu që sa
më pak bukë të hash, aq më mirë jeton. Le po të zgjatet dhe jeta.
Është
e çuditshme se si për alarmin e rritjes së çmimit të bukës me 20 për qind u krijua
ilaritet, ndërsa për artikuj të tjerë, - ca të shportës e ca të qeses, - nuk
ndihet njeri.
Veç,
nuk i bie në mend njeriu të thotë se në këtë zallamahi ngritjesh së çmimeve, është
shtrenjtuar dhe çmimi i një libri. Ka shkuar një roman yhyyy... Stë vjen të
lexosh aq një faqe.
...Ç’them
dhe unë. E kujt i hyn në punë libri?!
No comments:
Post a Comment