Wednesday, July 5, 2023

Ndrek Shkjezi, gjigandi i roleve të vogla


Nga 
Leonard Veizi
 
Ai e ka ndërtuar madhështinë e tij si një aktor karakteresh, pikërisht mbi rolet e vogla e dytësore.
Në 30 karakteret e stampuara në pelikulën e filmit, është e vështirë të përzgjedhësh se cili prej tyre do të përbënte një kulminacion. Sepse gati të gjithë do ta përfaqësonin atë denjësisht.
-Pse, ashtu ngulet gozhda mor karafil?
-Karafil je vet.
-Kujt i thua karafil ti? I paedukatë. Ec me mua në drejtori.
-Oooo, fillove ti nga pedagogjia. Ai u suall si rrugaç. Të gjithë e dinë se ai është i pasjellshëm. Epo unë nuk mund të zbraz kokën time dhe të mbush mendjen e atij... Nertil Dulit!
Këto ndoshta mund të jenë batutat më emblematike të tij të realizuara tek filmi “Shoku ynë Tili” ku luante rolin e mësues Faikut që jepte lëndën e Gjeografisë.
Por Ndrek Shkjezi është shumë më i hershëm në kinemanë shqiptare, që në fillimet e saj. Sepse  e ka filluar si Gjeto Gjokaj, një rol episodik tek filmi “Skënderbeu”, që ishte dhe filmi i parë shqiptar në bashkëpunim me studion “Mosfilm” të ish-Bashkimit Sovjetik.
Por dhe tek filmi “Debatik” ai ka një rol shumë simpatik, si tregtari i një dyqani metrazhesh, i cili, një babai që blinte 6 metra kambrik si qefin për të dërguar në varr djalin e vetëm që i kish vdekur, i ofronte gjithë gaz:
-Po ndonjë plaçkë të mirë për dasmë, dëshironi? Kam sjellë plot gjëra të bukura nga Italia.
Tek filmi “Plagë të vjetra” ai është Llambi, i cili pas një operacioni nga stomaku, vazhdonte t’i ankohej doktoreshë Verës, se kishte dhimbje e i ishte krijuar një masë e fortë në vendin e plagës.
-Po puna ime si do bëhet doktoreshë? U bënë 10 ditë që jam bërë operacion dhe akoma kam dhimbje. Por ju më duket doni të mbuloni gabimet tuaja dhe thoni: durim. Unë kam infeksion. Jam i sigurt.
Por ai është edhe pacienti që priste të vizitohej në Poliklinikën Qendrore, tek filmi “Era e ngrohtë e thellësive”
-Djali, ai më solli mua këtu. Nuk më vente mirë me punën. Eh, ç'kam hequr. Mua më mori në qafë gruaja. 12 zanate ka ndërruar im bir, lërë-fillo, fillo-lërë... eeeeh.
Shumë domethënëse janë dhe batutat e tij tek filmi “Fjalë pa fund” ku ai luan rolin e një njeriu të pasionuar pas gjyqeve, sidomos ato që kishin të bënin me divorcet.
-Eh, sa gjyqe kam parë unë mor bir. Nga gjyqet njeriu mund të nxjerrë probleme shoqërore. Lloj-lloj dëgjon. Këta ndahen pas 10 vjetësh. Seancën e parë nuk e hapën fare çështjen e një gruaje të bukur. Peri të tillë nuk kisha parë ndonjëherë: vetullën gajtan, syrin e zi...
Tek filmi “Në pyjet me borë ka jetë” ai luan rolin e sharrëtarit Allaman Uka, që vinte vërdallë nëpër kantier duke u betuar se do ta gjente mikun e tij të ngushtë, që mendohej se kishte humbur në pyjet me borë.
-Dëgjoni këtu: mos më thënçin me emër po nuk e gjeta babushin sonte. Vetëm unë e di se çi pjell mendja atij.
Tek filmi “Kur hapeshin dyert e jetës” në rolin e Gjin Kryebardhi, ai na jep një tjetër karakter interesant e plot jetë, kur provokon mjekun e ri të fshatit e i thotë se i dhembte e i therte këmba që kishte thyer 25 vite më parë. Por kur mjeku ia zbuloi shakanë u hodh përpjetë nga shtrati i pacientit:
-Pasha nji at' rreze dielli, taman nji ashtu si the ti. Por un deshta me ba lojna. Kur ia kam ba doktor Prelës, 500 lek barna më ka dhënë. Por unë nuk i mora. Po ti qenke kokrra e doktorit more bir.
Por si xha Nasi, roja e Institutit të Arteve tek filmi “Apasionata”, që kishte fiksim dritat, ishte edhe më gazmor.
-More Artur. E di që do më heqin nga puna. S’është nevoja për ty, më thanë se qëndron gjithë natën Arturi në Institut.
Ndërsa tek filmi “Dhe vjen një ditë”, ai është Nikolla, portieri i Hotelit të Beqarëve, që sipas Llano Bletës, ishte një poet popullor penës së të cilit i takonin vargjet: Ora 12 e natës, çak e çuk te porta.
-Jo prapa krahëve Nikollë! Sa ishte këtu i bëje tërë ato lajka, - i bëri vërejtje Gori Goroshi duke i marrë gazetën nga dora.
-Se ashtu e kisha hallin. Sebepi i nipit tim që kam në Pukë. Drejtorin e Kuadrit të ministrisë e kishte shok të ngushtë. Po thuaji mor qerrata një fjalë të mirë për nipin. Do t’i them Nikoll, do t’i them. Fjalët e mira gurët në torbë. Kështu qe ai. Por tani i paska gjetur mirë mushka drutë.
Tek filmi “Besa e Kuqe” Ndrek Shkjezi ka një rol të vogël, por shumë domethënës, ku me një xhaketë të hedhur në njërin krah u del përballë dy prej djemve që bënin punën agjitative nëpër Mirditë, në kuadër të luftës antifashiste, dhe me një fjali bën që ata atë bien në kurthin e ngritur.
-A u lodhët? A keni me ndez se më ka hup unuri? Kot po ju them, po pa shku të zalli pash Pjetër Ukakeqin me disa xhandarë. Ju rrit ndera e udha e mbarë!
Tek filmi “Radiostacioni” ai luan rolin e një borgjezi i cili jetonte në bodrum nga frika e komunistëve që kishin hyrë në Tiranën e fundluftës së Dytë Botërore.
-Ndoshta nuk është e nevojshme të zbresim kaq thellë. Ndoshta është e nevojshme të paraqitemi atje ku duhet. Por ju e dini se nuk dimë as vetë ku duhet të paraqitemi.... Oooo Mukadesss.
Por një rol tjetër i spikatur i tij, i cili është fiksuar në kujtesën kolektive, është dhe ai i xhandarit tek komedia “Prefekti”.
-Hap sytë se mos është ndonjë burrë e osht vesh si gru!
-Jo jo, është gru. Është gru. Më tha: do të fjalosem personalisht me zotin Prefekt. Bile është gruja e një doktori dhe emrin e kish Kakarina... kështu: Katerina.
Por një tjetër rol, jo më episodik por qendror, është dhe ai i xha Thimit, babait të Blertës tek filmi “Fejesa e Blertës” që kërkonte të rregullonte vajzën në një punë të mirë fshati, meqenëse ishte dhe sportiste me emër aq sa e kishte kërkuar edhe Dinamo në kryeqytet.
-E mbajnë vendin bosh atje në laborator dhe nuk të fusin ty. Po nuk u rregullove në ndonjë vend të mirë tani ti do të plakesh në stallat e lopëve.
Dhe po aq një rol të rëndësishëm, atë të Zenelit, ai ka pasur edhe tek filmi televiziv “Kur hidheshin themelet”
-Ai vrau Adilin dhe vazhdoi lojën e bixhozit dhe fitoi. Ai nuk ka shpirt Bude, nuk ka shpirt.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar thuhet se Ndrek Shkjezi u lind në Shkodër, më 4 qershor 1922. Që herët do të interpretonte dhe role të vogla në trupa teatrale joprofesioniste. Largohet nga Shkodra menjëherë pas mbarimit të luftës dhe në vitin 1945 së bashku me artistët Naim Frashëri, Kadri Roshi dhe Mihal Popin do të themelonte Teatrin e Shtetit, që më vonë do të quhej Teatri Popullor e sot Teatri Kombëtar. Në kohën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak punon në Ansamblin e Ushtrisë. Në teatër ka luajtur më shumë se 80 role. Ndërsa në kinema ka interpretuar në të paktën 30 filma të ndryshëm. Për meritat e tij artistike është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri”, dhe në vitin 1989 me titullin “Artist i Merituar”. Ndahet nga jeta më 17 qershor të vitit 2002, në moshën 80-vjeçare.

No comments:

Post a Comment