Leonard Veizi
Ca
kohë më parë mendoja thellësisht për një punë të dytë, por meazallah se gjeja
një të përshtatshme për profilin tim. Pastaj thashë me vete: duhet me punu edhe
jashtë profilit.
Sot
të lusin për punë. Kohët kanë ndryshuar. Dhe kjo më kujton një batutë romani e
filmi bashkë:
-Mbarë
po bëhet, shyqyr mbarë! Mban mend, vjet nuk kish kaq shumë njerëz. Ishin më të
dëshpëruar njerëzit vjet. Sivjet ka qejf, ka qejf, ka para... – i thosh
kamerieri që fërkonte duart nga kënaqësia, banakierit, tek “Përballimi” i
Teodor Laços, pasi kish porositur për të tërhequr nga banaku dy shishe raki, që
i kërkonte një punëtor i fabrikës së miellit.
Që
vende pune ka por nuk ka specialistë kjo nuk do as mend as kalem. Madje ka aq
shumë sa kam frikë se shumë shpejt do jem duke bërë punë në ndihmë të sezonit
turistik. Ndaj mos u çudisni nëse ndonjë ditë do të më shihni pas banakut duke
mësuar të bëj kafe turke, dhe duke shfryrë ekspresin e kafesë. Sepse me siguri
ndonjë pronar lokali, do më kapë për zverku e do më fusë në punë:
“Nuk
kemi personel vëlla. Mjaft e ke zënë tavolinën me një bidon uji dhe duke parë
celularin. Na e jep një dorë ndihme!”
Kjo
situatë e stisur në mendjen time funksionon si balancë meqenëse prej kohësh
flitet se punë ka sa të duash por nuk ka profesionistë.
-Moj
Frosë nuk di si të ta shpërblej po më rregullove çupën në punë. Vendin ia kam
gjetur. Një copë banakiere e parë...
Epo
ja, kështu përsëritet historia.
Duhet
me punu vëlla se me një zanat nuk i dilet. Pensioni po afron e kështu duhet me
pat nëpër xhepa “argumenta të forta” ndryshe përfundon te gaveta e supës që
jepet nga organizatat jofitimprurëse për njerëzit pa mbështetje e pa përkrahje.
Qoftë
larg! Sa të na punojë dora e mendja... do t’i shfrytëzojmë.
Po
ja, nëse deri dje shikonim rrugës dyqane, gjithfarë pusullash që kërkonin shitëse
butiku apo personel për bare-restorante, ku kushti kryesor ishte diploma e
shkollës së lartë, dhe nja dy-tri gjuhë të huaja në dispozicion, -por edhe me
përvojë disavjeçare, - sot të luten edhe të thonë se ka shkuar aq keq puna sa
kushtet kanë rënë të gjithë mjafton të pranosh të punosh.
Ore,
u bë deti kos... e ia arritëm ta shohim, që Zotit i qofshim falë, jarebi!
Shqipëria
po zien nga vala e turistëve të huaj. Por po të ndjekësh lajmet në televizor,
do të të duket vetja si në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ku flitet për
tejkalim plani në të gjitha sektorët, edhe pse në fakt njerëzia kish nisur
racionimin dhe furnizimin me tallon.
Propaganda...
Propaganda... Propaganda. Tri herë “Propaganda” – Ec aty, të keqen e Gëbelsit.
S’ka rëndësi se çfarë bën. E rëndësishme është se çfarë reklamon.
Në
këto ditë të nxehta vere, shumë pronarë kërkojnë krahë pune se kanë mbetur pa
punëtorë. Ata që kanë pasur ia kanë mbathur në Europë. Ca nëpër vendet latine,
të tjerët në hapësirat Gjermanike e ca më të fortë kanë marrë me not detin e
kanë mbërritur në ishullin britanik.
-Po
këtu kush do punojë o babam?
Fjalët
që dolën poshtë e lart se në Shqipëri të mësynte krah i lirë nga Bangladeshi
nuk zuri vend.
Dhe
nisin nga puna si kamerier e banakierë djem të rinj shkollarë që janë me
pushimet e verës, krejtësisht të patrajnuar e që s’dinë të mbajnë as tabakanë
në dorë, por që u duhet ndonjë lek të shtyjnë dimrin kur të shkojnë përsëri në
shkollë.
Dhe
pronarët janë vazhdimisht në kërkim. Se ç’është e vërteta asnjërin prej tyre
nuk e la mendja t’i përvishet punës e të bëjë një rol në pronën e tij... Ai është
thjesht shefi. E kemi këtë të mirë ne shqiptarët. Shefi drejton, nuk punon.
Prandaj dhe kemi ca dëshirë të bëhemi të gjithë shefa. Jemi apo s’jemi
shqiptarë.
Ndaj
mos u çuditni ndonjë ditë kur të më shihni duke u trajnuar tek ekspresi i
kafesë dhe tek mbushja e gotave me uiski, pa njësi matëse, thjesht me sy.
-Ma
mbush një dopio usta... me akull se mos harrosh.
-Çfarë
thu mor jahu. Me akull origjinal të marrë drejt e nga Poli i Veriut, jo nga ai
i gatshmi që bëhet me ujë lumi.
Por
është bërë keq dhe për profesione më të ulëta për nga rëndësia, siç është roje
apo lavazhier. Edhe këta nuk gjenden kërkundi.
Dhe
nuk do jetë çudi që kur të shkoj për të larë makinën, i zoti i punës të më
thotë: Të vë në dispozicion stekën e ujit me presion dhe detergjentet, si dhe
gjysmën e çmimit, por të kam rixha merr leckat dhe futju vetë punës se jam tek
pullë këto kohët e fundit aq sa nuk po marr dot frymë.
Kështu
dhe nuk tatohesh, se në fund të fundit makinës tate po ia bon hyzmetin.
Gjatë
një vizite të shkurtër që isha në Amerikë, në kontakte me miq e shokë
shqiptarë, kur i pyesja për çështje pune ma kthenin: A ke fuqi vëlla se punë ka
sa të duash.
Dhe
kishin filluar shqiptarët e shkretë të bënin dy e tri punë. Edhe të jetonin
edhe të mblidhnin ndonjë para mënjanë.
Kjo
ditë erdhi dhe në atdheun tonë, buzë Adriatikut.
Ore
po si e kapëm veten kaq shumë. U hapën frontet si asokohe në Socializëm, kur
brigadat me vullnetarë dilnin të vrisnin karkalecët që dëmtonin prodhimin?
Përgjigja që i vjen pyetjes është ca e hidhur, por ne jemi mësuar tashmë me të.
-E
jo a ty mbylltë, ka ikur tërë rinia jashtë. Pse të punojë kamerier në Shqipëri
me 100 lekë të vjetra bakshish kur këtë punë e bën në një nga vendet e
zhvilluara të Evropës dhe qesenë e ka plot?!
Atë
thuaj!
Por
çdo e keqe e ka një të mirë. Ja ne që kemi mbetur mund të punojmë sa na mban
vuxhuti. Që të mos ketë vend shprehja: Punë ka por s’ka profesionistë. Sepse
duhet modifikuar. Punë ka por dhe profesionistët i kemi.
Duhet
me pa për një punë të dytë e pse jo dhe një të tretë. Se jeta është edhe e
gjatë edhe e vështirë.
No comments:
Post a Comment