Leonard Veizi
Që
këtë vit sezoni turistik ishte i mahnitshëm këtë e pamë në televizor dhe e
vërtetuam në terren. Kishte turistë të huaj plot. Por dhe shqiptarët nuk binin
pas. Kishin lënë vendet e punës së tyre në Perëndim dhe kishin ardhur në Atdhe
për t’u argëtuar nga dy a tri javë. Dhe argëtimi në Shqipëri nis sapo zbret nga
avioni. Ose merr një makinë me qira, ose shif mos të ka ardh çuni i xhajës e të
ka pru një Q7 apo X6 që të shtysh ditët në komoditet të plotë. Dhe shqiptari i
vërtetë, si i liruar nga zinxhirët, ja ther me të pestin e si dihet ku e mban
uryshin.
-Për
ku jemi vëlla?
-Për
në Vlorë, por e kaluam. Shiko të paktën të na ndalosh andej nga Saranda a
Ksamili, se kështu si e kemi nisur do përfundojmë në Greqi.
Dhe
makina fluturon mbi Llogara.
Në
ditët e nxehta të verës, ke tmerr të udhëtosh nëpër rrugët e Shqipërisë se ca
vapa, ca kondicioneri që të bën me bronshit, ca trafiku i ngadaltë që të lë në
radhë gjysmën e ditës, e shumë më tepër makinat fuoristrada që fluturojnë para
syve të tu.
-Ku
vete ai i vrarë?
Mirëpo
trimat nuk e lëshojnë veten. Se shoferi aty e ka vlerën, të ecë shpejt e pa iu
dridhur qerpiku, dhe... të mos e shkelë fare pedalin e frenave. Vetëm kur bëjnë
nja tre a katër kollotumba, dhe si kanë thyer palestrat dhe e kanë bërë makinën
që s’ka servis që ua merr përsipër, ia nisin të qaraviten:
-Oj,
nana ime...
Eh
or trim, vetëm mamaja të bën derman kur shkon për lesh. Se edhe autoambulanca
vjen pas 45 minutash. Ndaj dëgjo o babam, të paktën mos e regjistro veten duke
bërë gara me makina në rrugët e Shqipërisë, se nuk je në “fushën e Starovës”.
Tani,
ne si Shqipëri jemi shquar për shoferë trima. Ka pasur nga ata që në vitin 1980
punonin për vitin 2000. Bënin dhe gomën në mes të natës dhe acarit, riparonin
dhe defektet në mes të rrugës e nuk prisnin t’u vinte karroatreci për t’i
rimorkiuar. Se shoferllëku i vërtetë është kur merr skodën RT me rimorkio,
ngarkon trupa nja 7-8 ton dhe ecën rrugë e pa rrugë. Pa kur është asfalt,
merret vesh që nis komoditeti e bëhen të gjithë trima.
Shumica
e emigrantëve që na vijnë nga bota e zhvilluar, kur shkojnë përsëri në vendet e
tyre të punës, e respektojnë ligjin aq sa nuk të duket asfare se është ai
shqiptari trim e sypatrembur që i kalon policisë lokale te hunda e i ndez
cigaren nga shpejtësia e fërkimit. Atje, urtë e butë, se xhaxhi polici nuk të
njeh as për burrë trim, as për azgan e as për asllan. Atje ai të rras gjobën, e
do të të duhet të kërkosh punë jashtë orarit që të bësh lekët e faturës.
Polici
përtej kufirit nuk të njeh se je kushëriri i ministrit të brendshëm apo nipi i
kryetarit të bashkisë - me profesion taksambledhës - dhe nuk i dhemb dora kur
ta shkruan shifrën e gjobës të zezë mbi të bardhë që të hapësh xellot e të mos
ngatërrohesh hiç fare. Vetëm se trimave u dhemb fort xhepi ndaj qëndrojnë
gatitu para policit. Por nuk dihet pse në atdhe shkrehen aq shumë sa të duket
se pikërisht këta janë ata që kanë përmbysur raportet e mafies botërore.
Në
Nju Jork ku isha ca ditë për pushime intensive, një miku im shqiptar, - fort i
shkathët në rrugët e Tiranës, - sa herë që shihte makinat e policisë me stampën
NYPD më thosh:
-Këta
s’të falin fare. Po na ndaluan qëndro pa lëvizur, se po bëre një veprim koti e
hëngre koqen e plumbit.
-O
vëlla, aman o të keqen se s’kam ardhur për t’u vrarë këtej.
Mirëpo
miku im qeshte e më thoshte se ky është një udhëzim që u duhet bërë e ditur të
gjithë atyre që shkelin për herë të parë në këtë tokë, e nuk ia kanë fare
haberin se me policin në Nju Jork nuk mund të sillesh si me policin në Tiranë,
ku të hapet gurmazi, e në vend të të pyesë ai ty, je ti ai që i gafurresh”.
-Ça
do ... pse më ndalove?
-Po
ja, ashtu... për kontroll rutinë.
Ç’është
e vërteta andej policia nuk të ndalon për kontroll rutinë, por pikërisht se ka
sinjalizimin e duhur. Mirëpo edhe policia jonë ka defektet e saj, se të ndalon
sipas parimit: me u gjet Kola n’punë” e nis e të pyet: -Jo po ku e ke lejen e
qarkullimit... jo po i keni shlyer detyrimet, jo po ku i ke fletë kuitancat...
-Ti
je polic i butë mor, je polic demokracie, - lëshonte batutën vite më parë
Paulin Preka në një skeç të estradës së Shkodrës.
Ndaj,
dhe me sa duket, shqiptarët duke e ditur këtë dobësi të policisë vendase, ia
shkelin sa u mban gazi. Ec or ec...
Ndaj
policia nuk duhet të rrijë thjesht me një radar në dorë. Futi gjobën vëlla që
t’i vijë mendja vërdallë e kur të të shohë përsëri të bëjë shurrën në brekë. Se
trima nuk ka më. Ata që ishin trima të vërtetë u vranë në luftë. E meqë kemi
nja 80 vjet paqe e vrasim njëri-tjetrin për qejf, vështirë të prodhojmë më
trima të vërtetë.
Po
për të vrarë do vazhdojmë të vritemi mes vedit, se sipas një postulati
monumental: frikacakët vrasin, trimat falin.
No comments:
Post a Comment