Friday, September 1, 2023

Kur të sëmurëve u mohohet ndihma shtetërore dhe u ofrohet privati


Nga 
Leonard Veizi
 
Çfarë po ndodh me mjekësinë tonë?
Padyshim, ajo nuk është në ditët e saj më të mira. Dhe prej shumë vitesh çalon nga një sërë problematikash që edhe pse ndonjëherë duket sikur diçka zbutet dhe nis të eci në rrugë në mbarë, shpejt agresohet në dëm të pacientëve.
Në dëm të pacientëve vëlla, të atyre pa mbrojtje. Se mjekët dhe personeli në tërësi e gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin. Ndaj dhe  është kthyer në postulat shprehja: I yti mishin ta ha por kockën ta ruan.
Mirëpo problematikat në mjekësi i kuptojnë tërësisht ata që kanë hall dhe përplasen në dyert e spitaleve. Sepse atyre që s’u ka ardhur rradha, apo ua mban xhepi -e shkojnë shtrohen tek privati, - si në hotel me 5 yje për nga çmimi - nuk arrijnë ta njohin këtë problematikë. Ndaj një pjesë e tyre të bëjnë me faj duke t’u skërmitur: shumë i zmadhoni gjërat, spitalet i shohim çdo ditë në televizor, me aparatura të reja e godina të rikonstruktuara aq sa na e ka zilinë dhe Evropa.
Ja që propaganda e bëri të sajën.
Padyshim, kur raporti mbi ecurinë problematike të sistemit mjekësor vjen nga gazetarët, ai ndeshet me zëra militantësh që thonë e stërthonë se është media ajo që shtrembëron faktet, dhe se në fakt, mjekësia pa para, jo vetëm që është pa para, por i punojnë të gjitha kandelet njëlloj.
Ja u gjet edhe armiku.
-Spekullatorët në litar...
Por si i bëhet kur problemet ngrihen nga një institucion si Kontrolli i Lartë i Shtetit? Këtë nuk besoj se e vë njeri në dyshim.
Mjekësia është për faqe të zezë. Dhe gjëja me konkurruese sot është që mjeku i shtetit të adreson tek privati:
- Për të mirën tënde të them, ndryshe i thuaj “çiao” botës.
Ndaj njerëzit të frikësuar janë gati të marrin borxh e të shesin shtëpitë, me qëllimin e vetëm që t’u zgjatet ca ymri.
Në raportin përfundimtar të KLSH-së, për Auditimin e Performancës “Trajtimi i sëmundjeve tumorale”, - të bërë publik së fundmi, - rezulton se në Spitalin Onkologjik nuk është funksionale pajisja mjekësore e Brakiterapi (Kyriterapi), gjë e cila ka shkaktuar mos trajtimin për 600 gra paciente me kancer gjinekologjik.
Kështu thotë raporti, e zeza mbi të bardhë.
Ja që punët në mjekësi nuk qenkan dhe aq rozë. Në fakt kaq duhet që të bien këmbanat e alarmit e të tundet ministria, madje dhe godina ku rri Kryeministri.
Më tej raporti vazhdon me sa e sa problematika të tjera, ku në fund fare arrin të mësosh se më shumë se 1000 pacientë nuk arrijnë të marrin mjekimin e duhur në kohën e duhur. Dhe kjo rrezikon seriozisht jetën e tyre.
-Ku të përplasesh mor aman. Kur shteti yt nuk të bën derman.
Domethënë, shteti, - për të cilin thuhet se është në funksion të qytetarëve, - të paktën në këtë rast të priska latën.
Po njerëzit me kurajo nuk kanë ndër mend të vdesin, ndaj mundohen me thonj e dhëmbë të kapen pas asaj jete që u ka mbetur. Dhe nisen për tek privati, me shpresën se ky do të na i heqë lakun nga fyti. Do t'i thuash derrit dajë, tek e fundit. Dhe.... surprizë. M’u të dera e klinikës private, të pret plot buzëqeshje mjeku nurësëz që të përzuri nga pavijoni i shtetërorit, se demek nuk kishte kushtet e duhura për diagnostikim e trajtim.
-Ore... mos ishe ti ai që...???
-Unë o, unë jam.
Por dhe sjellja ka ndryshuar. Edhe kujdesi në diagnostikim dhe trajtim. Por dhe fatura nuk është e lehtë për t’u paguar. Duhet mbledhur rripi.
-Prandaj më zgërdhin dhëmbët ti?
Ec e mos fol për teori konspiracioni o t’u bëfsha. Jo për gjë por thuhet rëndom që aparaturat në spitalet shtetërore ose prishen me qëllim, ose nuk rregullohen me qëllim. Dhe kjo bëhet që të fuqizohet privati, që kohët e fundit, ngaqë janë rritur çmimet e zarzavateve, ka rënë ca në të hollë e nuk u dalin paratë.
Dhe tani e kemi mësuar rrugën: Sa të sorrollatemi në shtet, drejt e te privati.
Aaaa, në qoftë kështu, përse duhet të paguajmë sigurime shëndetësore dhe pse duhet të kemi spitale shtetërorë tek e fundit?


No comments:

Post a Comment