Leonard Veizi
Ti
jeton në pallat por me mentalitet si në fshat. Këpucët i lë te dera që të mos
bësh pis brenda. Se je pastërtor sa nuk ka ku të vejë. Dhe nuk e kupton se jeta
në komunitet të kushtëzon.
Liria
jote, - por dhe e imja bashkë, - mbaron
aty ku fillon liria e tjetrit.
Por
ti nuk e di këtë sentencë. Dhe kur e dëgjon ose të duket krejt arkaike, ose
shumë moderne sa nuk e vë “ujët në zjarr” e ta zbërthesh.
Ndoshta
kjo ndodh meqenëse në fshatin ku je lindur e rritur për djall nuk ke pasur as
librari dhe as bibliotekë. E shkollën e ke bërë me klasa mikse ku nuk e merr
vesh i pari të dytin. Dhe meqenëse ishte aq ambicioz sa nuk duroje dot t’i
hidhje hapat në jetë sipas kutit tënd, u hodhe me katapultë nga fshati, - jo në
një qytet të çfarëdoshëm, - por drejt e në kryeqytet.
Këtu
të heq kapelën. Sepse edhe këtu ka vlerë një proverb popullor që thotë: Sa të
mendohet i mençuri, budallai ka mbaruar punë.
Ti
mban qen në shtëpi se të kujton jetën e fshatit. Mban dhe kanarina që të të
kujtojë pulat. Dhe të vjen keq që nuk e mban dot lopën, por je i detyruar ta
blesh qumështin e fabrikës në markatë. Dhe kjo mungesë të bën që të dukesh si
lopë me qerre nëse bën veprime lope të dukshme.
Ti
nuk e njeh semaforin dhe i futesh me kokë rrugës pa parë majtas e djathtas se
mos vjen ndonjë makinë që nuk e bën hesap dritën e kuqe, e të fshin. Por ty të
kanë thënë që po të ecësh mbi vijat e bardha nuk të gjen gjë, se e ha shoferi
po të preku edhe një fije floku. Ndaj ty të duket vetja trim dhe me imunitet.
-Hape
rrugën o debil se është radha ime! Je ti me të kuqe e unë me jeshile.
Ndoshta
është daltonik?!
-Çfarë
është daltoniku???
Oho...
të fillojmë sërish nga fillimi thua ti?!
Ti
lan brekët e tua, por dhe të anëtarëve të tjerë të familjes, dhe i ekspozon
duke i varur që të thahen te dritarja e shtëpisë, paçka se ato rigojnë ujë
drejt e në kokat e njerëzve.
-Po
mos kalo aty poshtë, se do laj dhe ballkonin tani, e uji do rrjedhë çurg.
Ti
je gomar, por shan të tjerë për trashësi gomari. Dhe kjo padyshim të kujton
kohën kur shëtisje me gomar, samari i të cilit të duket më i rehatshëm se i
Benz-it që ka blerë yt bir kohët e fundit.
Ti
nuk e di që në qytet ka kosha mbeturinash dhe e lë qesen tek cepi i shkallëve.
Ndërsa letrat e byrekëve, pasi ke fshirë dhe buzët me yndyrë i hedh ku të
mundesh. Sepse nuk e kupton që ambienti i përbashkët duhet mbrojtur e duhet
mbajtur i pastër.
Ti
duhet të trajnohesh, si të sillesh në komunitet. Dhe kjo duhet bërë falas dhe
me detyrim. Se ne dikur e bënim në shkollë. Sot është e dukshme që në shkollë
nuk bëhet më. Ndaj duhen marrë masa të tjera. Ose përndryshe shapkat, qeset e
plehrave dhe brekët e pathara do t’i kemi mbi kokë përgjithmonë.
Ti
pi një freskuese, se helbete vapë e madhe është, por kanoçen bosh - të cilën
për shans nuk e mban më si orendi mbi
bufe, - edhe pse mall i riciklueshëm, e
vërvit mbi barin e lulishtes më të afërt.
-Ec
mo vari trapin, ata të Gjelbërimit kot e marrin rrogën.
Tani...
edhe aq kot nuk e marrin. Mjafton që pastrojnë këllirën që le ti pas.
Por
ti vazhdon me tënden. Pi duhan e pështyn
në tokë. Jashtëqitjet e qenit i le mbi trotuar e s’të bën përshtypje hiç që
njerëzit u disgustuan. Se ti nuk mban më as qen stani, siç ta do zanati, por ke
blerë për merak një rodvajler, që t’u bësh karshillëk atyre që mbajnë bulldog.
Mire
që je fshatar. Por nuk e di që je dhe gomar.
Dhe
të qenit fshatar nuk ka të bëjë me qenësinë tënde ku jeton. Sot shumë
qytetarët, njerëz me pasuri e katandi, po e lenë qytetin dhe po kërkojnë
fshatin.
Se
mund të jetosh në fshat e ke mendësi qyteti, siç mund të jetosh edhe në
kryeqytet dhe ke mendësi province. Ndaj
dhe thuhet sentenca e radhës, që na vjen në mend rrjedhshëm: Ti ikën prej
fshatit, por fshati nuk del prej teje.
Ti
do të fyhesh kur të lexosh për veten tënde. Kur ta kuptosh se ky shkrim është
posaçërisht për ty. Pale kur miqtë e shokët, ata që “të duan të mirën”
sigurisht, do të të informojnë nxitimthi: Kishe dalë në gazetë... ëëëëëë... Dhe
do nxehesh e do shash e nuk do lesh gjë pa thënë kundër gazetarit.
Por
dhe mund të gëzohesh se nga një personazh anonim ka gjasa të bëhesh publik.
Sidomos po ta thellosh zullumin. Por bën mirë t’i marrësh si mësim këto rreshta
dhe jo si fyerje kundrejt teje. Sepse tek e fundit ti nuk je i vetëm. Ti je
përfaqësues i turmës laramane që si jeni ngulur në një vend që ndan mentalitet
krejt të kundërt me ju, nisni e ta urreni jetën në komunitet, njerëzit që
zbresin nëpër shkallë e ngjiten me ashensor, trafikun e çmendur dhe vetë
semaforët.
Por
ndoshta vërtet nuk e dini që të gjithë këtë katrahurë ju e rëndoni edhe më
shumë me veprimet dhe mosveprimet tuaja.
Dhe
së fundi ata që duhet të ndihen të fyer çdo mëngjes kur dalin për të shkuar në
punë e çdo mbrëmje kur rikthehen në shtëpi, janë ata që dinë të jetojnë me
rregulla në qytet.
Mos
e teprova gjë. Jo, se varet sa të mban kurrizi pa samar.
No comments:
Post a Comment