2007 - 2008
Nga Leonard Veizi
Kanë
kaluar 17 vjet nga ajo natë. Ndërsa unë mes relikeve të shenjta ruaj ende
biletën e tyre të koncertit. Në kohën time më të mirë, as në ëndërr nuk më
kishte vegëtirë se një ditë do mund të zbrisnin shkallët e avionit në aeroportin
e Rinasit, po ashtu siç ndodhte rëndom në aeroportin e Los Anxhelosit apo të Mynihut.
Por në kohën time jo aq të mirë më, ata mbërritën vërtet në Shqipëri. Legjenda e
tyre vërtitej prej kohësh në etër. Nuk ishte thjesht muzikë. Ishte një frymë. Diçka
që solli një revolucion në të gjithë atë që më pas do të quheshin “metalet e rënda”.
Muzika “hard” sapo kishte nisur. Pesë djem ambiciozë nga Londra, formuan një
bandë muzikore. Dhe u konsideruan pionierët e Metalit... Ishte viti 1967.
...Që
“Deep Purple” apo Di Parpëll do të vinte për një koncert në Tiranë këtë e
kishte thënë ish-Ministri i Kulturës së kohës Edi Rama: "Deep Purple"
do të jetë në Tiranë deri në fund të vitit 2000. Unë vë bast, për ardhjen e
tyre në Shqipëri. Jemi duke vepruar në rrugë e sipër", ishte shprehur Edi
Rama, në një emision televiziv. Por “Parpllat” – siç thërriteshin në zhargon, -
nuk u panë gjëkundi.
Në
fakt, “Deep Purple” erdhën vërtet, por shumë kohë më vonë, në vitin 2007 dhe
Edi Rama asokohe kishte lënë portofolin e Ministrit të Kulturës sepse ishte
zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Pikërisht
ato ditë, kur lajmet për mbërritjen e grupit legjendar të hard rrokut i ndiqja
pa ndonjë kërshëri të madhe, shoku im i klasës së Politeknikumit, Luani, më
njoftoi me telefon se po më bënte një surprizë... Si ishte shtyrë e çjerrë
nëpër sportele, mes të tjerësh më kishte prerë edhe për mua një biletë e cila
më lejonte të kaloja pragun e Pallatit të Kongreseve. Sepse të famshmit “Deep
Purple” do të performonin pikërisht aty ku dikur bënte kongreset Partia e
Punës. Dhe kjo ishte dhuratë prej tij.
Ç’është
e vërteta unë isha një tifoz standard i këtij kompleksi muzikor. Nuk mund të
them se bëja si i çmendur pas tyre, por natyrisht isha kujdesur për të ndjekur
të gjithë veprimtarinë të regjistruar në kaseta magnetofoni. Dhe për këtë isha
munduar me një seriozitet të paparë. Sepse duhet t’i bije Tiranës cep e më cep
për të siguruar një kasetë me këngët e tyre. Dhe akoma më shumë për të gjetur një
të dytë. Dhe kaq duhej për të më etiketuar si “tifoz absolut”, se tifozët e
muzikës janë po aq të fortë sa dhe ata të sportit. Dhe unë, - si për çudinë
time, - isha tifoz dhe me kombëtaren angleze. Pra, në njëfarë mënyre isha një
filo anglo-sakson. Bëhu tifoz me Çelsin, - më thoshte shoku tjetër Nori, me të
cilin ndanim të njëjtat qëllime, - se ata janë të çmendur. Por unë mjaftohesha
me ekipin bazë të Bobi Robson.
Meqenëse
ofertës bujare ia ktheva me indiferentizëm: “Pse ngenë e Parpllave kemi
tani...?”, Luani i shokuar nga përgjigja ime ma ktheu me një kundërsulm: “Katër
vjet na ke bo lavazh për Papllat sa që u bëra dhe unë tifos i tyre. E tani më bën
numra. Shoku... ke një biletë në dispozicion. Po nuk erdhe po ia fal kujt të më
dalë përpara”.
Je
në vete ore, biletën time do falësh ti. Dhe kujt, mua, që vija vërdallë nëpër Tiranë
me një bluzë ku një piktor amator, - ose më mirë të them dezinjator, - pas kërkesës
time të sforcuar më stampoi mbi një bluzë të bardhë “Deep Purple”.
Ktheva
kokën pas. Vitet kishin kaluar dhe ritmi i jetës kishte ndryshuar. Kisha ca kohë
që veç familjes, i isha kushtuar profesionit dhe i bija Tiranës cep e më cep,
por këtë herë për të kapur lajmin. Dhe kjo nuk më linte fort kohë të plotësoja
boshllëqet e adoleshencës me trillet e moshës së mesme. Dhe vetja m’u duk edhe
më trap përballë Luanit, i cili për shansin tim ishte në anën tjetër të linjës
e nuk e shihte fytyrën time. Por dhe që biletën time të koncertit ta merrte ndonjë
kastravec që nuk ia kishte haberin nga e kishin shtëpinë Parpllat, edhe kjo nuk
bëhej.
Nga
inati vajta.
Vigjilja e një spektakli
Nëpër
shkallët e jashtme të Pallatit të Kongreseve, - të cilin Arditi i të “Dielës...”
e ka pagëzuar si Pallatin e Koncerteve, por që si për inat të tij nuk e ka marrë
qytetarinë – u takova me miqtë e mij të Politeknikumit të cilët po më prisnin të
armatosur me uiski. Më dukej sikur po shkonim në luftë. Një shishe e mbante
Kola dhe një tjetër Nori. Ca si shumë, shpreha habinë unë. Ata tundën kokat.
Hajd, se mbaron shpejt, - më thanë.
Tek
hyrja u ndesha me fytyra të harruara prej kohësh, të cilët gjithashtu mezi prisnin
të shihnin Deep Purple. Ca vazhdonin të mbanin pantallona kauboj, ose i kishin
veshur për snobizëm. Nja dy të tjerë kishin rritur basetat aq sa m’u dukën si
personazhet e vitit 1800 të filmit “Dombi dhe i
biri” bazuar mbi romanin e Çars Dikensit. Heu, ia bëra me vete. Kot
thoshin se kishim hyrë në mijëvjeçarin e ri të “hajtekut”. Vetja m’u duk si në
kohën e manifakturave.
Hymë
në platenë e Pallatit të Kongreseve. Në sfond Eugent Bushpepa dhe banda e tij e
metalit nisi të këndojë si parahyrje e grupit britanik. Ne dhe shumë të tjerë
nisëm të lagnim gurmazin. Epo, duhet të nxeheshim dhe ca më shumë. E kalonim
shishen dorë më dorë. Maksi me bujari më dha të pija dhe pjesën e tij. Nuk i
bëra naze. Se atmosfera kishte filluar të bëhej me xixa. Ndoshta kërkonim të
dukeshim sikur po përjetonim “Udstokun ‘69”. Jepi rini, jepi. Po pra: “seks,
drogë, rok end roll”. Nuk e di pse e bënim në atë kohë, por sot them: e sigurt nga budallallëku. E megjithatë isha 39 vjeç i vjetër, siç thuhet në gjuhën
angleze.
Pas
30 minutash alkooli mbaroi, ndaj çuam një detashmen të shkathët e të shpejtë të
na blinte uiski me gota plastike në hollin e Pallatit të Kongreseve. Uiski i
thënçin, Me shije më keq se konjaku i Rrogozhinës prodhuar nëpër bodrume, dhe
me çmim më të shtrenjtë.
Nga “Mark 2” tek “Mark 8”
Deep
Purple u shfaq në skenë me formacionin “Mark VIII”. Ithtarët e vërtetë të tyre
do të kishin dashur të shihnin formacionin bazë atë të “Mark II” i cili ka qenë
dhe më i suksesshmi: Në kitarë Riçi Blakmur, vokalist Ian Gilan, tastierë Xhon
Lord, kitarë bas Roxher Glover dhe bateri Ian Peis.
Por
ndërkohë grupi kishte pasur disa ndërrime instrumentistësh dhe në Tiranë kishin
mbërritur: Ian Gilan, Stiv Mors, Don Eiri, Roxher Glover, Ian Peis.
Kamerat
nuk lejoheshin. Truprojat shqyenin sytë mos ua hidhte ndonjë trafikant. Ndaj
nga ky koncert i hatashëm janë vetëm disa sekuenca të shkurtra me celularë që
regjistronin me megapiksel të ulët. Por gjithsesi koncerti ishte një magji e
vërtet. Nuk doje shumë për të kuptuar se të pestët e Deep Purple ishin djem të
lindur në skenë. Marrëdhënia e tyre me spektatorin ishte diçka e panjohur për ne
deri në atë kohë. Ian Gilan ishte aty, vetëm disa metra larg. I magjishëm, i
adhuruar. Nuk ishte më 25 vjeçar ai atëherë kur interpretonte “Speed King” apo
“Into the Fire”, por një 62 vjeçar ende në formë për të mbajtur një koncert me
repertorin bazë, i cili nuk e kishte në playlist të lavdishmen “Child in
Time”
Në retrospektivë
M’u
kujtua Tucja, një shok gjithashtu i shkollës së mesme, - që nuk dija në çfarë
shteti kishte përfunduar si emigrant, - që në vitin 1987 shprehej gjithë patos:
Po erdhën Parpllat në Shqipëri unë do shes shtëpinë e do blej një biletë. Pse
shtëpinë? Por nuk ia bëra këtë pyetje. Thjesht iu bashkova me trimëri: Edhe unë.
Ekstazë adoleshentësh. Me siguri do kishim pirë ndonjë teke kaçurrel më shumë
nga sa mbanim. Sepse asokohe shtëpitë nuk shiteshin në Shqipëri. Ne të gjithë
ishim qiraxhinjtë e shtetit. Pastaj dhe nëse shiteshin, si do të mundja unë të
shisja shtëpinë e babait. Se për vete jo që s’kisha vënë ndonjë tullë, por i
kisha ngrënë ca tulla. Hajde trap hajde, i thashë vetes. Çfarë nuk thotë njeriu
kur është tapë. Por Tucja ma përsëriti idenë e tij të çmendur dhe kur ishte
esëll. Asnjëherë s’e mora mundimin ta pyesja se ku do ta nxirrte shtëpinë për
shitje, në bursën e Nju Jorkut apo atë të Tokios. E lash Tucen në çmendurinë e
tij të dyfishtë, të shitjes së shtëpisë, dhe të shijimit të një koncert të Deep
Purple në Shqipërinë Komuniste, që asokohe të internonte edhe pse mbaje radion
Iliria tek “Pozdravi”. Dhe pse gjithë këto deklarata naive? Sepse na ishte
thënë nga një tjetër tifoz i grupit se kishat të dhëna të sakta që Deep Purple
në kulmin e suksesit të tyre e kishin biletën 2000 dollarë. Sa ore sa...? Po
2000 dollarë bënte një MZ gjermanolindore te dyqani i valutës, aty te 9-katëshet.
Domethënë 2000 dollarë të viteve ’80 me siguri përkthehen në 10 mijë dollarë në
ditët e sotme. Ndoshta dhe më shumë. Se inflacioni bën të vetën. Të shpresoja
se shtëpia e Tuces, dy dhoma e një kuzhinë tek parafabrikatet andej nga
Porcelani të vlente më shumë se kaq.
Eh,
ta dinte Tucja se Parpllat do vinin në Shqipëri dhe çmimin e biletës do ta
kishin vetëm 40 mijë lekë të vjetra që me kursin e kohës do të thoshte 25 euro.
Retrospektiva vazhdon
Në
vitet ’80 të shekullit të kaluar, ne që pëlqenim “Deep Purple” e njihnim
njëri-tjetrin. Nuk ishim shumë. Në vitet ’85 kishte marrë hov të madh Majkëll
Xhekson, Madona por dhe Duran Duran. Ndërkohë po bënte përpara dhe Modern
Talking. Dhe shumë të rinj ishin të fokusuar më së shumti në muzikën e ditës,
duke iu shmangur britmat çjerrëse të tenorëve metal. Me mua mund të rriheshe
nëse përmendjen emra të tillë grupesh muzikore. Dhe Adi, që rrinte një bankë
para meje në mësim, sikur ma bënte për inat, që afeksonohej pas çdo grupi
elementar i cili shpërthente papritmas në Hit Paradën italiane, e më thoshte në
orën e matematikës se një grup me emrin “Baltimora” kish nxjerrë një këngë të
re të papame të titulluar “Tarzan Boy” edhe një tjetër “Bananarama”... O
tempora, o mores... Kulmi. Në fakt këtë e them tani, sepse aso kohe i thosha
shkurt e saktë: o trap me nyje. Jo mo, po s’bëhet ky popull. Dhe për djall,
Adit nuk i bënin përshtypje as kërcënimet e mija për ndonjë “grusht turinjve” nëse
do ta tepronte zullumin. Por te e fundit unë vetëm kërcënoja, se Titit, - një
tjetër shok klase, - po t’i shaje Rollingstonsat dhe Mik Xhekerin, nuk ta bënte të gjatë fare
por të godiste drejt e në hundë.
Në
pavetëdijen time, dhe aspak i trysnuar nga të tjerë, isha kultivuar fort me
rrymat e rënda por dhe muzikën xhaz e bluz, ca Xhim Morison dhe ca Xhenis Xhoplin.
Por tek Deep Purple kisha ngecur keq: si dhelpra në bigë. Shija absolute për të
qenë idhtar i njërit prej dy vokalistëve të tij, ishte e madhe. Sepse si Ian
Gilan po aq dhe Deivit Koverdell ishin të jashtëzakonshëm si interpret. Dhe nuk
kisha ndonjë simpati as për Rod Evans si solist i parë i tyre, e aq më tepër
për amerikanin Xhoi Li Tërner, që nxori vetëm një album me grupin britanik
“Slaves and Masters”.
Diapazoni vokal
Në
platenë me poltrona portokalli të Pallatit të Koncerteve tifozët kërkonin të
këndohej “Smoke On The Water”. Sa herë kujtoheshin Deep Purple gjithmonë e
para kujtohej dhe kjo këngë legjendë, që për mua çuditërish vazhdon të mbetet
një këngë klasike por e zakonshme e repertorit të tyre. Dhe pakkush kujtohet se
ky grup muzikor ka dhe një simfoni 12.5 minuta si “Aprile”, në bashkëpunim me
një orkestër filarmonike edhe pse kënga këndohet nga një solist me vokal modest
si Rod Evans. Për të mos shkuar tek “Child in time” – 10.18 minuta, - që nxjerr
në pah një vokal të jashtëzakonshëm si Ian Gilan, për të cilin nga ata që e
njohin më thellë muzikën thuhet se arrinte një gamë vokale deri në 4 oktava,
nga E3 poshtë në A5 sipër. Dhe thuhej gjithashtu se në kulmin e tij, Gilan
zotëronte një gamë shumë të gjerë, e cila u përfol të ishte 3-3.5 oktava por që
thashetheme të tjera të pavërtetuara trumpetonin se ai arrinte 4.5 deri në 5
oktavë me forcë e saktësi të jashtëzakonshme në regjistrin e sipërm, ku
falsetot ishin jashtëzakonisht të fuqishme dhe inovative.
Fama e një grupi muzikor
“Deep
Purple”, së bashku me “Led Zeppelin” dhe “Black Sabbath”, janë referuar si
"trinia jo e shenjtë” e hard rock-ut dhe metalit të rëndë britanik. Purple
u renditën në Librin e Rekordeve Botërore Guinness të vitit 1975 si "grupi
më i zhurmshëm i globit" për një koncert të vitit 1972 në Teatrin
“Rainbow” të Londrës. Dhe si një grup me famë kanë shitur mbi 100 milionë albume
në mbarë botën.
Por
Deep Purple ka kaluar në një histori të jashtëzakonshme, krijimtarie,
koncertesh e keqkuptimesh mes anëtarësh.
Tek
formacioni “Mark III” i Deep Purple, solisti Deivid Koverdell dhe Glen Hjus
zëvendësuan respektivisht Gilan dhe Glover, ndërsa tek “Mark IV” u paraqiti në
audicion Tomi Bolin, një kitarist unik që zëvendësoi të pakrahasueshmin
Blakmur. Grupi u nda në korrik 1976 dhe Bolin vdiq pesë muaj më vonë nga një mbidozë
droge.
Në
2002, Xhon Lord me probleme shëndetësore u largua nga grupi dhe u zëvendësua
nga Don Eirei, i cili u interpretoi në tastierë për njëzet vitet e ardhshme,
derisa kitaristi Stiv Morse njoftoi largimin e tij nga grupi në 2022 duke u
zëvendësuar nga Sajmon Mekbrajt. Dhe kështu së fundmi kemi formacionin “Mark IX”
Deep
Purple u renditën në vendin e 22-të në programin Artistët më të mëdhenj të Hard
Rock-ut të VH1, dhe një sondazh në stacionin radiofonik “Planet Rock” i renditi
ata në vendin e 5-të në mesin e "grupeve më me ndikim ndonjëherë".
Grupi mori çmimin "Legend" në “World Music Avvards 2008”. Deep Purple u futën në
“Rock and Roll Hall of Fame” në vitin 2016.
Epoka Koverdell
Koverdell
erdhi në Shqipëri në 3 korrik të vitit 2008. Një vit pas Ian Gilanit me “Deep
Purple”. Koncerti i grupit të themeluar prej tij “Whitesnake” u ndoq nga të paktën
4000 spektatorë. Koverdell ishte 6 vjet më i ri se Gilan. Ai ishte 57 vjeç kur
erdhi në Tiranë. E megjithatë vetëm një si ai mund të ngrinte lart stativin e
mikrofonit si pjesë e spektaklit. Po ashtu siç performonte në skenën me ngjyra
ylberi të Kalifornisë në vitit 1974 kur këndoi të jashtëzakonshmen
“Mistreated”.
Deivit
Koverdell ishte zëri brilant që zëvendësoi Gilan në një grup të kompaktësuar.
Dhe kjo nuk ishte fort e lehtë. Në kohën e tij më të mirë ai kishte një gamë
vokale prej 4 oktavash që shtrihej nga B1 - A5 dhe cilësohej si bariton.
Pas
largimit të Ian Gilan nga “Deep Purple”, për shkak të mosmarrëveshjeve me
liderin e grupit, kitaristin Riçi Blakmur, u mbajtën audicione për zëvendësimin e vokalit kryesor. Ata vendosën për Deivid Koverdell, që aso kohe ishte një
këngëtar i panjohur nga Saltburn në Anglinë verilindore, kryesisht sepse
Blakmur i pëlqente zëri i tij mashkullor, me nuancë blu. Dhe më përpara tij në
grup ishte pranuar dhe Glen Hjus si basist dhe zë i dytë si tenor. Hjus dhe
Koverdell sollën harmoni vokale dhe elemente të fank dhe bluz. Dhe nxorën dy
albume krejt të veçanta si “Burn” dhe “Stormbringer” Kjo padyshim mund të
cilësohet dhe si “epoka Koverdell”
Ian Peis in Tirana
Pjesëtarët
e Deep Purple nuk iu ndanë Tiranës, edhe pse e kishin zbuluar vonë. Kështu kohë
më pas u organizua një koncert rok me Ian Peis bateristin legjendar të Deep
Purple, me “Ian Paice & Matt Filippini Band” në Akademinë e Arteve,
Tiranë. Projekti “drum clinic” vuri në
qendër të vëmendjes Ian Peis, ku bateristë dhe publiku i ftuar i drejtuan
pyetje rreth teknikës të baterisë dhe historisë Deep Purple.
Epilog i panevojshëm
Deep
Purple vazhdojnë të këndojnë ende. Shumë pjesëtarë të këtij grupi legjendar
janë larguar dhe dy prej tyre Tom Bolin dhe Xhon Lord kanë vdekur. Por Ian
Gilan është po aty, megjithëse po i afrohet 80-tave, dhe është po aq vital sa
dhe ai që ka kënduar me një teknikë të përsosur dhe fort të ndjerë të
mrekullueshmen "Jesus Christ Superstar".
No comments:
Post a Comment