Tuesday, June 25, 2024

“Nikaragua 79”, një film për një gazetar të vrarë në ditët e revolucionit

 
20 qershor 1979
 



Nga Leonard Veizi
 
Nën titullin “Nikaragua 79” televizioni shqiptar i viteve ’80 të shekullit të kaluar, transmetoi filmin amerikan, jo fort larg si hapësirë kohore nga çasti kur filmi nisi të shfaqej në rrjetet televizive të mbarë botës. Dhe si gjithmonë suportuesi më i madh në këtë drejtim ishte televizioni italian, - ashtu siç e kemi thënë dhe në edicionet e mëparshme të këtij suplementi, - të cilit ne ia “vidhnim” të drejtat e transmetimit ditën për diell, por për arsye teknike dhe meqenëse nuk kishim mundësira të tjera teknike, linim si kolonë zanore dublimin në gjuhën italiane, dhe siglën e RAI-t. Ishte sa qesharake aq edhe argëtuese, sepse në fund të fundit merrnin një informacion shtesë, nëse një pjesë e shqiptarëve nuk arrinit ta ndiqnin premierën e filmit drejt e nga kanali italian. Ndërsa nga ana propagandistike, qeveria e Tiranës ia bënte kabull transmetimin në ekranin e saj të aktorëve të mëdhenj si Xhin Hakman e Nik Nolte, mjaft që në film flitej për fitoren e një revolucioni të tipit marksist, dhe të një udhëheqësi që efektivisht nuk quhej Rafaelo, por që ishte një emër skenik. Dhe kështu qeveria e Tiranës shpresonte që në mesin e viteve ’80, kur punët me komunizmin e Evropës Lindore po ecnin morth, mbaheshin tek shpresa se shpërthimi i revolucioneve në Amerikën Latine, me mbështetjen e Kastros dhe idealizmin e Guevarës, do të vazhdonte ta mbante në pushtet kastën e vjetër staliniste...
 
...Vrasja e një gazetari amerikan, nga një ushtar qeveritar, në ditët e nxehta të revolucionit në Nikaragua të vitit 1979, bëri zhurmë të madhe e trazoi shumë ujëra. Për më tepër që nuk flitej vetëm për dëshmitarë okularë të cilët e kishin parë ngjarjen, por për një kamera që kishte mundur të regjistronte të gjithë aksionin e ushtarëve që mbronin kryeqytetin Managua nga ata që cilësoheshin si rebelë pjesë e Revolucionit Sandinist.
Uilliam D. “Bill” Stjuart ishte një gazetar amerikan që punonte për ABC News. Ai bashkë me përkthyesin Huan Espinosa u vranë nga forcat e Gardës Kombëtare Qeveritare ndërsa raportonte për Revolucionin e Nikaraguas, teksa forcat sandiniste po afroheshin kryeqyteti i Managua. Pamjet e ekzekutimit të tij u transmetuan vazhdimisht në televizion, duke rezultuar në një zhurmë në Shtetet e Bashkuara kundër regjimit Anastasio Somozas.
 
Ekzekutimi
Më 20 qershor 1979, Stjuart po udhëtonte me një furgon të televizionit në lagjet e varfra lindore të kryeqytetit Managua me ekipin e tij një kameraman dhe një operator zëri kur ata u ndaluan në një postblloqe të drejtuar nga Guardia e Nikaraguas, forca kryesore e Presidentit Anastasio Somoza Debail. Furgoni ishte i shënuar qartë për tu identifikuar si një mjet shtypi si një masë paraprake, e cila ishte bërë praktikë standarde pasi kryengritja dhe revolucioni u rritën në intensitet. Një ditë më parë, gazeta qeveritare “Novedades” kishte botuar një editorial që përshkruante gazetarët e huaj si "pjesë e rrjetit të gjerë të propagandës komuniste".
Stjuart dhe përkthyesi i tij 26-vjeçar nga Nikaragua, Huan Françisko Espinoza dolën nga automjeti dhe iu afruan barrikadës. Stjuart paraqiti kredencialet zyrtare të shtypit të lëshuara nga zyra e presidentit të Nikaraguas. Kur ata ishin disa metra larg ushtarëve, kameramani Xhak Klark filloi të filmonte nga brenda furgonit. Një roje i urdhëroi burrat të ndaheshin dhe Stjuarti u urdhërua fillimisht të gjunjëzohej dhe më pas të shtrihej me fytyrë përtokë. Një ushtar iu afrua, e goditi një herë në brinjë, më pas u tërhoq dhe e qëlloi pas veshit të djathtë, duke e vrarë në çast. Espinoza u qëllua për vdekje jashtë objektivit të kameras nga një ushtar tjetër. Pablo Tifer Lopez që ngiste furgonin ABC dëshmoi se një ushtar tha për Stjuartit, "Jam i sigurt se ai nuk është gazetar. Ai është një qen." Ai dëshmoi gjithashtu se ushtarët urdhëruan ekuipazhin e lajmeve të raportonte se për vrasjen e gazetarit ishte përgjegjës një snajper sandinist.
Stjuart ishte 37 vjeç. Ai la pas gruan e tij Mirna dhe prindërit. Trupi i u mor nga ekuipazhi i tij dhe me një C-130 të Forcave Ajrore të SHBA fluturoi nga Nikaragua për në Panama. Më pas u transferua në një aeroplan të dërguar nga ABC dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara. Ai u varros në Ashland, Kentaki.
Pamjet e incidentit u shfaqën në filmin “Days of Fury” i vitit 1979, me regji të Fred Ushofski dhe të organizuar nga Vinsent Prajs. Pamjet u përdorën gjithashtu në: “Nikaragua Sot”, një dokumentar i publikuar në vitin 1983.
 
Filmi
Pas incidentit të zhurmshëm, e gjithë ngjarja u vendos në filmin triller politik “Under Fire” apo i ardhur në shqip si “Nën zjarr”. Filmi është një prodhim amerikan i vitit 1983 prej 108 minutash. Me regji nga Roxher Spotesued, në film luajnë Nik Nolte, Xhin Hakman dhe Xhoana Kasedei.
Skenari është shkruar nga Ron Shellton dhe Klajton Froman; bazuar mbi një tregim të Froman. Ndërsa drejtor i fotografisë është Xhon Ullkot. Partitura muzikore nga Xherri Goldsmith u nominua për një “Oscar” për këngën më të mirë origjinale. Redaktimi nga Mark Konte dhe Xhon Blum u nominua për një çmim BAFTA për Editimin më të Mirë. Filmi është xhiruar në shtetet meksikane të Çiapas dhe Uahaka.
Aleks Grezia i Hakman dhe Rasëll Prajs i Nolte janë shkrirje të jetës dhe karrierës së Bill Stjuart si gazetar dhe korrespondent lufte. Në film, vdekja e Stjuart-it paraqitet ndryshe: personazhi i Hakman-it është qëlluar në gjoks ndërsa është në këmbë dhe vdekja e tij është kapur në një seri shkrepjes fotografike të bëra nga personazhi i Noltes, i cili arratiset nga skena i ndjekur nga një breshëri armësh. Ashtu si në rastin e Stjuart-it, imazhet u shfaqen audiencave televizive anembanë botës dhe protesta publike sinjalizon fundin e diktaturës së Somozës.
Filmi u vlerësua për performancat e fuqishme të aktorëve kryesorë dhe për trajtimin realist të temës së luftës civile në Nikaragua. Ai është konsideruar një nga filmat më të mirë të periudhës për mënyrën se si pasqyron realitetet dhe pasojat e konflikteve ndërkombëtare.
Ndërkohë Televizioni Shqiptar që para viteve ’90 quhej thjesht “Tirana”, për t’i dhënë më tepër kuptim, e transmetoi filmin nën titullin “Nikaragua 79”
 
Versioni artistik
"Nën zjarr" na tregon një luftë në të cilën morali është i vështirë për t'u përcaktuar dhe më i vështirë për t'u praktikuar. Bëhet fjalë për gazetarët amerikanë që mbulonin luftërat guerile në Amerikën Qendrore,
Rasëll Prajs është një fotoreporter që mbulon një konflikt ushtarak në Çad, ku ndeshet me një mercenar amerikan të quajtur Ots. Rasëll kthehet në hotel, ku merr pjesë në një festë "Bon Voyage" për mikun e tij Aleks Grezia, i cili po heq dorë nga mbulimi i konflikteve në terren për të marrë një punë fitimprurëse si folës lajmesh në Nju Jork. Artikulli i Aleks në lidhje me konfliktin në Çad shoqërohet me fotografinë e Rasëll për të nxjerrë një kopertinë në revistën “Time”.
Gazetarët më pas udhëtojnë në Nikaragua për t'u bashkuar me trupin ndërkombëtar të shtypit që mbulon konfliktin mes qeverisë së Presidentit Somoza dhe rebelëve të udhëhequr nga Rafael, një figurë e fshehtë që nuk është fotografuar kurrë. Rasëll arrestohet pa asnjë arsye legjitime dhe kalon një natë në burg. Ai dhe kolegia e tij gazetare Klare takojnë Marsel Xhejzi, një spiun francez i cili është i lidhur ngushtë me Somozën, i cili i informon ata se mund të gjejnë Rafaelin në qytetin León. Ata shkojnë në León dhe mbulojnë një betejë intensive me armë nëpwr çati mes rebelëve dhe trupave qeveritare. Rasëll takon rebelët e udhëhequr nga Pedro. Pas shumë luftimeve, Rasëll takon përsëri Ots, i cili tani po lufton për qeverinë e Nikaraguas. Dhe Ots qëllon Pedron, duke e vrarë atë. Ots, amerikani misterioz i interpretuar nga Ed Harris është një nga personazhet kryesore mbështetëse në film. Ngrihet pikëpyetja: është ai i CIA-s? Me sa duket... Megjithatë, ai është gjithmonë në thellësi të punës së pistë, dhe ndërgjegjja nuk e shqetëson.
Klare dhe Rasëll marrin pjesë në një konferencë shtypi ku Presidenti Somoza njofton se Rafael është vrarë. Ata më pas takojnë rebelët të cilët premtojnë se do t’u mundësojnë një takim me Rafaelin. Të çuar në një bastion të largët, ata kuptojnë se Rafaeli ka vdekur vërtet. Rebelët i kërkojnë Rasëllit të shkrepi një foto të udhëheqësit të tyre ku ai duket i gjallë, duke besuar se kjo do ta mbajë ndezur lëvizjen aq sa të fitojnë. Edhe pse në konflikt, Klare dhe Rasëll pranojnë të ndihmojnë rebelët.
Fotografia është një sukses. Aleks vjen në Nikaragua për të marrë Rasëll të organizojë një intervistë me Rafael. Të dy shkojnë për të gjetur Rafaelin ndërsa lufta përshkallëzohet. Ata takojnë përsëri Ots, i cili këtë herë është me trupat qeveritare që po kryejnë një ekzekutim masiv. Rasëll mëson nga Ots se Xhejzi e kanë përdorur atë për të marrë fotografi të udhëheqësve rebelë, të cilët më pas janë vënë në shënjestër për t’u vrarë.
Aleks mëson se Rafaeli ka vdekur dhe Klare dhe Rasëll kanë shkelur etikën gazetareske. Megjithatë, ai nuk i ekspozon ata. Të ngatërruar në rrugën për t’u kthyer në hotel, Aleks kërkon ndihmë nga trupat qeveritare. Por ata janë paranojak dhe e ekzekutojnë atë në rrugë ndërsa Rasëll arrin të bëjë disa foto. Pas kësaj Rasëll arratiset dhe u shpëton ushtarëve që e ndjekin duke e qëlluar me armë dhe shpëton me ndihmën e një gruaje vendase që e fsheh atë në shtëpinë e saj. Fotografitë e Rasëll transmetohen në mbarë botën dhe ky është fundi i pushtetit të Somozës, i cili largohet për në Majami.

No comments:

Post a Comment