Wednesday, June 26, 2024

Kampionati evropian, kush na e fryu tullumbacen ne shqiptarëve mor aman?


Nga Leonard Veizi
 
Se kush i fryu shqiptarët, e i bëri t’u gënjente mendja se mund të fitonin Kampionatin Evropian të Futbollit 2024, i raftë pika jarebi! Dhe shqiptarët fryhen shpejt të keqen vëllai, dhe harrojnë fët e fët që deri dje hanin një tas fasule tre veta, e sot duan të dalin të parët në botë.
-Më shtruar kulufi i xha Jahos, më shtruar. I ke dhënë ujë gomarit?
Vërshimi i komenteve të shëmtuara, - ku mes të tjerash jepeshin leksione të hapura se si mund të ndërtohej ekipi kombëtar, si të luaje me të djathtën e të gjuaje me sallaken, - ishin pa fre.
Vetëm shqiptari mund të ketë guximin e çmendur të imagjinojë se do të triumfojë në fushën më të madhe të futbollit kontinental. Në fakt, ky guxim i çmendur nuk është gjë e keqe, por thjesht duhet mirë menaxhuar. E jo të lihet rrugëve si mëzi pa fre. Aijaaa... Ku rafsha mos u vrafsha! Se pastaj na ndodh si me Tomorin.
-Tomori moj, ai balash që desh të vrau Koçin. Tomka.
-E kanë marrë më qafë moj Ollgë, se e duan shumë, e përkëdhelin, ia heqin kapistallin dhe e lëshojnë të kullosë azat. Ja, kështu i marrim nganjëherë në qafë edhe fëmijët tanë edhe ne, i lëshojmë jonxhave të botës.
Pyetja që na shqetëson është: kush na e fryu tullumbacen e madhe të ëndrrave mor aman?
Tanimë, - si “kofini pas të vjelave”, - të gjithë bëjnë si ekspertë futbolli e regbie bashkë, duke thënë e stërthënë se “grupi i zjarrit” në fakt ishte një “grup shurupi”. Se ne kishim takat t’i hanim jo tek e tek të trija skuadrat me të cilat na kishte rënë bixha të luanim, por dhe të tria si grup, Italinë, Kroacinë bashkë me qershinë përmbi tortë, Spanjën.
-O kush ishte ai që të bëri kryetar ty? Po kujt i vajti mendja xhanëm? Ishim aq rehat.
Po, a e kemi me gjithë mend që ne pallojmë në dru Italinë me 4 kampionate botërore në xhepin e pasmë të pantallonave, një Evropian dhe katër trofe të tjera për vendin e dytë, pra finalist gjithsesi?
Po Spanjën me një botëror e dy evropian në xhepin e këmishës?
Ja po e heqim Kroacinë e Modriçit, që ka vite që është ndër më të mirat e botës, meqenëse nuk ka një trofe të parë.
Jo, jo... ëndrrat e shqiptarëve janë të mëdha. Si nuk do kalonim ne grupin e ferrit?! T’u thaftë gjuha jarebi! T’u thaftë dhe kaptina, more vesh! Po ne për atë pak futboll jetojmë. I patë shqipet në Dortmund, Hamburg e Dyseldorf? Edhe Adolfi do t’i kishte zili për parakalimin ceremonial që s’e arriti dot me trupat e Rajhut të Tretë. Le pastaj për luftën rrufe... e më the e të thashë.
Po ç’t’i hapim ato avaze.
Por Shqipëria humbi. Domethënë, nuk fitoi... Hej bela se u ngatërrova me këmbët e mia: Nuk e vazhdoi dot më rrugën në Kampionat e kisha fjalën.
Ptu... racë e poshtër. Lojtarë të shkundur.. Po një gol nuk bënit dot. Ta shklynit portën. 50 mijë shqiptarë lanë lesht për ju... Blenë nëpër dyqane nga një uniformë kombëtare, nga një flamur kombëtar, edhe nga një biletë për kombëtaren.
-Këta shkopinjtë mos i bëj kaq të trashë ti Avdi, mezi mbahen në dorë. Më të hollë bëji.
-Ashtu thua zotrote.
Histeria kundër trajnerit që e çoi për herë të dytë Shqipërinë në finale, por me fitore të pastra, duket me e paarsyeshme se paarsyeshmëria. Po kujt u thua? Shqiptarëve?
Ne kemi hellin që s’na lë. Ne duam të jemi qendra e botës. Duam që gjuha jonë të jetë ajo që ka formësuar edhe persishten, edhe indishten dhe gjuhët afrikane, se Evropën po e po, atë e kemi tonën. Ne duam dhe që ta fitojmë kampionatin evropian me një të parë të syrit. Të rrahim Gjermaninë e të shqepim Francën. E kur të vinte puna te Portugalia ta merrnim me dru.
-U bon kta.
Mirëpo ëndrra janë, edhe s’dalin.
Dhe në fakt dolëm me një pikë.
-Po njëzë mo,... njëzë?
-Po nuk thua faleminderit se mund të mos merrje asnjë. E ke nga Sofka.
Nuk është çudi që të dëgjosh çdo cep të kafeneve, birrarive dhe zyrave të shtetit, analistë të përkryer futbolli, të cilët me një gotë raki përpara, na shpjegojnë se si trajneri i kombëtares duhet të kishte përdorur skemën 3-4-3 që është më efektive se 4-4-2, por që me një sulmues në thellësi e me një goditje standarde në largësi....
-Shumë thellë na fute djalë, shumë thellë. Mati fjalët se në ato thekra nuk hyjmë ne! 
Që nga komentatorët sportivë në media deri tek çunat e lagjes që dikur luanin me ekipet e shkollave, të gjithë bëjnë si ekspertë.
-Batalioni 12 e fanterisë në sulm përpara...
Anonimët e shfrenuar, që për konvencion fjale po e quajmë “Mister X”, është një figurë enigmatike që shfaqet vetëm kur kombëtarja jonë fillon të luajë, është gjithmonë aty për të na treguar se si fitoret janë të garantuara. Ai na rrëfen për taktikat e fshehta dhe për yjet e rinj që do të shfaqen nga hiçi. “Kampionati Evropian është i yni,” thotë ai me një bindje që vetëm një shqiptar i vërtetë mund ta ketë.
-Po daleni mo djema!
Por, ah, grupi i ferrit! Pse të tjerët nuk e kuptojnë se grupi i ferrit është krijuar vetëm për të na testuar ne, heronjtë e rinj të Evropës? Italia, Franca dhe Gjermania mund të jenë kampionë botërorë, por ne kemi shpirtin shqiptar. Dhe kështu, ëndrra jonë thërret: "Kush e tha që nuk mundemi?"... Pastaj vazhdon: “O sa mirë me ken shqiptar”!
E vërteta është se kjo ëndërr është një ngushëllim për realitetin tonë. Kur zgjohen nga iluzioni i kampionatit, shumë shqiptarë e kuptojnë se futbolli është një arratisje e bukur nga përditshmëria jonë. Është një tullumbace që fryhet e fryhet, derisa realiteti me një gjilpërë të vogël ta shpojë dhe ta kthejë në asgjë.
-Prit o beg se ka hendek!
Por, në fund të fundit, ëndrrat na bëjnë të ndihemi gjallë. Dhe kush e di? Ndoshta një ditë, kur “Mister X” të ketë një plan të vërtetë dhe yjet tanë të rinj të mos jenë vetëm legjenda urbane, tullumbaci ynë do të mbetet i paprekur deri në fund të kampionatit. Por deri atëherë, ne do të vazhdojmë të ëndërrojmë, të diskutojmë dhe të bëjmë si ekspertë të futbollit, sepse në këtë kaos të ëmbël, gjejmë ngushëllim dhe shpresë.

No comments:

Post a Comment