Friday, July 26, 2024

Mizoria e njeriut, të heqi tullat e shtëpisë së vet derisa t’i bjerë çatia


Nga 
Leonard Veizi
 
Jetojmë ditë të vështira klimatike, të nxehta e pa reshje, por dhe me ndonjë tërmet nëpër këmbë. Njeriu nuk po ndihet rehat në shtëpinë e tij, e nuk po e bën dot një sy gjumë vape.
Po çfarë i duhet njeriut që ta flejë mendjen e të jetojë i qetë në jetë të jetëve duke menduar se hambarët i ka dëng me miell, kripë, sheqer e vaj lule dielli, sa s’ka armik që ta mposhtë?
Do të ishim shumë me fat nëse Toka do të kishte madhësinë e Jupiterit. Sepse Toka sot, është bërë më e vogël se Hëna, ndaj njeriu, pasi i ka marrë naftën kërkon: t’i bëjë naftën.
Përgjigja është e thjeshtë: I duhet një planet tjetër. Domethënë i duhet zgjerim se shtëpia që ka përveçse është e ngushtë – një dhomë e një kuzhinë, - e ka trajtuar kaq keq sa edhe shprehja “han pa porta” nuk i shkon. Por tualet publikë është një më një sepse jeta në të është bërë lësh e li aq sa nuk ia vlen të jetohet më.
Mirëpo njeriu është largpamës, dhe ka vendosur që sa t’ia gjejë anë ta braktisë Tokën. Sepse Tokës po i mbarojnë mundësitë. Ndaj është sulur të gjejë ndonjë planet të ri, ku të vendosi një linjë urbani me pilot automatik e të transportojë 8 miliard njerëzit e sotshëm, e që nesër nuk i dihet sa do shkojë shtesa. Ka lëshuar satelitët nëpër kozmos e i ka vënë dylbitë vrimave të zeza, duke kontrolluar për të ditur nga e kanë hyrjen e nga i dilet. Çështje probabiliteti, tek e fundit. Se në këtë lukuni planetësh që vërtiten kot së koti, do këtë ndonjë të pabanuar që mezi ç'po pret të popullohet. Dhe njeriu është i gatshëm.
Në përpjekjen e tij për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të zgjeruar aktivitetet ekonomike, njeriu, shpesh herë ka ndërhyrë në natyrë pa marrë parasysh pasojat e këtyre veprimeve. Këto ndërhyrje, të maskuara nën emrin e zhvillimit dhe përparimit, po shkatërrojnë planetin në mënyra të ndryshme dhe me një ritëm alarmant.
Po si e ka shkatërruar njeriu shtëpinë e vet, Tokën?
Tre nga faktorët kryesorë të këtij degradimi janë bonifikimet, betonizimet dhe mbetjet urbane. Por ka edhe më shumë se kaq. Ja t’i zemë me rradhë:
*Bonifikimet, të cilat fillimisht u prezantuan si një zgjidhje për të shndërruar tokat kënetore e moçalore në toka të punueshme, kanë sjellë pasoja të rënda ekologjike. Këto zona, që dikur ishin habitat natyral për shumë specie, janë shkatërruar për t’i bërë vend kulturave bujqësore. Humbja e biodiversitetit është një nga pasojat më të mëdha të këtij procesi. Më tej, bonifikimet kanë ndërhyrë në ciklin natyror të ujit, duke shkaktuar përmbytje e tharje të lumenjve apo liqeneve.
*Ndërtimi i pakontrolluar dhe urbanizimi i tepruar kanë transformuar peizazhin natyror në qytete të betonizuara, duke zëvendësuar pyjet, fushat dhe zonat e gjelbra me ndërtesa, rrugë dhe parkime. Efekti i “ishujve të nxehtësisë” në qytete rrit temperaturat lokale, ndërsa mungesa e sipërfaqeve të gjelbra pengon absorbimin e ujërave të shiut.
*Prodhimi dhe menaxhimi i mbetjeve urbane është një tjetër problem i madh ekologjik. Sasitë e mëdha të mbetjeve, përfshirë plastikën, mbetjet organike dhe materialet e riciklueshme, nuk trajtohen siç duhet. Depozitat e mbetjeve zënë hapësira të mëdha dhe ndotin tokën dhe ujërat nëntokësore. Ndërkohë, djegia e mbetjeve çliron gazra të dëmshme në atmosferë, duke kontribuar në ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike.
*Uji i pijshëm është një nga burimet më të çmuara në planetin tonë, por fatkeqësisht është në rrezik serioz. Problemet me ujin e pijshëm janë rezultat i një kombinimi faktorësh. Ndotja nga kimikatet industriale, mbetjet bujqësore dhe mbetjet urbane ka ndikuar në cilësinë e ujit, duke e bërë të papërshtatshëm për konsum njerëzor.
*Një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në tharjen e lumenjve është shpyllëzimi dhe degradimi i tokës. Kur pyjet priten, toka bëhet më pak e aftë për të mbajtur ujin, duke çuar në tharjen e lumenjve dhe në përmbytje. Degradimi i tokës, i shkaktuar nga bujqësia intensive dhe urbanizimi, gjithashtu kontribuon në këtë problem.
*Detet dhe oqeanet janë bërë depozita të mëdha për mbetjet plastike. Çdo vit, miliona tonë plastike përfundojnë në det, ku shpërndahen dhe bëhen pjesë e ekosistemit. Mikroplastikat, që rezultojnë nga shpërbërja e mbetjeve më të mëdha, përhapen në të gjitha nivelet e ushqimit detar. Qëniet ujore i gëlltisin këto copëra plastikash. Kjo ka krijuar pasoja të rënda për gjallesat detare dhe për shëndetin e njerëzve që konsumojnë produktet e detit.
*Lëndët radioaktive, të cilat shpesh janë rezultat i testeve bërthamore, aksidenteve në centralet bërthamore dhe hedhjes së mbetjeve radioaktive, përfundojnë gjithashtu në oqeane. Këto lëndë, që janë tepër të rrezikshme, dekompozohen shumë ngadalë dhe mbeten në mjedis për qindra apo edhe mijëra vjet. Kur këto substanca bien në fund të oqeanit, ato mund të ndotin ujërat e thella dhe sedimentet detare.
*Ndotja e atmosferës është një nga problemet më serioze mjedisore me të cilat përballet bota sot. Çlirimi i gazrave të dëmshëm si dioksidi i karbonit, metani, oksidet e azotit dhe komponimet organike të avullueshme kontribuon në ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike. Një nga pasojat më të dukshme të ndotjes së atmosferës është efekti serë. Ngrohja globale ka pasoja të shumta negative, duke përfshirë shkrirjen e akujve polarë, rritjen e nivelit të detit, dhe ngjarje ekstreme si uraganët dhe thatësirat. Shtresa e ozonit është një shtresë e hollë gazi që ndodhet në stratosferë dhe që luan një rol kyç në mbrojtjen e jetës në Tokë. Ajo vepron si një mburojë, duke thithur shumicën e rrezatimit ultravjollcë të dëmshëm nga Dielli. Shtresa e ozonit është dëmtuar kryesisht për shkak të përdorimit të kimikateve të quajtura klorofluorokarbone  dhe substancave të tjera të ngjashme. Këto kimikate janë përdorur tek frigoriferët, ajri i kondicionuar dhe aerosolet. Ky proces ka krijuar vrima të mëdha në shtresën e ozonit, veçanërisht mbi Polin e Jugut. Shkatërrimi i shtresës së ozonit ka sjellë rritjen e nivelit të rrezatimit UV që arrin në sipërfaqen e Tokës. Kjo ka shkaktuar një rritje në rastet e kancerit të lëkurës dhe kataraktit, si dhe dëmtime në ekosisteme dhe prodhime bujqësore.
Në përfundim, ndërhyrjet e njeriut në natyrë po e shkatërrojnë planetin blu.
Duke parë që në Tokë, - të cilës i ka vënë flakën, - nuk ka të ardhme, njeriu i ka vënë syrin kozmosit. O do gjejë një planet me kushte ideale, që të jetë të paktën nja 200 fish i madhësisë së Tokës, ku të ketë resurse pa fund e çdo tokësor të jetë një fermer me një plantacion sa pasuria t’i dalë nga hundët, e sytë sytë vëndit, o do pëlcasë nga marazi.
Por deri sa të vijë ajo ditë, do kenë kaluar shumë kohë. Aq shumë kohë do kalojë sa dhe Paqësori do jetë kthyer si një rezervuar pa digë.

No comments:

Post a Comment