Leonard Veizi
Kalendari historik të kujton se 391 vite më parë, më
20 shtator 1633, shkencëtari italian Galileo Galilei u gjykua nga Kisha Katolike
për teorinë e tij, sepse thoshte që Toka sillej rreth Diellit. Për këtë arsye
ai u mbyll në arrest shtëpiak për pjesën e mbetur të jetës, deri në vdekjen e
tij më 1642, në moshën 77-vjeçare...
...Galileo
Galilei është një nga figurat më të mëdha të historisë shkencore, jo vetëm për
kontributet e tij thelbësore në fizikë, astronomi dhe matematikë, por edhe për
përballjen e tij dramatike me Inkuizicionin e Kishës Katolike. Një nga çastet
më ikonike të jetës së tij, pas një periudhe të gjatë hetimi dhe shtypjeje nga
Inkuizicion,i është gjyqi për të në vitin 1633, ku ai thuhet se deklaroi
"E pur si muove" apo thënë shqip “Megjithatë, ajo lëviz”. Më pas kjo
frazë u kthye në simbolin e triumfit të së vërtetës shkencore përkundrejt
dogmave të kohës.
Galilei
kishte argumentuar se Toka ishte një planet që rrotullohej rreth Diellit, duke
sfiduar teorinë e Ptolemeut, e cila e vendoste Tokën në qendër të universit.
Kjo ide sfidonte jo vetëm konceptet shkencore, por edhe besimet fetare, duke e
bërë Galilein një figurë të kontestuar.
Megjithatë,
rreth kësaj ngjarjeje ka interpretime të ndryshme, si dhe keqkuptime të thella,
përfshirë teoritë bashkëkohore që përpiqen të sfidojnë vetë idenë që Toka është
e rrumbullakët.
Konflikti
Në
shekullin e XVII, Kisha Katolike ishte ende një fuqi e padiskutueshme politike
dhe shpirtërore në Evropë. Sistemi kopernikan, që propozonte se Dielli, jo
Toka, ishte në qendër të universit, ishte një sfidë për dogmën gjeocentrike që
mbizotëronte në mendësinë e krishterë prej shekujsh. Pavarësisht se teoritë
heliocentrike të Kopernikut kishin qarkulluar për dekada, ishte Galileo që i
solli ato në qendër të debatit me anë të kërkimeve dhe eksperimenteve të tij.
Galileo
përdori teleskopin, një pajisje që ai përmirësoi, për të vëzhguar trupat
qiellorë, duke zbuluar satelitët e Jupiterit, fazat e Venusit, dhe njollat e
Diellit. Këto vëzhgime ishin të papajtueshme me teorinë gjeocentrike dhe
forcuan idenë se Toka nuk ishte qendra absolute e universit. Në këtë mënyrë,
Galileo erdhi në konflikt të drejtpërdrejtë me autoritetet kishtare.
Inkuizicioni
Në
vitin 1616, Kisha kishte dënuar idenë kopernikane si heretike dhe e kishte
paralajmëruar Galileo-n që të mos e përkrahte më publikisht. Megjithatë,
Galileo vazhdoi kërkimet dhe publikoi veprën e tij "Dialogo sopra i due
massimi sistemi del mondo" ose e ardhur në shqip “Dialog mbi dy sistemet
më të mëdha të botës” në vitin 1632, ku ai paraqiste argumentet pro dhe kundër
gjeocentrizmit dhe heliocentrizmit. Kjo vepër u pa si një mbrojtje e hapur e
teorisë kopernikane dhe si një sfidë për autoritetin e Kishës.
Gjatë
gjyqit të tij nga Inkuizicioni në vitin 1633, Galileo u përball me presione të
mëdha. Edhe pse ai u detyrua publikisht të heqë dorë nga mësimet e tij, mbetet
e përhapur një legjendë që, pasi pranoi se Toka nuk lëviz, ai thuhet se e
pëshpëriti në fund "Megjithatë, ajo rrotullohet." Kjo frazë nënkupton
rezistencën e tij ndaj të pavërtetave të imponuara, si dhe besimin e tij të
thellë në të vërtetën shkencore.
Toka e sheshtë
Në
një kthesë të çuditshme, ndonëse Galileo dhe shkencëtarët e tjerë të kohës së
tij dhanë prova të pakontestueshme për natyrën e rrumbullakët të Tokës dhe
lëvizjet e saj, disa grupe sot pretendojnë që Toka është e sheshtë dhe se
Dielli rrotullohet sipër saj. Në kohët moderne, ideja e Tokës së sheshte ka
rifituar popullaritet, veçanërisht përmes teorive të konspiracionit. Disa
individë besojnë se informacioni mbi formën sferike të Tokës është një mashtrim
i organizimeve të fuqishme, si qeveritë dhe agjencitë shkencore. Ky është një
fenomen i vonshëm që përfaqëson më shumë një reagim ndaj shkencës moderne dhe
globalizimit, sesa një bazë të qëndrueshme shkencore. Përkrahësit e teorisë së “Tokës së sheshtë”
shpesh përdorin argumente të thjeshta ose sofizma për të sfiduar të dhënat
shkencore të pranuara. Ata shpesh mohojnë provat empirike të ofruara nga
astronomia dhe fizika, përfshirë misionet hapësinore dhe imazhet satelitore.
Kjo rrymë ka marrë hov falë shpërndarjes së informacionit në internet dhe
rrjeteve sociale, duke krijuar një platformë për dezinformimin. Teoria e fabrikuar
e “Tokës së Sheshtë” mbetet sot si një sfidë për shkencën moderne
Përballja
Përvoja
e Galileo Galileit dhe përpjekjet bashkëkohore për të promovuar idenë e Tokës
së sheshtë na kujtojnë se përballja mes shkencës dhe dogmës nuk është thjesht
një ngjarje historike e kaluar, por një proces që vazhdon edhe sot. Ndonëse
shumë argumente të teorive të Tokës së sheshtë janë lehtësisht të hedhura
poshtë nga faktet shkencore moderne, fenomeni i këtyre teorive konspirative
ngre pyetje për fuqinë e perceptimeve, autoritetin e shkencës dhe mënyrën se si
shoqëritë ndajnë dhe përpunojnë informacionin.
Trashëgimia
Galileo
mbetet një figurë qendrore jo vetëm për shkencën, por edhe për lirinë
intelektuale. Përballja e tij me Inkuizicionin është një simbol i luftës së
dijetarëve kundër censurës dhe për të drejtën për të kërkuar të vërtetën,
pavarësisht dogmave politike apo fetare. Në një botë ku teoritë konspirative
përhapen lehtësisht, shembulli i Galileo-s na kujton rëndësinë e skepticizmit
racional dhe të mbështetjes mbi provat empirike si gur themeli i dijes
njerëzore.
Toka
vazhdon të rrotullohet, pavarësisht nga çdo përpjekje për të mohuar faktet
shkencore. Ashtu si në kohën e Galileo-s, kërkimi për të vërtetën është një
sfidë që kërkon kurajë dhe përkushtim.
E
ndërsa Galileo Galilei ishte një pionier i shkencës moderne, duke sfiduar
besimet e kohës së tij dhe duke e çuar përpara njohjen njerëzore për universin,
teoria e “Tokës së sheshte” ka rrethana të ndryshme në periudha të ndryshme, që
tregon se besimi në konspiracione ka qenë e të jetë një përbërës i shoqërisë
sonë.
No comments:
Post a Comment