Monday, September 16, 2024

Legjenda “Concorde” , avioni me pasagjerë që pilotohej si të ishte një ushtarak

 “Aeroport ‘79”


 


 
Nga Leonard Veizi
 
Ata ishin kulmi i teknologjisë ajrore. Elegant dhe shumë të shpejtë. Quheshin “Concorde”. Dhe fluturuan për të kapërcyer Atlantikun për 30 vite me radhë. Por vetëm paq, sepse u desh të dilnin në pension, duke besuar se për këtë periudhë kohe e kishin plotësua kilometrazhin e mundshëm të jetës ajrore...
 
...21 vjet më pas, lajmet e fundit na informojnë se një aeroplan tip “Overture”, - për transport pasagjerësh, - i kompanisë amerikane “Boom Supersonic”, mund të arrijë të zëvendësojë aeroplanin supersonik “Concorde”, që u tërhoq nga tregu pasi bëri fluturimin e tij të fundit në nëntor 2003. Dhe kjo padyshim është një tjetër arritje, pas boshllëkut që krijoi dalja jashtë loje e legjendës “Concorde”
 
Avioni supersonik
“Concorde” ishte një avion supersonik komercial, i cili fluturoi për herë të parë në vitin 1969 dhe shërbeu deri në vitin 2003. Ai mund të arrinte shpejtësi dy herë më të shpejtë se zëri, duke bërë që pasagjerët të udhëtonin shumë më shpejt në distanca të gjata. Ky avion simbolizonte kulmin e teknologjisë ajrore të kohës, por gjithashtu kishte kosto të larta operacionale dhe kufizime mjedisore, të cilat kontribuuan në tërheqjen e tij nga shërbimi.
“Concorde” ishte një aeroplan supersonik anglo-francez dhe u prodhua nga dy kompani evropiane ajrore, Air France dhe British Airways. Në fakt shpejtësisa e Konkordit gjatë fluturimit në një lartësi prej 16 000-18 000 metra ishte 2,04 Mach. Ndërsa kapaciteti ishte nga 92 deri në 128 pasagjerë.
Ndërkohë me avionin e tyre “Overture”, kompania amerikane “Boom Supersonic” synon të arrijë shpejtësi prej 1.7 Mach, me deri në 80 pasagjerë në bord dhe distanca mbi 6800 kilometra. Por fluturimi i tij i parë me pasagjerë vlerësohet të realizohet rreth vitit 2029.
 
Historiku
Studimet për “Concorde” filluan në vitin 1954 dhe Franca dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan një traktat për krijimin e projektit të zhvillimit më 29 nëntor 1962, pasi kostoja e programit u vlerësua në 70 milion paund i barabartë me 1.68 miliardë paund të vitit 2023. Ndërtimi i gjashtë prototipeve filloi në shkurt 1965 dhe fluturimi i parë u nis nga Toulouse më 2 mars 1969. Tregu ishte parashikuar për 350 avionë dhe prodhuesit morën deri në 100 porosi nga shumë linja ajrore kryesore.
“Concorde” hyri në shërbim më 21 janar 1976. Fluturimet transatlantike ishin tregu kryesor. Por "Air France" dhe "British Airways" mbetën klientët e vetëm me shtatë korniza avioni secili.
Konkurrenti i tij i vetëm ishte prodhimi rus "Tupolev Tu-144", që transportonte pasagjerë nga nëntori 1977 deri në një aksident në maj 1978. Një tjetër konkurrent i mundshëm, Boeing 2707, u anulua në 1971. Kështu që "Concodre" mbeti i vetëm.
Më 25 korrik 2000, Fluturimi 4590 i "Air France" u rrëzua menjëherë pas ngritjes. 109 pasagjerët në bord dhe katër njerëz në tokë mbetën të vdekur. Ky ishte i vetmi incident fatal që përfshinte "Concorde". Shërbimi u pezullua deri në nëntor 2001. Avionët e mbijetuar u tërhoqën në 2003, 27 vjet pasi kishin filluar operacionet tregtare. Tanimë veç 2 nga 20 avionët e ndërtuar janë ruajtur për të qenë pjesë e ekspozimeve.
 
Filmi
"Concorde"-it iu bë një reklamë e paparë. Madje u investua që ai të ishte “aktori” kryesor i një filmi. "The Concorde... Airport '79" është titulli i tij origjinal, por Televizioni Shqiptar e trasmetoi atë me nje version të shkurtuar si “Aeroport 79”. Ai është filmi i katërt dhe i fundit në serinë "Airport", e cila përqendrohet në krizat dhe katastrofat e fluturimeve ajrore. Ky film u publikua në vitin 1979 dhe përqendrohet te një fluturim me avionin supersonik “Concorde”, një nga avionët më të shpejtë të kohës, i njohur për aftësinë e tij për të kaluar shpejtësinë e zërit.
Filmi u drejtua nga Deivid Louell Riç. Kasti i gjithë yjeve përfshin Xhorxh Kenedi, i cili u shfaq në të katër filmat nga seria e Aeroportit, dhe me Alen Delon, Susan Bleikli dhe Robert Vagner në rolet kryesore.
 
Ngjarja
Në film, kompania ajrore përgatitet për një fluturim ndërkombëtar nga SHBA në Paris dhe më pas në Moskë. Gjatë këtij udhëtimi, një gazetare - e interpretuar nga Susan Bleikli - zbulon një komplot të rrezikshëm që përfshin një biznesmen të fuqishëm dhe armë ilegale. Ky biznesmen përpiqet të sabotojë fluturimin për të mbuluar veprimet e tij të paligjshme, duke vënë në rrezik jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit.
Aksionet përfshijnë disa tentativa për të rrëzuar avionin, me avionë luftarakë që e ndjekin dhe një raketë të lëshuar për të goditur avionin. Kapiteni, i luajtur nga Alen Delon, dhe ekuipazhi bëjnë përpjekje heroike për të shpëtuar pasagjerët. Dhe një avion tip “Concorde” ishte i gatshëm të bënte shumë akrobaci për t’i shpëtuar rrezikut, aq sa mund të besoje se ai kishte vetitë e një avioni luftarak dyvendësh.
 
Kritikat dhe vlerësimi
Filmi nuk pati sukses të madh kritik dhe u konsiderua si një përpjekje më e dobët krahasuar me filmat e mëparshëm të serisë "Airport." Pavarësisht skenave të mëdha aksioni dhe prezencës së "Concorde"-it, filmi shpesh ironizohet për skenarin dhe aktrimin, dhe është parë më shumë si një aventurë "B movie" - që simbolizon një film të lirë dhe të bërë keq, - sesa një thriller serioz.
Ndonëse u pasqyrua në mënyrë kritike dhe pati pak arkëtime në Amerikën e Veriut, filmi ishte një sukses komercial ndërkombëtarisht, duke fituar një total prej 65 milionë dollarësh me një buxhet prej 14 milionë dollarësh në prodhim.
Gjithsesi, për ata që janë të apasionuar pas aviacionit dhe “Concorde”-it, filmi ofron disa pamje interesante të avionit në veprim.
 

No comments:

Post a Comment