Nga Leonard Veizi
E
famshme në të gjithë botën “Puthja” është një pikturë e shprehjes së fuqishme
të dashurisë, intimitetit dhe lidhjes ndërmjet dy qenieve njerëzore. Arketipi i
butësisë dhe pasionit. Erotike në magjepsjen e saj. Por ajo është dhe një nga
veprat më ikonike të piktorit austriak Gustav Klimt...
...Gustav
Klimt, një nga artistët më të shquar të shekullit XX dhe figurë kyçe e lëvizjes
së “Vienna Secession”, krijoi "The Kiss" - mes viteve 1907-1908, -
apo siç njihet ndryshe në gjuhën gjermane “Der Kuss”, si një kryevepër që
sintetizon fuqinë e dashurisë dhe ndërlidhjen shpirtërore midis dy qenieve.
Piktura shquhet si një nga veprat më ikonike të artit modern dhe simbolizon
kulmin e periudhës së tij të "artit të artë". Ajo ruhet në Muzeun “Belvedere” të Vjenës.
Klimt
jetoi dhe punoi në kryeqendrën austriake në një kohë kur qyteti ishte dhe një
qendër e rëndësishme kulturore dhe intelektuale. Periudha e “Art Nouveau”, e
njohur në Gjermani si "Jugendstil", ishte në kulmin e saj, dhe Klimt
ishte një nga figurat kryesore të kësaj lëvizjeje. "The Kiss" – një tablo
me përmasa 180 me 180 centimetra, - u krijua në një kohë kur Klimt po
eksperimentonte me stilistikën e tij të veçantë, duke kombinuar elemente të
artit bizantin, simbolizmit dhe dekorativizmit.
Piktura
përshkruan një çift të përqafuar, të mbështjellë në një mantel të stolisur me
ar dhe motive dekorative. Në informacionet e botuara më herët mendohet se Klimt
dhe shoqëruesja e tij Emilie Flozh kanë modeluar për veprën, ndërsa të tjerë
kanë spekuluar se ishte kompozitorja austriake Alma Maler. Të tjerë sugjerojnë
se femra ishte modelja e njohur si 'Red Hilda'. Por nuk ka asnjë provë për t’i
vërtetuar të gjitha këto.
Teknika
"The
Kiss" është një pikturë që përdor një kombinim të teknikave tradicionale
dhe inovative. Klimt përdor një paletë të pasur me ngjyra të arta dhe argjendi,
duke krijuar një atmosferë të shkëlqyer dhe të magjepsëse. Pjesa më e madhe e
pikturës është e mbuluar me modele të ndërlikuara dhe motive gjeometrike, të
cilat janë karakteristike për stilin e Klimt.
Figurat
në pikturë janë të përfshira në një përqafim të ngushtë, me trupin e tyre të
mbuluar nga një mantel i dekoruar me motive të ndryshme. Motivet e përdorura në
mantel janë të frymëzuara nga arti bizantin dhe arti i lashtë egjiptian, duke
shtuar një dimension simbolik në vepër.
Format
janë të thjeshta, por të ndërlikuara për nga simbolika. Koka e gruas është e
kthyer me delikatesë drejt burrit, me sytë gjysmë të mbyllur, duke pasqyruar
dorëzimin emocional dhe intimitetin. Ndërsa burri, duke u përkulur drejt saj,
sugjeron adhurim dhe pasion. Sfondi i artë e nxjerr çiftin jashtë kohës dhe
hapësirës, duke i vendosur ata në një realitet universal të dashurisë.
Simbolika
Në
"The Kiss," Klimt eksploron jo vetëm aspektin fizik të dashurisë, por
edhe atë shpirtëror dhe kozmik. Motivet e përdorura – si rrethet, spiralet dhe
format florale – përfaqësojnë lidhjen midis natyrës dhe njerëzimit, si dhe
përjetësinë e ndjenjës njerëzore të dashurisë.
Figura
e gruas simbolizon bukurinë natyrore dhe frymëzimin krijues, një temë që Klimt
shpesh e trajtoi në veprat e tij. Nga ana tjetër, figura mashkullore mund të
interpretohet si simbol i energjisë racionale dhe fuqisë mbrojtëse. Së bashku,
ato formojnë një njësi të pandashme, një arketip të unitetit ndërnjerëzor.
Kritika
e kohës shkruan se: Klimt përdor arin si medium kryesor, duke i dhënë veprës
një cilësi të shenjtëruar, pothuajse hyjnore, e cila kujton mozaikët bizantinë.
Figura e burrit është e veshur me modele gjeometrike të forta, ndërsa gruaja me
motive lulesh dhe forma rrethore, duke krijuar një kontrast që thekson dallimin
dhe harmoniën midis gjinive.
Konteksti
E
krijuar gjatë periudhës së Art Nouveau dhe kulmit të periudhës së tij të artë,
piktura përfaqëson një lloj rezistence ndaj normave të artit tradicional
akademik. Në një Vjenë që po përjetonte transformime të mëdha kulturore dhe
shoqërore, "The Kiss" përfaqësonte një estetikë të re që vendoste
ndjenjën dhe bukurinë përpara racionalizmit dhe formalizmit.
Veç
kësaj, piktura pasqyron marrëdhënien komplekse të Klimt me gratë. Ai e
idealizonte gruan si burim frymëzimi, duke e portretizuar shpesh me një
sensualitet të guximshëm, por edhe me një ndjeshmëri të thellë. "The
Kiss" është një kulm i kësaj filozofie, duke mishëruar idenë se dashuria
dhe bukuria janë forca transcendentale.
Interpretimet
"The
Kiss" është një vepër e pasur me simbole dhe metafora. Ajo ka tejkaluar
kufijtë e kohës dhe vendit, duke u bërë një simbol universal i dashurisë dhe
intimitetit.
Përqafimi
i dy figurave mund të interpretohet si një shprehje e dashurisë dhe
intimitetit, por edhe si një simbol i lidhjes ndërmjet dy qenieve njerëzore.
Manteli i dekoruar me motive të ndryshme mund të shihet si një simbol i
kompleksitetit të marrëdhënieve njerëzore dhe të ndërlikimeve të dashurisë.
Një
tjetër interpretim i mundshëm është se "The Kiss" përfaqëson një
lidhje midis artit dhe jetës. Klimt ishte i interesuar në eksplorimin e
lidhjeve ndërmjet artit dhe realitetit, dhe kjo vepër mund të shihet si një
manifestim i këtij interesimi.
Ngrohtësia
e pikturës, e kombinuar me ndërlikimet e saj simbolike, fton shikuesin të
reflektojë mbi përvojat e veta emocionale dhe të gjejë një ndjeshmëri
universale brenda saj.
Kjo
kryevepër nuk është thjesht një pikturë; është një shprehje e ndjenjave më
themelore të qenies njerëzore – dëshira për dashuri, për lidhje dhe për
përjetësi. Në këtë mënyrë, Klimt krijoi një vepër që rezonon në mënyrë të
përjetshme me çdo epokë dhe kulturë.
Ndikimi
Kritika
e ka konsideruar "Puthjen" jo thjesht si një pikturë, por një
eksperiencë që na fton të depërtojmë në thellësitë e emocioneve dhe të lidhjeve
njerëzore, duke na kujtuar fuqinë dhe bukurinë e artit.
Tabloja
në fjalë ka pasur një ndikim të madh në
artin modern dhe bashkëkohor. Stili i Klimt ka frymëzuar shumë artistë të rinj.
Piktura është bërë një simbol i dashurisë dhe romancës, dhe është përdorur në
shumë kontekste të ndryshme, nga libra dhe revista deri te filmat dhe reklamat.
Fundi
Gustav
Klimt vdiq më 6 shkurt 1918 pas një goditjeje cerebrale dhe pneumoni të
shkaktuar nga gripi spanjoll. Piktura të shumta prej tij mbetën të
papërfunduara. I cilësuar si “mjeshtri i stolive” dhe “piktori i grave joshëse”
ai u varros në një varr nderi në Varrezat “Hietzing” në Vienë. Ndërkohë, më
parë se kaq, Gustav Klimt u lind në 14
korrik të vitit 1862. Dhe jetoi 56 vite.
No comments:
Post a Comment