-Kur ndahen nga jeta korifejtë e letërsisë-
Nga Leonard Veizi
Vath
Koreshi dhe Dritero Agolli nuk i bashkon veç fakti që ishin shkrimtarë, anëtarë
të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë duke përfaqësuar
të dy Partinë Socialiste. Ata i lidh përfundimisht edhe data 3 shkurt. Sepse
pikërisht në një ditë të tillë fillim muaji kanë vdekur të dy. Fillimisht Vath
Koreshi në vitit 2006 në një spital të Romës dhe 11 vite më pas në po të njëjtën
datë të vitit 2017 ndahet nga jeta Dritëro Agolli në atë që quhet Spitali
Universitar Shefqet Ndroqi, por që njihet si Sanatoriumi i Tiranës. Por Dritëro
Agolli i kishte kaluar 85 vite nga jeta kur u largua për në amëshim, ndërsa
Vath Koreshi donte edhe dy muaj të bënte 70 vjeç....
...
Koreshi dhe Agolli janë dy nga figurat më të shquara të letërsisë shqiptare, të
cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e letërsisë moderne
shqiptare. Secili prej tyre ka pasur një ndikim të veçantë, duke ofruar një
pasuri temash, karakteresh dhe stilistikash që janë aq të rëndësishme për
lexuesit shqiptarë.
Vath Koreshi
Pa
dashur të ripërsëris veten, por duke dashur tw trasmetoj tw njwjtwn vlerw, në
një shkrim të mëparshëm botuar në gazetën Fjala, me titullin “Universi i Vath Koreshit, letërsi në të gjitha dimensionet” kam
shkruar këto fraza:
Lajmi për vdekjen e shkrimtarit rrugëtoi
ethshëm nëpër linjën e detit, me një shpejtësi të skajshme, për të ardhur nga
Roma në Tiranë vetëm për një të qindtën e sekondës. “Ndërroi jetë”. Pastaj
shpërndarja e fjalëve në një gjysmë zëri ishte po aq e shpejtë për të ardhur
tek secili nga ne me pasigurinë e një lajmi që në fakt nuk duhej të ishte i
tillë. Një klithmë habie dhe pastaj heshtje… për ta marrë mbi vete masën e
plotë të vërtetësisë se diku atje, në shtratin e një spitali të largët, të një
toke të huaj,
Vath Koreshi nuk ishte një shkrimtar i
zakonshëm, të cilit qoftë prej mediokritetit apo mosthënies së asgjëje me vlerë
në fushën e letrave, do t'i ishte harruar emri mes rreshtash, apo do t'ia
kishte varrosur veprën një pluhur bodrumesh në bibliotekat e lagjeve. Por, në
fakt, ai ishte Shkrimtar, me plot kuptimin e fjalës, dhe si i tillë as që mund
të priste një prapashtesë mbështetëse, fjala vjen: i talentuar, i madh, i
shquar, apo i jashtëzakonshëm... Pse,
tituj për Vathin ishin këta? Për Vathin që dukej hijerëndë e thuajse kozmik në
pamje të parë, por që ishte aq i thjeshtë e njerëzor, nëse e njihje nga afër.
Ai ishte shkrimtar, dhe kaq duhet për t’i pasur mbi vete të gjitha, titujt
zyrtarë dhe ata verbalë.
Ka bërë letërsi në të gjitha dimensionet. Krijimtaria
e Vath Koreshit është shumë e begatë, po të kemi parasysh tregimet, novelat,
romanet, skenarët e filmave dhe dramat, të cilat ai i ka përshirë në të gjithë
krijimtarinë. Në të gjallë të tij me shumë gjasa nuk do të pranonte ta cilësoje
si të tillë, por në heshtjen e tij mbi tokë kemi të drejtë të themi se ai ishte
ndër shkrimtarët elitë të prozës shqipe, për të mos shkuar më tej. Kritika
është shprehur se si shkrimtar kishte ardhur gjithnjë në rritje, duke
perfeksionuar mënyrën, këndin e vështrimit të realitetit dhe duke e rritur
cilësinë artistike të prozës. Pas viteve ’90, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë
që nuk u shkëputën dot plotësisht nga realizmi socialist, ai krijoi vepra
krejtësisht të tjera me konflikte të ashpra, me ide universale, me mesazhe
njerëzore, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të jashtëzakonshëm në
letërsinë shqiptare.
Koreshi punoi si gazetar te "Zëri i
Rinisë" dhe më pas, te "Drita". Është autor i disa romaneve,
novelave e vëllimeve me tregime si “Dy të shtunat e Suzanës”, “Mali mbi
kënetë”, “Requiem për një grua”, “Haxhiu i Frakullës”, “Dasma e Sakos”,
“Konomea”, “Një grua me të verdha”, “Rrugë për larg”. Ai gjithashtu është skenarist
i së paku 20 filmave si “Liri a vdekje”, “Balada e Kurbinit”, “Syri Magjik”,
“Dasma e Sakos”, “Besa e kuqe”, “Rrugë të bardha” etj. Ndërsa romani “Ulku dhe
Uilli”, i cilësuar si një nga më të mirat e tij, është krahasuar nga kritika në
lartësinë e veprave më të mëdha të letërsisë shqipe. Ndonëse në pak më shumë se
100 faqe, autori përmbledh me mjeshtëri dhe gjetje gjuhësore konfliktin e
fshehtë mes moralit fetar dhe fetar dhe mëkatit njerëzor.
Dritero Agolli
E
vështirë të shkruash në vazhdimësi për një shkrimtar si Dritëro Agolli. Ndaj
edhe në këtë emër do të mjaftohem me pak rreshta të shkëoputur nga shkrimi me
titull “Dritëro Agolli, i përjetshmi i letërsisë”, botuar po në gazetën Fjala:
Titulli
si “patriarku i letrave shqipe” nuk bie me vdekjen e tij. Përkundrazi, tanimë
ai qëndron mbi të gjitha çmimet e titujt që kishte marrë sa ishte gjallë. Dhe
titujt e çmimet për të nuk kanë munguar. Gjithsesi, Dritëro Agolli cilësohet
ndryshe dhe si një nga shkrimtarët më të mirë në letërsinë shqipe, në lëvrimin
e vargjeve poetike dhe në të shkruarin e prozës gjithashtu.
Dritëroi
ishte njeri i thjeshtë e popullor. Isha rritur nën hijen e mistershme e disi të
rëndë që atij i jepte qenësia e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Deputet
i Kuvendit të dikurshëm Popullor. Pushtet politik me doza të mëdha, por shumë
më tepër një pushtet letrar, si dhe një makinë “Polski Fiat” të cilën e kishte
në dispozicion sa zbriste poshtë shkallëve të shtëpisë.
Pas
viteve ’90, teksa njihesha me Dritëroin, - tanimë me një peshë të dyfishtë për
atë çfarë përfaqësonte, edhe pse jo më si Kryetar i Lidhjes, - hija e tij e
rëndë u zhbë njëherazi. Sepse ai ishte Dritëroi, babaxhan e hokatar, me të
cilin mund të bashkëbisedoje lirshëm madje dhe të të dëgjonte gjatë, duke
tymosur vazhdimisht një cigare, për ato ç’ka mund t’i llomotisje, që mbase për
të nuk përbënin as një kuriozitet të përciptë.
Me
flokë të thinjura që gati i binin mbi supe, ai mbeti fisnik në brendësinë e
tij, po aq sa transmetonte në pamjen e parë.
Sot
në bibliotekën personale, librat e Dritëro Agollit qëndrojnë në radhë. Janë aty
poemat “Nënë Shqipëri” dhe “Devoll Devoll”, por dhe romanet “Komisari Memo”, “Njeriu
me top”, “Trëndafili në gotë” si dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Për
më tej, do të më duhet të shkoj sërish në librari, sepse krijimtaria e tij
është shumë më e gjerë se kaq.
Ai
vinte në Tiranën e viteve ’60, pasi ishte diplomuar në Fakutetin e Arteve të
Shën Petersburgut që asokohe quhej Leningrad. Ishte i ri dhe plot energji, ndaj
jo vetëm shkruante lajme e reportazhe për gazetën “Zëri i Popullit” ku punonte,
por thurte vargje pambarim në copa letrash dhe proza i zinte një kohë të
pamjaftueshme.
Vite
më pas teksa konsolidohej, u cilësua si poeti i tokës dhe i dashurisë,
shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Kritika e kohës ishte
shprehur për të se u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për
poezinë. E sipas kësaj kritike ai krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.
Për më tej se kaq do të futeshim në një labirinth shprehjesh të ngurta e
skematike, çka në vend ta lartësonte shkrimtarin e madh, më shumë do t’ia
zbehte vlerat. Por gjithsesi na lejohet që për një kompromis të shkurtër e
teknik të themi se gjatë gjithë karrierës së tij artistike Dritëro Agolli ka
lëvruar: poezinë dhe poemën, tregimet dhe novelat, romanin dhe dramën,
reportazhin dhe kritikën, analizën dhe raportin e lajmit, e për së fundi dhe
skenarin e filmit. Më i plotësuar se kaq nuk mund të bëhet një shkrimtar
Ndikimi
Ndikimi
i Vath Koreshit dhe Dritero Agollit në jetën letrare shqiptare është i
jashtëzakonshëm dhe i pandashëm nga zhvillimi i letërsisë moderne shqipe.
Secili prej tyre ka pasur një ndikim të thellë, duke formësuar botëkuptimin e
lexuesve dhe duke kontribuar në pasurimin e shprehjes letrare dhe të tematikës
letrare. Të dy shkrimtarët kanë lënë një trashëgimi të pasur që vazhdon të
ndikojë dhe të frymëzojë letërsinë dhe lexuesit shqiptarë.
No comments:
Post a Comment