Leonard Veizi
Atë që Gjesti i bëri shqiptarëve nuk ia ka bërë dot as
UDB-ja, – një organizëm që kishte për detyrë të ndante e të shkatërronte, por
që, me sa duket, nuk kishte imagjinatën e mjaftueshme për të krijuar një skenë
kaq teatrale. Gjesti, me talentin e tij të pazakontë, arriti të ndante
shqiptarët në dy fronte, duke na bërë të duket sikur kemi harruar që jemi i
njëjti popull.
Gjesti me gjeste... apo gjestikulacione, se s’po e marrim
vesh... E vështirë shqipja, me këto fjalët me dy kuptime, ose me një kuptim por
me disa devijime.
Nuk guxon kush të prekë me gisht kosovarin e vetëm në
shtëpinë me të famshme në Republikën e Shqipërisë se ata mbi kufirin verior ia
japin pallmës: Po na e marrin në qafë djalin. Dhe hapin thesin duke na sharë ne
shqiptarëve që kemi kryeqytet Tiranën me kuç e me maç, apo me libër shtëpie,
merreni si të doni se çështje dialektesh është tek e fundit. Dhe ne, me librin
e shtëpisë në dorë, mundohemi të kuptojmë se si një çështje dialektesh mund të
shndërrohet në një krizë kombëtare.
Ore, në Shtëpi ishte dhe Gramozi, por s'bënte njeri
kështu për të. Për Gjestin është gati të ngrihet një revoltë e tërë.
Po kush është ky Gjesti?
Ismail Kadare tek novela e njohur “Natë me hënë” që Edmond
Budina e ngjiti në skenën e teatrit si regjisor, thotë për personazhin Mariana, një vajzë e
bukur e plot hire, që sipas Sekretares së Partisë sillte vërdallë gjithë burrat
e ndërmarrjes dhe ca gra të lëna gjithashtu.
-Të kishim qenë ndërmarrje kapitaliste do kisha menduar
se na i kanë futur rivalët.
Edhe Gjesti kështu është si punë xholi, por që ata të Top-it
e peshkuan vetë dhe nuk ua rrasi askush tjetër.
-Gjesti është fenomen, - na vjen mesazhi nga pas doganës
së Morinit, pikërisht aty ku Gjestin e nxorën fishek përjashta nga një shtëpi
po aq e famshme, por këtë herë në Prishtinë.
Padyshim që po. Fenomen është, ajror madje.
-Ajri, ajri. Vozdu, vozdu... – dublonin njëri-tjetrin
marinarët shqiptarë e ata sovjetik të bazës së Vlorës tek filmi “Ballë për
Ballë”, para se të mbyllej kapanxha qendrore e nëndetësja të zhytej në ujë.
Në këtë kontekst, Gjesti nuk është thjesht një personazh
apo një figurë e izoluar, por një simbol i një realiteti më të gjerë shoqëror
madje dhe politik. Ai përfaqëson një lloj force që ndan dhe bashkon
njëkohësisht, duke krijuar tension dhe debat në mes të shqiptarëve.
-Qyqja, paskan mbet punët e vendit në dorën e Gjestit.
Dhe Gjesti, - që kur arrin të lidhi tre fjalë bashkë, se
me dy fjalë ia del, na duket fitore, - ia ka dalë për bukuri të krijojë dy
fronte shqiptarësh, aq sa kur lexova komentet, sidomos kur u tha se Gerta në
dasmën e Jozit na e paskësh kishte larë vogëlushin me birrë e shampanjë në
kokë, aq sa atij i kishte ikur shikimi prej alkoolit dhe e kishin çuar me
urgjencë tek okulisti dhe kirurgu i bllokut operator, mendova se do plaste
lufta. "Duhet me u bo gati", thashë me vete,- "çfarë sjell ora
nuk e sjell moti." Si çun Tirone, - pra në qytetin pritës të jabanxhinjve në
Shtëpi që po na vijnë edhe nga Evropa, - u ndjeva ngushtë për gafën e Gertës që
i prishin ceremoninë edhe Loredanës, ndaj u mata t’i bëja telefonatë një mikut
tim në Ministrinë e Mbrojtjes e ta pyesja se mos ndoshta vallë repartet tona të
ushtrisë kishin kaluar në gatishmëri numër 1?!
Pastaj u zmbrapsa, sepse mendova që tek e fundit,
presidentja Osmani i ka dy këshilltarë më mend që t’i pëshpëritin qetësisht në
vesh: Nuk është e nevojshme të çojmë mjetet e blinduara e të rrethojmë Tiranën.
Tek e fundit punë kalamajsh është.
Por, në fund të ditës, Gjesti është ai që fiton – sepse,
ndërsa ne debatojmë, ai qëndron në qendër të skenës, duke u kënaqur me një
buzëqeshje të pafajshme fëmije.
-E kemi thënë ne, po nuk e fitoi Big Brother-in e të çojë
në Prishtinë 100 mijë euro me taksa të paguara në Tiranë, do ia fusi
produksioni.
Ja, kjo është ideja e përgjithshme e komentuesve, që
kënaqen e bien në harlisje kur vjen puna për paratë e supozuara që mund të
marrë Gjesti.
Eh, ku përfundoi kjo punë. Lëmë çdo punë përgjysmë e
merremi me thashethemet e një Shtëpie të monitoruar nga 100 kamera. E pastaj
thonë se ne shqiptarët jemi punëtorë të mëdhenj. Padyshim që ia fusin kot.
Shqiptarët e kanë mendjen tek tifozlliku, dhe duartrokasin o për Gjestin dhe
Juventusin, o për Luizin dhe Barcelonën, ose për Eglën, Eglin dhe Maradonën
bashkë me Madonën. Ç’ne ne tek kazma dhe lopata? Ne dihet për çfarë shquhemi. E
thonë dhe vargjet:
-Ç'kërkoi Shqiptari ndër shekuj..../ Pak bukë, pak kripë
e pak hekur.
Jemi në Big.
Dhe unë, ç'është e vërteta, e shoh me të njëjtin interes
që e ndjek dhe Neda me Arbrin, por pa pasur pretendimin të bëhem analist në
poltron. Më mjafton karrigia e gazetarit. Dhe për djall, edhe pse zotohem që
nuk do shkruaj për "cingërima" sërish motivohem për t'i zhgrapur ca
fjalë.
Në BBV-4 – akronimi i Big Brother VIP-4 - sherret janë të
shumta. Ditën dhe natën. S’ka ndalim. Se eksperimenteve sociale fillimi u
duhet, kur të gjithë bëjnë si të lumtur, se fundin nuk e sheh njeri siç ndodhi
me Nostroadamusin apo Baba Vangën.
Një ditë në shtëpinë më të famshme të Republikës së
Shqipërisë plasi debati dhe u hodh mesazhi se janë gjëra që ngjasin ngaqë disa
prej vajzave u kishin ardhur tezet.
Mrekulli, le të futen brenda të shkretat, mos rrinë pas
dere. Se helbete rrugë e largët.
-Po hallat?
Pyetja ngrin, siç ngrijnë banorët kur nga altoparlantët
lëshohet thirrja: “Ngriva”. “Më ka ngrirë Ledioni” thoshte njona që i kishin
ardhur “tezet” bashkë me mamanë aty në mes të shtëpisë.
Meqë ra fjala, si vajti puna me pyetjen për hallat? Se
gjithmonë fisi i babait nëpërkëmbet, Ato të nënës dalin gjithmonë në krye të
listës.
Ohu, çfarë themi ne e çfarë thotë ky. Është fjala për
“ato” robo. Kupton apo hiç?
Të vdesësh gazit në këtë Big Brother.
Po flisni moj çupani, ne jemi dhe shoqëri e emancipuar,
apo që po emancipohemi dita-ditës. Thashë mos ishte ndonjë ilet i mendjes.
-E, shtu pandyem ç'është e vërteta. Se sa për t’u nxehur
nxehem dhe unë. Dhe kur nxehem unë i thyej të tëra, me pjata e me filxhana. Jo
po të mos më bëjë mua nga ato!
Mirë femrave, por mos u vijnë gjë dhe çunave “ato” tezet?
-Tobekstrakfrullah!
-Fol me ndonjë student të mjekësisë, - i shfrynte Monda
tek “Dimri i Vetmisë së Madhe” djaloshit me emrin Ben, që mendonte se ajo
kishte mbetur shtatzënë. Se një student mjekësie mund të të ndriçojë aq sa të kuptosh
se jo në të gjitha rastet kur të vonohen “ato”, ke mbetur me barrë.
"Vajzat e shtëpisë" – të cilat, me tezat e tyre
që "u erdhën" si një stuhi e papritur, - na kujtojnë se jeta në Big
Brother nuk është thjesht një lojë, por një laborator shoqëror ku çdo gjë, nga
emocionet deri te hormonet, është nën mikroskop. Dhe, ndërsa ne të tjerët po
pyesim veten nëse tezat janë një fenomen biologjik apo një strategji e
sofistikuar për të fituar simpatinë e publikut, ato vazhdojnë të luftojnë me
një realitet ku asgjë nuk është private – as edhe ato që duhet të jenë. Ironia?
Në fund të ditës, ne të gjithë po i ndjekim me interes, sikur të ishte një
serial dramatik, duke harruar se jeta e tyre reale është duke u zhvilluar para
syve tanë, pa asnjë "pausë" për të marrë frymë.
Debatet thellohen në Big. Me zë të lartë e agresivitet.
Gojët e liga thonë se kur bie ritmi i debateve në lojë
futet produksioni. Dhe e bën lëmshin akoma më lëmsh. Megjithatë motori nis të
punojë.
Ore për çfarë keni ardhur këtu? Mos mendoni se është
Kampi i Pushimeve Dimërore? Si ai hoteli i Stefan Kingut ku interpretonte Xhek
Nikolson?
-Ore për budallenj na merrni ne?, - i vuri me shpatulla
për muri Shemshedini djemtë e grupit
agjitator, tek filmi dhe romani i Teodor Laços “Përballimi”. - Demek, sikur s’e
dimë ne që gjithçka bëhet për klikime.
Dhe sherret në Big Brother vazhdojnë. Gjesti sillet
vërdallë si një kukull e kurdisur. Por në krye të tyre është Xhibani.
No comments:
Post a Comment