Nga Leonard Veizi
Ishte
data 16 mars 1978, kur në orën 09.02 të mëngjesit, në “via Fani”, - që kalonte
përmes lagjes “Trionfale” në Romë, - një komando e “Brigate Rosse” apo thënë
ndryshe Brigadave të Kuqe, i zunë pritë ish kryeministrin italian Aldo Moro.
I
koduar si "Fritz" operacioni u krye ndërsa Moro po shkonte për në
parlament të votonte për besimin në qeverinë e re, të kryesuar nga Xhulio Andreoti,
mbështetur edhe nga komunistët.
Skuadra
e “Brigate Rosse” i përbërë nga 19 persona, tek udhëkryqi me “via Stresa”, arritën
që me anë të një makine “Fiat 128” e targë të trupit diplomatik "CD
19707", t’i prisnin rrugën makinës “Fiat 130” me të cilën po udhëtonte Aldo
Moro. Eskorta prej pesë personash që shoqëronte ish kryeministrin u ekzekutua në
vend.
Alarmi i parë në polici, nga një telefonatë
anonime, u regjistrua në orën 09.03 të mëngjesit. Në orën 09.05 patrulla e parë
e policisë mbërriti në vendngjarje.
Brigadistët
rrëmbyen politikanin e lartë dhe u zhdukën. Kështu filloi 55 ditori i burgut
për Aldo Moro dhe ankthi për Italinë. Në “via Fani” mbeti makina me targë “Roma
L59812” në të cilën udhëtonte kreu i demokristianëve...
...“Brigate
Rosse” e krijuar në vitin 1970, fillimisht u nënvlerësua nga opinioni publik. Por
me rrëmbimin dhe vrasjen e Aldo Moros, u bë e frikshme. Vitet që pasuan ishin
të ndërlikuara politikisht dhe shoqërisht në Itali.
Sipas
të dhënave të policisë trupi i Aldo Moros u gjet 55 ditë pas rrëmbimit në
bagazhin e një “Renault 4” të kuqe në “via Michelangelo Caetani”.
Në
një shkrim të “Focus Storia” shkruar nga Federica Ceccherini dhe Pino
Casamassima me titull “Njeriu i kompromisit” thuhet se Aldo Moro u gjet në një
rrugë të getos hebraike, pak hapa nga selia e Partisë Komuniste dhe ajo e
Demokristianëve. Një vend simbolik? Duke gjykuar nga momenti historik në të
cilin ndodhi, do të dukej kështu. Pas dekadash hetimesh, 5 gjyqeve dhe 3
komisioneve hetimore, "çështja Moro" është ende sot një nga më të
diskutueshmet në historinë tonë të re dhe sipas disa studiuesve misteri i
përfundimit të tij nuk na ka lejuar të kuptojmë plotësisht figurën e tij
historike.
Sfondi politik
Aldo
Moro, një nga figurat më të shquara të politikës italiane pas Luftës së Dytë
Botërore, mbetet një nga rastet më tragjike të terrorizmit politik në Evropën e
shekullit XX. Rrëmbimi dhe ekzekutimi i tij nga Brigadat e Kuqe - Brigate Rosse
- në vitin 1978 shënoi një çast kritik për Italinë dhe demokracinë e saj, duke
nxitur debate të gjera mbi terrorizmin, shtetin dhe rolin e forcave të fshehta.
Moro
ishte një politikan i spikatur i partisë Demokristiane - Democrazia Cristiana –
DC - dhe kishte shërbyer disa herë si kryeministër i Italisë. Ai përfaqësonte
një politikë të moderuar dhe ishte promotor i kompromisit historik
("compromesso storico") midis Demokristianëve dhe Partisë Komuniste
Italiane (PCI), një manovër politike që synonte stabilizimin e skenës politike
italiane duke përfshirë komunistët në procesin qeverisës.
Kjo
iniciativë, megjithatë, hasi në kundërshtime të ashpra, si nga qarqet më
konservatore të politikës italiane, ashtu edhe nga grupet radikale të majta dhe
të djathta, si dhe nga interesat ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin
Sovjetik, të cilët nuk shihnin me sy të mirë afrimin e komunistëve me
pushtetin.
Rrëmbimi
Më
16 mars 1978, në një atentat të organizuar me precizion ushtarak, Brigadat e
Kuqe sulmuan eskortën e Moros. Pesë truprojat e tij u vranë menjëherë, ndërsa
Moro u rrëmbye dhe u dërgua në një vend sekret. Për 55 ditë, ai u mbajt në një
"burg popullor" nga brigadistët, të cilët kërkonin lirimin e disa të
burgosurve politikë në këmbim të tij. Gjatë kësaj periudhe, Moro shkroi letra
të shumta, të cilat i dërgoi familjes, kolegëve të tij politikë dhe
institucioneve të shtetit. Në to, ai shprehte zhgënjimin dhe dëshpërimin e tij
për mungesën e përpjekjeve serioze për lirimin e tij, duke e akuzuar Partinë
Demokristiane dhe shtetin italian për braktisje.
Vrasja
Përkundër
kërkesave të Brigadave të Kuqe dhe lutjeve të familjes, qeveria italiane dhe
Partia Demokristiane morën një qëndrim të prerë: nuk do të negocionin me
terroristët. Kjo politikë e ashpër u mbështet edhe nga Vatikani dhe Shtetet e
Bashkuara, të cilat nuk dëshironin të krijonin një precedent për organizatat
terroriste.
Më
9 maj 1978, pas javësh pa rezultat, Brigadat e Kuqe e ekzekutuan Aldo Moron,
duke e lënë trupin e tij në një makinë të braktisur në “Via Caetani”, një rrugë
midis selive të Partisë Komuniste dhe Demokristianëve. Kjo simbolikë e
vendndodhjes së trupit të tij reflektonte përplasjen midis dy blloqeve kryesore
politike të kohës.
Pasojat
Vrasja
e Aldo Moros tronditi Italinë dhe politikën evropiane. Pasojat e saj ishin të
shumta:
-Dështimi
i kompromisit historik mes Demokristianëve dhe Komunistëve, duke çuar në
izolimin politik të PCI-së.
-Rritja
e forcave të sigurisë dhe shtypja e grupeve terroriste si Brigadat e Kuqe.
-Kriza
morale dhe politike brenda Demokristianëve, që u akuzuan për braktisjen e
njërit prej liderëve të tyre kryesorë.
Gjithashtu,
vdekja e Moros ka nxitur shumë teori konspirative. Sipas disa hipotezave,
shërbimet sekrete italiane dhe ndërkombëtare, si CIA dhe Gladio - një rrjet i
fshehtë antikomunist i NATO-s, - mund të kenë pasur një rol në mosarritjen e
një marrëveshjeje për lirimin e tij. Disa studiues argumentojnë se Moro
përbënte një kërcënim për ekuilibrin politik të Italisë dhe për interesat
gjeopolitike të Perëndimit, duke e bërë atë një figurë të
"sakrifikueshme."
Epilogu
Rrëmbimi
dhe vrasja e Aldo Moros mbetet një nga episodet më të errëta të historisë
italiane. Ai përfaqëson një çast kritik në përballjen e një shteti demokratik
me terrorizmin politik dhe me kufijtë e etikës në politikë. Historia e tij
vazhdon të studiohet jo vetëm si një tragjedi personale, por edhe si një simbol
i tensioneve midis demokracisë, sigurisë dhe kompromisit politik.
Sot,
Aldo Moro kujtohet si një vizionar i politikës italiane, një burrë shteti që
tentoi të bashkonte të kundërtat dhe që, për këtë arsye, u bë viktimë e një
lufte të fshehtë që kapërceu kufijtë e një vendi të vetëm.
No comments:
Post a Comment