Wednesday, March 12, 2025

Zoran Gjinxhiç, vrasja e kryeministrit serb pas qëndrimit të tij për Kosovën

12 Mars 2003 
 

Nga 
Leonard Veizi
 
“Banda e Zemunit”, një bandë e drejtuar nga krimineli famëkeq Dushan Spasojeviç, vuri në grykën e armës kryeministrin serb, i pari i zgjedhur në mënyrë demokratike pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe “Banda” apo “Klani” siç quhej ndryshe, kishte zgjedhur një snajperist të mirë, ndoshta më të mirin e mundshëm. një anëtar të forcave speciale. Ishte 12 marsi i vitit 2003. Ora 12:25 i mesditës. Kryeministri serb doli nga makina dhe u nis drejt shkallëve të selisë së Qeverisë. Axhenda e tij përcaktonte një takim me Ministren e Jashtme të Suedisë Ana Lind dhe kolegun e saj Xhan Karlson. Qitësi shënjestroi nga dritarja e një ndërtese përballë. Ishte 180 metra larg dhe mbante një pushkë 7.62 mm “Heckler & Koch G3”, prodhim gjerman. Një oficer i Agjencinë e Informacionit të Sigurisë, BIA, agjencinë kombëtare të inteligjencës së Serbisë, që quhej Branislav Bezarevic, ishte personi që për 50 mijë euro dha informacionet mbi lëvizjet e kryeministrit. Snajperisti qëlloi dy herë. Nuk gaboi. Një nga plumbat depërtoi në zemrën e Kryeministrit dhe e vrau thuajse në çast. Deklarata zyrtare e qeverisë, bëri me dije se Gjinxhiç nuk ishte i vetëdijshëm dhe nuk kishte pasur puls kur mbërriti në repartin e urgjencës. Truproja e tij, Milan Veruoviç, mbeti gjithashtu i plagosur rëndë nga i njëjti plumb. Çuditërisht suedezja Ana Lind u vra vetëm disa muaj më vonë por nga një vrasës serb...
 
... Kjo vrasje tronditi Serbinë dhe gjithë rajonin e Ballkanit, pasi Gjinxhiçi ishte një nga figurat kryesore reformiste që po përpiqej ta nxirrte Serbinë nga trashëgimia e errët e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Vrasja ishte një operacion i përbashkët nga JSO dhe Klani Zemun – operativë të sigurimit të shtetit dhe gangsterë të dhunshëm që punonin së bashku. Njëzet vjet më vonë, një ekzaminim i dokumenteve gjyqësore u vu re se si i gjithë sistemi policor, sigurimi i shtetit dhe prokuroria serbe ishte korruptuar.
Ka pasur gjithfarë shkaqesh derisa u kërkua eleminimi fizik i Zoran Gjinxhiçit nga një klan ekstremist, por padyshim aty renditej si e papranueshme edhe mënyra se si ai kërkoi ta trajtonte çështjen e Kosovës.
 
Zoran Gjinxhiç
U lind më 1 gusht 1952 në Bosnjë dhe Hercegovinë, por karrierën e tij politike e zhvilloi në Serbi. E megjithatë njihej më së shumti si një “jugosllavist”. Ai ishte një intelektual, filozof dhe politikan që promovonte demokracinë dhe reformat ekonomike. Në vitin 1996, ai u bë kryetar i bashkisë së Beogradit dhe më vonë, në vitin 2001, u bë kryeministër i Serbisë, pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit. Gjatë qeverisjes së tij, ai u përqendrua në modernizimin e ekonomisë, afrimin me Perëndimin dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ai kishte një rol të rëndësishëm në dorëzimin e Millosheviçit në Tribunalin e Hagës në vitin 2001, një veprim që e bëri atë një figurë të urryer për nacionalistët serbë dhe rrjetet kriminale që ishin të lidhura me regjimin e mëparshëm.
 
Ekzekutimi
Më 12 mars 2003, Gjinxhiçi po hynte në selinë e qeverisë serbe kur u qëllua nga një snajper me një plumb që e goditi në kraharor dhe një tjetër që i preku zemrën. Plumbat u qëlluan nga një ndërtesë në afërsi të vendit të ngjarjes. Ai ndërroi jetë menjëherë.
Hetimet treguan se vrasja ishte organizuar nga një grup kriminal i njohur si "Banda e Zemunit", një organizatë mafioze që kishte lidhje të ngushta me njësi paraushtarake serbe.
Dy personat kryesorë të përfshirë në atentat ishin:
Milorad "Legija" Ulemek, një ish-komandant i forcave speciale serbe dhe ish-agjent i sigurimit shtetëror.
Zvezdan Jovanović, një anëtar i forcave speciale, që sipas hetimeve, ishte snajperisti që e qëlloi Gjinxhiçin.
Këta individë ishin pjesë e strukturave kriminale të krijuara gjatë luftërave të viteve 1990 dhe ishin të lidhur me ish-regjimin e Millosheviçit. Vrasja ishte një hakmarrje për politikat e Gjinxhiçit kundër krimit të organizuar dhe afrimin e Serbisë me Perëndimin.
Menjëherë pas atentatit, qeveria serbe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjati për disa javë. Mbi 4000 persona u arrestuan, përfshirë anëtarë të "Bandës së Zemunit" dhe ish-anëtarë të shërbimeve sekrete serbe. Në vitin 2007, Milorad Ulemek dhe Zvezdan Jovanović u dënuan me 40 vjet burg secili për organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.
 
Gjinxhiç dhe Kosova
Zoran Gjinxhiç ishte një figurë komplekse në politikën serbe dhe qëndrimet e tij ndaj Kosovës ndryshuan gjatë viteve. Ai ishte pragmatist dhe shpesh përpiqej të balanconte realitetin politik me nacionalizmin serb. Në vitet 1990, kur ishte një nga liderët e opozitës kundër Sllobodan Millosheviçit, Gjinxhiç fillimisht kishte një qëndrim nacionalist dhe kundër ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë. Ai e kundërshtoi bombardimin e NATO-s në vitin 1999 dhe e shihte humbjen e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën si një disfatë të rëndë për shtetin serb.
Pasi u bë kryeministër në vitin 2001, Gjinxhiç filloi të kuptonte se realiteti politik ishte ndryshe dhe se Serbia nuk mund të kthente situatën në Kosovë në gjendjen e para vitit 1999. Ai e kuptonte se Kosova, praktikisht, nuk kontrollohej më nga Serbia dhe se insistimi për rikthimin e saj nën sovranitetin serb ishte jorealist. Gjinxhiç e shihte të ardhmen e Serbisë në integrimin me Perëndimin dhe në reformat e brendshme, duke mos dashur të humbiste kohë me një çështje që ai e shihte të humbur.
 
Letra e drejtuar SHBA-ve dhe BE-së
Një nga lëvizjet e tij më të rëndësishme lidhur me Kosovën ndodhi më janar 2003, kur ai i dërgoi një letër SHBA-ve dhe Bashkimit Europian, duke kërkuar që të hapej një debat mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Në këtë letër, ai argumentonte se:
Kosova nuk ishte më realisht nën kontrollin e Serbisë, dhe Serbia duhej ta pranonte këtë fakt.
Nëse Perëndimi donte një zgjidhje për Kosovën, atëherë Beogradi duhej të përfshihej në negociata, në vend që të mbahej peng i një situate të ngrirë.
Ai sugjeronte një ndarje të mundshme të Kosovës, ku veriu (me shumicë serbe) të mbetej pjesë e Serbisë, ndërsa pjesa tjetër të kishte një status të veçantë.
Kjo letër u prit me zemërim nga nacionalistët serbë, të cilët e panë atë si një tradhti ndaj çështjes së Kosovës.
Po pse Gjinxhiç ndryshoi qëndrim?
Duket se ai e kuptoi mirë se Perëndimi nuk do të lejonte kthimin e Kosovës nën Serbi dhe se Serbia duhej të përshtatej me realitetin e ri. Gjinxhiç e shihte të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Europian dhe e dinte që çështja e Kosovës ishte një pengesë e madhe për këtë proces. Ai besonte se çështja e Kosovës po përdorej nga strukturat kriminale dhe elementët e vjetër të regjimit të Millosheviçit për të mbajtur pushtetin në Serbi.
Shumë analistë besojnë se qëndrimi i tij ndaj Kosovës dhe prirja për të bërë kompromise mund të ketë kontribuar në vrasjen e tij më 12 mars 2003. Nacionalistët serbë dhe grupet kriminale që kishin lidhje me Kosovën, veçanërisht “Banda e Zemunit”, e shihnin atë si një kërcënim për interesat e tyre.
 
Epilog
Zoran Gjinxhiç mbetet një figurë e rëndësishme në historinë moderne të Serbisë. Ai konsiderohet si lideri që përpiqej ta çonte Serbinë drejt demokracisë dhe integrimit europian, por që u vra nga ata që donin të ruanin trashëgiminë e Millosheviçit dhe pushtetin e krimit të organizuar.
Në nder të tij, shumë rrugë dhe institucione në Serbi dhe në vendet e tjera të Ballkanit mbajnë emrin e tij. Ai simbolizon përpjekjet për ndryshim dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në rajon.
Mënyra se si u vra ai dhe fakti që Serbia më vonë ndoqi një rrugë më nacionaliste tregon se vendi nuk ishte ende gati për vizionin e tij.
 

No comments:

Post a Comment