Sunday, April 6, 2025

“Sekti i poetëve të humbur”, thirrja për liri mendimi në një botë konformiste



Nga Leonard Veizi
 
Një pedagog i paaftë dhe i mërzitshëm në dhënien e leksionit mund ta kthejë një lëndë që ti e dëshiron shumë në një orë ankthi e tmerri. Por një pedagog i aftë e pasionant mund ta bëjë dhe një lëndë të mërzitshme shumë të dashur për studentët e tij. Kështu ndodhi dhe me mësuesin Xhon Kiting, të interpretuar nga aktori i jashtëzakonshëm Robin Uilliam në filmin epope "Dead Poets Society"...
 
..."O Kapiten, Kapiteni im!" – një thirrje poetike që, në kontekstin e një filmi, përbën një akt rebelimi, nderimi dhe mirënjohjeje. Në qendër të filmit, i cili në versionin shqip ka ardhur si: “Sekti i poetëve të humbur” qëndron figura e mësuesit Xhon Kiting, një pedagog karizmatik i cili arrin ta shndërrojë një lëndë të perceptuar si e mërzitshme, siç është poezia, në një fushë të gjallë zbulimi personal dhe frymëzimi shpirtëror. Përmes metodave të tij jo-konvencionale, Kiting ndikon thellësisht në jetët e studentëve të tij dhe e kthen klasën në një arenë ku individualiteti lufton për të mbijetuar në një mjedis autoritar.
 
Boshti
Në zemër të filmit qëndron ideja e lirisë individuale, e cila nuk paraqitet si një luks, por si një nevojë ekzistenciale. Në një shoqëri dhe institucion ku normat dhe pritshmëritë e jashtme sundojnë gjithçka, Kiting u mëson studentëve se autenticiteti dhe pasioni personal nuk duhet të sakrifikohen për hir të një “suksesi” të diktuar nga të tjerët. Filmi ndërton një tension të fortë ndërmjet individualitetit dhe konformizmit, ndërmjet zërit të brendshëm dhe heshtjes së imponuar.
 
Filozofia
Fraza latine "Carpe Diem", apo siç vjen në shqip “Shfrytëzoje ditën”, shërben si një udhërrëfyes filozofik për studentët. Kiting nuk e paraqet atë si një thirrje për impuls apo aventurë të verbër, por si një ftesë për vetëdije, për të jetuar në përputhje me veten dhe për të mos e lënë jetën të kalojë në kornizat e të tjerëve. Kjo filozofi është subversive në kontekstin e Akademisë Uelton – një institucion konservator që simbolizon strukturat shtypëse të autoritetit, traditës dhe pritshmërive sociale.
Konformizmi në film paraqitet jo vetëm si rregull institucional, por si një forcë e heshtur dhe e frikshme që formëson identitetin, shpesh përmes frikës, ndëshkimit dhe përjashtimit. Në një nga skenat më simbolike, nxënësit marshojnë në mënyrë të sinkronizuar në oborrin e shkollës – një imazh vizual që Kiting e përdor për të ilustruar se sa lehtë njerëzit ndjekin turmën. Kjo skenë zbulon mënyrën se si sistemi edukativ formëson qytetarë të bindur, jo individë krijues. Prandaj, kërkesa e Kitingut për mendim kritik është në thelb revolucionare.
 
Rezistenca
Në këtë film, poezia nuk është vetëm art – ajo bëhet një mjet çlirimi emocional dhe intelektual. Ajo i ndihmon personazhet të artikulojnë ndjenja që nuk guxojnë t’i shprehin me zë. Përmes saj, ata eksplorojnë dashurinë, frikën, rebelimin dhe ëndrrat. "Sekti i poetëve të humbur", si klub i fshehtë poetik, është një formë simbolike e largimit nga rregullat e shkollës, një hapësirë për të “thithur thellë palcën e jetës”, siç shprehet njëri nga personazhet duke cituar Toron.
 
Tragjedia
Kulmi dramatik i filmit është vetëvrasja e Nil Perri, një djalosh i ndjeshëm dhe i talentuar që e gjen veten të mbytur nga presioni familjar. Për Nili-n, teatri është burimi i gëzimit dhe vetëidentifikimit, por babai i tij e sheh artin si një rrezik për të ardhmen e djalit të tij. Ngjarja e rëndë tregon se kur liria e zgjedhjes shtypet nga autoriteti, pasoja mund të jenë shkatërruese. Ky moment i errët zbërthen një të vërtetë të dhimbshme: sistemi që refuzon zërat ndryshe, shpesh përfundon duke i thyer ata.
 
Heroi
Xhon Kiting është një figurë komplekse: ai është një mësues vizionar, por edhe një martir i idealizmit të tij. Ai nuk është i përsosur, por është i guximshëm. Fundi i filmit, kur ai largohet i përjashtuar, është një dëshmi se sistemet shpesh i largojnë zërat që i sfidojnë. Megjithatë, në mënyrë të fuqishme, nxënësit e tij ngrihen mbi bankat, duke e quajtur “Kapiteni im” – një akt sfidues që tregon se ndikimi i tij ka mbetur i gjallë, duke mbjellë fara që mund të lulëzojnë në të ardhmen.
 
Mesazhi
Filmi nuk ofron përgjigje të lehta, por ngre pyetje thelbësore mbi rëndësinë e vetëvendosjes, zërit personal dhe guximit për të thyer rregulla kur ato bëhen mbytëse. Sekti i poetëve të humbur është një homazh për mësuesit që frymëzojnë, për nxënësit që kërkojnë veten dhe për artin që ndihmon në këtë rrugëtim. Ai na kujton se të jetosh në përputhje me veten është ndoshta akti më i vështirë dhe më i domosdoshëm i jetës njerëzore.
Në një shoqëri që shpesh lavdëron bindjen mbi mendimin, Sekti i poetëve të humbur është një kujtesë poetike se të mendosh ndryshe është akt i guximit dhe të jesh vetvetja është një fitore e vogël e përditshme.
 
Filmi
Filmi “Shoqëria e Poetëve të Vdekur” është një prodhim amerikan i vitit 1989, me regji nga Petër Uir dhe skenar nga Tom Shulman. Në rolin kryesor interpreton Robin Uilliams. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1959, në një shkollë elitare imagjinare me konvikt të quajtur “Akademia Uelton”.
Filmi ishte një sukses si nga ana kritike ashtu edhe komerciale. Ai fitoi 235 milionë dollarë në mbarë botën dhe u bë filmi i pestë me fitimet më të larta të vitit 1989. Ai mori vlerësime përgjithësisht pozitive nga kritika. U përfshi në nominimet për çmimin “Oskar” për “filmin më të mirë”, “regjisorin më të mirë”, si dhe një nominim për “aktorin më të mirë”. Por ishte vetëm Shulman që mori çmimin “Oskar” për skenarin më të mirë origjinal. Gjithashtu, filmi fitoi çmimin “BAFTA” për filmin më të mirë, çmimin “César” për filmin më të mirë të huaj, si dhe çmimin “David di Donatello” për filmin më të mirë të huaj.
 

No comments:

Post a Comment