Amerikanët
u ngritën në protesta. Dhe ne e dimë mirë kush janë ata: një popull që nuk
duron asgjë që cenon apo shtyp liritë e tij. Një komb që, kur i shtypet demokracia,
nuk hesht. Me sa duket, u ka vajtur thika në palcë – përndryshe nuk do të
kishim parë sheshet dhe parqet e Uashingtonit dhe Nju Jorkut të mbushura me
mijëra protestues të zemëruar, por të vendosur. Në pamje të parë kjo protestë
mund të duket e shpërndarë, por në lexim të dytë është një thirrje për bashkim
dhe vetëdije. Një britmë qytetare ndaj rrezikut të ri që kërcënon themelet e
demokracisë më të vjetër perëndimore.
Na
është thënë shpesh se amerikanët janë popull që jeton për veten, që pjesën tjetër
të botës e sheh si spektator të privilegjuar të superfuqisë së tyre. Por jo
këtë herë. Në këtë çast të trazuar, kur silueta e një tjetër konflikti botëror
valëvitet në horizont, janë pikërisht ata që po na japin një leksion të ri.
Leksioni i radhës nuk vjen nga Hollivudi, as nga teknologjia apo rrjete
sociale, por nga protestat qytetare që kërkojnë t’i thonë “jo” autoritarizmit
të veshur me kostumin e demokracisë.
Pas
kthimit të tij të bujshëm në politikë, Donald Tramp, me urdhra ekzekutivë dhe
retorikë polarizuese, ka rindezur frikën për një përmbysje të rendit
kushtetues. Ai sillet me Shtëpinë e Bardhë si me pronën e vet në Mar-a-Lago,
duke marrë vendime që nuk prekin vetëm 350 milionë amerikanë, por edhe 510
milionë evropianë – dhe përtej. Nga Brukseli në Tokio, bota ndjen se po qëndron
në një karrige që lëkundet gjithnjë e më fort.
Shumë
amerikanë, që për vite kanë qëndruar në heshtje, tani po reagojnë me forcë. Në
Uashington, qytetarët mbajnë pankarta me mbishkrime si “Larg duart nga
demokracia” apo “Ndal grushtin e shtetit!”, ndërsa kërkojnë mbrojtjen e
Kushtetutës dhe të institucioneve të pavarura.
Qëndrimet
e tij për NATO-n, indiferenca ndaj Ukrainës, flirti me autokratë, sulmet ndaj
gjyqësorit dhe shtypit, rrezikojnë themelet e një bote të stabilizuar mbi
barazi dhe institucione. Dhe bota ka nisur të ndiejë lëkundjet.
Në
këtë sfond të zymtë, është pikërisht populli amerikan që po reagon. Jo thjesht
ndaj një figure politike, por ndaj një rreziku që tejkalon partitë:
autoritarizmit të veshur me kostumin e demokracisë.
Protestat
janë të shumta dhe të shumëllojshme: nga New York-u në San Francisko, nga
Chicago në rrugicat e vogla të Arkansas-it. Protesta për të drejtat e grave,
për të drejtat e votës, për drejtësinë racore, për ndryshimet klimatike, për të
drejtën për të abortuar, për paqen dhe lirinë e medias. Dhe gjithnjë më shpesh
– protesta për të paralajmëruar se përpara një përshkallëzimi global, bota ka
nevojë për më shumë ndjeshmëri dhe më pak arrogancë në lidershipin
ndërkombëtar.
Sepse
një luftë e madhe – qofshin fjalët, teknologjitë apo trupat pjesë e saj – nuk
përballohet me shoqëri të lodhura, të përçara e të varfra shpirtërisht. Një
popull që ka humbur besimin te vetvetja nuk mund të jetë pjesë e një
përpjekjeje globale për paqen. Dhe një qeveri që ndalet vetëm tek interesat e
ngushta të klaneve të saj, nuk mund të udhëheqë botën në kohë krize.
Këtu
qëndron leksioni i vërtetë nga Amerika e sotme: kur qytetari i zakonshëm vendos
të mos heshtë më, atëherë rilind edhe shpresa. Kur shoqëria merr pjesë aktive
në protestë, nuk është fundi i rendit – por fillimi i një morali të ri politik.
Është një mënyrë për të kujtuar se politika nuk është pronë private, dhe se
vendimet që ndikojnë fatin e botës nuk mund të merren si në një tavolinë
pokeri.
A
nuk jemi edhe ne në këtë anë të botës përballë të njëjtit rrezik? A nuk kemi
ndjerë efektin e vendimeve që merren larg nesh, por që ndikojnë drejtpërdrejt
mbi jetën tonë të përditshme, mbi ekonominë, mbi paqen, mbi drejtësinë? A nuk
jemi lodhur nga një klasë politike që më shumë dëgjon zhurmat e jashtme se sa
zërin e qytetarëve të vet?
Kjo
është koha për të parë me vëmendje Amerikën e protestës dhe vetë protestën si
një mjet civilizues. Në britmën e një qytetari amerikan fshihet një thirrje
universale: nuk je i vogël për të reaguar. Nuk je i parëndësishëm për të
kundërshtuar.
Kjo
është koha për të parë drejt Amerikanët na kujtojnë se demokracia nuk është
diçka që trashëgohet – ajo duhet rifituar çdo ditë.
Është
një betejë e përhershme. Dhe fiton kuptim vetëm atëherë kur qytetari vendos të
mos heshtë më edhe thotë: “Mjaft!”
No comments:
Post a Comment