Nga Leonard Veizi
500
burra krenarë, të hipur mbi kuaj e të veshur si për festë, u zunë në pusi dhe u
masakruan. Ishte koha kur Perandoria Osmane nuk donte më përballje të hapur me shqiptarët,
të cilët kishin treguar aftësi të mëdha ushtarake. Në vend të luftës, ajo
zgjodhi pabesinë. Festa ishte forma më e përkryer për të kapur të gjithë
udhëheqësit shqiptarë njëherësh dhe për t’i zhdukur pa ngritur dyshime, pa
beteja, pa rezistencë dhe pa alarm. Ky është dhe epilogu i asaj që shkrimatri shqiptar
e ka titulluar si “Komisioni i Festës”...
...Historia
e Shqipërisë është e mbushur me akte heroizmi dhe tradhti, me figura që u
ngritën për të mbrojtur tokat dhe identitetin e tyre, por edhe me pabesi që u
kushtuan jetën prijësve më të shquar. Një nga episodet më të errëta e tragjike
të qëndresës shqiptare ndaj Perandorisë Osmane është masakra e prijësve të
jugut në Manastir.
Konteksti
Në
shekujt XV-XVIII, shqiptarët zhvilluan rezistencë të vazhdueshme kundër
pushtimit osman. Në jug të vendit, shumë prijës vendas kishin ruajtur njëfarë
autonomie dhe ushtronin ndikim mbi popullsinë e tyre, shpesh duke mbajtur
lidhje me fuqitë evropiane për të kërkuar mbështetje kundër osmanëve. Këta
prijës, shumica prej tyre kapedanë të fiseve dhe sundimtarë lokalë, paraqisnin
një kërcënim serioz për administratën osmane. Për të shuar këtë rezistencë dhe
për të vendosur kontroll të plotë mbi viset shqiptare, Porta e Lartë ndoqi një
strategji djallëzore: asgjësimin e prijësve më të fuqishëm me anë të një
kurthi.
Kurthi
Sipas
traditës gojore dhe burimeve historike, osmanët ftuan rreth 500 prijës
shqiptarë të jugut në një festë madhështore. Ngjarja mund të ketë ndodhur në
periudha të ndryshme të sundimit osman, pasi taktika e masakrave të organizuara
përdorej shpesh nga Perandoria për të eliminuar kundërshtarët politikë. Ftesa u
paraqit si një akt pajtimi dhe miqësie, me premtimin se osmanët do të njihnin
dhe respektonin autonominë e prijësve vendas. Besnikë ndaj traditës së
mikpritjes dhe burrërisë, prijësit shqiptarë e pranuan ftesën.
Festa
në Manastir më 9 gusht 1830 u organizua si një ceremoni madhështore. Ajo u
ndërtua me kujdes nga osmanët për të krijuar një atmosferë sigurie, respekti
dhe pajtimi.
Ishte përhapur lajme se Sulltani
kishte vendosur t’i falte prijësit shqiptarë dhe t’u jepte përsëri privilegjet
që ata kishin humbur pas rënies së Ali Pashës. Kjo krijoi ndjesinë se më në
fund po vinte një kohë bashkëpunimi dhe paqeje. Krerët shqiptarë, kryesisht nga
jugu i Shqipërisë: - Labëria, Çamëria, Myzeqeja dhe krahina të tjera – u ftuan
nga komandanti osman i Manastirit, Reşid Mehmed Pasha. Ftesa u paraqit si një
veprim për të rivendosur besimin, pas trazirave dhe lëvizjeve të armatosura që
kishin ndodhur në vitet e mëparshme.
Festa
u mbajt në një nga sheshet kryesore të Manastirit, i cili në atë kohë ishte një
qendër e rëndësishme ushtarake dhe administrative osmane në Ballkan. Krerët
shqiptarë mbërritën në vendin e caktuar, të bindur se ishin mysafirë. Ngjarja u
paraqit si një ceremoni shtetërore
që frymëzonte madhështi dhe paqe.
Ceremonia
nisi me falënderime për Sulltanin, fjalime për unitetin dhe shpërndarje
dhuratash simbolike. Ishte e pranishme muzika tradicionale, gostitje e
bollshme, ushqime të zgjedhura, verë e rakia. Gjithçka dukej e sinqertë dhe e
qetë. Por sapo nata ra dhe pijet kishin filluar të mpinin vigjilencën e të
pranishmëve, trupat osmane, me një shenjë të komandantit të tyre, të fshehura
në prapaskenë, dolën dhe qëlluan të ftuarit në pabesi. Prijësit shqiptarë, pa
mundësi mbrojtjeje, u therën ose u pushkatuan në vend. Masakra ndodhi me një
shpejtësi të tmerrshme – brenda orësh, pothuajse të gjithë ishin vrarë.
“Komisioni i Festës”
“Komisioni
i festës” është një novelë e shkrimtarit Ismail Kadare, i botuar më 1978, si një
intermexo brenda vëllimit triptik “Ura me tri harqe”. Ajo bazohet në ngjarje
reale që ndodhën në vitin 1830 kur sulltani i fton në një drekë të pajtimit
dinjitarët shqiptarë që kishin filluar të pavarësoheshin nga Porta e Lartë dhe
aty i masakron të gjithë në pabesi. Novela është një rrëfim alegorik dhe
historik, që pasqyron jo vetëm një ngjarje specifike, por edhe një model të
përsëritur të pabesisë dhe dhunës kundër shqiptarëve gjatë periudhës osmane.
Përmes ironisë dhe stilit të tij të veçantë, Kadare e paraqet këtë akt jo
thjesht si një masakër, por si një skemë cinike të pushtetit, ku festat e
organizuara kthehen në gracka vdekjeprurëse për ata që besojnë në premtimet e
armikut.
Ismail
Kadare e nis kështu novelën e tij: “Unë, Mahmudi II, sulltan dhe kalif, nip
stërnip mbre-tërish, i nëntëmbëdhjeti perandor i dinastisë osmane, sovran i
botës, pushteti shtetëror e kalifnor i të cilit do të qëndrojë në këmbë gjer në
të sosur të dheut, nxjerr këtë ferman të lartë nga kryeqyteti i lumtur,
Stambolli: Tani që në tokën e Shqipërisë, me luftë të shenjtë mbretërore u
zhdukën njëri pas tjetrit nga faqja e dheut rebelët e mëdhenj Kara Mahmud
Bushatlliu, Kara Ali Tepelena, Kara Mustafa Bushatlliu, Kara Kurt Berati e të
tjerë ish-pashallarë të mëdhenj, të shpallur jashtë ligjit, të cilët për një
kohë dyzetvjeçare u përpoqën ta ndanin dheun e lavdishëm shqiptar nga hapësira
e stërlavdishme islamike, duke dashur ta rebelojnë atë siç rebelohet djali
kundër mëmës, pra tani që këta bukëshkelës janë bërë pluhur e hi nga zemërimi i
shenjtë sulltanor, unë i zgjat dorën e paqes Shqipërisë, d.m.th. të katër
vilajeteve të saj”.
Dhe
më pas naracioni i shkrimtarit Ismail Kadare në intermexon “Komisioni i festës”
vazhdon:
“Me
urdhrin tim mbretëror, formula e vjetër osmane: “Shqipërinë e kam gaz” u vu
prapë në krye të defterit të punëve të qeverisë, si një llambë që do ndriçojë
gjithçka që lidhet këndej e tutje me këtë vend. Prandaj unë urdhërova të
zhbëhen të gjitha dekretet e nxjerra kohët e fundit në gjaknxehtësi e sipër për
këtë vend dhe shpall të vetmin ferman të lartë këtë që po firmoj sot, në të
cilin urdhëroj:
Një.-Të shpallet amnisti e përgjithshme për gjithë
krerët e Shqipërisë, që, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë treguar
mosbindje ndaj pushtetit perandorak, ose, të shtyrë nga shejtani dhe nga
pashallarët rebelë, kanë ngritur edhe armët kundër tij.
Dy.-Për të rivendosur marrëdhëniet e vjetra me
Shqipërinë, tani që bukëshkelësit e mëdhenj u bënë hi e pluhur, të organizohet
një mbledhje e madhe në qytetin e bekuar N, ku të ftohen të pesëqind krerët e
këtij vendi: kapedanë, flamurmbajtës, prijës ushtarakë, tribunë, kryetarë
kuvendesh, kryepleq, kapedanë deti, kryebesëtarë të zgjedhur, derebejlerë etj”.
Sipas
Ismail Kadarese, fermani u firmos nga Mahmudi II, sulltan, kalif dhe imam i
madhërishëm, mbret i botës, me nënshkrimin: “E kopjoi robi i humbur i allahut,
Ibrahimi”
Po
sipas Kadaresë, ftesat me vulën dhe shenjat mbretërore u përgatitën në zyrat e
Protokollit Perandorak. Dyzet korrierë u nisën nga kryeqyteti për të çuar
ftesat mbretërore në Shqipëri.
Pasojat
Masakra
pati pasoja të rënda për qëndresën shqiptare në jug. Me prijësit e vrarë,
fshatrat dhe qytetet mbetën pa udhëheqës dhe u bënë më të cenueshme ndaj
pushtimit dhe asimilimit. Familjet e tyre u detyruan ose të nënshtronin ose të
arratiseshin drejt maleve për të vazhduar luftën në kushte shumë më të
vështira. Megjithatë, ky akt pabesie nuk e shoi rezistencën shqiptare.
Përkundrazi, kujtimi i kësaj masakre ndezi një urrejtje edhe më të madhe ndaj
pushtuesve osmanë dhe frymëzoi breza të rinj luftëtarësh për të vazhduar
betejën për liri.
Masakra
e 500 prijësve shqiptarë nuk ishte një rast i izoluar. Perandoria Osmane
përdori strategji të ngjashme për të eliminuar kundërshtarët në pjesë të
ndryshme të Ballkanit. Kujtojmë edhe ngjarje si ekzekutimet masive të krerëve
shqiptarë pas Lidhjes së Prizrenit.
Letërsia
Në
mënyrë letrare, Ismail Kadare e ka përshkruar në këtë mënyrë masakrën osmane
mbi 500 prijësit e Jugut të Shqipërisë. Sipas një relacioni që Muhardar pasha i
dërgonte sulltanit:
Kancelerisë së Sulltanit. Tepër sekret. Raport mbi ngjarjen
e 31 marsit. Sipas udhëzimeve tuaja të larta tepër sekrete, që i dinim vetëm
unë dhe kapiten Durmish Dur Aliu, në mesditën e 31 marsit pushkët e ushtarëve
që do të merrnin pjesë në paradën e hipodromit, u zëvendësuan me pushkë të
mbushura. Për sa i përket së fshehtës së madhe të Katil-fermanit mbretëror,
atë, ashtu siç e kërkonin udhëzimet tuaja tepër të larta, nuk e pa askush,
madje as unë vetë.
...Kërdia vazhdoi
rreth një orë. Ata vërtiteshin si bisha të zëna në çark, zgjatnin duart
përpara, sikur donin të kapnin me to plumbat dhe përpiqeshin ta jepnin sa më
shtrenjtë jetën e tyre rebele. Njoftojmë me
hidhërim të thellë se plumbat e tyre të mallkuar na vranë 139 oficerë dhe
ushtarë, shpirti i të cilëve u ngjit me lavdi drejt e nga fusha e luftës në
fushat e pambarim të ahiretit. Ata rrëzoheshin njëri pas tjetrit, dhe vërtitja
e atyre që kishin mbetur, nisi t'i ngjante një gjumi të lig. Shumica ishin të
shtrirë përtokë, dhe ata të paktë që vinin rreth akoma mbi kuaj, duke u penguar
mbi trupat e shokëve të tyre, rralloheshin e rralloheshin gjithnjë. Erdhi një
çast dhe u shtrinë të gjithë dhe mbeti vetëm njëri, që vazhdonte të sillej mbi
kalë si një shpirt i keq. Gjashtë herë e rrëzuan plumbat dhe gjashtë herë mundi
të ngrihej dhe të vazhdonte vërtitjen e tij ogurzezë. Atëherë trupat morën
urdhër të suleshin mbi ta me bajoneta, për të grirë ata që mund të kishin
mbetur gjallë. Dhe këtu, nga ata katilë që s'donin e s'donin të hiqnin shpirt,
na u vranë rreth 100 oficerë dhe ushtarë të tjerë, u ndrittë shpirti në jetë të
jetëve etj. etj. Një hum-bje kaq e madhe nga ana jonë nuk ishte parashikuar,
por kjo ndodhi ngaqë tërbimi i tyre, kur panë atë, që sipas mendjes së tyre të
marrë ishte një «tradhti», i kaloi të gji-thë kufijtë e zemërimit njerëzor. Veç
kësaj, shkak për këto humbje u bënë edhe veshjet e tyre djallëzore, në të cilat
ka kaq shumë ngjyra të ndezura, sidomos të kuqe mbi të bardhë etj. etj., saqë
ushtarët tanë, në çastin që po i grinin me bajoneta, e kishin vështirë të
kuptonin se cilët prej tyre qenë me plagë e cilët jo, sepse ngjyrat e rrobave
të tyre bëheshin një me ngjyrën e gjakut, kështu që i plagosuri për vdekje
dukej sikur s'kishte asnjë plagë”.
Përfundim
Ky
episod i tmerrshëm i historisë shqiptare mbetet një dëshmi e pabesisë dhe
brutalitetit të pushtuesve, por edhe e guximit dhe sakrificës së shqiptarëve
për liri. Masakra e prijësve të jugut është një nga shumë shembujt që tregon se
sa të shtrenjta kanë qenë përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe
autonomisë.
Historia
na mëson se liria nuk dhurohet, por fitohet me gjak dhe sakrificë. Shqiptarët e
përjetësuan këtë tragjedi si një mësim historik për të mos e përsëritur besimin
e verbër ndaj pushtuesve, por për të mbajtur gjithmonë ndezur zjarrin e
vigjilencës dhe qëndresës.
Ky
akt barbar u përcoll në kujtesën popullore me zemërim, por edhe me dhimbje. Ai
u përjetësua në këngë, rrëfime dhe më vonë në letërsinë moderne, siç ndodh në
novelën “Komisioni i Festës” të Ismail Kadaresë.
No comments:
Post a Comment