Tuesday, January 20, 2026

“Beteja e Shinave”, lufta e heshtur e Rezistencës Franceze

 

Nga Leonard Veizi
 
Në vitin 1946, vetëm një vit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kinemaja franceze solli një nga veprat më të fuqishme dhe më të heshtura të kujtesës kolektive: “La Bataille du rail” e cila në shqip vjen “Beteja e Shinave”, me regji të René Clément. Ky film nuk është thjesht një rrëfim lufte; ai është një monument i përulur i rezistencës civile, një elegji për heronjtë anonimë që vepruan larg frontit, në stacione të vogla, në tunele, në ndalesa pa emër.
Filmi përqendrohet te punëtorët e hekurudhave franceze, njerëz të zakonshëm që shndërrohen në nyje vitale të Rezistencës Franceze. Ata sabotuan transportet ushtarake gjermane, vonuan trenat, shkatërruan shina dhe komunikime, duke ndikuar drejtpërdrejt në suksesin e Pushtimit të Normandisë nga Aleatët. Lufta, këtu, nuk zhvillohet në fushëbeteja epike, por në gjeste të vogla, të rrezikshme dhe shpesh fatale.
Një nga veçoritë më domethënëse të filmit është përdorimi i punëtorëve të vërtetë hekurudhorë si aktorë. Kjo zgjedhje i dha veprës një autenticitet brutal: fytyrat nuk janë të stërvitura për kamerën, por të gdhendura nga puna, frika dhe përgjegjësia. Kamera e Clément-it nuk idealizoi, nuk sentimentalizoi. Ajo vëzhgoi, dokumentoi, ndoqi ritmin mekanik të trenave dhe ankthin njerëzor që fshihej pas tyre.
Një nga elementët më tronditës të Betejës së Shinave është besnikëria ekstreme ndaj realitetit. Skenat kyçe nuk u ndërtuan për kamerën, por u jetuan ashtu siç ndodhnin në luftë: pa efekte speciale, pa iluzione teknike. Treni që shkatërrohet në film ishte një tren i vërtetë, i hedhur realisht në luginë, duke e kthyer aktin filmik në një gjest pothuajse dokumentar. Edhe në skenat e betejës nuk ka simulim – municioni i përdorur ishte i vërtetë, sepse paradoksalisht, në Francën e sapodalë nga lufta, fishekët realë gjendeshin më lehtë sesa municionet bosh. Kjo zgjedhje e rrezikshme e Clément-it i jep filmit një tension të pakrijueshëm artificialisht: kamera nuk regjistron një spektakël, por një copë realitet të zhveshur nga çdo mbrojtje estetike.
Shpesh “Beteja e Shinave”është krahasuar me neorealizmin italian, por kjo lidhje është vetëm pjesërisht e saktë. Ndryshe nga dramat intime të De Sica-s apo Rossellini-t, filmi i Clément-it është më afër traditës dokumentare: struktura e tij kolektive, mungesa e një protagonisti të vetëm dhe theksi mbi veprimin e organizuar e afrojnë atë me kronikën filmike. Është një film ku individi shkrihet në trupin e rezistencës, ashtu si një shinë në rrjetin hekurudhor.
Suksesi i filmit në Festivalin e Kanës në vitin 1946 – ku fitoi Prix International du Jury dhe Çmimin për Regjinë më të Mirë – nuk ishte vetëm një vlerësim artistik, por edhe një akt simbolik. Franca e pasluftës po kërkonte rrëfime që të rindërtonin dinjitetin e saj moral, dhe “La Bataille du rail” ofroi pikërisht këtë: një histori ku heroizmi nuk bërtet, por punon në heshtje.
Shpërndarja e filmit në Shtetet e Bashkuara në vitin 1949 e ktheu atë në një dëshmi ndërkombëtare të rezistencës evropiane, duke i kujtuar publikut amerikan se fitorja ndaj nazizmit ishte rezultat i një bashkëpunimi global, ku edhe punëtorët e hekurudhave kishin qenë ushtarë pa uniformë.
Dy bashkë-skenaristët e filmit, René Clément dhe Colette Audry, botuan skenarin e tyre të adaptuar në një roman tre vjet pas publikimit të filmit, në vitin 1949,
“La Bataille du rail” është trasmetuar edhe në kinematë shqiptare si dhe në ekranin e televizionit zyrtar të para viteve 1990.
Sot, Beteja e Shinave mbetet një film thelbësor jo vetëm për historinë e kinemasë, por edhe për mënyrën se si arti mund të ruajë kujtesën e rezistencës. Ai na kujton se luftërat nuk fitohen vetëm me armë, por edhe me guximin e heshtur të atyre që dinë se një tren i ndalur në kohën e duhur mund të ndryshojë rrjedhën e historisë.

Xhorxh Oruelli, anatomia e pushtetit ose roja e fundit e së vërtetës

U lind më 25 qershor 1903 në Indi, por  vdiq me 21 janar 1950 ne Londër

  

Nga Leonard Veizi
 
“Të gjithë kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat”. Kjo sentencë u ngrit në pjedestal. Dhe nuk është thjesht cinizëm letrar, por diagnozë e saktë e pushtetit që përdor barazinë si maskë për privilegjin...
 
..Ka shkrimtarë që thjesht i përkasin kohës së tyre. Por ka dhe të tjerë që duken sikur e kanë përgjuar të ardhmen. Xhorxh Oruelli është nga këta të fundit. Ai nuk shkroi për të zbukuruar realitetin, por për ta zhveshur atë deri në kockë, për t’i hequr maskat dhe për të treguar fytyrën e vërtetë të pushtetit. Në një shekull të përgjakshëm, ku ideologjitë premtuan shpëtim dhe prodhuan kampe, frikë dhe heshtje, Oruelli u bë roja i fjalës së lirë dhe i së vërtetës së pambrojtur.
 
Fillimet
I lindur si Erik Artur Bler në Motihari të Indisë koloniale, nën hijen e Perandorisë Britanike, ai u rrit në një botë privilegjesh të vogla dhe padrejtësish të mëdha. Që herët, Oruelli e kuptoi se pushteti nuk është vetëm strukturë politike, por gjendje mendore dhe morale. Ky tension mes klasës nga vinte dhe ndjeshmërisë që e shtynte drejt të përjashtuarve u bë nervi i gjithë krijimtarisë së tij.
Përpara se të shndërrohej në shkrimtarin që do të trondiste ndërgjegjen e botës, Oruelli zgjodhi të jetonte në skaje. Si oficer policie në Birmani, ai pa nga brenda mekanizmin e ftohtë të imperializmit dhe mësoi ta urrejë atë pa kthim. Më pas, në Paris dhe Londër, u zhyt me vetëdije në varfëri, në dhomat e ftohta dhe punët poshtëruese, duke kërkuar të kuptonte jo nga librat, por nga përvoja, se çfarë do të thotë të jesh i padukshëm në shoqëri. Ai nuk i vëzhgonte njerëzit nga lartësia morale e intelektualit, por nga brenda, si njëri prej tyre.
Kthesa e madhe erdhi në Spanjë. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të kohës që revolucionin e soditnin nga tryezat e kafeneve, Oruelli mori pushkën dhe shkoi në luftë. Atje, në baltën dhe frikën e Luftës Civile Spanjolle, ai pa tradhtinë më të rëndë të shekullit të njëzetë: idealin revolucionar të gërryer dhe shkatërruar nga vetë ata që flisnin në emër të tij. Aparati stalinist nuk po luftonte vetëm fashizmin, por po zhdukte çdo mendim të lirë brenda së majtës. Prej atij momenti, Oruelli mbeti socialist në bindje, por u bë armik i pamëshirshëm i çdo totalitarizmi. Ai kuptoi se pa lirinë e fjalës, çdo ide, sado fisnike në letër, shndërrohet në vegël shtypjeje. Dhe  këtë ai e pasqyroi së paku në dy librat e tij monumental.
 
“Ferma e Kafshëve”
Kjo e vërtetë merr formë të përkryer në “Ferma e Kafshëve”, një libër i vogël në pamje, por shkatërrues në përmbajtje. Revolta e kafshëve kundër zotit Xhons nis si ëndërr çliruese dhe përfundon si makth. Derrat që premtojnë barazi përfundojnë duke e uzurpuar pushtetin dhe duke rishkruar rregullat sipas interesit të tyre. Oruelli nuk shkruan thjesht për Revolucionin Rus, por për çdo revolucion që harron njeriun në momentin kur merr pushtetin. Ndryshimi i urdhëresave në murin e fermës është një nga skenat më të frikshme të letërsisë moderne, sepse aty vritet kujtesa, dhe pa kujtesë, e vërteta nuk ka më mbrojtje. Fjalia e fundit, se të gjithë janë të barabartë por disa më të barabartë se të tjerët, nuk është satirë. Është epitafi i çdo utopie të tradhtuar.
 
“1984”
Nëse “Ferma e Kafshëve” është shikim pas, “1984” është shikim drejt humnerës që na pret. I shkruar në vetminë e ishullit Jura, ndërsa trupi i autorit po shuhej nga tuberkulozi, ky roman nuk është fantazi, por paralajmërim. Në botën e 1984 pushteti nuk mjaftohet me bindjen e trupit. Ai kërkon nënshtrimin e mendjes. Vëllai i Madh nuk është njeri, por prani e përhershme. Gjuha e Re nuk është thjesht reformë gjuhësore, por projekt për të shkatërruar mendimin. Mendimi i Dyfishtë është dhuna më e rafinuar, sepse e detyron individin të gënjejë veten dhe ta quajë këtë të vërtetë.
Fundin e romanit Oruelli e bën qëllimisht të padurueshëm. Uinston Smithi nuk vdes hero. Ai thyhet. Ai dorëzohet. Ai mëson ta dojë pushtetin që e ka shkatërruar. Kjo është fitorja absolute e tiranisë dhe frika më e madhe e Oruellit për fatin e njeriut modern.
Stili i tij është i zhveshur, i ftohtë, pa zbukurime. Oruelli besonte se një fjali e qartë është akt rezistence. Ai e dinte se propaganda fillon aty ku gjuha humbet kuptimin. Prandaj shkroi thjesht, drejt dhe pa alibi estetike. Për të, të shkruarit mirë ishte një dritare e pastër dhe jo një perde për të fshehur të vërtetën.
Xhorxh Oruell, ka shkruar 9 libra, dy përmbledhje me ese të shkurtra dhe disa qindra recensione dhe artikuj publicistikë për gazetat e kohës.
 
Epilog
Sot, në epokën e lajmeve të rreme, survejimit dixhital dhe rishkrimit të pandërprerë të historisë, Oruelli nuk lexohet si klasik, por si bashkëkohës i rrezikshëm. Ai na mëson të dyshojmë, të ruajmë fjalën dhe të mos pranojmë kurrë që dy plus dy të bëjnë pesë, sado fort ta kërkojë pushteti.
Në këtë kuptim, Xhorxh Oruelli nuk është thjesht shkrimtar. Ai është roja e fundit e së vërtetës në një botë që vazhdon të ketë frikë prej saj.

Friday, January 16, 2026

Rudiard Kipling, ca fjalë “të varfra” për një poemë madhështore



Nga Leonard Veizi

Nëse do të duhej një material letrar ku të bashkoheshin arsyeja, morali, prakticiteti dhe vetë filozofia e jetës, do të mjaftonte të lexoheshin 33 vargjet e poemës “If” të Rudiard Kiplingut. Një poezi që në shqip ka ardhur si “Nëse” ose, në përkthimin tashmë të kanonizuar, “Në mundsh”.

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin,
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

Këto janë vargjet e poetit brilant britanik Rudiard Kipling. Poezia e tij ishte më shumë se e famshme — dhe sot është edhe më tepër sesa në kohën kur u shkrua. Një “poemë” që më ka mahnitur gjithmonë, qoftë kur e lexoja vetë nën zë, qoftë kur e dëgjoja të interpretuar nga të tjerë. Në shqip ajo ka ardhur përmes përkthimeve të mjeshtërve të mëdhenj Fan Noli dhe Robert Shvarci.

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Janë dy përkthime që, në mënyra të ndryshme dhe po aq të njëjta, i kanë dhënë jetë një poezie që vlen njësoj si për baballarët, ashtu edhe për bijtë e tyre. Dhe ndërsa Noli do ta sillte në një variant tosk të shqipes, “Në munç”, Shvarci do të ishte më afër gjuhës së njësuar: “Në mundsh”.

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatërrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim, burim mashtrimesh…

Rudiard Kipling e shkroi këtë poezi në vitin 1895, kur ishte në të tridhjetat e tij. Por magjia e saj u përhap shumë shpejt dhe mori domethënien e vet për këdo që hynte brenda saj.

Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Për shumëkënd, poezia është një platformë, një refleksion marramendës, ku në pak vargje të sintetizuara jepet leksioni i çmuar për baballarët e për çdo fëmijë: cilat janë parimet në jetë për t’u bërë një burrë me “rr” të fortë.

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zësh në gojë…

Rudiard Kipling ishte gazetar, shkrimtar, tregimtar, poet dhe novelist. U lind në Bombei-n e dikurshëm të Indisë,e që sot quhet Mumbai, një vend që frymëzoi shumë nga veprat e tij. Por ai udhëtoi në të gjithë botën, duke shkruar vazhdimisht.

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…

Por Kipling njihet edhe për vepra të tjera po aq të jashtëzakonshme, të cilat na kanë bërë të ëndërrojmë aventura të çuditshme e të paharrueshme, si në rastin e “Libri i Xhunglës” apo “Kapiteni Guximtar”. Proza e tij na jep një pasqyrë të jashtëzakonshme të jetës së botës indiane, por edhe të jetës së ushtarëve britanikë, e posaçërisht të botës së fëmijëve dhe të kafshëve, sidomos pas një qëndrimi disa­vjeçar në Afrikë.

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash,
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkënd e çmon, por veç sa meriton…

Kipling ishte fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1907. Ky çmim iu dha për veprën e tij, ndër të tjera edhe për “The Jungle Book” apo “Libri i Xhunglës”. Rudiard Kipling mbetet laureati më i ri i Nobelit për Letërsi, të cilin e fitoi në moshën 41-vjeçare.

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im!

“Më tregoni gjashtë vitet e para të jetës së një fëmije dhe pastaj unë do t’ju tregoj pjesën tjetër”, ka shkruar Kipling. Ai e shkroi “If” si një elegji me filozofi personale. Megjithatë, jeta e tij njohu edhe dhimbje të thella: ai përjetoi vdekjen e djalit të tij 18-vjeçar gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe më herët kishte duruar edhe humbjen e vajzës së tij shtatëvjeçare, Jozefinës.
Rudiard Kipling vdiq në Londër në vitin 1936, pasi kishte jetuar 70 vjet nga jeta e tij.
Në një sondazh të kryer nga BBC në vitin 1996, “If” u votua si poezia më e preferuar në Mbretërinë e Bashkuar, duke fituar dy herë më shumë vota se poezia e renditur në vendin e dytë.


Sunday, January 11, 2026

Haruki Murakami, shkrimtari që i dha zë heshtjes moderne



Nga Leonard Veizi

Në 12 janar të vitit 1949, në qytetin e lashtë të Kyotos, ku hijet e tempujve rrëfejnë histori të harruara dhe koha rrjedh në mënyra të çuditshme, lindi Haruki Murakami. Një fëmijë i pasluftës, i rritur mes kujtesës së copëtuar të Japonisë dhe tingujve të një bote që ndryshonte me shpejtësi. Letërsia e tij nis aty ku logjika hesht: në buzë të një pusi të errët, nën dritën e dy hënave që nuk ndodhen askund në qiellin tonë, ose në shoqërinë e një maceje që zhduket pa lënë gjurmë...

...Në krijimtari, çdo fjali e Murakamit tingëllon si një notë muzike, një xhaz i ngathët i ndarë mes nostalgjisë dhe magjisë. Në Shqipëri, ai nuk është thjesht një autor i huaj; është një dritare e hapur drejt një universi tjetër, ku koha dhe ndjenja gërshetohen në ritmin e vetëdijes. Falë mjeshtërisë së përkthyesve tanë, lexuesi shqiptar mund të hyjë në “dhomat e errëta të ndërgjegjes”, aty ku çdo simbol dhe çdo tingull ka kuptim të fshehtë.

Universi i Murakamit në gjuhën shqipe
Shumica e veprave të tij në shqip kanë ardhur nën logon e shtëpisë botuese "Skanderbeg Books", e cila ka ndjekur me përpikëri korpusin e tij kryesor. Përkthyes si Ilir Baçi, Artan Kuçi, Merita Meçe, Orjeta Marku… kanë ndihmuar që ajo atmosferë melankolike dhe ritmi i veçantë i prozës të ruhet, duke i dhënë lexuesit një ndjesi afërsi me botën e tij surreale.
Edhe pse veprimet e romaneve të tij ndodhin në lagjet e Tokios si Shinjuku dhe Shibuya, lexuesi shqiptar gjen lehtësisht veten te personazhet e tij. Murakami flet për ndjenja universale: vetminë në një qytet të madh, kërkimin e një zëri në heshtje, dashurinë që mbetet e paqartë dhe muzika që shëron dhe çmend në të njëjtën kohë. Xhazi dhe muzika klasike që dëgjojnë personazhet e tij pasqyrojnë shpirtin e shumë të rinjve shqiptarë, të cilët në tingujt perëndimorë gjetën arratisje, rezistencë dhe ëndërr.
Ashtu si Japonia, edhe Shqipëria mban plagët e saj të historisë. Personazhet e Murakamit, që gërmojnë në puset e së kaluarës, rezonojnë thellë me lexuesin tonë: dhimbja, nostalgjia, dhe shpresa për një dritë të vogël janë universale.

Disiplina e maratonistit
Përtej miteve dhe misterit, Murakami është i njohur për një disiplinë pothuajse ushtarake. Ai zgjohet në orën 4:00 të mëngjesit, shkruan për 5-6 orë dhe pastaj vrapon ose noton çdo ditë. Ky ritëm i ngurtë pasqyrohet në librin e tij "Çfarë flas" kur flas për vrapimin, që frymëzon jo vetëm drejt letërsisë, por edhe drejt sportit, vetëkontrollit dhe përqendrimit. Në mënyrë të heshtur, Murakami na mëson se shkrimi dhe jeta janë të lidhura: çdo hap, çdo frymëmarrje, çdo tingull ka rëndësi.

Një udhërrëfyes i heshtur
Sot, Haruki Murakami mbetet një nga autorët më të kërkuar, jo vetëm në libraritë e botës por dhe ato të Tiranës dhe qyteteve të tjera shqiptare. Ai nuk bërtet, nuk jep leksione morale dhe nuk kërkon të jetë profet. Ai thjesht na merr për dore dhe na zhyt në puset tona të brendshme, duke na treguar se edhe në errësirën më të thellë, një dritë e vogël ekziston gjithmonë – qoftë një melodi e harruar, një kujtim i dashur, apo shpresa për të parë dy hënat në qiellin tonë të brendshëm.

Zyliha Miloti, ikona e elegancës dhe shpirti i humorit shkodran



Nga Leonard Veizi

Ajo njihet si  aktorja e 1.000 roleve.
“O Tusho, hajde nji her… Se nji ktu ma ka pru. I kam dhan nja pesëdhjetë fotografi, por s’po merr asnji…”
Kjo është Zyliha Miloti, aktorja e mrekullueshme e Estradës së Shkodrës e cila edhe pa u dukur fizikisht, të bën të qeshësh.
U lindi në Shkodër më 11 janar 1946, në qytetin ku humori nuk është thjesht art, por mënyrë të menduari. Në atë djep kulture ku fjala ka ritëm dhe batuta lind natyrshëm, Zyliha u rrit me instinktin e skenës. Rrugëtimi i saj artistik nisi herët dhe u kurorëzua me diplomimin në Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1965. Ishte vetëm fillimi i një karriere që do ta shndërronte në një institucion të gjallë të artit shqiptar.

Një jetë në skenë
Që nga viti 1967, emri i Zyliha Milotit u bë i pandashëm nga Estrada Profesioniste e Shkodrës. Për më shumë se katër dekada, ajo nuk ishte thjesht një aktore humori, por një prani magnetike, e aftë të mbushte skenën me finesë, hir dhe një timbër zëri të dallueshëm. Eleganca e saj natyrore bashkëjetonte në harmoni me komiken, duke krijuar një profil unik – femëror, inteligjent dhe thellësisht njerëzor.

Bashkëpunimi me kolosët
Suksesi i Zylihasë nuk mund të konceptohet pa bashkëpunimet e saj të jashtëzakonshme me figurat emblemë të humorit shkodran:
Me Tano Banushin, ajo ndërtoi duete që sot janë pjesë e antologjisë së estradës shqiptare. Zyliha ishte partnerja ideale: elegante, e përmbajtur, duke i dhënë batutës së mprehtë një kontrapunkt të rafinuar.
Me Paulin Prekën, solli skeçe që mbeten referencë për humorin e situatës dhe dialogun e shpejtë, të saktë, pa teprime.
Duke interpretuar me plejadën e artë të estradës shkodrane, si Hasan Smaja, Gjosho Vasia, Zef Deda dhe Besnik Çinari ajo u bë pjesë e një ansambli që e ktheu qytetin verior në kryeqendrën e buzëqeshjes shqiptare.

Shkëlqimi në kinematografi
Edhe pse e kurorëzuar si “mbretëresha e estradës”, Zyliha Miloti e shtriu talentin e saj edhe në kinematografi, ku ruajti të njëjtën natyrshmëri dhe finesë interpretimi:
“Maja”  i vitit 2011 ishte një rikthim dinjitoz në ekran, që tregoi se pjekuria artistike e saj ishte pasuruar edhe më shumë me vitet.

Titujt
Me qindra role në teatër, estradë dhe film, Zyliha Miloti mbetet një figurë emblematike e artit shqiptar. Përdorimi i saj i matur dhe artistik i nëndialektit shkodran e ngriti të folurën lokale në nivel arti, duke i dhënë fjalës ritëm, muzikalitet dhe shpirt.
E nderuar me titujt “Mjeshtre e Madhe” dhe “Qytetare Nderi e Shkodrës”, Zyliha Miloti është një pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë kolektive, një ikonë që e ktheu buzëqeshjen në art dhe artin në dashuri për njerëzit.

“Shoku ynë Tili”  i vitit 1981 i dha një rol plot jetë dhe autenticitet, që pasqyron me delikatesë realitetin social të kohës.
-“Mos thirr, o Qemal, mos thirr. Po na dëgjojnë edhe komshinjtë. Avash, se ia këpute veshin djalit, o Qemal. Shko tani të lahesh, se po të ftohet uji.”

“Dy herë mat” i vitit 1986 – një tjetër dëshmi e elasticitetit të saj aktorial.
-“Cuk, po kur je, mor gënjeshtar! Edhe ti mashtrues. E di si ma ke lënë shtëpinë, apo jo? Gjithë tallash. Më çmendi era e tutkallit. Çfarë Kopi mor, urdhëro unë këtu. Ma di inatin, apo jo?”

“Pak fresk sonte” i vitit 1994 ishte një titull skenari e regjie që i shkon aq shumë natyrës së saj skenike.
-“Po ty, mor karafil! Të kishin pat zanë në flagrancë… Më thanë njerëz seriozë. Po unë ta nxjerri shpirtin! Kush ka qenë ajo, një herë ma thuaj. S’të vjen marre, baba i gjashtë fëmijëve?”

Titujt
Me 60 vite karrierë, 26 premiera dhe qindra role në teatër, estradë dhe film, Zyliha Miloti mbetet një figurë emblematike e artit shqiptar. Përdorimi i saj i matur dhe artistik i nëndialektit shkodran e ngriti të folurën lokale në nivel arti, duke i dhënë fjalës ritëm, muzikalitet dhe shpirt.
E nderuar me titujt “Mjeshtre e Madhe” dhe “Qytetare Nderi e Shkodrës”, Zyliha Miloti është një pjesë e rëndësishme e kujtesës sonë kolektive, një ikonë që e ktheu buzëqeshjen në art dhe artin në dashuri për njerëzit.

 



Saturday, January 10, 2026

Përmbytje dhe spektakël, nga dilema e Arifit të Bamkë Qylollarit te drama e tmerrshme e Big-ut





Nga Leonard Veizi

-Për nder, o shoku mësues, nuk ka më të habitshme se jeta.
Kështu thoshte Arifi, nipi i Bamkë Qylollarit – personazh i Dritëro Agollit te romani “Komisari Memo”,  - që ishte  i gënjyer nga Balli, por që nga fundi i luftës mori rrugën e drejtë të Partisë.
-Unë kujtova Arif, kush e di ç’do thoshte, - ia pret mësuesi, që ishte njëkohësisht edhe i lapsit, edhe i kobures me mulli.
-Po, po… jeta është e habitshme, - këmbëngulte Arifi në filozofinë e tij, duke dredhur cigaren me mbetje duhani.
Kjo batutë e vjetër, – që i përket filmit “I teti në bronz”, me regji të Viktor Gjikës, – vjen në kohë po aq e re, sa herë që realiteti na e servir në formë groteske. Dhe më erdhi ndër mend teksa ndiqja lajmet e Top-it, ku flitej për përmbytje, njerëz të humbur, shtëpi nën ujë, familje që s’dinin ku të fusnin kokën. Një hall i madh, real, i rëndë, që s’ka nevojë për regji televizive. Ujë i pistë, baltë dhe frikë.
Por paralelisht, në të njëjtin kanal televiziv drama tjetër – për disa edhe më e madhe se kaq: - janë të nominuarit e Big-ut, të mbërthyer nga ankthi se kush do të dilte “fishek” jashtë, pa bërë gati as valixhet. Ky është hall, vëlla. Një tragjedi tjetër, sipas rregullave të spektaklit.
Ore meqë ra llafi, këta të përmbyturit ku e shohin spektaklin? Apo në sallën e kooperativës, - që ua ofron Bashkia, - si Luani që ndiqte lajmet e Tiranës te salla e kulturës, se kishte rënë në dashuri me spikeren e televizionit, aty tek filmi “Kur hapen dyert e jetës”.
Dhe më tej, tek emisioni që tashmë mund të cilësohet si versioni adekuat i “Burrat kërkojnë gra e gratë kërkojnë burra”, kemi të bëjmë me një lloj tjetër fatkeqësie kombëtare:
— Ah, sevda na përvëlove
— Na mbetën vajzat pa martuar
— Halli i djemve më i madh
— Mbetën vajzat në shtëpi
— Mua djemtë në Australi
— Le të vijnë, bëjmë krushqi
Epo, këto batuta janë shkëputur nga një tjetër film emblemë i Kinostudios, “Përrallë nga e kaluara”, me skenar dhe regji të Dhimitër Anagnostit.
-Jeta është e çuditshme, - thoshte Arifi i menduar, thua se po shpikte rrotën.
Pa dyshim, njerëzit kanë halle të ndryshme, kjo është e natyrshme. Por media i vë të gjitha në të njëjtën peshore morale: përmbytjen dhe përjashtimin nga shtëpia e Big-ut, hallin e bukës dhe hallin e famës, dramën e mbijetesës dhe dramën e audiencës.
Secili ka hallin e vet.
Por halli-hallit nuk i ngjan.
Dhe kur trajtohen njësoj, nuk krijojmë neutralitet, por një konfuzion moral. E kthejmë tragjedinë në sfond dhe spektaklin në qendër. E shesim absurditetin si normalitet.
Në fund, ndoshta Arifi kishte të drejtë kur thoshte: Jeta është e habitshme.
Por edhe më e habitshme bëhet kur ne zgjedhim ta shohim pa dalluar çfarë është dramë e vërtetë dhe çfarë është thjesht zhurmë.

Friday, January 9, 2026

Xhorxh Formën, vullkani i heshtur i Teksasit

 
 


Përgatiti: Leonard Veizi
 
Nën qiellin e pamatë të Teksasit të vitit 1949, aty ku pluhuri i varfërisë përzihej me nxehtësinë përvëluese dhe tensionet racore drithëronin ajrin, lindi një fëmijë që do të mësonte ta shndërronte zemërimin në mburojë...
 
...Xhorxh Eduard Formën nuk ishte thjesht një djalosh i rritur në rrugët e ashpra të Hjustonit; ai ishte një forcë e fjetur e natyrës. I heshtur, me një vështrim që dukej se peshonte më shumë se grushtet e tij, pak kush mund ta imagjinonte se ky djalë “problematik” do të shndërrohej në një nga figurat më njerëzore të mitologjisë sportive moderne: njeriun që rrëzoi gjigantët dhe, më pas, ringriti vetveten nga hiri.
 
“Big Xhorxh” ose epoka e shkatërrimit
Karriera e tij shpërtheu si një vullkan. Në Lojërat Olimpike të Meksikos, më 1968, bota pa një 19-vjeçar që lëvizte në ring me egërsinë e një luani të ri. Kur fitoi medaljen e artë, ai valëviti një flamur të vogël amerikan — një gjest që në atë kohë u lexua si patriotizëm i thjeshtë, por brenda tij ziente një ambicie e pangopur: të bëhej mbret i botës.
Kurora erdhi shpejt. Në vitin 1973, në Kingston të Xhamajkës, Formën u përball me kampionin e pamposhtur Xho Frejzhër. Ajo që ndodhi në ring ishte një tronditje globale: brenda dy raundeve, Formën e rrëzoi Frejzhërin gjashtë herë. “Down goes Frazier!”, ulërinte komentatori, ndërsa bota po dëshmonte lindjen e një force të pamëshirshme. Formën nuk boksonte; ai ekzekutonte. Fuqia e tij brutale dukej se sfidonte vetë kufijtë e trupit njerëzor.
 
Rënia në Kinshasa dhe vdekja e egos
Por çdo mit ka çastin e tij të thyerjes. Për Xhorxh Formën, ai çast ishte Zairi, viti 1974. Në ndeshjen legjendare “Rumble in the Jungle”, përballë tij doli gjeniu Muhamed Ali. Formën hyri në ring si një makinë lufte; doli prej andej si një njeri i zhveshur nga iluzioni i pathyeshmërisë. Strategjia “rope-a-dope” e Aliut nuk goditi vetëm trupin e tij, por edhe egon. Ajo humbje nuk ishte thjesht statistikë sportive; ishte një vdekje shpirtërore.
Pas kësaj, ai humbi busullën. U tërhoq në vetmi, dhe pas një humbjeje tjetër në vitin 1977, përjetoi një kthesë radikale: gjeti besimin, la ringun dhe u bë predikues. Boksi, për një kohë të gjatë, u duk si një kapitull i mbyllur.
 
Mrekullia e flokëve të thinjur
Për gati dhjetë vjet, dorashkat mblodhën pluhur, ndërsa Formën mbante Biblën në dorë dhe u shërbente të varfërve. Por në fund të viteve ’80, bota u befasua: një Formën më i rëndë, me flokë të thinjur, me bark paksa të lëshuar dhe me një buzëqeshje që kishte zëvendësuar vështrimin e egër, shpalli rikthimin. Skeptikët qeshën; e quajtën një shaka për para.
Më 5 nëntor 1994, ndodhi e pamendueshmja. Në moshën 45-vjeçare, i veshur me të njëjtat mbathje të kuqe si kundër Aliut dy dekada më parë, Formën goditi kampionin e ri Majkëll Murër me një grusht të vetëm, të pastër, në mjekër. Kur referi numëroi deri në dhjetë, Formën ra në gjunjë në cepin e ringut — jo nga lodhja, por në lutje. Ai u bë kampioni më i vjetër i botës në peshat e rënda, duke provuar se mosha është vetëm një numër, kur vullneti është prej çeliku.
 
Nga grushti te grilli
 
Jashtë ringut, Xhorxh Formën realizoi një tjetër “knock-out”, këtë herë në botën e biznesit. Me “George Foreman Grill” apo “Grilli i Xhorxh Formën”, ai u shndërrua në një ikonë të marketingut global, duke dëshmuar se pas muskujve fshihej një mendje e mprehtë sipërmarrëse. Emri i tij u transformua nga sinonim i frikës në sinonim besimi dhe afërsie.
 
Epilog
Sot, Xhorxh Formën është portreti i njeriut që jetoi dy jetë. Njëra ishte jeta e forcës së papërmbajtshme, ku ai u shpall “njeriu më i fortë në botë”. Tjetra, ajo e urtësisë, ku tregoi se forca e vërtetë nuk matet me sa fort godet, por me aftësinë për t’u ngritur sërish pasi jeta të ka rrëzuar përtokë. Ai mbetet një legjendë e gjallë, dëshmi se ringu më i vështirë për t’u fituar është ai me vetveten.

9 janar 2004/ Tragjedia e Karaburunit, udhëtimi i fundit drejt shpresës



Nga Leonard Veizi
 
Ishte udhëtimi i fundit drejt shpresës. Ishte udhëtimi i fundit drejt... vdekjes.
Në natën e ftohtë të 9 janarit 2004, brigjet e Jonit u bënë skenë e një prej tragjedive më të rënda detare të Shqipërisë së pasviteve ’90. Në brigjet e Karaburunit dallgët e ashpra dhe të pamëshirshme, përplasnin shpresat njerëzore mbi shkëmbinj.  Ajo që nisi si një përpjekje për t’i ikur varfërisë, u shndërrua në një ngjarje që do të gdhëndej përgjithmonë në kujtesën kolektive si simbol i emigracionit të dëshpëruar dhe i çmimit tragjik të "ëndrrës matanë detit"...
 
...Atë natë, ujërat e Jonit nuk dallonin më. Ishin një masë e vetme uji të ftohtë. Ndërsa gomonet ilegale të mbingarkuara bartnin në kufijtë e ekzistencës jetë njerëzore. Gratë mbështillnin fëmijët fort pas gjoksit, burra heshtnin për të mos treguar frikën, ndërsa më të rinjtë ishin të traumatizuar në një natë pis të zezë që ndillte vetëm zi. Trafikantët, - që kishin marrë nga 1500 euro për kokë, - u kishin premtuar shpëtimin, për t’i çuar në brigjet përkarshi me më shumë jetë e mundësi. Por deti, në heshtje, kishte të tjera plane. Kur mjetet e lundrimit u përmbysën, shpresa u shua vetëm në pak minutash, ndërsa i ftohti u bë arma e fundit, e padukshme, që mbylli rrugën drejt brigjeve italiane.
Kjo tragjedi nuk ishte vetëm një aksident detar. Ishte epilogu i dhimbshëm i një epoke, ku largimi shihej si e vetmja mundësi mbijetese dhe deti si një kalim i rrezikshëm, por i domosdoshëm. Ishte po aq, makutëria njerëzore, që në shkëmbim të parave i konsideronte jetët si një paketim i presuar për t'u hedhur tej. Karaburuni, me bukurinë e tij të egër, u shndërrua atë natë në një altar të heshtur kujtese, ku 28 jetë u shuan pa lamtumirë, duke e kthyer udhëtimin drejt shpresës në udhëtimin e fundit.
 
Nata e tmerrit
Gjithçka nisi në Gjirin e Palasës, ku një gomone e mbingarkuar me 36 persona – burra, gra dhe fëmijë shumica e të cilëve nga Veriu i Shqipërisë dhe më saktë nga qarku i Shkodrës, – u nis drejt Italisë.  Dhe faktet e tjera rrëvenin se në fakt ishin dy gomone dhe tre drejtues trafikanë. Gomonet u nisën nga kjo zonë, - një pikë e njohur atëherë për nisjet ilegale drejt Italisë, - për shkak të vijës bregdetare të thyer, mungesës së kontrollit efektiv dhe afërsisë relative me brigjet italiane. Nisja u bë natën, për të shmangur patrullimet detare.
Natën e 9 janarit, kushtet meteorologjike u përkeqësuan ndjeshëm. Deti i hapur, me një forcë dallgëzimi që i kalonte 5-6 ballë, u shndërrua shpejt në një kurth vdekjeprurës. Në afërsi të gadishullit të Karaburunit, një nga mjetet lundruese pësoi defekt dhe mbeti në mëshirë të dallgëve dhe erës së ftohtë të jugperëndimit. Temperaturat shumë të ulëta bënë që uji i detit të shkaktonte hipotermi brenda pak minutash.
Shumica e udhëtarëve ishin refugjatë të varfërisë, të shtyrë nga mungesa e perspektivës në zonat rurale dhe iluzioni se Italia ishte porta e vetme e shpëtimit. Ata nuk ishin thjesht numra në një listë klandestinësh; ishin kryefamiljarë që kërkonin punë dhe nëna që shtrëngonin fëmijët në gjoks nën acarin e janarit.
 
Thirrja që trondi kombin
Një nga elementet më “alert të kësaj tragjedie ishte thirrja telefonike e dëshpëruar e një prej viktimave drejt një televizioni kombëtar. Zërat që kërkonin ndihmë përmes telefonit, ndërsa mbyteshin në errësirë, u transmetuan live, duke e bërë mbarë opinionin publik dëshmitar të pafuqishëm të një vdekjeje të paralajmëruar.
Pavarësisht operacionit të kërkim-shpëtimit, - i cili u kritikua për vonesa dhe mungesë koordinimi, - bilanci ishte tragjik: 28 jetë të humbura. Disa familje humbën më shumë se një anëtar në të njëjtën natë. Trupat e pajetë u gjetën ditë më vonë; disa të nxjerrë nga dallgët në brigjet shkëmbore të Karaburunit, të tjerë u gllabëruan përgjithmonë nga thellësia e detit.
 
"Moratoriumi i skafeve"
Tragjedia e Karaburunit nuk ishte vetëm një dhimbje njerëzore, por edhe një kthesë politike. Kjo ngjarje detyroi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa drastike, duke çuar në vendosjen e Moratoriumit të Mjeteve Lundruese – apo skafeve, siç njihen në gjuhën e përditshme, - një përpjekje për të goditur rrjetet e fuqishme të trafikimit që kishin operuar të paprekuara për vite me radhë.
Megjithatë, për familjarët e viktimave, drejtësia mbeti e cunguar. Ndërsa disa nga trafikantët u dënuan, "peshqit e mëdhenj" të trafikut dhe përgjegjësit institucionalë shpesh i shpëtuan llogaridhënies, duke e lënë plagën e Karaburunit të hapur.
 
Varri i ëndrrave
Sot, Karaburuni me bukurinë e tij të egër, qëndron si një monument i heshtur i dhimbjes. Ngjarja është krahasuar me katastrofën e Kanalit të Otrantos të vitit1997, duke u konsideruar si ngjarja më e rëndë detare pas saj, dhe si provë se plagët e emigracionit të tranzicionit nuk ishin mbyllur ende.
Kjo tragjedi mbetet një kujtesë e kohës kur Adriatiku dhe Joni nuk ishin destinacione turistike, por një varr i hapur për ëndrrat e shqiptarëve. Ajo na kujton se pas çdo statistike emigracioni fshihet një histori njerëzore, një familje e shkatërruar dhe një shpresë që u shua mes dallgëve të ftohta të janarit.
 

Saturday, January 3, 2026

Albert Kamy, një rebel në kërkim të dritës dhe kuptimit


Nga Leonard Veizi
 
Në të ftohtin e 3 janarit 1960, në një kthesë rruge në Villeblevin – 22 kilometra larg Parisit – fati shkroi faqen e fundit të një historie që dukej se ishte projektuar nga vetë dora e Absurdit. Albert Kamy, njeriu që kishte sfiduar heshtjen e universit me forcën e fjalës, u largua nga kjo botë në moshën 46-vjeçare, nga një aksident automobilistik. Ora e tij kishte ndalur në çastin e përplasjes fatale: 13:55. Në një çantë iu gjet dorëshkrimi i papërfunduar i një romani.
 
Profili i një mesdhetari të përjetshëm
Lindur mes dritës verbuese të Algjerisë dhe varfërisë dinjitoze, Kamy u kthye në “ndërgjegjjen e gjallë” të një Europe të traumatizuar nga lufta. Me profilin e tij që të kujtonte yjet e kinemasë dhe shikimin depërtues, ai mbante mbi supe peshën e pyetjeve më të rënda njerëzore: A ka jetë pa kuptim? Si mund të jemi të lumtur në një botë që hesht?
 
Nobeli në letërsi
Në vitin 1957, kur Stokholmi e thirri për t’i dorëzuar Çmimin Nobel, ai ishte vetëm 44 vjeç. Ishte një nga laureatët më të rinj, një djalosh që ende ndjente kripën e detit Mesdhe në lëkurë, por tashmë kishte hyrë në panteonin e mendimit botëror.
 
Mes Sizifit dhe Revoltës
Edhe pse shpesh e etiketonin si ekzistencialist, Kamy e refuzonte këtë kostum. Ai nuk besonte në sisteme të mbyllura, por te individi. Ai na mësoi se përplasja mes dëshirës sonë për rend dhe heshtjes së paarsyeshme të botës krijon “Absurdin”.
Ashtu si Sizifi që rrokullis gurin pafundësisht, Kamy na tha se duhet ta imagjinojmë atë të lumtur, sepse vetë përpjekja drejt majës mjafton për të mbushur zemrën e njeriut. Për të, të jetosh do të thotë të revoltosh – jo me dhunë, por me kreativitet dhe duke mos pranuar kurrë të dorëzohesh para kotësisë.
 
"I Huaji"
Te “I Huaji”, Kamy na prezanton me Mërso-in, një personazh që lëviz nëpër jetë me një indiferencë tronditëse, i huaj jo vetëm për shoqërinë, por edhe për vetë emocionet e tij. Përmes këtij romani, autori disekton absurdin e ekzistencës: Mërso dënohet me vdekje nga gjykata jo aq për vrasjen e kryer nën diellin verbues të Algjerisë, sesa për faktin që refuzoi të gënjente për ndjenjat e tij, duke mos qarë as në varrimin e së ëmës. Vepra është një klithmë kundër hipokrizisë sociale; njeriu "i huaj" është ai që nuk pranon të luajë lojën e maskave morale, duke zgjedhur të vdesë me një sinqeritet të zhveshur përballë një bote që nuk e kupton mungesën e tij të dëshpërimit.
 
"Miti i Sizifit"
Ndërkaq, te eseja filozofike “Miti i Sizifit”, Kamy përdor figurën mitologjike për të ilustruar sfidën supreme të njeriut modern: kërkimin e kuptimit në një univers që nuk ofron asnjë. Ai argumenton se jeta mund të ngjajë me dënimin e Sizifit – rrokullisja e gurit drejt majës për ta parë përsëri të bjerë – por revolta e vërtetë lind pikërisht te vetëdija e këtij procesi. Duke e pranuar absurdin pa u dorëzuar te vetëvrasja apo shpresa e rreme, njeriu bëhet zot i fatit të tij. Guri pushon së qeni një ndëshkim dhe bëhet mjeti i lirisë së tij krijuese; prandaj Kamy përfundon me pohimin monumental se “duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur”, sepse vetë përpjekja drejt majës mjafton për të përmbushur zemrën e njeriut.
 
"Murtaja"
Te “Murtaja”, Kamy lëviz nga izolimi i individit drejt forcës së solidaritetit kolektiv, duke e vendosur veprimin në qytetin e Oranit, të rrethuar nga një sëmundje vdekjeprurëse. Përmes figurës së doktor Rieux, autori artikulon një lloj heroizmi të heshtur: kryerja e detyrës thjesht sepse është gjëja e duhur për t’u bërë, pa pritur shpërblime hyjnore apo lavdi. Murtaja këtu nuk është vetëm një fenomen biologjik, por një metaforë e fuqishme për pushtimin nazist, totalitarizmin dhe të keqen që fle brenda çdo shoqërie. Duke pohuar se “ka te njerëzit më shumë gjëra për t’u admiruar sesa për t’u përbuzur”, Kamy dëshmon se përballë një fati mizor dhe absurd, e vetmja rrugë e dinjitetshme është rezistenca e përbashkët dhe mirësia kokëfortë.
 
Një dritë që nuk shuhet
Vdekja e tij e parakohshme ishte një goditje për botën e letrave, por vepra e tij mbeti si një fener. Nga ftohtësia analitike e “I Huajit” te solidariteti njerëzor në mes të murtajës te “Murtaja”, Kamy mbrojti gjithmonë njeriun kundër ideologjive që vrasin.
Ai iku në moshën kur pjekuria takon gjenialitetin, duke na lënë pas mesazhin se edhe në mes të dimrit më të egër, brenda nesh ekziston një verë e pathyeshme.

Friday, January 2, 2026

Jarosllav Hashek, mjeshtri i absurdit dhe babai i “Shvejkut”



Nga Leonard Veizi

Jarosllav Hashek nuk ishte vetëm një shkrimtar; ai ishte një rebel bohem që e shndërroi jetën e vet në një akt të pandërprerë satire. I lindur në Pragë, ai refuzoi çdo formë konformizmi, duke jetuar mes anarkizmit, gazetarisë therëse dhe tavolinave të tavernave, aty ku merrnin formë historitë e tij më të guximshme. Jeta e tij e trazuar mori fund herët, pasi më 3 janar të vitit 1923, Hashek vdiq në moshën 39-vjeçare në Lipnice. Gjithsesi ai la pas një trashëgimi letrare që do të sfidonte kohën dhe pushtetin me një nga personazhet më ikonike të letërsisë botërore: Jozef Shvejkun.

Filozofia e “budallait” të mençur
Romani “Aventurat e ushtarit të mirë Shvejk gjatë Luftës Botërore” është një monument i antimilitarizmit dhe i ironisë shkatërruese. Përmes Shvejkut, Hashek krijoi një lloj të ri heroi – ose, më saktë, një antihero – që sfidon pushtetin jo me dhunë, por me absurditet.
Shvejku i zbaton urdhrat me një zell aq të tepruar, saqë nxjerr në pah marrëzinë e brendshme të sistemit. Ai shndërrohet në pasqyrën ku çmenduria e luftës sheh vetveten.
Vepra godet me humor të zi Perandorinë Austro-Hungareze, por mesazhi i saj mbetet universal për çdo mekanizëm burokratik që tenton të tjetërsojë individin.
Shvejku nuk lufton me bajoneta; ai lufton me fjalë dhe anekdota, duke dëshmuar se humori është forma më e lartë e rezistencës kur bota humbet arsyen.

“Ushtari…” në gjuhën shqipe
Në Shqipëri, ky roman nuk u lexua thjesht si një vepër e huaj, por u përvetësua si pjesë organike e kulturës sonë letrare. Ky sukses i detyrohet një plejade përkthyesish që e bënë Shvejkun të fliste shqip me një gjallëri të rrallë, ndër të cilët spikatën Gëzim Erebara dhe Tonin Bushati që pëkthyen nga gjuha çeke.

“Shvejkizmi” si metaforë shqiptare
Gjatë periudhës së diktaturës dhe më pas në tranzicion, Shvejku u shndërrua në një pasqyrë ku shqiptarët panë veten dhe mënyrat e tyre të mbijetesës. Sjellja e tij, shtirja si naiv për të shmangur rrezikun, rezonoi fort me individin shqiptar që duhej të jetonte brenda një sistemi absurd dhe shpesh shtypës.
Në zhargonin tonë të përditshëm, shprehja “mos bëj si Shvejk” përdoret ende për dikë që e përdor naivitetin si mburojë, për të shmangur përgjegjësitë ose për të goditur anash me ironi.
“Unë jam zyrtarisht idiot”, thotë Shvejku, por pikërisht përmes kësaj “diplome” ai mbetet i vetmi njeri me këmbë në tokë, në një botë që po shkon drejt vetëshkatërrimit.

Epilogu
Sot, Jarosllav Hashek mbetet një udhërrëfyes për të gjithë ata që besojnë se pushteti mund të rrëzohet me tallje. Shvejku vazhdon të jetë një shkollë më vete si një dëshmi se humori i vërtetë, ashtu si liria, nuk njeh kufij.