Friday, June 29, 2018

Çmimi që do shembi Teatrin Kombëtar



nga Leonard VEIZI

“Gjithkush e ka një çmim”. Fraza është thënë e stërthënë në gjithfarë versionesh, madje duket aq e konsumuar e bajate sa nuk ia vlen as ta përsëritësh duke marrë dhe të drejtat e autorit. E megjithatë është një shprehje që të vjen në kujtesë rëndom, pasi jo rrallë ndeshesh me fenomenet ku dashur padashur të kalon nëpër mend si meteor. Dhe ai që më sjell më së shpejti në mend frazën krejt të pahijshme, por krejt të saktë, është një episod i filmit hollivudian “Indecent Proposal”.
“Gjithkush e ka një çmim”.
Kjo frazë m’u kujtua sërish në këto ditë kur flitet shumë për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar e ndërtimin e një të riu. Kur në kauzën e mbrojtjes së godinës së vjetër, herë në tryeza bisedimesh e herë në një podium të improvizuar, hyjnë e dalin aktorë me emër.
Në ditë të vështira, Diana e filmit apo Demi Moore si aktore, e lëshon veten në krahët e një burri tjetër për një milion dollarë. Tha se nuk mund të blihej. Por në fakt kaq ishte çmimi i saj. Dhe duhet të themi se ishte vërtet një çmim i lartë. Shumë të tjera do ta kishin bërë për shumë më pak para.
Diana naive mendonte se ndjenjat nuk mund të bliheshin, por miliarderi Xhon, luajtur nga Robert Redford, vërtetoi të kundërtën. Pas një propozimi vërtet të paturpshëm nga ana e tij, ai arriti ta blejë Dianën e patundshme, madje në kundërpeshë edhe bashkëshortin e saj, duke paguar, as më pak dhe as më shumë, por një milion dollarë.
“Gjithkush e ka një çmim”.
Kështu më duket tani se po përfundon dhe lufta në mbrojtjen e godinës së teatrit. Ishin shumë më tepër aktorë në fillim. Por rrugës nisën të fironin pak nga pak. Kush e merrte çmimin e vet, dilte nga skena. Kanë mbetur në podiumin e luftës veteranët. Duken stoikë në mbrojtje të kauzës, por askush nuk e di se çfarë do të ndodhë kur t’u ofrohet çmimi, ashtu si Dianës së filmit nga miliarderi Xhon. Jam i bindur se sapo t’u afrohet ai çmimi edhe ata do ta lënë podiumin. Atëherë nuk do të ketë më nevojë për ruspa e buldozerë, që të mund të rrëzojnë godinën e Teatrit Kombëtar. Ajo ka për të rënë vetë, me një të shtyrë. 

Monday, June 25, 2018

Zbrazëtina


nga Leonard VEIZI

Title:           Zbrazëtina - tregime
Author:       Leonard Veizi
Editor:         Zimo Krutaj
Publisher:    Botimet "Logoreci", 2006
ISBN:         ISBN: 99943-869-9-9
Length:       142 pages

Monotonia në dhomën time nisi që herët në mëngjes, kur sapo isha zgjuar nga një gjumë i pakuptimtë dhe kur hapa sytë, përfundimisht ndjeva një zbrazëti të thellë në shpirt. Zbrazëtia ishte në të gjithë qënien time. Më dukej sikur s’kisha organe, as gjak që lëviste me shpejtësi nëpër damarë dhe zemra më punonte aq ngadalë saqë unë s’i ndieja më goditjet e saj. Isha si në një gjendje kome, ose diçkaje të përafërt që unë si vija dot emër. Në kokë nuk më lëvizte asnjë mendim dhe unë nuk sforcohesha për të menduar diçka. S’kisha asnjë arsye se përse më duhej të mendohesha, përse duhej të vrisja mendjen për gjëra të mundimshme, e aq më tepër të gëzohesha, a të kisha qoftë dhe një diçka të vogël nga e cila të më krijohej një grimasë e lehtë buzëqeshjeje. Ndoshta vetëm nga një sforcim i tillë do të fillonte më pas të mbushej ai boshllëk  i thellë.
Pas promovimit te vëllimit "I dënuar me vdekjen"
Dhoma ishte e zbrazët dhe e zymtë e asnjë zhurmë e dyshimtë nuk më bënte të përqëndroja vëmendjen time të shpërqëndruar andej nga lëvizte diçka. Asnjë tingull muzike i ardhur nga ndonjë aertopalant i largët radioje, dhe as zëri i ndonjë folësi që informonte mbi lajmet e fundit të ditës. Për më tepër nuk ndihej as fëshfërima e erës nëpër gjethet e pemëve dhe as zukatja e ndonjë mize që mund të kishte hyrë tinëz në dhomën time. Ishte një qetësi e padurueshme, por që gjithsesi nuk më krijonte asnjë shqetësim.
Nga dritarja e dhomës ndriçimi hynte i pakët nëpër katrorin e xhamtë, si midis një kaosi të pajetë ku drita dhe errësira vazhdonin të përlesheshin diku tej në horizontin e mugët. Dita e vranët dhe shpirti i zbrazët… Ky ishte mendimi i vetëm që më vinte në kokë i plotë dhe pse në fakt unë nuk e dija se si ishte koha jashtë. E megjithatë e ndieja. E kuptoja. Ishte vetë gjendja ime shpirtërore që ma tregonte këtë. Çuditërisht shpirti dhe koha kishin gjithmonë të njëjtat paralele. Ishin binjake të njëra-tjetrës dhe në të njëjtën kohë kundërshtare ishin sërish me njëra-tjetrën. Ose ndoshta vetëm më dukej kështu. Megjithatë ishte kjo ndjesi që më thoshte se ato e donin dhe e kundërshtonin njëra-tjetrën pa reshtur. Ishte një luftë e heshtur, por e thellë, deri në pambarim.




Fragment nga tregimi "Zbrazëtina" i përmbledhjes: “I dënuar me vdekjen


-----------------------------------------------------------------------------------------------------------
Bibliographic information

Title:           Rrëfimi - roman
Author:       Leonard Veizi
Editor:         Klejda Plangarica
Publisher:    Botimet "Bota Shqiptare", 2010
ISBN:         987-99956-11-61-3
Length:       188 pages


- Ai ndodhet këtu dhe ndoshta shpirti i tij ka kohë që na dëgjon, - tha vajza dhe vuri sërish dorën mbi pllakën e varrit. - Me siguri është pranë meje. Dhe ndoshta kërkon të më thotë diçka, por nuk mundet dot. Ndoshta kërkon të më thotë se nuk e meritoja dashurinë e tij dhe se e shpërdorova keq atë. Mund të dojë të më thotë shumë gjëra të tjera. Por unë do të doja të më thoshte se më kishte falur dhe se më donte sërish si më parë, ndoshta më fort, sepse u bë kaq kohë që s’jemi pranë njëri-tjetrit.
Ktheva kokën andej nga duhej të ishte fotografia e tij. Por ishte shumë errët për ta shquar. Në atë çast, mendova se, edhe pse e kërkonte, ajo e dinte fare mirë që s’mund të merrte asnjë përgjigje.
- Sa e ndiej mungesën e tij, - psherëtiu. - Oh, nuk di ç’të them. Tani është vonë dhe me siguri të mërzita me të gjitha këto që të tregova. Ndoshta ti s’kishe nevojë për këtë dramë, por bëre mirë që më dëgjove. U lehtësova. Doja t’ia tregoja dikujt të gjitha këto, t’i dëgjonte edhe ai... dhe le të vendosë vetë se ç’duhet të bëjë me mua. Të më falë, apo të më urrejë përjetësisht.
Ajo heshti pak.
- Mbaruam, - tha.
Unë nuk dija çfarë t’i thosha. Për herë të parë, gjatë gjithë asaj kohe, mendova se historia kishte mbaruar shumë shpejt.
- Tani u bë vërtet vonë dhe unë kam rrugë të gjatë për të bërë, - foli ajo pas heshtjes sime dyshuese. - Më duhet të iki.
Unë sikur u zgjova nga një topitje që më kish bllokuar të gjithin.
- Ku do të ikësh? - e pyeta me gjysmë zëri.
- Larg, shumë larg, - tha ajo me një zë të humbur. - Atje ku askush të mos e dijë se kush jam. Atje ku të mos më gjejë më asnjeri nga ata që më njohin.
E kuptova se ajo kishte nevojë për t’u larguar. Për të qenë sa më larg njerëzve që e njihnin. Ajo nuk donte të ishte më e pranishme në një vend ku nuk e donin më.
- Domethënë po zhdukesh? - pyeta unë.
- Ty mund të të duket kështu. Në fakt, unë po largohem. Dua të harroj gjithçka. Nëse vërtet do, mund të harrosh, sigurisht.
- Ndoshta ke të drejtë.
Ne ishim ngritur të dy në këmbë.
- Ti je një djalë shumë i mirë, - tha ajo dhe më vuri dorën në faqe. - Më durove në gjithçka që të tregova. Do të ishe një mik i mirë për mua. Por këtu, rrugët tona ndahen. Lamtumirë!
- Po ikën vërtet? - e pyeta sërish me gjysmë zëri.
- Po iki, - tha ajo. - Natën e mirë.
Zëri u tret ngadalë nëpër natë. Pastaj asgjë.
- Natën e...
Isha aq i hutuar, sa s’e kuptova se si u zhduk ashtu në errësirë, duke më lënë të vetëm, pa mundur t’i thosha më asgjë. Përreth ishte terr. Qiriu që kisha ndezur kishte kohë që ishte fikur. Nuk orientohesha dot dhe s’dija se si do të dilja nga varrezat. Eca kuturu nëpër errësirë duke u penguar vazhdimisht. Koka më ishte rënduar. Mendoja vazhdimisht për historinë e asaj vajze, që u zhduk në errësirën e natës. Papritur, pashë dritat e rrugës dhe u lehtësova disi. Ishin vërtet larg, por, të paktën, e kisha një pikë orientimi për të dalë nga errësira e një varreze të shkretë. “Duhet të iki”, - thashë me vete. Të ikja dhe të mos mendoja më për asgjë. Më duhet të harroja gjithçka, ta fshija nga kujtesa të gjithë këtë histori. Të mos ia tregoja askujt se ç’më ndodhi atë natë të errët, në mes të një qyteti me njerëz të vdekur. Historia e një njeriu misterioz duhet të mbeste aty, në varreza. Bashkë me të, edhe historia e asaj vajze, pa fytyrë e pa emër, por vetëm me një zë, të cilin unë do mund ta dalloja pa vështirësi, mes mijëra të tjerësh.
Dhe teksa shpejtoja për tek dritat anës së rrugës, mendova, me një lehtësim të çuditshëm, se kjo histori nuk ekzistonte. Nuk ekzistonte ajo, femra misterioze që më kish rrëfyer vetveten. Nuk ekzistonte historia e saj e dashurisë dhe as vdekja vetë. Madje, nuk ekzistonte as ai ankth i hirtë që kishte rënduar mbi mua me tërë peshën e tij. Gjithçka duhet të kishte qenë një lojë me trurin tim. Një ëndërr, apo një pasëndërr, vazhdim i asaj që kisha parë një natë më parë.
Ngadalë, një qetësi e beftë më pushtoi të tërin, teksa rendja e rendja ndanë rrugës që të nxirrte përtej...


Fragment nga romani: “Rrëfimi
------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Bibliographic information

Title:           I çmenduri i pavijonit 3 - roman
Author:       Leonard Veizi
Editor:         Loredan Bubani
Publisher:    Botimet "Omsca-1", 2012
ISBN:         978-9928-132-08-6
Length:       288 pages



Udhëheqësi i temës së specializimit tim, një mjek i vjetër e me përvojë më pat thënë se puna në spitalin psikiatrik nuk ishte fort e lehtë, ndaj duhet të isha i përgatitur për t’u ndeshur me më të keqen. Që ta përballoja atë, fillimisht duhej të isha i qartë dhe i qetë me veten time. Më pas vinin të tjerat. “Duhet ta dish se njerëzit me probleme mendore sa vinë e shtohen. Truri i tyre pëson deformime të çuditshme. Është koha që pjell të tillë qenie dhe të tilla simptoma”. Këto ishin fjalët dëshpëruese që më pati thënë ai teksa ishim duke pirë kafen e fundit, menjëherë pasi hodhi firmën mbi certifikatën e specializimit tim. Pastaj, në mirëbesim, më tregoi marrinë e fundit që kishte bërë sipas tij; i kishte shkruar një letër Ministrit të Shëndetësisë, ku i shpjegonte hollësisht se dy vitet e fundit kishte diagnostikuar si të sëmurë me probleme psikike, pesë herë më tepër qenie humane se sa njëzet vjet më parë. Dhe kjo nuk ishte një shifër në ajër, por e mbështetur në statistikat e një pune të mirëfilltë shkencore. Për pasojë të shtimit të pacientëve të tillë, politikat shtetërore në pamundësi të frenimit të tyre, të paktën duhet t’i linin hapësirë rehabilitimit. Pra thënë shkurt, duheshin ndërtuar disa qendra të reja trajtimi. Por duheshin specializuar dhe më shumë mjekë. Ndoshta duhej ndërtuar dhe një spital tjetër, shumë më i madh se ai ekzistues. Udhëheqësi i temës më tha se përgjigja nga administrata e ministrisë nuk kishte vonuar t’i vinte, gjithsesi. Një zarf i madh me pulla e vula zyrtare. Por brenda saj, në një fletë të vetme ishin shkruar vetëm dy fjali: “Faleminderit për informacionin. Nuk kemi fonde të mjaftueshme”. Ai e kishte ndjerë vetën të fyer nga kjo, të poshtëruar. “Dhe të mendosh që ministrin e kam pasur student”, shtoi më pas duke tundur kokën, si për të më thënë se, ai as që e meritonte firmën e tij në provimet e lëndës. Atëherë në inat e sipër kishte përgatitur një letër të dytë, ku u shkruante gjithë nerv se ndoshta kishte ardhur koha që godinën e ministrisë ta kthenin në spital psikiatrik, se nuk kishte çfarë u duheshin më ata burokratë të paaftë që mbushnin institucionet e shtetit dhe që luanin lodra për fëmijë në kompjuterët e zyrave, përderisa nuk ishin në gjendje të
zgjidhnin problemet më shqetësuese që paraqiste koha. “Duhet t’ju vizitoj të gjithëve me radhë, dhe jam i bindur se ka shumë prej jush që duhet të qëndrojnë sërish në atë godinë, veç jo si nëpunës së shtetit, por si pacientët e mi”, u shkruante ai. Kishte shkuar ta hidhte letrën në arkën e postës, por aty ishte penduar dhe e kishte grisur. E dinte që nuk do zgjidhte gjë, në mos po, do ta merrnin dhe atë për psikopat. “Nga zyrtarë mediokër çfarë nuk pret”, - shfryu ai. “Dhe përderisa nuk ka shtretër të mjaftueshëm dhe mjekë të mjaftueshëm për trajtimin e të çmendurve, ata do të jenë atje tej, në rrugë, do të shkaktojnë probleme dhe viktima. Të çmendurit e lirë janë problemi më i madh i shoqërisë sot, jo kriminelët e dënuar në burgje. Por unë nuk di se ç’duhet bërë më”, - tha ai me një zë që tregonte dhimbje e duke fërkuar sytë nën syze. - “Nuk shoh rrugë shpëtimi. Por i lutem Zotit, që të paktën të më ruajë një vdekje të nderuar, e të mos më vrasë ndonjë prej pacientëve të mi, ashtu siç i ndodhi një kolegut tim ca kohë më parë”. Pastaj u ngrit pa e përfunduar së piri kafenë dhe duke më shtrënguar dorën me një trishtim të skajshëm më tha: “Nëse ndonjë ditë do të të duhem, më telefono. Numrin tim e ke”.



Fragment nga romani:I çmenduri i pavijonit 3
----------------------------------------


DEBAT NË TRYEZËN E VDEKJES


Bibliographic information

Title:           Surpriza e natës së fundit - roman
Author:       Leonard Veizi
Editor:         Kliton Nesturi
Publisher:    Botimet "Bota Shqiptare", 2008
ISBN:         9995611236, 9789995611231
Length:       185 pages


- Ah, jo. Nuk jam dakord me ty, - u hodh Roberti.
- Edhe unë nuk jam dakord me ty. - i thashë.
- Ti ke gjithë mbrëmjen që nuk je dakord me mua, - u shfry Roberti.
- Të thashë, ti ke gjetur një bisedë tepër të vështirë për ta bërë, në një çast krejt të papërshtatshëm.
- Pse të papërshtatshëm?! Ku qëndron e papërshtatshmja këtu?
Unë hodha një sy rreth e përqark.
- Po ja, ne erdhëm të shikonin apartamentin e ri, se si e kishit mobiluar, çfarë poltronësh kishit zgjedhur, si e kishit realizuar kontrabufenë dhe si i kishit kombinuar ngjyrën e perdeve me tapetin. Ndërsa ti flet idiotësira.
- Mos më fyej, - tha qetësisht Roberti.
- S’po të fyej, - ngrita zërin unë. - Thjesht po të them se, erdhëm për të parë dhomën tënde të gjumit dhe banjën sigurisht. Ndërsa ti më flet për të vdekurit dhe për të gjallët, për Ferrin dhe Parajsën. Je në vete apo jo? Mos ke lajthitur gjë?!
- Prapë po më fyen, - tha Roberti dhe këtë herë në fytyrë i lexohej zemërimi.
- Nuk e kuptoj se ku po të fyej, - gati sa nuk thirra.
Në derën e verandës u shfaq Linda.
- Mjaft u grindët ju të dy. Po ju dëgjon i gjithë pallati, - tha ajo duke më vështruar ngulazi
Pas saj zgjati kokën Sara.
- Ejani këtej më mirë, tryeza u shtrua.
U ngritëm. Tryeza ishte shtruar vërtet. Pjatanca me gjithfarë gatimesh vinin erë të mirë. Megjithatë nuk kisha uri.
- Verë të bardhë apo të kuqe, - ofroi Roberti.
- Të kuqe, - i thashë. - nuk dua të ndërroj shijen.
- Edhe unë të kuqe, - tha Linda. - Ajo e bardha s’ishte edhe aq e mirë.
Ata të dy vështruan njëri-tjetrin.
- S’ishte gjë?! Je e para që e thua, - foli Roberti.
- Unë, për veten time, vetëm nga kjo pi,- tha Sara duke zgjatur gotën e saj të cilën Roberti e mbushi me kujdes.
- Gëzuar, - thashë unë. - Për jetën!
- Gëzuar, - tha Roberti. - Për vdekjen!...
...................................................................................................
Posteri i "Surpriza e natës së fundit" në Panairin e Librit nga "Bota Shqiptare"
Edhe pak dhe agonte.
- Vajti vonë, - i thashë Lindës. - Duhet të çohemi tani.
- Mbaroje dhe atë që të ka mbetur, - tha Linda duke më kujtuar se mbaja në dorë edhe një gotë të mbushur përgjysmë me verë të kuqe. Unë u mata ta ktheja.
- S’mund të ikni tani, - më ndërpreu Roberti.
- Do të ikim, - i thashë unë pa e ulur gotën. - Do të ikim se, u bëmë vërtet vonë.
- Tani kemi surprizën, - tha Roberti.
Linda pa nga unë dhe me një shprehje habie në fytyrë, foli:
- Surprizën?!
Nuk kisha dëshirë më të ndeshesha me surpriza. Madje dhe sikur të ishte gjëja më e bukur në botë. Isha i dërrmuar.
- Një herë tjetër, - ndërhyra. - Për sot e lëmë me kaq.
Roberti psherëtiu lehtë dhe pastaj hodhi mbi mua një vështrim urdhërues.
- Jo Eduard. Ju do të ikni që këtej vetëm pasi ne të kemi përfunduar atë që kemi nisur. Sepse ne..., sot..., kemi vendosur të bëjmë diçka të rëndësishme.
- Çfarë? - pyeta unë pa asnjë lloj kurioziteti.
- Duam të flijohemi, - tha Roberti.
Unë shkunda fundin e verës dhe lëshova gotën pa kujdes mbi syprinën e tavolinës.
- Si, të flijoheni? - pyeta me gjuhën e trashur nga vera.
Kisha pirë shumë dhe koka më rëndonte. Qepallat më mbylleshin herë pas here dhe unë e ndjeja se po të më linin të qetë, do të shtrihesha në kanape ashtu siç isha, me gjithë këpucë, dhe do të bëja një gjumë të rëndë.
- Domethënë që do të shkojnë të flenë, - tha Linda dhe u mbështet mbi supin tim. Dukej se dhe Linda ishte në të njëjtën gjendje si dhe unë. Ndoshta më keq.
Në mendjen time gjithçka lëvizte me ngathtësi. Më dukej sikur të gjitha objektet lëkundeshin ngadalë para meje. Nuk doja ta besoja se isha dehur.
- Edhe ne duhet të ikim, - thashë si nëpër dhëmbë. - Të flemë pak dhe të nisemi për në punë. Sa është ora...?
Ngrita dorën e majtë për të parë orën. Akrepat u shformuan...
- Mos, sa vonë qenka bërë! - u kthjellova disi.
Nuk donte edhe shumë që dita të zbardhte. Nga dera e hapur e verandës frynte një fllad i lehtë i cili tunde dhe perden e rëndë që varej deri në dysheme.
- Jo, jo, s’e keni dëgjuar mirë, - këmbënguli Roberti. - Nuk është fjala për të fjetur, por për diçka tjetër... për një vetëflijim. Pra... si t’ua shpjegoj më qartë; është fjala për një vetëvrasje. Më kuptoni... apo jo?
Ndoshta s’e kisha kuptuar mirë. Ndoshta e kisha kuptuar po aq mirë sa ai e kishte shpjeguar. Por një frikë e brendshme nuk më linte të bëja as edhe një pyetje, qoftë dhe më të voglën e mundshme; çfarë?


Fragment nga romani: “Surpriza e natës së fundit”

Friday, June 15, 2018

New Tirana, ose qyteti i ri fringo i shqiptarëve

Nga Leonard Veizi

Pas vitit 1945 komunizmi ndërtoi ca qytete të reja, të tipit industrial, që nuk prishnin asgjë nga ekuilibrat e vjetër sepse në përbërje të një ngrehine hekurishteje, nuk kishte më tepër se 3000 banorë. Laçi apo Maliqi, në mos gabohem.
Sot sfida më e madhe e qeveritarëve, që po e rrotullojnë timonin në oqeanin e Ekonomisë së Tregut, është që shqiptarët të kenë dhe një kryeqytet fringo të ri, me të paktën 1 milion banorë. Dhe për këtë, me një letër me vrimë, është zgjedhur: Tirana.
-Do ta bëjmë Tiranën si Kairon, - m’u kujtua një batutë e dikurshme, që mbase shumë kush e mban mend se në çfarë rrethanash ka qarkulluar.
-Jo or jo, Tiranën do ta bëjmë si New Jorku, akull të ri e me gradaciela.
Kjo është thirrja që vjen më pas, atëherë kur ra muri i Berlinit, Çaushesku na la triskat dhe Ramizi mbajti pleniumet e partisë për liberalizimin e jetës në vend.
-Epo na vaftë mbarë.
Që Tirana të bëhej fringo e re, ishte sa e lehtë aq dhe e vështirë.
Sepse si qytet me histori të vjetër kishte goxha shumë probleme. Fjala vjen: përveçse një trashëgimi të rënduar me ndërtime orientalo-otomane, kishte dhe plot ndërtesa glorioze-italiane që përdoreshin për danc e kopuklliqe të këtij kalibri nga ushtarët dhe oficerët e ushtrisë së Benito Musolinit.
Ne e fituam që e fituam luftën, dhe në kampin aleat me ca të shtyra u futëm vetë, përse të mos i japim dërrmën dhe mbetjeve të ahengut alla-fashist?
Por për ta bërë qytetin fringo të ri, duhej një master-plan, herë emergjent e herë me perspektivë të largët.
Dhe nuk është se hapej një rrugë e re, se traseja qe shtruar me kohë. 
Të parët e filluan ata që luftuan dhëmbë për dhëmbë me armikun. U takonte, jo për gjë. Fillimisht shembën Pazarin e Vjetër dhe nisën serinë e ndërtimit standard me parafabrikate: nga “Uzina Enver” deri të “Varri i Bamit”. Aty nga qendra i mbyllën gojën kafe “Kursalit”. E meqë s’i nxinte vendi, hodhën në erë Komitetin Ekzekutiv, dhe ca pallate me shkallë mermeri që italianët i kishin ndërtuar për nëpunësit e tyre në bash të vendit, aty në fillim të bulevardit “Zogu I”..., apo për nostalgjikët bulevardi “Stalin”.
Por kjo nuk ishte gjë fare.
Që Tirana ta meritonte parashtesën “New” u morën seriozisht qeveritarët e pas viteve 2000. Epo shekull i ri kismete të reja. Le që kjo përkonte dhe me mileniumin e tretë që kur lindi Krishti dhe epoka “Para Erës Sonë” u kthye në “Erës Sonë”. Për t’i dhënë vlerë mijëvjeçarit që sa trokiti, kinema “Republika” u pagëzua si “Millenium” dhe pak pas premierës së filmit të parë që u trasmetua në ekranin e gjerë u mor vendimi për t’u shembur si pjesë e të vjetrës dhe mbi gërmadha të ngrihej një pallat shumëkatësh, në mos deri mbi re, të paktën poshtë tyre.
“E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re lulëzon gërmadhash”.
Ja pse duhen shkruar me gërma të arta këto vargje nga drama "Vilhelm Tel". Mesazh fiks për ne shqiptarët, që i marrim me entusiazëm të paparë dhe SMS-të.
Kishte hak Shileri.
Vetë revolucionet ndryshojnë botën.
Veprimi është fare i thjeshtë: fut kallëpin e dinamitit e hidh në erë ç’të gjesh para. Të mos mbetet asgjë nga e kaluara o të keqen. 
Pas kësaj iku kinemaja elegante “17 Nëntori”, apo “Nacional”, merreni si të doni. Se këtu te ne, vendet simbol kanë nga tre-katër emra. Ndonjëherë dhe më shumë. Epo... variacion për piano dhe orkestër.
Por me sa duket plani për të pasur në mesin e Shqipërisë, qytetin më të ri të botës, dikush e pengon.
Tanimë vendimmarrja është më e prerë. Se po bëhemi gati të futemi në Evropë me gjithë opinga.
Së fundi është marrë me goditje të përqendruar shkulja deri në brezin e tretë të arkitekturës italiane të Fashos. Beton e tallash bashkë. Edhe asbest ndonjëherë. Stadiumi fluturoi. Tani po përgatitet shpërthimi me C4 i Dololavoros që për djall shërbeu dhe 73 vjet si skena më e rëndësishme teatrore në vend. Sa të lahen duart dhe me këtë objekt të degraduar mjerë kujt do t’i vijë radha. Flakë e tym do bëhet.
Mirëpo unë kam një mendim.
Se dhe mendimet vijnë nga dëgjesa popullore.
Them se, që t’i vijmë hakut Fashos dhe Duçes bashkë me të, duhet ta marrim më seriozisht. Fjala vjen, do të ishte një spektakël i vërtetë po të qëllojmë me top obuz 122 milimetra Universitetin Politeknik. Si një herë e një kohë Asamblenë tradhtare që ishte mbledhur te “Pallati i Brigadave”… tek ai “Mbretëror” doja të thosha, por u ngatërrova. Se ajo biçim ndërtese ka faje të rënda. Mirë italianët, por dhe gjermanët e përdorën për komandaturë.
Dhe tek e fundit, po t’i heqim këtë pykën aksit qendror të kryeqytetit, ndërtesat përreth ikën e vanë. Vendi spastrohet një herë e mirë. Territor sa të duash. Mund të bësh qejf e s'ka çtë thotë njeri gjë.
Pas tyre vjen ndërtimi. Jo më parafabrikate 6 kateshe. Por kulla që çajnë qiellin mes për mes. Extra Qendra Biznesi, në një ekonomi tregu që nuk prodhon asgjë.
Dhe fill pas kësaj do të kemi "New Tirana". 
Pa asnjë objekt nga e kaluara. 
Pa memorie negative. 
Fringo të re.

Sunday, May 27, 2018

Mbresa të shkëlyera nga një fundjavë plazhi në fillim të sezonit veror


Një rrëfim në vend të një reportazhi

nga Leonard Veizi

Histori  e paparë e një dite vere, aq sa edhe pse e ndesh çdo ditë, sërish kur e lexon nuk të besohet…

...Nuk është hera e parë që shkruaj për plazhin dhe do të vazhdoj ta trajtoj ngahera këtë temë, të paktën në formën e një reportazhi, edhe pse në fakt aty gjen aq materiale sa të mbushësh faqe për një roman satirik që kur ta lexosh me nge të shkulësh barkun nga të qeshurat.
Fund maji.
Sinoptikania e “Top Channel-it” thotë se dielli do shkëlqejë sa të na marrë mendjen. Ajo e TVSH-së siguron se nuk do t’i gjejë gjë ata që do të zgjedhin bregun e detit për vakancë. Unë bëj propozimin e radhës:
- U mykëm në Tiranë. A nisemi për në Golem këtë fundjavë, bëjmë dhe plazhin sefte?
Propozimi pritet me ovacione nga tre anëtarët e tjerë të familjes, gruaja, vajza dhe djali. Bëhen gati 4 valixhe ku fusim gjithfarë gjërash deri te bluzat me mëngë të gjata.
- U ngarkuam shumë, - i them gruas. – 45 kilometra larg jemi. Pastaj shi nuk do bjerë. Edhe temperaturat do jenë mbi 30 gradë celsius.
- Në atë krah fli ti, - ma kthen ajo. – Ku i zihet besë kohës. Pastaj ç’ke, makina do t’i mbajë.
Të shtunën sa zbardhi, rrasëm valixhet në bagazh dhe u nisëm.
- Më pëlqen ta pi kafen buzë detit, - i them gruas.
- Ëhë, - ma kthen ajo dhe ndez radion.
Muzika buçet. Autostrada rrëshqet. Këtyre u them pushime unë. Deri te kthesa e Rinasit gjithçka mirë. Pastaj fillojnë gropat. Gjende mirë, ritmi i muzikës sinkronizohet me kërcimin brenda kabinës. Aheng i detyruar. Po prapë shtyhet. Nuk ka shumë trafik të paktën.
Mbërrijmë në Golem. Marr një dhomë tek i njëjti hotel ku shkoj prej vitesh. Me pronarin jemi bërë miq.
- Po të jap dhomën më të mirë, - më thotë ai.
Në fakt më jep me të keqen. Metodë e vjetër. Më të mirat i mban për rast rreziku. Ja vjen ndonjë turist nga Prishtina. Se ne të Tiranës jemi bërë si të shtëpisë o lum miku: hyr e dil e tund peshqirë.
- Rrofsh, - ia kthej duke e bërë të besojë që e besova. Fundja një natë do rrimë. - Këtë rrugën meazallah se e rregulluat.
- Përton bashkia, - ma kthen ai, si ta kishte përgjigjen në majë të gjuhës. – Por vitin tjetër ma do mendja është gati.

Ka nja tre vjet që më thotë të njëjtat fjalë.
Hedh sytë përreth. Në fakt dhe situata është e njëjtë, këtu e 15 vjet më parë, kur mbërrita në bregun e Kavajës. Atëherë me dhimbje braktisa "Breshkën" e Durrësit dhe në fakt gjeta zhabat e Golemit. Një kanal fekalesh që mezi e futën nëpër tuba. Punimet vazhdojnë akoma. Me ritmin e breshkës sigurisht. Aty këtu ca fadroma ngrohen në diell. Ngado hedh sytë do ndeshem o me objekte të prishura o gjysmë të ndërtuara.
Kujë e zezë.
Me hap të shpejtë dalim nga hoteli dhe marrim rrugën për te kafeja. Pamja madhështore. Tavolinat plot. Qindra shezllonet bosh. Deti vaj.
- Mrekulli, - i them gruas.
Ajo gjerb me kënaqësi kafenë. Fëmijët rrufisin nga një filxhan të madh me kakao.
- Po ky kanali këtu?
Bo, bo... Dhjetë për qind nga qejfi i madh u zhbë. Një kanal gjigant që rridhte ujë, pastronte gropat septike të zonës. Në fakt jemi mësuar me situatën. Por një vit më parë ishte i mbyllur. Tani në fillim të sezonit kishte hapur kanatat. Megjithatë ne shquhemi për imunitet. E shtyjmë si e shtyjmë. Por them se dhe turistët e huaj zor se e gjejnë një panoramim të tillë, në tërë globin të kërkojnë. Jemi vend ekzotik jo shaka. Ofrojmë të paofrushmen.
- Po marrim një çadër, - i them administratorit të shezllonëve.
- Fëmijët qenkan të rritur, merr dy e të rrini rehat, - më sugjeron ai.
Prishur mos qoftë. Ne lekët në dorë, ai na jep një kupon tatimor. Hajde shtet hajde. Hallall.
Sa shtrijmë peshqirët e rehatohemi mbërrin mysafiri i parë. Një lypës nja 12 vjeç.
- Ke ndonjë lek të vogël? - më pyet ime shoqe.
Lypësi ka shtrirë dorën e nuk thotë asnjë fjalë.
- Jam me rrobe banje, - ia kthej.
Ajo ngrihet hap çantën e madhe, merr kuletën e vogël dhe nxjerr ca qindarka.
Lypsi ikën pa falënderuar.
- Është muaji i Ramazanit... - më le të nënkuptoj gruaja.
- Po moj, - ia kthej unë, - duhet me i ndihmu shtresat në nevojë.
Fëmijët kanë vënë kufjet në vesh e s'duan t'ia dinë fare.
Shtrihem në shezllon të marr ca rreze.
- Hajde fara, kikirik, letra bixhozi, domino...
Filluan ofertat, mendoj. Thirrja e largët fillon e dëgjohet më fort.
- Do ndonjë pako letra? Apo do të bësh një dorë domino? Kalon kohën jo për gjë.
Shitësi ambulant më kishte zënë diellin ndërkohë.
- Ç’i dua, - ia kthej, - kam celularin sa për 100.
- Pse bosh do më lesh ti mua. Merr ndonjë gjë o burrë.
- Ja po të marrim një pako fara, - ndërhyn gruaja.
Ambulanti ikën i kënaqur. Gruaja më buzëqesh. Situata u zgjidh.
- Edhe kjo në kuadër të muajit të Ramazanit, - i them.
- Epo edhe ai për të shitur ato dy gjëra ka dalë.
U shtriva në shezllon dhe vendosa kapelën mbi fytyrë.
- Erdhi banania...
Ulërima çau ajrin. "Ç’ke ore që bërtet" doja t’i kthehesha gjithë nerv.
- Marrim nga një banane për mëngjes, - dëgjova zërin e gruas.
U kujtova që isha pa ngrënë.
- Sikur të merrnim dhe ndonjë byrek, - i them duke shtrënguar stomakun.
Gruaja merr bananet, unë sulem te dyqani më i afërt për të marrë katër byreqe me shije të ndryshme sipas kërkesave: gjizë, spinaq, proshutë, qepë e domate.
Hëngrëm sa u shqepëm.
- Epo na bëftë mirë, - thashë dhe vendosa kapelën mbi sy.
Të merrnim ca rreze më në fund.
-A do një palë syze?
Heq kapelën. Mbi kokë një ambulant tjetër mbante varur mbi gjoks një kuti ambalazhi me nja 40 palë skelete me ngjyra të ndryshme.
- Po ti e sheh që unë i kam një palë syze, - ia kthej.
- Po këto i ke optike, merr një palë të zeza se të vret sytë dielli.
- Ja merr këto se të shkojnë, - më sugjeron gruaja.
I vendos syzet e diellit mbi ato optike. Pamja u errësua.
- Relaks ëëëëë... Thashë unë. T’i gëzosh.
Inshallah me kaq, mendova. Syzexhiu u largua, unë vendosa kapelën mbi të dy palët e syzeve.
- Gazeta, revista, fjalëkryqe....
Pash nderin më lini rehat, doja të bërtisja dhe vura duart mbi kokë.
- Epo një “Panorama” do ta marrim, të njihemi me të rejat e ditës, - dëgjoj zërin e gruas.
- Merre, - i them duke zbutur inatin. - Mbase ka thënë Babalja ndonjë llaf me mend.
- Po u marr dhe kalamajve nga një akullore. Apo do dhe një ti?
Tunda kokën me gjithë kapelë. Pas tre minutash situata ishte krejt ndryshe. Unë e fëmijët lëpinim akulloret, gruaja nisi të shfletonte gazetën nga faqja e fundit.
-Paska dhe fjalëkryq. Po ç’e do, nuk kam një stilolaps.
Akullorja më shkoi shtrembët. Fillova të kollitesha. Sytë po më lotonin. Djali u hodh vrik të më ndihmonte me ca grushte të lehtë mbi kurriz. Emergjenca kaloi. U ngrita të merrja një stilolaps tek një tjetër ambulant që mbante gjithfarë kinkalerish brenda një kutie dërrasash.
- Këto qenkan njëlloj, përse këta të kuqtë janë më të shtrenjtë, - pyes.
- Epo kanë stemën e Shqipërisë. Jemi apo s’jemi patriotë.
- Po marr këtë “kuq e zinë”, se nuk dua të më cilësojnë si filo sllav, filo turk a filo grek.
- Po merr dy copë atëherë.
- Nuk do filloj shkollën, - ia kthej. - Një fjalëkryq do zgjidh.
- Po mirë mos u nxeh, t’i jap me ulje ndaj të thashë.
Demek treg shumice.
Shkoj te gruaja me dy stilolapsa në dorë. Në fund të fundit do t’u jepja nga një vajzës dhe djalit.
-Ku janë fëmijët, - e pyes?
-Kanë shkuar të marrin kasata, - thotë ajo duke më treguar furgonin mbi të cilin shkruhet “Akullore-Kasata”. Pak më tutje një ambulant tjetër përgatiste petulla të nxehta.
- Akullorja nuk u pëlqeu dhe shkuan të rregullojnë shijen.
- Vetëm  petulla të mos blejnë, - them i shqetësuar. - Kjo era e vajit të djegur, më duket si era e vajit të kamios së makinës.
Fëmijët vijnë me kasata në duar, ne dalim një shëtitje buzë detit. Porosis fëmijët të hapin sytë se mos na vjedhin gjë.
- Nuk vjedh njeri këtu o ba, - ma kthen vajza.
- O po këtu të vjedhin çadrën me gjithë shezllon, por kujdes, - i tërheq vëmendjen.
Kishim bërë fare pak metra buzë detit kur ndeshemi me një grup fallxhoresh. Të gjitha u sulën të kapnin nga një myshteri.
- Të të hedh një fall, - më tha njëra prej tyre, duke u munduar të më kapte prej dore.
Djall o punë. Refuzoj dhe eci gjithë duf. Gruaja më ndjek gjithashtu duke refuzuar parjen e vizave të dorës. Vazhdojmë përpara.
- Do bëni ndonjë tatu? Janë të përkohshme, pas dy muajsh prishen. 
Nuk ia vëmë veshin. S’kam pasur kurrë tatuazhe në trup, as të përhershëm e as të përkohshëm. Gruaja jo e jo.
Vazhduam shëtitjen. Na bëri përshtypje një kompleks i ri që po vazhdonte të ndërtohej. M’u duk vetja si në resortet e Turqisë. Por bregu i detit vazhdonte të kishte plot mbetje leshterikësh e gjithfarë gurësh që sillte batica.
- Hajde fara, kikirikë, letra bixhozi, domino...
Prapë ky. E tmerrshme. Kthehemi rreth kohës së drekës. Fëmijët i gjejmë duke ngrënë qershi. Na thanë se nuk ia dolën dot me një fshatar që u rrasi qesen e qershive në dorë.
- Po ai i fiqve, kaloi? – pyeti gruaja gjithë merak.
- Ohu, mos u bëj merak se vjen prapë, - u përgjigj djali gjithë indiferencë.
-Po misrat moj, se na u bë syri bakër, - i them gruas.
Ajo mbledh supet.
-Nuk e kanë kohën tani. Më duket se dalin nga korriku.
Kush pret deri në korrik.
Dita kaloi si kaloi. Në darkë gjetëm një lokal që na ftonte me muzikë live.
- Këtu do qëndrojmë, - vendos veton unë. – Dëgjojmë dhe dy këngë për të qenë. 
Vura dhe një birrë të madhe përpara. Orkestra filloi. Nja 30 minuta më pas, filluan të më merreshin mend.
- Më duket se jam dehur, - i them gruas.
- Po ku u dehe aman. Ti as gjysmën e birrës nuk ke pirë. Me siguri e ke nga muzika.
- Muzika???
Në fakt kisha dëgjuar që muzika të dehte.
- Po pra, deri tani është përmendur nja 18 herë fjala raki.
I vë mend tekstit të këngës... “Kush pi verën dhe rakinë do të vdesë mbi trëndelinë/ kush se pi rakinë dhe verën pos e paftë me sy pranverën”. Më futen të dridhurat. Mallkim jo shaka. Nga frika e ktheva me fund gotën e birrës.
- Epo po u bënë 22 duhet të më çojnë kamerierët në hotel se do jem bërë dru, - them unë.
Të nesërmen rituali vazhdoi i njëjtë. Vazhdimisht më dukej vetja si i dehur. Këtë herë na u shtua një tjetër aksesor.
- Të paska zënë dielli.
Ishte një grua që flokët i kishte mbledhur me shami. Uli çantën që mbante krahëve e hapi dhe duke nxjerrë ca tubete filloi të shpjegonte: - Ja, ky kremi këtu është me faktor mbrojtës 30. E sheh? Ti je ca bardhosh. Duhet të marrësh këtë më faktor 50. Pastaj i fut një karrotë e bëhesh bronz.
- Me gjithë mend e ke, - ia kthej.
- Ka të drejtë, - ndërhyn gruaja dhe blen njëkohësisht kremin mbrojtës e atë nxirës.
- Di gjë sa na ka shkuar fatura, - e pyes. - Se sikur e kemi liruar shumë dorën.
- Në shtëpi, - ma kthen ajo, - aty i mbyllim llogaritë.
Dhe si për t’i vënë qershinë tortës vjen një ahengxhi, me një box që e tërhiqte pas ngado. Këngë me porosi. Tallava safi. Boxi të shurdhonte veshët. Ai nuk lëvizte vendit. Si qëndroi nja 15 minuta e nuk ia vari kush iku. Ua zuri derën pushuesve nja dy blloqe më poshtë. Veshët na ranë rehat. Hajde pushime hajde, thashë me vete. Terror fare. Mezi po prisja të mbaronte wekeendi.
Pasdite vonë mbërrijmë në shtëpi. Jemi të katërt të me sy të kuq nga kripa e detit e të djegur nga dielli.
- Tani po, mund t’i rakordojmë faturat e të mbyllim llogaritë, - më thotë gruaja.
Unë mblodha buzët. Koka më dhimbte.
- Më mirë të mos e di, - i them. - Do të më zërë koka më keq se kaq.
Gruaja mbyll kuletën.
- Ashtu them dhe unë.
Nuk kishte nevojë për shifra. Me siguri fatura duhej të ishte më e kripur se ujët e detit dhe më e rëndë se era e gropave septike. Isha në një përgjumje të mundimshme. Nga larg më vinte një zë si oshtimë.
- Hajde fara, kikirikë, letra bixhozi, domino...
Isha i lodhur e s’po duroja dot. Doja të harroja gjithçka. U shtriva në shtrat dhe rashë në një gjumë të thellë.